Kristina Millona | 20.10.2024 |nyje.al
Të premten e 18 tetorit, Gjykata e Emigracionit në Romë dha vendimin se përpos dy të identifikuarve si të mitur dhe dy migrantëve të tjerë vulnerabël, edhe migrantët e mbetur në Shqipëri duhet të silleshin në Itali, duke mos përligjur burgosjen e tyre në Gjadër.
Grupi prej 16 migrantësh me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti, ishin pjesë e transferimit të parë të realizuar nga autoritetet italiane në kuadër të protokollit Rama-Meloni. Ishte anija ushtarake Libra që zbarkoi migrantët në Shqipëri të mërkurën e 16 tetorit të shoqëruar nga personeli i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët si dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Vendimi i Gjykatës së Romës lidhet me reformën e vitit 2023 në sistemin e azilit të Italisë, e cila përfshiu një procedurë të përshpejtuar kufitare që lejon ndalimin në qendra të paraburgimit të azilkërkuesve që vijnë nga një vend i sigurt origjine deri në zgjidhjen e azilkërkimit.
Një dekret ministror në 2019, përditësuar më vonë në 2023, ka përcaktuar 22 vende si të sigurta për shtetin italian ku përfshihet: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnja dhe Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Egjipti, Bregu i Fildishtë, Kosova, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Maroku, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka dhe Tunizia.
Kjo do të thotë se sipas autoriteteve italiane, njerëzit që vijnë nga këto vende nuk përballen me forma persekutimi apo cënimi serioz për jetën e tyre në vendet e origjinës. Praktikisht ky klasifikim rrit probabilitetin e refuzimit të azilit për shtetasit e këtyre vende.
Së fundmi, Gjykata e BE-së ka deklaruar se shtetet anëtare nuk mund të përdorin procedurë të përshpejtuar të azilit në kufijtë e tyre për njerëzit që vijnë nga vende të sigurta të origjinës nëse këto vende përcaktohen si të tilla me disa përjashtime, por se ato duhet të jenë të sigurta në tërësinë e tyre dhe për të gjitha komunitetet.
Brenda 48 orëve nga mbyllja e migrantëve në objektin në Gjadër, vendimi i Tribunalit të Romës e konsideroi të paligjshme zbatueshmërinë e sistemit të azilit të aplikuar nga Italia.
Gjykata tha se 12 migrantët duhej të ktheheshin në Itali sepse vendet e tyre të origjinës, Egjipti dhe Bangladeshi, nuk mund të konsideroheshin të sigurta dhe kjo sjell paligjshmërinë e izolimit dhe heqjes së lirisë në qendrat e paraburgimit në Gjadër. Vendimi i Tribunalit urdhëroi transferimin e menjëhershëm të 12 migrantëve, duke i dhënë një “shuplakë” të fortë paktit Rama-Meloni.
Ky vendim solli rikthimin e migrantëve në Itali mëngjesin e 19 tetorit nga një anije e Marinës Italiane. Ekspertët mjekësorë kanë ngritur alarmin për pasojat që kjo marrëveshje sjell për shëndetin e migrantëve të cilët transferohen drejt Shqipërisë.
“Ky protokoll, i cili nuk parashikon asnjë kuadër ligjor për identifikimin e personave vulnerabël, ka boshllëqe aq të mëdha saqë në javën e parë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje autoritetet dështuan duke përzgjedhur dhe transferuar minorenë dhe persona me shëndet të cënueshëm drejt Shqipërisë” shprehet Nicola Cocco, ekspert për shëndetin publik dhe doktor pranë qendrave të paraburgimit për emigrantët në Itali.
Cocco argumenton se procesi i vlerësimit dhe përcaktimit të moshës është kompleks, i shtrirë në kohë dhe i pamundur të realizohet në një anije italiane përpara selektimit të zbarkimit. Edhe pse qendra në Shëngjin ka shërbime radiologjike të disponueshme, ligji italian kërkon një ekzaminim holistik të individit për të vlerësuar me saktësi moshën, pasi sigurisht që ky proces vlerësuses nuk mund të mbështetet vetëm në rrezet X të kyçit të dorës.
Disa burime të brendshme bëjnë me dije se disa prej migrantëve të zbarkuar në Shqipëri kanë pohuar se i janë nënshtruar torturës nga autoritetet e Libisë përgjatë rrugëtimit të tyre drejt Italisë.
Edhe pse vendimi i Gjykatës së Romës është përshëndetur nga aktivistë e shoqata për të drejtat e refugjatëve, ekspertë ligjorë theksojnë se vendimi i Gjykatës as nuk bllokon plotësisht zbatueshmërinë e protokollit Rama-Meloni dhe as nuk kritikon transferimet në Shqipëri.
Andreina De Leo, analiste e politikave evropiane të migracionit, argumenton se Gjykata e Romës kundërshton se si Italia zbaton procedurën e përshpjetuar kufitare të azilit të BE-së në një mënyrë që është e papajtueshme me vendimin e fundit të Gjykatës Evropiane për të drejtat e Njeriut.
Rrjedhimisht, Gjykata e Romës konstatoi se procedura e përshpjetuar e azilit është e pazbatueshme në përgjithësi dhe jo konkretisht për transferimet në Shqipëri, pra gjyqtarët do të kishin vendosur në mënyrë të ngjashme edhe nëse procedura e përshpjetuar kufitare do të zhvillohej në Itali.
Qeveria italiane u zotua të vazhdojë me zbatimin e protokollit duke thënë se do të apelojë kundër vendimit të Gjykatës, dhe se transferimi drejt Shqipërisë së migrantëve të interceptuar në ujërat ndërkombëtare do të vijojë në javët në vazhdim.