Nga nderhyrja ne terren, janar 2026 (c) Trivet

Brunela Mërtiri | 04.02.2026 | nyje.al

“Ne jemi një grimcë rëre para tyre, nuk kemi fuqi…”

Ndjej se provuam të kundërtën në rërën që na përket.

Ditën e fundit të një janari të gjatë, veçanërisht për qytetarët e Vlorës, nisma në dukje e vogël e një skice në breg të detit, vendosi t’i jepte botës një mesazh; sakaq banorëve të zonës t’u rikthente shpresën. Grupi me aktivistë e artistë, shumë të zëshëm dhe të  ndjeshëm ndaj çështjeve sociale e mjedisore ndër vite në Shqipëri, me nismë  të kolektivit të artisteve te angazhuara Trivet, arriti të realizonte në mënyrë të përsosur një vizatim mbi rërë që paraqet në mënyrë kuptimplotë lidhjen tonë me natyrën. Pse ishte e nevojshme kjo nismë?

Më 22 janar, në plazhin e Portonovës, zbarkoi triumfalisht një ushtri e tërë makinash që shoqëronin Ivanka Trump, vajzën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa pasur nevojë për mjete të tjera lufte, ajo, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare i vuri vulën plazhit, detit dhe ishullit. Deri në këtë datë, të gjithë banorët e zonës kishin shpresën se, pavarësisht kërcënimeve apo shkëputjes pa arsye të kontratave të peshkimit, shitja e zonës ishte vetëm një thashethem. Vizita e saj ishte e palajmëruar, por e kontrolluar me një servilizëm të marrë. “Nuk lejohet të kalosh këtu!” ishte gjithçka që policia e shtetit iu tha banorëve në fytyrë, teksa tërhiqte drejt detit tualete të lëvizshme vetëm për këtë vizitë. Ata ende nuk kanë marrë një deklaratë, apo shkresë zyrtare që qartëson në mënyrë transparente se çfarë do të ndodhë me tokat e vendasve, si dhe me profesionet e tyre. Më shumë se 60 familje peshkatarësh varen ekonomikisht nga Laguna e Nartës. Qindra varen shpirtërisht në tokat, zogjtë dhe ajrin buzë detit. Çfarë u paraqit qëllimisht si tokë e shkretë, është një tokë plot jetë që mbledh 10 fshatra dhe specie nga më të rrallat.

Peizazh nga Manastiri i Zvërnecit, (c) Trivet

Dy drita fari

Dy pika lot nën sy të plakur

Rrëmbe atë që nuk ta falin

Pastaj vrapo në kodra zbathur…

Poezia “Fari”, 29 janar 2026

Kjo është më shumë se një histori personale. Familjes sime, deti i ka dhënë dhe i ka marrë jetë. Është e rëndë për mua të shoh dorëzim në sytë e gjyshërve të mi, kur kuptojnë se toka do të grabitet si të ishte bosh. Sikur të ishte toka e askujt. Terra Nullius. Sikur të mos ketë zemra që rrahin mbi të, histori që rrëfehen e trashëgohen. Kjo me gjasë ndodh pasi në vendin tonë, fjala ‘bosh’ sot do të thotë pa beton që të mbyt qiellin dhe të zë frymën. Është e rëndë të shoh duart e plakura të gjyshes sime që kërkojnë shpjegim në ajër. Të shoh duar burrash që përplasen si një dosje ku është marrë vendimi. Të shoh qepallat e nënës që mbyllen lehtë pa shpresë, buzët që varen njësh me sytë. Të dëgjoj tim atë të thotë “Ejani edhe njëherë të fundit” me një dhimbje që thuajse kumton se po na shembet shtëpia.

Peizazh nga zona, 31 janar 2026, (c) Trivet

… Do pengohesh në mllef, rrëzohesh në gurë, ndiqesh nga hije që s’i ke parë kurrë

Kur fari të ndizet të fundit herë

Me xixëllonjat që shuhen si mall

Në netë të shenjta do marrin valët vrer

Do t’ju gëlltisë deti të gjallë…”

Do të humbasin fjalë si “saragua”, “norec”, sepse do të humbin vetë speciet, do të na zgjojë mllef t’i përmendim. Portonova është pjesë e kulturës, këngëve. Ne kemi harruar të jemi krenarë për ato çfarë kemi, sepse na i rrëmbejnë çdo ditë. Unë jam rritur me hijen e Sazanit dhe dritën e Treportit, me krahët e zogjve të egër dhe aromën e qirinjve të Manastirit. Këtë të fundit mesa duket nuk do të na lejojnë ta vizitojmë as në ditën e shenjtë të emrit që mban.

Peizazh nga zona, 31 janar 2026, (c) Trivet
Peizazh nga zona, 31 janar 2026, (c) Trivet

Do t’ju ngecë heshtja në fyt si nëmje

Si litarë lëshuar në duar përgjakur

Do ta shkruani historinë me ëndje

Por me tokën njësh përbaltur

 Në mos ne, këdo që vë dorë mbi Zvërnec, do ta ndëshkojë natyra. Megjithëkëtë, ne do ta kundërshtojmë deri në fund këtë projekt dhe propagandimin e tij si strategji e shkëlqyer në ndihmë të vlonjatëve.

Peizazh nga zona, 31 janar 2026, (c) Trivet
Peizazh nga zona, 31 janar 2026, (c) Trivet

Në vend të kësaj masakre të shëmtuar që na shkel dinjitetin me këmbë, mund të kishin investuar në rrugën e plazhit dhe në pastrimin e rërës. Në vend të rrënimit të dunave për të ngritur resorte më të larta se kodrat, mund të kishin investuar në shtëpiza druri. Kjo pasi turizmi në zonë nuk mungon, ata thjesht duan ta kthejnë nga një turizëm të cilin e kërkojnë turistët vendas e të huaj për qetësinë që e karakterizon, në një zhurmë të brendshme të mbyllur dhe të kontrolluar me postoblloqe paraje. Pra, thënë ndryshe, do të varrosin çdo pjesë të natyrës të shpallur të mbrojtur. Ne do të qajmë, ndërsa ata do të trashëgojnë pasurinë padrejtësisht.

Ligjërisht ka aq shumë boshllëqe, sa mund të ndryshohen ligjet si përherë për t’i mbushur në funksion të tyre. Moralisht, këto fytyra nuk do të lahen kurrë me këtë popull, mendimi i të cilit paraqitet në media edhe më të shitura, sipas mendimit të atyre që përfitojnë mos-heqjen nga puna. Fundja ç’është të shesësh një copë toke para dinjitetit?!

“Mos u ngatërroni!”

“Do të ngatërrohem sa të kem frymë!”

Unë shpesh them se nëse nuk ke guxim të kundërshtosh nënën tënde, nuk e kundërshton dot botën. Sot unë qëndroj idealiste dhe e vendosur përballë heshtjes që mbulon thashethemet, para një sistemi të korruptuar që ka të vetmen armë kërcënimin dhe forcën e të shiturve. Njerëzit e zonës e kanë humbur shpresën, ndërsa frikën e kanë me tepri. Aq thellë ka hyrë padrejtësia në mendësinë e kujtdo, sa normalizimi është e vetmja rrugë.

Zvërneci është pjesë e identitetit tonë! Me shitjen e tij na humb e drejta për t’ua treguar fëmijëve. Humb një fjalor i tërë i peshkatarëve, besimtarëve dhe të moshuarve. Humb një cep i zemrës, shtëpisë. Na nxisin të heshtim dhe kështu do të bëjnë derisa të na zvarriten edhe në oborre, para dyerve.

Janë mësuar të na grabisin kuletat, votat dhe vëmendjen për keq.

NUK NA RRËMBEJNË DOT ÇFARË NA KA FALUR NATYRA!

Nuk do mbetemi në histori si populli që thotë “Faleminderit!”. Ne jemi bashkë dhe kundër tyre. Po ti?

Brunela Mërtiri është shkrimtare e re. Rritur në zonën e Zvërnecit, ajo ka zhvilluar prej vitesh pasionin për poezinë dhe prozën. E lidhur ngushtësisht me zhvillimet në zonë, me babain peshkatar prej 25 vitesh në Lagunën e Nartës, ajo përdorë fuqinë e fjalës për të kundërshtuar projektin e zaptimit të Ishullit të Sazanit dhe Zvërnecit.