nyje.al | 08.04.2024
Komuniteti dhe aktivistët e Zall Gjoçaj protestojnë nesër përballë Prokurorisë Lezhë. Ata kanë dorëzuar një kallëzim që në vitin 2021 ku denoncojnë kompaninë “Seka Hydropower”, kryetarin e Bashkisë Mat Agron Malaj, ish-ministrin Blendi Klosi, ish-kreun e AKZM Zamir Dedej dhe zyrtarë të tjerë që kanë hartuar dhe miratuar vendime lidhur me ndërtimin e HECeve në Zall Gjoçaj. Në emër të tyre rëndojnë akuzat si shpërdorim i detyrës, falsifikim dokumentash, ndotje të ujit dhe tokës, shkatërrim të rrjetit të ujësjellësit dhe administrim të padrejtë të ujit, shkatërrim të pronës dhe dhunim të varreve. Pas shqyrtimit të kallëzimit, SPAK-u i delegoi çështjet tek Prokuroria e Lezhës dhe ajo në Mat.
Që prej atij vendimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit, asnjë hap nuk është ndërmarrë nga Prokuroria Lezhë. Në një përgjigje pas kërkesës së nisur nga avokati i çështjes Taulant Asllanaj, Prokuroria në Lezhë shpjegon se ende nuk rezulton të jetë regjistruar asnjë material lidhur me çështjen duke treguar kështu që asnjë proces hetimi nuk ka nisur ende.
Zyrtarët përgjegjës përpara drejtësisë
Komuniteti i Zall Gjoçaj thërret këtë protestë për t’i kërkuar kësaj Prokurorie nisjen e hetimeve një herë e më parë. Për Dhimitër Kolecin, një ndër aktivistët më të angazhuar në mbrojtjen e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës protesta e nesërme është thirrje për institucionin që të shqyrtojë çështjen.
“Nesër mblidhemi tek Prokuroria për të protestuar kundër zvarritjes së dosjes penale të çështjes së Zall Gjoçaj. SPAK-u ia ka kaluar një pjesë të dosjes Prokurorisë së Lezhës për të kryer hetimet e për t’i dërguar në Gjykatë. Ka tre vite që dosja fle dhe nuk është marrë asnjëlloj mase. Pas kërkesës së avokatit ata kanë tregu që nuk kanë bërë asgjë.
Do japim një sinjal që ne nuk jemi tërhequr, që ne do ta vazhdojmë betejën tonë. Do t’u themi që nëse ata nuk duan të jenë palë me korrupsionin dhe me ata që po shkatërrojnë pasuritë kombëtare, duhet të veprojnë dhe të vënë përpara përgjegjësisë këta zyrtarë që kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me pushtetin e tyre.”
Kjo protestë asesi nuk duhet të merret si një tentativë për të ndikuar në procesin e hetimeve sqaron Z. Koleci, por vetëm për atë që është, një thirrje për drejtësi.
“Do jemi aty jo për presion po për t’u thënë që duhet të veproni, duhet të lëvizni. Çështja e Zall Gjoçaj është çështje edhe sociale, banorët e kanë ngritur padinë penale kundër shtetit që me veprimet e mos veprimet e tij ka dëmtuar Parkun Kombëtar, ka dëmtuar ujin, ka dëmtuar varre e mullinj, ka dëmtuar gjithë zonën dhe nuk merret asnjë masë ndëshkimore.”
Firmat e falsifikuara, krimi që i hap rrugë shkatërrimit
Një prej akuzave ndaj këtyre zyrtarëve është ajo e falsifikimit të firmave që më tej i ka hapur rrugë narrativës që banorët kanë shprehur dakordësinë për ndërtimin e HEC-it. Në njoftimin e protestës që mbahet nesër, aktivistët e “Mbro Parkun Kombëtar Zall Gjoçaj” tregojnë se tashmë kjo akuzë është vertetuar përmes ekzaminimit nga ekspertë të kriminalistikës.
Që në fillim të procesit, me kërkesë të vetë banorëve është kërkuar ekspertizë grafike për nënshkrimet e banorëve në dokumentet e konsultimit me publikun dhe përgjatë dëgjesave publike. Pas kqyrjes dhe ekzaminimit kriminalistik kanë rezultuar se shumë prej firmave të hedhura në këto dokumente janë të nënshkruara nga dora e të njëjtit person.
Në akt-ekspertimin grafik të pavarur të dokumentacionit të paraqitur si dëshmi të kryerjes së procesit të konsultimit me banorët, eksperti Valter Haxhiraj del në përfundimin se në të dyja dokumentet e marra nën shqyrtim kemi të bëjmë me rreshta të shkruar dhe firma të kryera nga i njëjti person.
Në dokumentet që dëshmojnë mbajtjen e konsultimive publike më 11.01.2018, pas ekspertizës, vërtetohet që plotësimi i listave duket të jetë kryer nga vetëm disa persona që kanë firmosur edhe për shumë persona të tjerë.
Jo vetëm për nisjen e hetimeve që këto akte ekspertimi të ballafaqohen edhe me ekspertiza të tjera të nevojshme por edhe për shqyrtimin e të gjitha akuzave të tjera të ngritura, banorët dhe aktivistët e Zall Gjoçaj mbajnë nesër protestë përballë Prokurorisë Lezhë, në orën 09:00.