Nga fjala, tek imazhi: Palcë dhe frymë – Arti Lushi

Tabhir ibn-Rabi* | 29.04.2024 | nyje.al

T’ia lëmë tregut

Mora me kënaqësi të lexoj vëllimin me poezi të poetit dhe shkrimtarit Arti Lushi, të titulluar Palcë dhe Frymë. Kënaqësia qe akoma më e madhe në përfundim të leximit të librit, sepse përveç një cilësie të lartë estetike, poezia e Lushit përshfaqi edhe njëfarë vetëdije sociale dhe kohore. Është lajm i mirë për letërsinë shqipe që një poet bashkëkohor ka pasur vetëdijen e duhur për të mos mbetur viktimë e rrymave letrare të së shkuarës. Poezia shqipe, sidomos ajo bashkëkohore, në pjesën më të madhe të saj është bërë mejdani ku riprodhohet e njëjta mërzi e verdhë sentimentalizmi infantil dhe abstragimi ezoterik—introspektiv deri në nivel atomik apo ekstrospektiv deri në nivel galaktik. Kjo lloj poezie dominante në rrethet tona letrare erdhi si nevojë e qenësishme për t’u shkëputur nga letërsia e motivuar ideologjikisht e socrealizmit dhe përqafoi në mënyrë të pafajshme një lloj letërsie “europiane”, në dijeninë e tyre, të pamotivuar ideologjikisht, pra “letërsi të pastër”. Në dallim nga socrealizmi, letërsia e pas 90-ës nuk mund të merrej më kurrsesi me përshfaqje letrare të krizës, të shtypjes dhe varfërisë; letërsia duhej të merrej me abstragime estetike sipërore dhe akronike, përtej të vërtetave të përkohshme të së tashmes. Por ky qëndrim është në vetvete ideologjik (Eagleton, 2008). 

Kritiku amerikan, Harold Bloom, shpenzoi një pjesë të mirë të jetës së tij duke vajtuar vdekjen e letërsisë (sidomos asaj klasike), saqë të mbushet mendja se rrallë e pak e kanë dashur letërsinë aq sa ai. Kur pyetej se cili është fajtori për këtë vdekje, ai përgjigjej se ishte “ekrani” (Bloom, 1994). Po të kishin shkuar punët ndryshe me revolucionin teknologjik, mbase do të fajësonte “valët e radios”. Tregu i lirë, papritur, i la artistët pa mbështetjen financiare të një patroni, ose në rastin shqiptar, pa mbështetje financiare nga institucionet letrare në komunizëm; tashmë “letërsia e pastër” nuk paraqet kurrfarë dobie për tregun e lirë dhe rrjedhimisht as “estetika e kulluar” as “letërsia sociale” nuk janë të tregtueshme, e kësisoj, librat e këtij lloji e gjejnë veten të margjinalizuar nga best seller-at dhe self help-i. Një kritik letrar shkon aq larg sa të shkruajë në gazetën më të madhe letrare në vend: “Kohët e fundit, në disa shkrime, jam përpjekur të theksoj se është momenti që në fushën e letrave t’u lëmë vendin e duhur Tregut dhe Kritikës Letrare.” Roli i kritikut në këtë rast është, sigurisht, t’i bjerë qemanes. 

Por, mbase nga ky kombinim tragjik i rrethanave, mund të ketë pak bereqet (benefit). Poetët si Lushi, duke qenë të vetëfinancuar, nuk kanë pse të shkruajnë letërsi të motivuar ideologjikisht. Mbase, ky lloj i ri poezie (letërsie) është më afër asaj që shehu intelektual i Shkollës së Frankfurtit e quan “stad vërtet njerëzor i shoqërisë dhe artit” (Adorno, 1944). Nuk mund të flitet kurrë për liri totale ideologjike, por mbase postmodernizmi krijon kushtet për një vakum më të madh ideologjik të gatshëm për t’u shfrytëzuar nga një klasë e margjinalizuar poetësh si Arti Lushi. Është pikërisht në sajë të këtij mosrreshtimi ideologjik që estetika dhe angazhimi social në letërsinë e Lushit rrezatojnë. Nëse këto dy praktika do kishin qenë qartazi të motivuara ideologjikisht, e gjithë vepra do të kishte qenë e pahijshme. Kur flasim për angazhim social duhet të kemi të qartë se ky mund të mos jetë evident në lexim të parë, ky mund të mos ketë qenë as qëllimi i autorit. Por së pari, autori nuk është më zoti i kumtit të veprës pasi ajo botohet; së dyti, sikur edhe nënvetëdijshëm, kontrasti social është i pranishëm. Është pikërisht ky spontanitet, kjo paqëllimshmëri joimponuese që e bën të jetë edhe më e vlefshme si letërsi e ashtuquajtur sociale. Këto teza do t’i zhvillojmë më poshtë.

Pas tridhjetë vjetësh

Palcë dhe Frymë, janë rrëfime autentike të zeitgeist-it tonë. Kohë kur nuk ka më vend për metanarrativa si: liria, autonomia, progresi njerëzor, të vërtetat absolute etj. Të gjitha këto metanarrativa, përbëjnë korpusin e ideve që nuk shënjojnë më realitetin tonë botëkuptimor. Në këtë kuptim, Palcë dhe Frymë, është pika në kohë që shënjon fillimin e postmodernizmit në letërsinë shqipe bashkëkohore. Sigurisht ky nuk është debutimi i postmodernizmit në letërsinë shqipe, porse për një shfaqje të këndshme të tij duhet të prisnim OH kaq gjatë.

Në poezinë “Po ju, z. Lushi, ç’mendoni?” na jepen ca sinjale që na bëjnë të besojmë se ajo që është shkruar më lart, ka gjasë të jetë e vërtetë:

Etika, teologjia, filozofia, epistemologjia, ontologjia, por 

Në ç’teh e lexojnë të palexueshmen?

Apo:

Unë e njoh absurdin tim

Besoj tek ai.

Një pjesë e mirë e Palcë dhe Frymë, navigon zbrazëtinë spirituale të njeriut modern. Tematikat e Zotit, parajsës dhe zanafillës, trajtohen pa kurrfarë qëllimi të mbramë. As miratim, as mohim, qëllimi i rrahjes së kësaj toke është thjesht eksplorimi. Me interes të veçantë është sentimenti mistik në këto poezi që i ngjajnë më shumë shkrimeve një sufisti të ekzaltuar sesa të një poeti. Asgjë për t’u habitur ngaqë zakonisht këto gjëra shkojnë bashkë. 

Unë jam gjendja Zen mes pranisë dhe prekjes.

Unë jam Kabbalah brenda dhe jashtë, në frymë e asht.

Unë jam zëri brenda të drejtit që nuk reshti së thëni:

“Duro edhe pak, duro edhe pak, qoftë edhe një përjetësi”

Unë nuk jam perëndi por Ai më drejtohet gjithmonë në emër.

Unë jam flutura që doli nga goja e perandorit-poet

Dhe agjëroj me kryqin e kripur prej lutjeve

Por as prift nuk jam, përkundrazi:

Unë jam Biri i Babës tim;

Unë jam çasti blu;

Unë jam Arti.

Vaniteti dhe mitologjia e ëndrrave të mëdha trajtohen me delikatesë në poezinë “Të kesh një ëndërr”. Në një lexim më të hollë, humbja apo çmitizimi i ëndrrës si nevojë primordiale njerëzore për të mos na rrëshqitur universi nga duart, për t’u ankoruar diku, drejton kah botëkuptimi postmodern i Lushit. Si të gjitha narrativat edhe të pasurit një ëndërr të madhe duket diçka me të cilën na gënjyen, që tashmë ka çmitizuar vetveten. Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se nuk ka kurrfarë arsyeje për të ëndërruar a pasur aspirata për të ardhmen, porse fryma e kohës është e tillë; apatike, cinike dhe pa iluzione mbi këtë ide.

‘Të kesh një ëndërr…’ është temë që trajtohet në shkolla fillore

Të kesh një ëndërr është të mbjellësh hijeshpresën nën hijen

e fjalëve të Luther King-ut;

Të kesh një ëndërr është seksi (shprehej shoqëria civile

në një slogan);

Modern problems require modern solutions 

Imazheria në poezinë e Lushit është marramendëse, syri omnishent i demiurgut kalon në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo nahije, në çdo situatë. Pranë dyqanit të mishit; pranë të pastrehut buzë Lanës; pranë Motrës që shkruan aspiratat mbi Kuran; pranë kthimit të dytë të Mesia-s; pranë Bardhit të nënës të deportuar tashmë nga Greqia; dhe sigurisht, edhe pranë Malësisë së Shkodrës së shek. XIX ku jetoi dhe veproi homoseksuali japonez në ekzil, Tekashi Idromeno. Këto imazhe ngrenë dhe përmbysin vrullshëm veten njëlloj si projektimi i negativit të filmit në retinë. 

Të gjithë lëmin e poetikës së tij – të imazheve, topikave, ndjesive, sugjestioneve – e paraqet me një neutralitet të mahnitshëm. Është pikërisht neutraliteti i këtyre situatave që na jep lirinë e leximit individual. Pa ia lejuar vetes rënien në klishe të tipit “kritikë therëse sociale”; “paraqitje e predikamentit njerëzor” etj.; qëllimet e vërteta të autorit nuk kemi si t’i dimë. Nuk mund ta dimë nëse autori vetë është pronar i padiskutueshëm i të gjitha nuancave kuptimore të veprës së tij. Sidoqoftë, ai është bashkëndarës i të njëjtit realitet me ne (lexuesit). Shiun; asfaltin; pusetat e hapura; aromat; dashurinë; absurdin; trafikun; varfërinë i mban mbi kurrizin në mos njëlloj, përafërsisht si ne (apo shumica prej nesh). Kësisoj, nuk është e pamendueshme që poezia e Lushit minimalisht e reflekton realitetin e përditshëm të autorit. 

Nuk mund të pretendohet, kurrsesi, që ky lexim është lloji më i saktë i leximit, por është ku e ku më afër të vërtetës sesa vendosja në perspektivë kozmike e topikave të sipërpërmendura; sesa reduktimi i brutalitetit të realitetit tonë në “kumte estetike”, “vokacione të brendshme” e lloj-lloj produktesh të tjera mediokriteti ideologjik, a thua se duhet një lloj dijeje ezoterike për të kuptuar “thelbin estetik” të letërsisë. Sigurisht, krijimet e Lushit nuk çalojnë nga pikëpamja e estetizmit, përndryshe do të ishin thjesht kronika, por duhen nënvizuar, gjithashtu, edhe treguesit e njëfarë angazhimi social në letërsi si të barasvlershëm me letraritetin e saj. Le të shqyrtojmë, për shembull, poezinë “I huaji”.

“Tekashi Idromeno, një homoseksual japonez në ekzil,

jetoi në Malësinë e Shkodrës, nga viti 1831 në 1836.

Ushtroi zejen e nallbanit dhe katalogoi bimët mjekësore të zonës.

 

Dy net para se sëmundja e tokës, sodita e njohur si epilepsi,

jetën t’ia merrte, u ul dhe shkroi të vetmin haiku:

 

Duhmë e dasmës shkrehur paq

Në mëngjes Drania mbulesën teri:

Gjak dhe sherbelë.”

Përtej befasimit fillestar nga vendosja e ngjarjes në një kohë dhe hapësirë të njohur, na vjen befasia tjetër që në letërsinë shqipe, aq më pak atë bashkëkohore, ky parashtim kaq i çuditshëm apo i tjetërllojshëm, pothuajse nuk ekziston. Është kjo lloj tjetërsie që ka vetinë e të qenit tërheqëse dhe në sajë të saj, mund të flitet për “estetizëm”. Mbase, dikush mund të thellohet në identitetin e Idromeno-san, do të ishte çështje jo pa interes, por përtej kësaj rëndësi të veçantë, për ne përbën haikuja e tij. Këtu mund të flitet për një karakter autentik social të poezisë së Lushit. A nuk aludon poetika e thukët e Idromeno-san për një fenomen social shtypës me karakter gjinor, produkt i patriarkalizmit të shoqërisë shqiptare? Mbase ky fenomen ka njëfarë rezonance edhe sot. 

Ka plot poezi në vëllimin Palcë dhe frymë, të mbushura me origjinalitet dhe tjetërllojshmëri befasuese, të këndshme dhe ndjellëse; plot situata ku mund të ndalesh për të hamendësuar TI kuptimin dhe aludimet e poezisë. Leximi im është vetëm një formë leximi, prandaj do t’u drejtoja ju, lexues të nderuar, ftesën për ta lexuar dhe analizuar vëllimin sipas optikës suaj. Sa më pluralist leximi, aq më mirë. Për më tepër, autori është kujdesur që libri i tij të jetë i aksesueshëm për shumë prej jush me çmimin modest 5€.


* Pseudonim i paraqitur nga autori

Referencat:

  1. Lushi, Arti. (2020). Palcë dhe Frymë. Prishtinë: Dukagjini.
  2. Eagelton, Terry. (2008). Literary Theory: An Introduction. Minneapolis: University of Minnesota Press.

Imazhi i ballinës: Pinterest

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje