Një vit e dy ditë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamas, 42 mijë palestinezë të vrarë në Gaza

nyje.al | 09.10.2024

“Kujto7tetorin” ishte përmbajtja e hashtagut me të cilin përmbylli postimin e pardjeshëm Igli Hasani, ministri i Punëve të Jashtme, përmes të cilit shprehu vendosmërinë e Shqipërisë në thirrjen për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve. Hasani dënoi sulmin terrorist të Hamasit një vit më parë por dështoi të përmendte dhjetramijëra viktimat e sulmeve të Izraelit në Palestinë e Liban, sulme që pasuan aktin terrorist 7 tetorin e shkuar. 

Në fjalinë e fundit në postim ministri Hasani u bëri thirrje palëve, teksa nuk e përmendi asnjëherë shtetin e Palestinës, që të punojnë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ministri ynë i shkon për shteg politikës globale të diplomacisë që zotohet në të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, kur edhe është sprovuar pozicioni i Izraelit si shtet kolonizator e gjenocidal që po bombardon Lindjen e Mesme për të shkatërruar “mallkimin”. Netanyahu ia bëri të qartë gjithë botës këtë në paraqitjen e tij të fundit në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Fjalët e ministrit Hasani kanë marrë vlerësimin e amasadores së shtetit të Izraelit në Shqipërisë, teksa kjo e fundit në mediat shqiptare edhe shpjegon rëndësinë e asaj që ajo e konsideroi si luftë për të shpëtuar Lindjen e Mesme por edhe perëndimin. 

“Izraeli po lufton në 7 fronte, filloi me Gazën, por nuk qëndroi vetëm aty. Në 7 tetor të vitit të kaluar pati sulme nga Hezbollahu, si rezultat 1000 persona u desh të evakuohen. Kemi qenë objektiv edhe nga Jemeni. Nëse me pyesni për luftën në Lindjen e Mesme, nuk besoj se po ndodh për vetëm atje, po ndodh edhe këtu. Do jetë problem për Europën, botën perëndimore.” Galit Peleg – Amasadore e shtetit të Izraelit në Shqipëri

Por “lufta”, që Izraeli nisi pas sulmit terrorist të 7 tetorit të vitit të kaluar, ka shkaktuar shkatërrimin e plotë të Gaza-s dhe më shumë së 42 mijë palestinezë janë vrarë.

Një vit bombardime 

Izraeli që prej një viti të plotë nuk i ka ndalur bombardimet në Gaza e në muajt e fundit edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Ministria e Shëndetësisë në Palestinë ka raportuar për 41,965 vrasje direkte të palestinezëve deri mëngjesin e sotëm. 16,765 viktima të shkaktuara nga bombardimet janë fëmijë. Të vrarë nga sasia prej 75 tonë lëndë bombarduese lëshuar mbi Gaza kanë mbetur edhe 174 gazetarë dhe 986 punonjës të shërbimit mjekësor. 

Sasia e madhe e bombave të hedhura nga Izraeli mbi tokën palestineze ka sjellë shkatërrimin e gjysmës së shtëpive duke lënë poshtë gërmadhave më shumë se 10 mijë viktima, 4 mijë të identifikuar si fëmijë. Për rrjedhojë 1.9 milionë palestinezë, 90% e popullsisë së Gaza janë detyruar të zhvendosen nga banesat e tyre, zhvendosje nën kushte bombardimi e që ka lënë të humbur rrugëve të qyteteve të rrafshuara më shumë se 17 mijë fëmijë. 

Teksa ditën e pardjeshme në vendin tonë u shënua edhe nisja e vitit akademik, për të rinjtë palestinezë nuk do të ketë asnjë godinë universitare në këmbë kurdo që gjenocidi të mbarojë. Edhe arsimi parauniversitar është pothuaj i pamundur, me 93% të shkollave të dëmtuara rëndë ose të shkatërruara. 

Gjenocidal. I tillë është konsideruar sulmi izraelit mbi popullin palestinez edhe prej insitucioneve të drejtësisë ndërkombëtare por edhe prej shumicës së popullsisë globale që çdo ditë njihet me të dhënat shokuese të bombardimeve që vazhdojnë mbi popullin dhe shtetin palestinez. 

Të dhëna të derimëtanishme që tregojnë për shkallën e viktimave direkte të bombardimeve, por edhe ajo çka historia dëshmon në rastet e ushtrimit të gjenocidit, shkatërrimi i infrastrukturës, asaj shëndetësore dhe asaj prodhuese e transportuese të ushqimit do sjellë qindra mijëra viktima në vazhdim. Bazuar në konflikte të mëhershme gjenocidale, vdekjet kanë një rritje nga tre deri në të pesëmbëdhjetëfishtë, çka për Gazan do të thoshte humbjen e 6.7% deri në 33.66% të popullsisë. 

Spastrimi etnik është akuzë që i është drejtuar Izraelit gjithashtu nga shumë aktorë ndërkombëtarë, akuzë e bazuar edhe në faktin që brenda një viti ky shtet ka shfarosur 902 familje palestineze. Familje që janë shuar pas vrasjes së të gjithë anëtarëve të saj prej bombardimeve të avionëve izraelitë. 

Një djalë vajton pranë trupit të babait të tij, i cili u vra në një boombardim izraelit në Gaza, Ramadan Abed, Reuters

Furnizuesit e gjenocidit

Derisa Izraeli terrorizon dhe vret popullsitë në Gaza e Bregun Perëndimor në Palestinë, por edhe në Liban, Yemen e Siri, shtysa ekonomike dhe morale vjen edhe nga perëndimi. 

Në vetëm një vit, SHBA ka shpenzuar të paktën 22.76 miliardë dollarë për ndihmë ushtarake për Izraelin dhe operacione të lidhura me sigurinë amerikane në rajon, deri më 30 Shtator. Shifra prej 22.76 miliardë dollarësh vjen nga shuma e 17.9 miliardë dollarëve për ndihmën amerikane në sigurinë e Izraelit dhe 4.86 miliardë dollarëve për operacionet ushtarake amerikane në rajon, përfshirë ato kundër Houthi-ve në Jemen dhe përreth tij.

Me këto të dhëna e nisin artikullin e tyre studiuesit e Univesitetit të Brown mbi ndihmën financiare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Izraelin. SHBA është shteti parësor në donacione monetare për Izraelin, me të cilin ka edhe një marrëveshje që legjitimon transferimin pa kushte të 3.8 miliard dollarëve çdo vit. 

As vendet e Europës nuk mbeten pas në listën e furnizuesve të gjenocidit, përfshirë edhe ato të Ballkanit. Presidenti i Izraelit, Herzog ishte në Serbi e Shqipëri muajin e kaluar për të nderuar bashkëpunimin dhe ndihmën e këtyre dy shteteve, që mbase ndihma financiare nuk kanë mundësi të japin por janë furnitorë të vazhdueshëm të naftës dhe armëve që nevojiten në front. 

Ballkani kundër gjenocidit në Palestinë

Lejimi i shkëmbimeve tregtare për qëllime ushtarake nga qeveritë e Ballkanit ka hasur kundërshti në vendet e Ballkanit. Qytetarët në protesta edhe ne rrjete sociale kanë shprehur kundërshti kundër qëndrimeve politike të qeverive të tyre dhe solidaritet me popullin palestinez. Më 5 tetor, në ditën ndërkombëtare të aksionit për Palestinën, organizata nga i gjithë rajoni shpërndanë një qëndrim së bashku në mbështetje të palestinezëve, viktima të gjenocidit dhe bënë thirrje për dhënien fund të këtij gjenocidi dhe për liri për Palestinën. 

Pas një viti të gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe 76 vjetësh të Nakbës së vazhdueshme, ne qëndrojmë me vendosmëri në solidaritet me Palestinën në luftën e saj për çlirim. Ne, kolektivet nënshkruese, bëjmë thirrje njëzëri për një përfundim të gjenocidit të Izraelit në Gaza, për përfundim të okupacionit, për një Palestinë të lirë dhe për liri për të gjithë popujt e shtypur.

Gjenocidi një vjeçar, aksion i fundëm i Nakba-s pa ndalim

9.8 milionë palestinezë janë detyruar të shpërngulen që prej krijimit të shtetit të Izraelit në territorin e Palestinës. Një pjesë e tyre fill pas vitit 1948, kur edhe u mor vendimi prej ndërkombëtarëve për të krijuar një shtet për hebrenjtë. Kundërshtia e popullit palestinez, që e konsideronte projekt kolonizator, çoi në vrasjen e më shumë se 15 mijë personave. Dëbimi i pothuaj gjysëm milionë palestinezëve dhe zaptimi i pronave të tyre njihet në histori si Nakba

Përpjekjet për zaptimin e sa më shumë territori nga shteti Izraelit kanë qenë të vazhdueshme dhe rezistenca e popullit palestinez ka sjellë viktima të shumta. Viti 2023 ishte tashmë viti më i përgjakur në historinë e Bregut Perëndimor, përpara sulmit të 7 tetorit. 204 palestinezë patën mbetur të vrarë nga ushtria izraelite, 42 nga të cilët fëmijë raporton Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Të dhëna nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për viktimat palestineze në Bregun Perëndimor para sulmit të 7 tetorit

Imazhi në ballinë: Ilustrim i fotografisë së Ramadan Abed për Reuters

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje