Moral me çizme, ligj me opinga

Liri Kuçi | 19.05.2025 | nyje.al

 

Deri kur tradita?

“S’janë punë për ne këto, të keqen, po na i sjellin nga jashtë. Ne kemi jetu mirë kështu denbabaden”

S’mu duk sikur në fytyrën e tij kishte keqdashje. Më erdhi si fjali e thënë pateklif, gati si për t’u kapur pas një bote të njohur, ku gjithçka ngelet në vend: gruaja në shërbim, burri kryefamiljar, fëmijët në rresht, Zoti në mur. Mjafton një fjali e tillë për të kuptuar se sa pranë sipërfaqes notojnë pasiguritë nga frika e humbjes së busullës. Një dridhje e vogël në tonin e përditshmërisë tregon se sa e brishtë është ajo qetësi që e kemi menduar si traditë. Deri në urrejtje. Parehatinë që rri pezull dhe gërryen çdo përpjekje për të folur për drejtësi, pavarësi, çlirim e sheh kudo në komente online, tryeza familjare, mjedise pune, në predikime e panele publike.  

Ky tension i vogël i përditshmërisë është pika e nisjes. Aty fillon rrëfimi, sepse aty duket çarja midis botës që kemi trashëguar dhe botës ku duam të përkojmë. Ky normalitet – siç e shtron Judith Butler (1993) kur flet për trupin dhe sesi shoqëria e normon gjininë – nuk është i natyrshëm, porse rezultat i praktikave të përditshme, narrativave të trashëguara dhe institucioneve që e kanë riprodhuar për dekada pa u vënë në pikëpyetje.  Në këtë strukturë, barazia gjinore nuk perceptohet si politikë publike, por si kërcënim i lëvizjes së tullave të murit të rendit.

Ligji shërben si pretekst.  Kur dëgjon në kafene burrin që thotë: “këto ligje po na prishin qetësinë”, ai nuk po flet për nenet apo për procedurat parlamentare. Po flet për goditje ndaj një rendi emocional ku shumë njerëz janë mësuar të bëhen/bëjnë(ato) përgjegjës(e) për stabilitetin e “familjes”, moralit, ritmit të jetës. 

Po flet për çrregullimin e një bote që Nancy Fraser (2016) e quan krizë e riprodhimit shoqëror: momenti kur sistemi nuk e fsheh dot më faktin se jeton mbi punën, trupat dhe heshtjen e disave, për t’i dhënë stabilitet të tjerëve. Dhe në vend që të pyesë “pse ka kaq shumë dhunë, kaq shumë lodhje, kaq shumë pabarazi?”, sistemi përgjigjet duke u kapur pas një “normaliteti” imagjinar, nga frika se i lëkundet pushteti i mësuar si i paprekshëm.

Në sociologji quhet “mbrojtje instinktive e normalitetit”, që vjen si reagim sa herë sfidohen normat gjinore, familjare, seksuale. Normalitet që mbahet në këmbë nga mosndryshimi (Graff and Korolczuk 2022).

Kështu, sa herë bie fjala për vrasjet, identitetet queer, dhunën me bazë gjinore dhe sistemike, këto nuk trajtohen si çështje të përbashkëta shoqërore, por si prekje e “territorit moral”. Në vend se të pyesim si ta mbrojmë jetën, dinjitetin dhe kujdesin shoqëror, nis njëfarë gare në mbrojtje të një rendi që shumë prej nesh i ka lënë të pambrojtur.

Miratimi i ligjit për barazinë gjinore në Shqipëri shërbeu pikërisht si xham i krisur nga ku u përthye jo vetëm pabarazia që kërkon adresim, por edhe vala që do t’i referohem si kundragjinore (antigender), që lëviz poshtë kësaj sipërfaqeje si panik i organizuar, nostalgji për një rend të padrejtë, a frikë nga një botë ku gratë dhe njerëzit queer nuk pranojnë më të jenë thjesht prapavija e historisë së të tjerëve.

Sepse ashtu si zorra qorre te njeriu, tradita, është e padëmshme deri në pikën që nuk infektohet. Që të mos helmojë gjithë trupin shoqëror, trajtimi i saj, nuk është kërcënim – bëhet shpëtim.

77-Gjinitë dhe Liturgjia e Panikut 

Por në shoqëri, ashtu si në trup, mjafton një lëvizje e vogël për ta aktivizuar dobësinë e brendshme. Këtë bëri dhe Ligji për barazinë gjinore, teksa nuk prodhoi debat të ri por e (ri)zgjoi duke prekur një plagë që prej kohësh pulsonte nën sipërfaqe. 

Nuk është hera e parë që ndodh dhe as eksluzivisht në Shqipëri. Avazi është i njëjtë, kur sapo nis diskutimi për ndërtimin e një infrastrukture juridike më të drejtë për pabarazitë strukturore, rikthehen fantazmat kolektive dhe merr menjëherë dhenë narrativa e përbashkët ku togfjalëshi LGBT përdoret si karrem dhe ku familja shndërrohet në refren territori të ankthshëm: “Po na prishni familjen”, “Zoti nuk ju pranon”, “Po na rrisni fëmijët pa moral”,“As dreqit nuk i duhen 77 gjini”, “Rrezik kombëtar”

Në vend të diskutimit përmbajtësor mbi tekstin ligjor, hapi i parë ishte gjuha e alarmit moral. Në ditët e komisioneve dëgjimore dhe debateve televizive u riciklua repertori i njohur i dezinformimit e spektaklit të shpejtë. Nuk servireshin argumente, po (ri)përtypje paniku. Është pikërisht ajo që sociologet e quajnë infrastruktura transnacionale të reagimit kundragjinor që operacionalizohen sapo sfidohen hierarkitë sociale: nga figurat politike te aparatet mediatike, nga pastorët e kishtarët, te VIP-at dhe influenceret e tik tok-ut.

Megjithatë, lëvizjet kundragjinore nuk janë valvul e reagimeve spontane, apo folklor i zemërimit popullor që ia behën si rrufe në qiell të hapur. Rikthimi i panikut moral në Shqipëri erdh’ i ushqyer për vite nga një terren ku politika, feja dhe mediat kanë prodhuar bashkë një ekosistem konservator të mirëfortifikuar, që mobilizohet për ruajtjen e rendit të vjetër gjinor, duke luftuar dhe vetë idenë e drejtësisë si parim shoqëror. 

Në dekadën e fundit (sidomos) po dhe më herët, Partia Demokratike në Shqipëri ka flirtuar dhe shpesh ka bërë aleatë të afërt aktorët më aktivë kundër barazisë gjinore dhe të drejtave LGBT+. Nga mobilizimet kundër edukimit seksual (2019), kundërshtia publike ndaj nismave për regjistrimin e gjinisë dhe orientimit seksual (2020–2022), te pranimi sistematik në panele e fushata i figurave që artikulojnë retorikën kundër “ideologjisë gjinore”(gender ideology) – PD-ja ka importuar të njëjtën strukturë si në fushatat kundër Konventës së Stambollit në Kroaci apo kundër edukimit seksual në Poloni, me të njëjtin model mobilizimi që ka shoqëruar valën kundragjinore në rajon e më gjerë.

Është e njëjta makineri që ka ushqyer ofensivën kundër të drejtave riprodhuese në SHBA, një nga demokracitë më të vjetra, ku është rikthyer kufizimi i abortit, ndalimi i librave që cenojnë moralin, sulmet sistematike ndaj të drejtave trans dhe fushatat e vrullshme ndaj “gender ideology”. Në Francë dhe Hollandë, partitë e ekstremit të djathtë kanë hyrë në zgjedhje si pretendente kryesore, e në Itali, Meloni qeveris mbi platformën e “familjes tradicionale”. Ashtu siç tregojnë raportet më të fundit të ILGA-Europe (2024), nuk kemi të bëjmë me reagime të izoluara lokale, por me infrastrukturë të organizuar, mbështetur nga dezinformimi i aparateve mediatike, politikat oportuniste të djathta, figurat fetare dhe spektakli i rrjeteve sociale, duke prodhuar të njëjtën valë ankthi e frike kudo ku sfidohet rendi gjinor.

Por shkulmit të djathtë i ka ndihmuar edhe konservatorizmi i butë i pushtetit të Partisë Socialiste. PS-ja ka ndjekur për vite një model të dyfishtë, ku në dokumente dhe marrëdhënie me BE-në shfaqet si promotore e modernizimit ligjor, ndërsa në nivel kulturor, mediatik dhe institucional ka toleruar – e në disa raste ka amplifikuar – diskursin tradicionalist. Të njëjtat televizione të afërta me qeverinë që në disa fasha orare kthejnë prozhektorët nga “shoqëria e hapur” dhe “gruaja në karrierë”, në të tjerat, (ri)prodhojnë panik moral për edukimin, seksualitetin, rolet gjinore, trupin dhe moralin politik (femra, nëna, motra e dikujt – në privat). 

Ndërsa në arenën ndërkombëtare PS-ja performon si kampione e modernizimit ligjor, sakaq, në praktikë, e ka toleruar/përqafuar/ridimensionuar seksizmin sipas interesit politik të momentit. Nga meme-t seksiste të Ramës, te emërimet e grave në pozita të larta si dekor për retorikën e “Shqipërisë moderne”, te përdorimi i gjuhës së kinse-progresit për të kamufluar praktikat e vjetra të pushtetit, PS e ka shitur përfaqësimin si zëvendësim të emancipimit. Spektakli është kapitali i grumbulluar në atë pikë që shitet si imazh (Debord, 1967), ky është pra, konservatorizëm më i butë, por më i rrezikshëm: ai normalizon status quo-në teksa e marketon si progres (këtu: përmes shitjes në imazh).

Njësoj me atë që në literaturën politike njihet “modernizim pa emancipim”: me ligje që shtyhen përpara në letër, ndërsa kultura e pushtetit në vendnumëro. E gjitha kjo ndodh nën hijen e një BE-je që nuk vepron si strukturë transformuese, por si metronom burokratik. Shumica e reformave sociale në Shqipëri, përfshirë dhe për barazinë gjinore, vijnë si kërkesë e kapitujve të njohur si 23 dhe 24 nën Cluster 11 – jo në fakt si produkt i vullnetit të brendshëm politik. Për këtë arsye, ligjet shpesh kalojnë si detyrë shtëpie: plotësohet tabela, raportohet tek Komisioni, çiklohet tek Raporti i Progresit. Prandaj dhe qeveria Rama dështoi ta mbronte publikisht nismën e përmirësimit të kornizës ligjore, por i la “të haheshin me njëri-tjetrin”. Ndonëse po ta kishte njëmend, do i dilte kësaj përballjeje me përfaqësi të gatshme për debat, duke mos i lënë dyfish vulnerabël ato që ligji rreket t’i mbrojë. Politika e brendshme, që ndërkohë do të duhej t’i shoqëronte këto reforma me ndërtim kapacitetesh institucionale, lihet bosh – hapësirë ku moralistët ecin me çizme, ndërsa ligji endet me opinga. 

Ky kontrast modernizimi procedural i shtyrë nga BE-ja në dukje, dhe nëndheshëm yshtur nga kultura politike ku ligji ecën disi në letër, por shoqëria mbetet ende në ngërç, bëhet terren ideal për mobilizimin kundragjinor. Pikërisht ky model hapi shtegun që liturgjia e “77 gjinive” të shndërrohej në kauzë kombëtare brenda natës.

Në Shqipëri, kjo u pa edhe kur aktivistet feministe, grupet e të drejtave të njeriut dhe organizatat LGBT+ u ekspozuan për javë të tëra ndaj një tallazi të ashpër urrejtjeje, nga komentet online te emisionet prime-time, nga predikimet fetare e dëgjesat parlamentare. Ato mbajtën peshën që institucionet e shmangën: përballjen me kërcënimet, demonizimin, talljen, dehumanizimin. Pati gra që u quajtën “armike të kombit”, persona queer që u përcollën si “kërcënim për fëmijët”, aktiviste që u tallën publikisht nga figura të njohura mediatike e VIP-a që kërkojnë audiencë te impulsiviteti moral. Pati sulme të koordinuara në mediat sociale, shpifje e kërcënime në një klimë që synonte të trembte, të çmobilizonte, të delegjitimonte. 

Në këtë terren tensioni, ndodhi edhe paradoksi më domethënës politik: për herë të parë, në parlament ishte mundësia e një vote të majtë – mbështetur edhe nga vetë ky elektorat që sot po bëhet mish për top – sjellë mbi premtimin për drejtësi e politika progresiste. Por pikërisht në momentin kur po pritej një qëndrim i qartë në mbështetje, Lëvizja Bashkë, në vend që ta përdorte (edhe simbolikisht) atë votë për të ndërhyrë më përmbajtësisht në këtë çarje e për ta thelluar kritikën e saj, në fakt zgjodhi mosangazhimin. 

Të kërkosh një ligj më të mirë është legjitime, por të mos e votosh duke mos mbajtur qëndrim publik, nuk mund të lexohet jashtë kontekstit aktual. Kur aktivistet janë duke marrë goditje të përditshme, teksa gjuha e urrejtjes është institucionalizuar, e ndërsa aparati mediatik riprodhon të njëjtin qerthull dhune, mosvotimi nuk është neutralitet a përpjekje për të mos u bërë palë me politikën e pushtetit. Është lëshim terreni. Sidomos kur PS-ja është nën ethet e kapjes së trenit performativ të BE-së, jo ndryshimit strukturor që s’e ka bërë për 12 vjet me radhë. Është dorëzim simbolik përballë një kundërfryme që kërkon pikërisht lëvizje të stepura (politike/ideologjike/shoqërore), të pavendosura në momentin kur (ironikisht!) subjektet që u thërret kanë më shumë nevojë për zë të amplifikuar në përfaqësim. Prandaj miratimi i ligjit si proces, më shumë sesa arritje fundore nxori në pah diç më tepër sesa dogmën e një kërkese ideologjike: mungesën e një politike kujdesi. Nevojën e një arkitekture shoqërore që mbron jetën e integritetin e grave dhe komuniteteve që mezi e mbajnë kokën mbi ujë – përtej brishtësisë së egos partiake. Një parti që pretendon se mbron punën, kujdesin dhe barazinë, refuzoi të votojë një kornizë ligjore që i forcon këto fusha, duke e humbur kështu legjitimitetin që më pas ta problematizojë mungesën e mekanizmave për aplikimin e tyre në praktikë. A nuk është detyra e opozitës kjo?

Nuk është radikale të kërkosh ligjin perfekt, kur shumë gra jetojnë në kushte të papërsosura që nuk presin dot. Më radikale do ishte të mos përdorej ideali si alibi për mospërgjegjësi. Sepse kur një subjekt politik zgjedh të mos jetë aty në momentin kur barazia/ndërhyrja/përmirësimi kërkon votë, ai nuk po rri mënjanë por po vendos anën. Dhe anën e ka ndarë me ata që e përçmojnë progresin në emër të moralit, orbitën konservatore.

Fundja, derisa të gatuhet e piqet ligji “ideal”, çfarë ndodh me gratë që jetojnë në rrezik sot? Me pasigurinë në punë, pushimet arbitrare, diskriminimin në paga (neni 27, 29 dhe 30), punën e papaguar dhe mungesën e shërbimeve të kujdesit (neni 32), dhe edukimin e barazisë gjinore (neni 33) pikërisht ato që ky ligj i prek dhe që Lëvizja Bashkë i ka pasur flamur politik në fushatë?

Po me raportimin dhe mungesën e mbrojtjes ndaj gjuhës së urrejtjes/ dhunës /seksizmit? Me komunitetet queer që përballen me linçim publik? 

Nëse politika e së majtës së re reduktohet në pritjen e partiturës së përsosur (mundësisht veç po e bëri vetë) – teksa realiteti është i papërsosur deri në dhimbje, atëherë ky qëndrim është drejtëz e kithët me emancipimin.

Ndryshimi nuk vjen me abstenim në një Republikë Parlamentare pjesë së cilës kanë luftuar të bëhen, e janë besuar me të drejtë vote. Ndryshimi mund të arrihet më lehtë #bashkë me praninë e zërit dhe me përballjen me të papërsosurën që është hapi i parë i çdo të drejte (marrëdhënia dialektike mos thotë gjë?).

Ligjet krijojnë mekanizma që e detyrojnë shtetin të përgjigjet, të llogarisë dhe të ndërtojë struktura mbrojtjeje aty ku për vite kanë ekzistuar vetëm arnime individuale. Kur këto mjete vonohen, bllokohen apo relativizohen, pabarazia  thellohet, sepse sistemi vazhdon të ushqehet me punën, heshtjen dhe cenueshmërinë e atyre që ligji synon të mbrojë.

Ligji e bëri këtë: vuri dorën mbi nerv.

Pjesa tjetër, ajo e vështira, nis tani.

Vijon në pjesën II…

_

  1.  Cluster 1: The Fundamentals”, ku përfshihen sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe drejtësia (zonë që tradicionalisht korrespondon me kapitujt 23 dhe 24 të acquis communautaire) European Commission – Albania 2023 Report (Progress Report)

_

Referencat

1. Butler, Judith.“Bodies That Matter: On the Discursive Limits of ‘Sex’.” New York: Routledge, 1993.

2. Fraser, Nancy.“Contradictions of Capital and Care.” New Left Review 100 (2016).

3. Graff, Agnieszka, dhe Elżbieta Korolczuk.“Anti-Gender Politics in the Populist Moment.” London: Routledge, 2022.

4. Kuhar, Roman, dhe David Paternotte, red.“Anti-Gender Campaigns in Europe: Mobilizing against Equality.” London: Rowman & Littlefield International, 2017.

5. ILGA-Europe.“Annual Review of the Human Rights Situation of LGBTIQ People in Europe and Central Asia 2024.” Brussels: ILGA-Europe, 2024.

6. European Commission.“Albania 2023 Report – Communication on EU Enlargement Policy.” Brussels: European Commission, 2023.

7. Amnesty International.“Croatia: Authorities Must Stop Attacks on Istanbul Convention.” News release, 2018.

8. Human Rights Watch.“Poland: ‘Stop Pedophilia’ Bill Threatens Sex Education.” Report / news, 2019.