Mos na i vrisni fëmijët! Familja e Leo Sadikut kërkon drejtësi

Selma Daku | 20.02.2024 | nyje.al

Pasditen e së martës, familja e Leo Sadikut u mblodh përpara Ministrisë së Shëndetësisë për të protestuar pas tragjedisë që i ndodhi djalit të tyre 12 vjeçar  8 janarin e këtij viti. Leo ndërroi jetë në QSUT, në pavijonin e endokrinologjisë dhe familjarët e tij akuzojnë mjekët për neglizhencë mjekësore, duke theksuar se për djalin e tyre nuk ishin realizuar procedurat themelore të diagnostifikmit, si ekografia e zemrës, EKG-ja, apo matja e tensionit. Si fillim Leo ka qenë i shtruar në reanimacion në qytetin e Korçës, më pas është sjellë në Tiranë ku është shtruar në pavijonin e endokrinologjisë në QSUT ku mjekët nuk i kanë bërë asnjë ekzaminim dhe nuk kanë lexuar analizat e tij, duke arritur në përfundime vetëm nga një kontroll sipërfaqësor. 

Kjo protestë përveçse kërkonte drejtësi për Leo Sadikun, kishte gjithashtu qëllimin të ngrejë zërin për problemet alarmante në sistemin shëndetësor. Familjarët e Leos theksuan se mungesa e pajisjeve dhe ilaçeve, së bashku me menaxhimin e dobët të spitaleve, po kushtojnë jetë të tjera njerëzish. Këto mungesa në QSUT nuk janë të panjohura, pasi në lidhje me këtë çështje ka pasur edhe protesta të tjera. Gazetari Osman Stafa, prej kohësh ka denoncuar mungesat e aparaturave që janë tejet të rëndësishme për pacientët e Onkologjikut. Në Urgjencën e QSUT, skaneri dhe pajisjet e tjera, si Coronar dhe Pet-Scan, mungojnë, duke i lënë pacientët pa ndihmën e nevojshme.

Ana Sadiku, motra e Leo Sadikut, shprehu zemerim dhe indinjatë për mjekët nën kujdesin e të cilëve ishte vëllai i saj, pasi ata nuk kishin kryer asnjë ekzaminim për Leon gjë që sipas saj tregon se diagnozat e tyre janë të rreme.

“Vëllait tim nuk i është bërë asnjë ekzaminim nga QSUT-ja, asnjëlloj ekzaminimi dhe ata dalin me pretendime të rreme, me diagnoza që nuk i kanë verifikuar. Si vendosin diagnoza ata për vëllain tim kur nuk i kanë bërë një eko zemre, kur nuk kanë bërë një skaner, kur nuk kanë bërë një matje tensioni.”

Paralel me protestën për Leon, në Ministrinë e Arsimit vijonin protestat për Martin Canin, familjarët e të cilit iu bashkuan më vonë protestës për Leo Sadikun, duke treguar mbështetjen e tyre të plotë për këtë kauzë të përbashkët. Me thirrjet për drejtësi dhe kërkesat për të mos patur më vrasje të fëmijëve dhe për të dhënë llogari çdokush përgjegjës për këto ngjarje, protestuesit ngritën zërin e tyre përpara Ministrisë së Shëndetësisë. Me lot në sy dhe me fotografitë e Leos dhe Martinit në duar, familjarët dhe protestuesit e cilësuan këtë ministri si “Ministria e vdekjes”.

Më tej Ana Sadiku e drejtoi gishtin nga shteti dhe institucioni i shëndetësisë. Ajo tha se shteti po lë prindërit të sorollaten duke kërkuar drejtësi për fëmijët e tyre. Kjo neglizhencë sipas saj mund të cojë edhe në humbje të tjera fëmijësh për sa kohë nuk merret asnjë masë por vetëm heshtet.

“A i sheh ky shtet këta prindër si po i lë? Po i lë rrugëve dhe trotuareve për të këkuar drejtësi për fëmijët e tyre. Vëllai im dhe Martini janë duke luajtur mes ëngjëjsh, po sa fëmijë të tjerë do t’iu bashkohen atyre nga neglizhenca e këtyre që nuk marrin asnjë masë. I lënë fëmijët të vdesin, të vdesin fëmijët. Të kenë turp që heshtin! Ministria të zgjohet e mos të rri ulur nëpër zyra dhe të mbajë karriget ulur.”

Mamaja e Leos, Roveta Sadiku, e konsideroi një turp heshtjen e ministrisë pas të gjithë rasteve të vdekjeve të fëmijëve. Ajo ngre pyetje që ia drejton ministrisë, ku kërkon të dijë duke kërkuar llogari për investimet që duhet të ishin bërë në shëndetësi. Gjatë fjalës së saj ajo gjithashtu tha se do i shkonte deri në fund gjetjes së drejtësisë, gjë të cilën ja kishte premtuar djalit të saj.

“Dhe sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që të lëvizi ministria? Dhe sa fëmijë të tjerë duhet të presin, të shtrirë në korridore me serume nëpër duar. Shtet i qelbur! A keni turp ku i lini fëmijët? Taksat ne i paguajmë kokërr më kokërr. Ku venë taksat tona? Pse nuk i përdorni për shëndetësinë?”

Gazetari Osman Stafa u ndal te neglizhenca e prokurorisë, nga cila edhe pse kanë kaluar 42 ditë nga ngjarja, dhe familjarët kanë bërë kërkesë për hetim, deri më tani nuk kanë bërë asgjë. 

“Në çfarë vendi të botës mund të ndodhë që të kalojnë 42 ditë dhe prokuroria të mos mund të bëjë një hap qoftë edhe të vogël? […] Familjarët po akuzojnë drejtpërdrejt mjekët të cilët e patën në dorë djalin e tyre, Leo Sadikun. Si është e mundur që prokuroria nuk reagon. A i ka marrë në pyetje, a i ka marrë provat, sepse ajo që ka ndodhur me Leo Sadikun është neglizhencë e pastër.”

Protestuesit shprehën shqetësimin se këto mungesa nuk prekin vetëm ata, por ndërlikojnë shëndetin e të gjithë shoqërisë, duke kërkuar veprime urgjente dhe reformë në sistemin e shëndetësisë. “Kjo protestë është për Leon dhe për ne, për fëmijët tanë,” thanë ata. Familja e Leo-s dhe protestuesit kërkojnë një përgjigje nga autoritetet shëndetësore dhe një angazhim për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje