Një panair ballkanik anarkist i librit në Prishtinë

nyje.al | 13.06.2024

Edicioni i 16-të i Panairit Ballkanik Anarkist të Librit është nje ngjarje kulturore unike, që do të mbahet në Prishtinë për herë të parë në datat 5, 6 dhe 7 Korrik të këtij viti. Ky panair ka si qëllim të sjellë në fokus trashëgiminë kulturore të Ballkanit dhe të promovojë ideologjinë anarkiste nëpërmjet veprave letrare, botimeve e publikimeve si dhe bisedave publike. Aktivitetet, panelet diskutive dhe prezantimet e librave, motivojnë në këtë panair një debat intelektual dhe një ambient stimulues për lexuesit e librit në rajonin e Ballkanit. Pjesëmarrësit dhe lexuesit do të kenë mundësinë të shkëmbejnë idetë e tyre mbi lirinë, drejtësinë sociale dhe anarkinë si ideologji.

Në një diskutim të mbajtur në qendrën e Bulevard Art and Media Institute mbi këtë panair, një prej aktivistëve pjesë e grupit Anarko-Sindikalist në Prishtinë, u shpreh se qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje nuk janë librat, megjithëse mbeten pjesë shumë e rëndësishme, por është ideja e një pikëtakimi për anarkistët nga i gjithë Ballkani dhe pse jo, nga e gjithë bota.

Në lidhje me historinë e këtyre grupeve aktivisti shprehet:

“Gjatë luftrave të viteve ‘90 në Jugosllavi, sidomos gjatë luftës Serbi-Kroaci, u krijuan grupe që komunikonin duke ndarë pakënaqësitë që kishin. Ata arrinin të komunikonin nëpërmjet letrave, të cilat vononin rreth 2-3 javë për të arritur në destinacion.  Pas luftës, këto grupe u bënë bashkë, u bashkuan në konsultime, dhanë mesazhe antinacionaliste dhe antimilitariste.”

Libri “The Balkan Anarchist Network” i cili është i shkruar në 8 gjuhë të ndryshme, tregon më shumë në lidhje me historinë e këtij grupimi që u kthye në një bashkim dhe lëvizje afatgjatë. Antipolitika dhe Literatura Anarkiste janë dy librat e tjerë që do të jenë pjesë e panairit. Literatura anarkiste, e publikuar në 2023-shin eshtë botimi i parë që flet për idetë anarkiste i publikuar në gjuhën shqipe.

Ai shton se se sjellja e panairit në qytetin e Prishtinës i ka përballur me një nevojë për informim të njerëzve, pasi shumica nuk e dinin se për çfarë bëhej fjalë. Në këtë situatë ata vendosën të zhvillonin prezantime në prespektivën ballkanike, ku kanë pasur takime në Shkup, Sarajevë, Podgoricë dhe së fundmi në Tiranë.

“Nëpër takime të ndryshme, vumë re disa qasje dhe njerëz të cilët e gjenin interesante këtë lëvizje, por nuk kishin njohuri. Aty e pamë të rëndësishme organizimin e një pune në vendin tonë, sepse si mund të flasim kundër nacionalizmit dhe militarizimit pa u marrë më parë me kauzën tonë?”

Teksa flet për aspektet pozitive, një tjetër aktivist thekson se ky panair në Prishtinë, në një vend ku flitet shqip, do të ndihmojë për një njohje më të gjerë të lëvizjeve të ndryshme anarkiste me realitetin e shoqërisë tonë, dhe më specifikisht me problemet politike. Ai thekson shpresëplotë se këto lëvizje do iu shërbejnë shumë për të përmbysur idenë e gabuar për anarkistët si njerëz që duan të shkatërrojnë çdo gjë. 

“Këto ide që kemi mbartur e shpërndarë në rrjetet sociale, na kanë bërë të cilësohemi nga disa si “ këta anarkistë që duan të shkatërrojnë çdo gjë”. Tashmë këta anarkistë kanë arritur të organizojnë evente me 200-300 njerëz”.

Nevoja për informim të gjerë mbi këtë ideologji, që nuk përqafohet kollaj nga të gjithë, solli grupime të tjera ndjekësish në Tiranë. Prezantimi i ideve anarkiste, modelit të organizimit të panairit dhe zgjerimit të trajtimit të temës së qasjes anarkiste edhe në jetën e përditshme social-politike, përcolli mesazhin e qartë që njerëzit mund të ndërveprojnë dhe të solidarizohen me njëri-tjetrin pavarësisht qëndrimeve politike të ndryshme. Si përvijim i shtysës politike për t’u bërë bashkë dhe kushtit faktik të pamundësisë së saj, u trajtua edhe çështja e Palestinës, e cila qartazi është ftesa që për të qenë të lirë duhet të kalojmë nga kjo çështje dhe për t’ju bërë krah do të duhet shumë më shumë koordinim në nivel ballkanik. 

Me një program që premton ditë të mbushura me aktivitete të veçanta e të pagjsshme kollaj në trojet tona, kjo ngjarje u lajmërua si një mundësi për të eksploruar botën e librit anarkist dhe për të krijuar lidhje të reja në komunitetin e lexuesve në Ballkan.