Mësimdhënia online zbulon mjerimin e gjuhës shqipe

A.V | 30.03.2020 | nyje.al 

Nëse shohim një vrasje në rrugë, ne thërrasim policinë. Nëse ndodh një grindje në shkollë, thirret oficeri i sigurisë së shkollës. Nësë kemi një të sëmurë rëndë, me shumë gjasa, njoftohet ambulanca. Po nëse shohim një fjalë, disa rreshta, një tekst, paragraf, njoftim zyrtar, një libër të tërë me gabime drejtshkrimore, kuptimore, cilin duhet të thërrasim?
Unë e kam pasur gjithnjë të vështirë ta adresoj këtë shqetësim dhe në vend të kësaj, kam zgjedhur të mbroj fëmijët, duke iu mbyllur sytë dhe treguar rrugën e duhur përballë dhunimit të gjuhës shqipe.

Këto kohë shoqëria shqiptare, ashtu si shumica e botës, po përballet me situatën e vështirë të krijuar nga përhapja e virusit Covid-19. Nga të parat institucione që u mbyllën ishin shkollat. Pavarësisht pezullimit të mësimit, mësuesit e shkollave fillore, nën direktivat e Ministrisë së Arsimit, po përjetojnë një përvojë të re në jetën e mësimdhënies online. Natyrisht që nuk janë trajnuar për këtë metodë dhe dashje pa dashje, si kurrë më parë, po dalin haptas dobësitë në zotërimin e gjuhës shqipe.

Fragment nga mësimi në RTSH Fragment nga mësimi në RTSH 

Dikur të mbyllur në konakët e tyre arsimorë, në klasat me fëmijë, të testuar e monitoruar sa për sy e faqe nga drejtorë dhe inspektorë me po të njëjtin nivel a ndjeshmëri gjuhësore e profesionale, tanimë po dalin hapur përballë një inspektorati të pafuqishëm juridikisht, por tepër vigjilent. Ky kontrollor përbëhet nga prindër, teze, xhaxhallarë, halla, miq, të cilët ashtu  të karantinuar, u është dashur të bëhen pjesë e mësimdhënies online. Ata shohin qartë se si shkruajnë mësuesit e fëmijëve të tyre. Për hir të së vërtetës, gjuha e shkruar e mësuesve online, në rastet që kam ndjekur unë, nuk më rezulton shumë larg gjuhës së shkruar në dërrasën e zezë, në vendin e zakonshëm të detyrës së mësuesit, dhe as ndryshon  nga gjuha e e teksteve në klasa, që më duket po aq rëndë sa e folura rrugore po edhe e shpikur e reperave.

Mbase është rasti të kthehemi larg në kohë për të parë si kanë vepruar me mençuri paraardhësit në ditë të këqija. Qeveria e parë shqiptare e Ismail Qemalit: “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.” (Botuar në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913).

Nevoja e një redaktori dhe korrektuesi gjuhësor në çdo komunikim publik është po aq jetike sa rikthimi në ditët normale të jetës sonë pas Coronavirusit. Ndryshe do ngjajmë identik dhe po aq qesharak sa regjimi i nomenklaturës kur dënoi me burg për agjitacion e propagandë poetin Frederik Rreshpja. Pyetjes para ekzekutimit të vendimit, nëse ai kishte diçka kundra aktakuzës, ai i përgjigjet: “Aktakuza përpos të tjerave ka edhe shumë gabime ortografike”.
Përpara se fëmijët tanë të ngjajnë me aparatçikët dhe ndëshkuesit e diktaturës, lutemi e shpresojmë që të kemi gjithnjë vetëdije si e Rreshpjes që edhe në kushte mjerimi kulturor, arrin të shquajë deformimet gjuhësore duke na  sjellë njëherësh humor të zi, ose të paktën gri. Edhe unë bëj gabime. Prandaj ky shkrim nuk është siç e bëra në fillim, unë studenti i shkencave sociale, por siç (deshi) duhej redaktorja e Gjuhë-Letërsisë. Mësuesi është gjithnjë i plotfuqishëm përballë fëmijëve të paditur dhe duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse ka në dorë kartën e besueshmërisë… edhe atëherë kur shkruan në grupin në whatsapp, kur jep mësim online në TV apo kur dërgon mesazh në numrin e telefonit për ditën e provimit të nxënësit. Në një të nesërme, jo shumë të largët, pak prej këtyre fëmijëve do t’i përdorë stilolapsat dhe fletoret, ndaj nga i-phon-i ose i-pad-i, gjuhën shqipe do duhet ta shkruajnë saktë.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje