Patentat VS Pandemia

Përkthim | Analizë | Project Syndicate |29.04.2020 
JOSEPH E. STIGLITZ, ARJUN JAYADEV, ACHAL PRABHALA

Photo by Brian Miller on Unsplash Foto nga Brian Miller në platformën Unsplash

Ndërkohë që hulumtuesit përreth botës po nxitojnë të zhvillojnë diagnoza dhe trajtime të reja për COVID-19, na duhet të mos harrojmë se ky është rast përjashtimor. Jemi të vetëdijshëm se në mungesë të ndërhyrjeve publike vaksinat dhe barnat kritike për jetën varen nga një sistem i shtyrë nga monopolet që i shërben fitimit dhe jo njerëzve.

Imagjinoni një botë ku një rrjet global profesionistësh mjekësor monitorojnë dyshimet në rritje për shpërndarjen e viruseve ngjitës, periodikisht përditësojnë një formulë të përcaktuar tashmë për vaksinimin kundër tyre dhe pastaj ua bëjnë të ditur informacionin kompanive dhe shteteve në të gjithë botën. Për më tepër, imagjinoni nëse kjo punë do të kryhej pa përfilljen e pronës intelektuale dhe pa monopolet farmaceutike që shfrytëzojnë për maksimizimin e fitimit të tyre një publik të dëshpëruar.
Kjo mund të tingëllojë si një fantazi utopike, por në fakt është përshkrimi sesi janë prodhuar vaksinat ndaj gripit në 50 vitet e fundit. Përmes Sistemit Global të Mbikqyrjes dhe Reagimit ndaj Influencës Globale të OBSH-së (GISRS), ekspertë nga e gjithë bota mblidhen dy herë në vit për të analizuar dhe diskutuar të dhënat më të fundit mbi gjasat gripale në rritje dhe vendosin se cila gjasë duhet përfshirë në vaksinën e çdo viti. Si një rrjet laboratoresh i shtrirë në 110 shtete dhe i financuar thuajse tërësisht nga qeveritë (dhe pjesërisht nga fondacione), GISRS është rasti shembullor i asaj që Amy Kapczynski nga Shkolla Ligjore e Yale e quan ‘shkencë e hapur’.

Meqë GSIRS është e fokusuar vetëm në mbrojtjen e jetëve njerëzore, sesa në nxjerrjen e fitimit, qartazi mundet të mbledhë, interpretojë dhe shpërndajë dijet që i shërbejnë zhvillimit të vaksinave. Ndërkohë që në të kaluarën këtë e kemi marrë për të mirëqenë, vetëm tani po ia njohim hapur avantazhet.
Si përgjigje ndaj pandemisë, komuniteti shkencor global ka treguar një gatishmëri të jashtëzakonshme për të bashkëndarë dijen mbi trajtime të mundshme të virusit, për të koordinuar testimet klinike, për të zhvilluar në mënyrë transparente modele të reja dhe për të publikuar gjetjet e tyre menjëherë. Brenda kësaj klime të re bashkëpunuese, është e lehtë të harrojmë se kompanitë farmaceutike tregtare e kanë privatizuar dhe izoluar për dekada me radhë dijen e përbashkët përmes kontrollit të zgjeruar mbi barnat kritike me patenta dytësore, të paautorizuara ose mendjengushta, dhe me lobime kundër miratimit e prodhimit të gjenerikeve.

Prej COVID-19 tashmë është qartësuar dhimbshëm se një monopolizim i tillë kushton shumë jetë njerëzore. Kontrolli monopolistik mbi teknologjinë e testimeve për virusin e ka penguar nxjerrjen e shpejtë të më shumë kiteve testuese, ashtu siç figurimi i ‘respiratorëve’ dhe maskave ‘N95’ në 441 patentat e kompanisë 3M e kanë vështirësuar për prodhuesit e rinj manifakturimin në masë të maskave mjekësore. Edhe më keq, patentat e shumëfishta janë të detyrueshme në shumicën e vendeve të botës për tre nga trajtimet më premtuese të COVID-19 – remdesivir, favipiravir, and lopinavir/ritonavir. Këto patenta tashmë po e parandalojnë konkurrencën dhe po kërcënojnë edhe përballimin financiar edhe sigurimin e barnave për njerëzit.

Na duhet të zgjedhim mes dy të ardhmeve. Në skenarin e parë, vazhdojmë si zakonisht duke u mbështetur në kompanitë e mëdha farmaceutike dhe duke shpresuar se ndonjë trajtim i mundshëm për COVID-19 do të dalë prej testimeve klinike dhe teknologji të tjera po ashtu për zbulimin, testimin dhe mbrojtjen. Në këtë të ardhme, patentat do t’u japin monopoleve kontroll mbi shumicën e këtyre inovacioneve. Ofruesit do të vendosin çmime të larta duke detyruar një pikiatë në racionimin e kujdesit shëndetësor. Në mungesë të ndërhyrjeve të forta publike do të humbasim shumë jetë njerëzish, sidomos në vendet në zhvillim.
Të njëjtin problem do të kemi edhe me ndonjë vaksinë potenciale për COVID-19. Ndryshe nga vaksina e poliomelitit e Jonas Salk, e cila u mundësua falas menjëherë, shumica e vaksinave që vijnë prej tregut sot janë të patentuara. Për shembull, PCV13, vaksina aktuale për pneumoni për fëmijët kushton qindra dollarë sepse është pronë monopol e Pfizer. Dhe pavarësisht se Gavi, Aleanca e Vaksinave subvencionon shumicën e kostove të vaksinës për vendet në zhvillim, shumë njerëz ende nuk munden ta përballojnë atë. Në Indi, prej pneumonisë më shumë se 100.000 vdekje foshnjore të parandalueshme regjistrohen çdo vit, ndërkohë që vaksina sjell pak a shumë 5 miliard dollarë në të ardhura vjetore për Pfizer.

Në skenarin e dytë për të ardhmen, do ta pranonim se sistemi aktual – në të cilin fitimi i monopoleve private vjen nga dija që më së shumti prodhohet në institucione publike – nuk është i duhur për qëllimet tona. Ashtu siç avokatët e shëndetit publik dhe akademikë të ndryshëm kanë argumentuar moti, monopolet vrasin përmes qasjes së mohuar në barna kritike që përndryshe do të ishin të qasshme në një sistem alternativ – si ai që lehtëson prodhimin e përvitshëm të vaksinës së gripit.
Tashmë ka disa lëvizje në drejtim të qasjeve alternative. Për shembull, qeveria e Kosta Rikës së fundmi i bëri thirrje OBSH-së që të krijojë një konsorcium vullnetar patentash për të drejtat e pronës intelektuale për trajtimet e COVID-19, e cila do t’u mundësonte shumë prodhuesve të ofronin barna të reja dhe diagnoza me çmime më të përballueshme.

Konsociumi i patentave  nuk është një ide e re. Përmes Medicines patent Pool, Kombet e Bashkuara dhe OBSH-ja për vite kanë synuar rritjen e qasjes në trajtime për HIV/AIDS, hepatitin C dhe tuberkulozin dhe tashmë e kanë zgjeruar këtë program për të mbuluar COVID-19. Konsorciumet e patentave, grantet dhe të tjera ide të ngjashme janë pjesë e një axhende më të gjerë për reformimin e mënyrës sesi zhvillohen dhe ofrohen barnat kritike për jetë. Qëllimi është të zëvendësojë një sistem të drejtuar nga monopoli me një të bazuar në bashkëpunim dhe dije të bashkëndarë.

Me siguri, disa do të argumentojnë se kriza e COVID-19 është sui-generis ose se mjafton kërcënimi me lëshimin e licensave të detyrueshme për t’i shtrënguar kompanitë farmaceutike që të sillen siç duhet. Por, përtej hulumtuesve në ballë të frontit të cilët nuk motivohen vetëm nga fitimet afatshkurtra, nuk është e qartë se kompanitë e mëdha farmaceutike i mirëkuptojnë përgjegjësitë e tyre. Në fund të fundit, Gilead, prodhuesi i remdesivir, në fillimet e krizës aplikoi për statusin e “barnës jetime”, e cila do t’i kishte siguruar pozicion monopolistik edhe më të fortë dhe shkurtime shumëmilionëshe taksash. (Pas protestave të publikut, kompania u tërhoq nga aplikimi).

Prej shumë kohësh tashmë, i kemi zënë besë mitit se regjimi i sotëm i pronës intelektuale është i domosdoshëm. Suksesi i provuar i GISRS dhe të tjera aplikime të ‘shkencës së hapur’ provojnë të kundërtën. Me përshkallëzimin e vdekjeve nga COVID-19, na duhet ta vëmë në pikëpyetje urtësinë dhe moralitetin e një sistemi që pa u ndjerë dënon miliona qenie njerëzore me vuajtje dhe vdekje çdo vit.
Ka ardhur kohë për një qasje të re. Akademikë dhe politikbërës tashmë kanë dalë me shumë propozime premtuese për gjenerimin e inovacioneve farmaceutike shoqërisht të dobishme sesa thjeshtë fitimprurëse. Kurrë më shumë sesa tani nuk ka qenë më e përshtatshme koha për të nisur zbatimin e këtyre ideve.

Autorët:
Joseph E. Stiglitz, është nobelist për ekonominë dhe professor në Universitetin Kolumbia.
Arjun Jayadev është profesor i ekonomisë në Universitetin “Azim Premjii” dhe në Institutin për Mendim të Ri Ekonomik.
Achal Prabhala është bashkëpunëtor në Fondacionin Shuttleworth dhe koordinator i projektit “Accessibsa”, i cili bën fushtata për qasje në barna në Indi, Brazil dhe në Afrikën e Jugut.

Përktheu: Pavjo Gjini
Ky shkrim është botuar me datë 23 prill 2020, në website-in e Project Syndicate, platformë ndërkombëtare ku ndahen komentimet ekonomike dhe politike mbi gjendjen aktuale të botës prej shumë autorëve të njohur ndërkombëtarisht për kontributin në fushat e tyre.
Për përkthimin dhe ribotimin e tij kemi respektuar të drejtat e autorit duke marrë paraprakisht miratimin e kryeredaktorëve të Project Syndicate.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje