Në mbështetje të Palestinës, marshohet në Tiranë në javën e 24-të të bombardimeve në Gaza

Selma Daku | 18.03.2024 | nyje.al

Aktet gjenocidiale të Izraelit kundrejt popullit të Palestinës që prej tetorit të vitit të kaluar kanë ngjallur në mbarë botën revolta, protesta masive dhe thirrje për bojkot kundrejt kompanive që mbështesin qeverinë izraelite. Sakaq, aktivistë e qytetarë shqiptarë nuk kanë qëndruar indiferent, por prej muajsh kanë shfaqur ndjeshmëri e revoltë ndaj Palestinës, me organizime, protesta dhe qëndrime publike. 

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, dita e djeshme shënoi protestën e radhës në mbështetje të Palestinës. Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, ku edhe njëherë njëzëri kërkuan ndalimin e gjenocidit dhe liri për Palestinën. 

Tubimi u organizua nga organizata jo-qeveritare dhe u njoftua në rrjetet sociale nga grupimet e organizimeve të pavarura të qytetarëve e aktivistëve, ndër të tjerë “Palestina e Lirë”, “Albanians4Palestine”, “Liri Palestinës” dhe “ShalqipërPaqe”. Organizatorët shpërndanë tek protestuesit flamuj dhe pankarta me thirrje si “Liri për Palestinën”, “Ndal gjeoncidit”, “Ndal vrasjes së fëmijëve”, etj por mes pjesëmarrësve gjithashtu pati edhe fëmijë që përmes vizatimeve të tyre ndanë mesazhin për paqe dhe drejtësi.

Një ndër zërat hapës të kësaj proteste, Florian Arapi foli për masakrat që po ndodhin në Palestinë dhe duke bërë thirrje për ndërgjegjësim.

Po shohim avionë izraelitë që bombardojnë teksa njerëzit mblidhen tek ushqimi i zbritur me parashutë, po shohim avionë që vrasin qindra civil të cilët mblidhen për të mbushur ujë. Në 5 muaj numri i të vrarëve ka arritur në 32 mijë prej të cilëve rreth 12 mijë fëmijë dhe 8 mijë gra. Këto janë shifrat e konfirmuara, pasi shifrat reale mendohet të jenë 10 mijë më shumë, duke llogaritur dhe personat që janë nën rrënoja. Ne nuk mund të jemi indiferent! Të gjithë popujt në botë janë ngritur dhe po e dënojnë këtë masakër.

Arapi gjithashtu denoncoi qëndrimet indiferente të qeverisë shqiptare, klerikëve fetarë dhe hoxhallarëve që sipas tij nuk kanë mbajtur qëndrime publike në lidhje me këtë çështje.
Në fund ai i bëri thirrje qeverisë dhe komunitetit të besimtarëve musliman që të dënojnë dhunën dhe t’i bashkohen nismave ndërkombëtare për drejtësi:  

I bëjmë thirrje shtetit shqiptar të pezullojë marrdhëniet diplomatike në Izrael deri në ndalimin e luftës dhe zgjidhjes së konfliktit sipas propozimit të OKB-së me dy shtete. Të mbështesë padinë për krime lufte dhe genocid ndaj Izraelit në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë.” 

Krahas thirrjeve për shtetin shqiptar, aktivistja Jonida Balliu vuri theksin ne arenën ndërkombëtare, ku përmendi gjykatën e Hagës, OKB-n dhe shtetin amerikan si orkestrues të holokaustit palestinez.

Sot, më shumë se kurrë ju drejtohemi juve. Ty ShBA që pretendon se je bosht vlerash, drejtësie dhe demokracie, ty mbi të cilën mekanizmat e paqes në OKB siç është artikulli 377 për revokim të vetos, nuk  ka fuqi detyruese. Ty, që së bashku me katër shtete të tjera superfuqi delegoni po-të dhe jo-të te njëri -tjetri sipas interesave tuaja ..[…] Ty, që jo vetëm ke mbështetur një shtet që po kryen spastrimin etnik më të egër, por sot mund të themi me plot gojën që je bashkëpunëtore, pjesëmarrëse dhe shkaktuese e këtij gjenocidi” 

Balliu, gjithashtu, i drejtohet Ambasadës Amerikane në Shqipëri,  Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjykatës së Hagës dhe çdo institucioni që siguron paqen dhe sigurinë në botë duke bërë thirrje për drejtësi. Ajo u bën thirrje shqiptarëve të diasporës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’u bashkohen protestave që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm dhe të dënojnë me bojkotim të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Ajo e përmbyll fjalën duke ritheksuar pasojat e genocidit në Palestinë: 

Sipas investigimit të disa prej organizatave botërore, Gaza ka humbur tashmë 2% të popullsisë së saj. Dhjetra mijëra fëmijë palestinez kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja. 90% e banorëve në Gaza janë tashmë të shpërngulur dhe pa shtëpi, duke jetuar në tenda në jugun e premtuar dikur si të sigurt e që tani po bombardohet. Informojmë, dhurojmë, bojkotojmë dhe protestojmë!” 

Teologu Merxhan Shehu u shpreh se Palestina nuk është çështje gjeografike, por para së gjithash është çështje kauze dhe besimi, drejtësie dhe lirie.

Ajo që po ndodh në Palestinë është çështje e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Qeveritë, mekanizmat e drejtësisë dhe ligji ndërkombëtar, organizatat e të drejtave të njeriut, avokatët, shoqatat e avokatëve, gjykatat, asambletë kombëtare dhe lokale duhet që patjetër të ngrenë zërin”

Aktivistja e grupimit “Palestina e lirë” Fioralba Duma lëshoi kërkesa për bojkotim të atyre kompanive të cilat mbështesin Izraelin dhe ndërhyrjet e tij gjenocidiale ndaj popullit palestinez. Gjithashtu, ajo solli ndërmend që në ditët e agjërimit, protesta dhe revoltat mund të bëjnë bashkë, pavarësisht dallimeve tona.  

“Ramazani na kujton që jemi pjesë e të njëjtit organizëm. Jemi në një glob, jemi të gjithë bashkë. Jemi një komunitet dhe mund të bëhemi bashkë pavarësisht gjërave që na ndajnë”- pohoi ajo, duke përmbyllur me thirrjen që protestat duhet të vazhdojnë çdo javë. 

Pas fjalimeve të mbajtura, protestuesit marshuan nga sheshi “Skenderbej” drejt Bulevardit të Ri të shoqëruar nga thirrjet “Free Palestine” dhe duke mbajtur në duar një flamur palestinez.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje