“Ndal vrasjeve përmes urisë”, sot u zhvillua protesta e radhës në solidaritet me Palestinën

23.07.2025 | nyje.al

Qindra qytetarë u mblodhën sot në protestën për Palestinën në sheshin kryesor të kryeqytetit kundër pushtimit, aparteidit, urisë dhe gjenocidit në Gaza. Me thirrjet “Që nga lumi der’ në det, Palestina e lirë do jetë! Liri, Liri, Liri për Palestinën”, fëmijë e të rritur bënë thirrje që të ndalohen në mënyrë urgjente aktet gjenocidale në Palestinë. 

Aktivistja Fioralba Duma u shpreh se duhet të shohim se çfarë po ndodh kudo, duke thirrur për ndjeshmëri dhe solidaritet të plotë me popullin e Palestinës që po e vuan urinë, kequshqyerjen dhe ku vendet e marrjes së ndihmave humanitare janë kthyer në kurthe vrasjesh nga Izraeli. “Ne të gjithë jemi pjesë e këtij njerëzimi, nuk duhet të injorojmë asnjë shenjë padrejtësie, kudo ku shfaqet ajo!”

Dorela Binjaku, pjesë e grupeve të aktivistëve për Palestinën në Shqipëri risolli në fjalën e saj gjendjen ekstreme në të cilën po i lënë njerëzit e Gazës “fëmijë që vdesin nga uria, nëna që ziejnë barishte për t’i dhënë pak shije ujit, njerëz që po jetojnë pa drita, pa elektricitet! Kjo nuk është thjeshtë një krizë humanitare, por krim!” Sipas saj, ky krim vjen prej një sistemi bashkëpunëtor global me një shtet zionist si Izraeli që shfaros tjetrin. Ajo përfundoi fjalën e saj duke thënë  “Ne jemi këtu për të thënë jo! Jo më bllokadë! Jo më justifikim! Jo më mbështetje për vrasje në emër të paqes! Ne nuk duam bomba mbi fëmijë, duam bukë në duart e tyre!” 

Aktivistja feministe dhe LGBT, Xheni Karaj pohoi se ajo vetë dhe shoqëria jonë e ka përjetuar në lëkurë padrejtësinë nga një sistem që përpiqet të bindë që një jetë vlen më pak se një tjetër, ndaj nuk mundemi kurrsesi të qëndrojmë indiferentë ndaj një populli si Palestina që po i jeton këtë padrejtësi në përmasa katastrofike. Ajo vazhdoi duke thënë: 

“Ne jemi mësuar të besojmë se identitetet tona janë të ndara, se secili popull ka betejën e vet. Por unë besoj se identitetet janë të ndërthuruara, dhe dhimbja e tjetrit nuk kurrë e largët. Kur një popull dehumanizohet dhe shpallet i padenjë për të jetuar, atëherë ajo dhunë na prek të gjithëve! “

Aktivistja me famë ndërkombëtare, me origjinë suedeze, Greta Thunberg, e dalluar prej vitesh për zërin e saj në çështjet mjedisore dhe politike ishte sot në mbështetje të plotë të lëvizjeve pro-palestineze në Shqipëri. Ajo ritheksoi sesi gjenocidi në Gaza, që po dokumentohet në kohë reale, vjen si rrjedhojë e heshtjes dhe bashkëpunimit në nivel globale, duke nënvizuar domosdoshmërinë për të protestuar në mënyrë të vazhdueshme për lirinë e Palestinës.

“[…] kjo që po ndodh në Gaza është rrjedhojë e heshtjes dhe bashkëpunimit që ia mundëson Izraelit të kryejë këtë gjenocid që po dokumentohet në kohë reale. Kjo që po ndodh në Gaza është vazhdimësi e urisë, aparteidit  ilegal, rrethimit dhe tani gjenocidit prej të cilit palestinezët kanë përjetuar ndër dekada e dekada.”

Protestuesit në tentativë për të marshuar, u përballën me kordonin e pakalueshëm të policisë. Ata këmbëngulën për të vazhduar marshimin drejt bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrisë për të riformuluar akuzat politike dhe pozicionimit pro-gjenocid të kryeministrit Edi Rama. Një prej aktivistëve rimori megafonin për të thënë që Palestina duhet të jetë e lirë! Protestuesit e përmbyllën protestën duke rimarshuar përreth sheshit Skëndërbej duke kënduar këngët për liri për Palestinën, dhe duke nënvizuar që është e rëndësishme që kjo energji e rebelim të vazhdojë çdo ditë, nga gjestet më të vogla deri në manifestime politike kolektive, deri në lirinë e Palestinës. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje