Me puse të thara dhe shtet në mungesë: përpjekjet për ujë të banorëve të Laknasit

Edison Lika | 02.09.2025 | Nyje.al 

Rreth 700 familje në njësinë administrative Laknas të Bashkisë Kamëz nuk furnizohen me ujë nga Bashkia Kamëz. Që prej fillim viteve ‘90, këta banorë nuk janë furnizuar asnjëherë me ujë, sepse në të gjithë njësinë nuk është ndërtuar një rrjet furnizimi, pavarësisht se ajo zonë është me një densitet të konsiderueshëm banimi.

Banorët, që kur janë zhvendosur në këtë zonë në fillim të viteve ’90, e kanë siguruar ujin në mënyrë private. Dikush duke mbushur në zona kufitare, të tjerë duke hapur puse për të siguruar kushtet që të kishin ujë të rrjedhshëm, të paktën për t’u larë, gatuar dhe, nëse do ngelte pak ujë, për të vaditur.

Për shumë vite kjo histori vijoi njësoj. Zgjedhjet vinin e shkonin, premtimet për ujë të rrjedhshëm dhe pajisje me rrjet furnizimi me ujë ishin pjesë e çdo fushate elektorale, por situata vijonte të ishte e njëjtë. Çdo familje kishte të paktën një pus në oborr, përmes të cilit siguronte ujin.

“Prej vitit 1996 jam banor i Laknasit dhe kemi 1000 probleme […] : me rrugë, me kanalizime, me energji; po diçka që është shumë jetike dhe domosdoshmëri është mungesa e ujësjellësit. Unë kam shpu tokën time tre-katër herë, pesë herë, gjashtë herë për me nxjerrë ujë dhe atë pak ujë që kemi është shumë i ndotur. Kemi ba njimijë herë kërkesë në bashki për çdo nevojë tonën, por dihet që ata na postojnë duke na thënë do bahet sivjet, do bahet mot, dhe sa kalojnë ato periudhat e ‘arta’ të këtyne, të gënjeshtrave, me po ato probleme ngelim dhe vetëm sa marrim premtimet boshe të këtyre”.  – Shkëlzen Lika, banor i Laknasit 

Duke qenë se banorët i kishin dhënë zgjidhje individuale problemit, dukej sikur nevoja për ujë të rrjedhshëm nga shteti, ishte një dëshirë që venitej gjithnjë e më shumë, deri sa në një moment puset, që u kishin kushtuar miliona lekë, nuk po nxirrnin më ujë. Në këtë moment edhe zgjidhja individuale që gjithsecili kishte gjetur dukej se nuk po funksiononte më. Banorët u gjenden të vetëm, pa ujë, pa ujësjellës dhe me puse që nuk funksiononin.

“Lagjia jonë nuk është lagje e vonshme, kemi nja 20-30 vjet aty. Kemi nxjerr puse, nji, dy, tre, por tash po thahen edhe ata. Problemi tjetër është se kur duam me nxjerrë pus, vjen policia dhe s’na e lejon. Pastaj pusi edhe kushton, shkon deri në 4 milion, 5 milion. Ne jemi solidarizu… kemi thanë, tubin e lagjes mund ta shtrojmë vetë, thjesht bashkia të na japi mundësinë e kanalit nga rruga, që të mos kemi probleme me banorët e tjerë… pra edhe këto mundësi u kemi dhënë dhe nuk na kanë kthyer përgjigje.” – Nemir Lushi, banor i Laknasit 

Banorët e Laknasit tregojnë sesi nuk është hera e parë që i zënë derën bashkisë për problemet e lagjes së tyre. Janë të shumta rastet që janë mbledhur dhe kanë dërguar kërkesa jo veç për ujin, por edhe për rrugë e shëndetësi, por nuk janë marrë parasysh nga bashkia. Shpëtim Tota, një prej banorëve të lagjes të pranishëm në protestë u shpreh: 

“Në Laknas nuk ka asnji lloj uji. Kemi hedh puse vetë. Kemi hedhë lekë. Na kanë maru dhe puset tash, në zëro. Ata duhet të bien një komision, ta flasin, ta shofin dhe nëse s’ka ujë, ta verifikojnë. Kemi rrugën, i kemi bë që dy vjet kërkesë bashkisë. Kemi qenë 16 vetë te bashkia, na e dha fjalën ‘rruga asht e bamë’, s’bani asnji sen. Vetëm na ka pru do abazhura, na ka ba do kanale të ujërave të zeza edhe asnji sen tjetër. Ne kërkojmë këto të drejta, asnji gja tjetër nuk kërkojmë: një gjë shumë shumë minimale jetese.” – Shpëtim Tota, banor i Laknasit  

Ngjashëm pohon dhe Artan Dragjashi, banor i Laknasit që prej vitit 1994:  “Ne kërkojmë një komision që ta shikojë se po vijnë me bote. Sot aktualisht furnizohemi me bot uji. Kemi zero, zero ujë. Kërkesat tona i kemi të njipasnjishme te bashkia: duhet të jenë edhe në bashki, duhet të jenë edhe te kryetari si për rrugë, si për kanalizime, për gjendjen shëndetësore, për gjërat minimale. Këto nuk janë mundësuar për lagjen rruga ‘Shkëlzen’, po edhe pjesërisht për gjithë Laknasin.”

Falë këmbënguljes së banorëve, ata siguruan një takim me kryetarin e Bashkisë brenda ditës së djeshme. Në takim morën pjesë më shumë se 20 banorë. Bashkë me banorët, të pranishëm në takim ishin dhe dy aktivistë të organizatës Drejtësisë Sociale që ndihmuan dhe asistuan banorët bashkë me aktivistë të tjerë të Kamzës. 

Në diskutimin me kryetarin e bashkisë ndër të tjera u ra dakord për hartimin e një plan-projekti nga Bashkia Kamëz për krijimin e një rrjeti ujësjellësi të posaçëm vetëm për zonën e Laknasit dhe dërgimin e tij tek Ministria e Infrastrukturës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në mënyrë që ky institucion ta buxhetojë vitin e ardhshëm si shërbim, pasi është përtej kapaciteteve financiare të bashkisë. Gjatë kësaj kohe, banorët u shprehën se bashkë me aktivistët e pranishëm në takim do ta ndjekin çështjen dhe do të sigurohen që nuk do të jetë më veç një premtim. Kryetari i Bashkisë, z. Suli, pohoi se data përfundimtare kur plan-projekti të jetë hartuar, konsultuar dhe dërguar do të ishte data 30 nëntor. 

Gjithashtu, u dha premtimi se tash e tutje banorët do të furnizohen me ujë me bote përmes UKK-së deri sa të vihet në jetë projekti. Masat e furnizmit janë marrë brenda ditës së djeshme, ku disa bote me ujë janë nisur drejt lagjes ‘Shkëlzen’ në njësinë administrative Laknas.

“Sot ishim në diskutim me kryetarin e bashkisë së Kamzës, dhe na premtoi që zgjidhja përkohësisht do të jetë me bote për çdo familjar që ka mungesë uji. Dhe nga data 15 nëntor deri më datë 30 nëntor do të dalë projekti i plotë për furnizimin me ujë të pijshëm të lagjes dhe të zonës tonë, – ishalla (disa zëra në kor nga banorët e tjerë në protestë) –  kështu na premtoi. Ta shohim se çfarë do ndodhë.” Shkëlzen Lika, banor i Laknasit 

Historia e Laknasit është një prej rasteve-shembull i mungesës së investimeve publike për një shërbim bazë si uji i pijshëm. Por ajo tregon edhe forcën e bashkimit të komunitetit: kur banorët organizohen dhe ngrejnë zërin, institucionet nuk mund të rrinë më indiferente. Tani mbetet për t’u parë nëse premtimet do të mbahen dhe nëse Laknasi, pas tri dekadash pritje, do të ketë më në fund një rrjet ujësjellësi funksional.

Fotografi dhe intervista në terren: Fidane Leka 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje