Mbijetesa tjetër e gjysh Hetemit

Emanuela Godini | 11.02.2020 | nyje.al

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


Paraardhësit e gjyshit tim Hetem Godini u shpërngulën nga Kosova për një jetë më të mirë në Shqipëri. Jeta në komunizëm ishte një lloj tjetër mbijetese.
Mbijetesa tjetër e gjysh Hetemit

Diktatura komuniste në Shqipëri ka lënë pasoja të pariparueshme që kanë të bëjnë sa me krimin e drejtpërdrejtë ndaj njeriut shqiptar, aq edhe me forma të tjera të krimit siç janë izolimi dhe varfërimi në masë.
Përgjatë 45 viteve u vranë 5157 persona, nga këta 89 ishin gra. Vdiqën në burgje 952 persona, 7 nga këta ishin gra. Humbën aftësinë mendore 273 njerëz, nga këta 29 ishin gra. Mijëra të tjerë u dënuan politikisht në burgje dhe kampe të punës së detyruar, u internuan dhe izoluan në 48 kampe internimi masiv. Këto janë shifra zyrtare, ato që njeh historia e shkruar nëpër libra, jo doemos nëpër tekstet shkollore.
Ka midis tyre shqiptarë të Kosovës, siç e dëshmon në këtë rrëfim gjyshi im Hetem Godini. Historia e tij dhe e të ngjashmëve si ai nuk ka zënë ndonjëherë vend nëpër libra sepse informacioni për jetën e përditshme nën diktaturë nuk preferohet dhe aq për tablonë e madhe historike.
Gjyshi Hetem, i lindur më 8 shtator të vitit 1953 në Lushnje, ka sot mundësinë të analizojë në mënyrë më të sinqertë dhe të drejtëpërdrejtë jetën e tij të dikurshme. Paraardhësit e tij nga Ferizaj u shpërngulën në Shqipëri pas luftës së parë botërore. Me izolimin e vendit në fund të luftës së dytë botërore, Godinët mbetën të ndarë midis trojeve shqiptare.
 
Shumë familje shqiptare janë internuar nën diktaturë për motive të ndryshme politike. Si ka ndodhur me familjen tonë gjysh?
Një vendim i politikës së Enver Hoxhës bëri që ne të vendoseshim në fshatin Qerret të Lushnjes. Jeta në Qerret ka qenë e vëzhguar maksimalisht nga autoritetet. Unë kam lindur kur komunizmi i kishte hedhur themelet. Ne fëmijët ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ishim në shkollë bashkë, luanim së bashku dhe pothuajse gjatë gjithë kohës rrinim bashkë.
Historia e familjes sime ishte si historia e një pjese të madhe të familjeve shqiptare me nga një njollë në biografi. Im atë gjithmonë ndjehej fajtor. E kam parë të qajë sepse kujtonte vendin tonë, Kosovën. Unë nuk kam patur mundësi t’i njohë kushërinjtë e mi. Megjithatë represion më të madh se kaq mbi ne, nuk pati…

Si ka ndikuar ky fat në përditshmërinë tënde?
Jemi munduar t’i përshtatemi mënyrës së jetesës që komunizmi na imponoi. Në të vërtetë ajo vetëm jetë që nuk mund të quhej. Kemi bërë punë nga më të ndryshmet, nga më të rëndat që të arrinim të ushqenim fëmijët. Ishte si luftë për mbijetesë.
Gjithmonë na ka trembur fakti që ishim të ardhur dhe mund të na ndodhte diçka papritur. Ishim të frikësuar mos ndokush na padiste për ndonjë veprim të jashtëligjshëm ose mos flisnim kundër  qeverisë. Spiunët e pushtetit ndodheshin kudo dhe ne nuk ishim në dijeni se kush ishin. Flinim me frikë. Për fatin tonë të mirë nuk ndodhi asgjë e keqe që mund të cënonte familjen tonë apo të përfshiheshim në rreziqe të tjera. Prandaj jemi munduar të mbrojmë familjen tonë duke mos krijuar besim tek fshatarët e tjerë dhe duke mbajtur çdo lloj sekreti dhe plani brenda shtëpisë.
Brezi i ri është pothuajse i painformuar se çfarë  ka ndodhur për gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste në Shqipëri. Kjo për shkak të teksteve shkollore.
Gjyshi Hetem Godini                                         Gjyshi Hetem Godini

Si ishte një ditë e zakonshme?
Përpjekje për të siguruar gjërat më minimale dhe jetësore. Njerëzit ngriheshin herët, ndodhte në orën dy të mëngjesit, për të zënë radhën e për të marrë pjesën e tyre të ushqimit. Kishte plot që ktheheshin duarbosh, ashtu siç iknin për të zënë radhën.
Për t’ju hequr mendjen njerëzve nga problemet dhe hallet e përditshme, janë dënuar njerëz të pafajshëm apo grupe njerëzish vetëm për të justifikuar dështimet në ekonomi.
Por ajo që do të cilësoja unë si plaga më e madhe e popullit ishte “lufta e klasave”. Qeveria e kishte qëllim më vete që të distanconte njerëzit nga familjarët e tyre, fiset krahinore apo edhe nga vetë vëllezërit e tyre. Përçarja ishte një mënyrë e mirë për t’i mbajtur nën presion.

Si kanë qenë të ndërtuara shtëpitë në fshat?
Shtëpia jonë ishte e ndërtuar me plitharë ose siç quhen ndryshe me kallama dhe të mbushura në mes tyre me baltë që formonin një lloj muri. Ka pasur edhe shumë shtëpi të tjera të ndërtuara me tulla apo blloqe që normalisht ishin më të forta se shtëpitë tona të ndërtuara me plitharë.

Jeta në punë organizohej rreth kooperativës. Si ishin pagat dhe kushtet?

Unë kam punuar në Institutin Bujqësor për 23 vjet. Pagat varionin sipas kushteve. Unë kisha një rrogë mujore mesatarisht prej 5 mijë lekësh, që i binte diku rreth 170 lekë dita. Punë ishte e lodhshme, e detyruar. Kishe një brigadier mbi kokë gjatë gjithë kohës i cili kontrollonte punën si të burrave ashtu edhe të grave. Puna ishte me orare por kishte raste kur nuk respektohej aspak orari. Nuk i interesonte kujt nëse ishte ftohtë apo ngrohtë, puna duhej të mbarohej brenda normës së përcaktuar. Shumë nga brigadierët bënin vjedhje, duke marrë produkte nga tokat dhe i dërgonin në shtëpitë e tyre. E kështu vazhdoi për vite me radhë.
Ne kemi punuar tokën tonë por kur u hapën kooperativat çdo tokë u bë shtetërore. Në fillim u la tre dynym tokë bujqësore për shtëpi por më vonë u hoq ky rregull dhe mbeti vetëm nga një dynym tokë për shtëpi. Kishte raste kur mbanim ndonjë dele fshehurazi. Lejoheshin vetëm shpendët, si për shembull pulat. Kur jam martuar unë janë prerë vetëm dy dele, pra nuk mund të bëje harxhime të shumta sepse aq mundësi ishin.

Jeta familjare kishte një kosto apo jo? E përballonit?

Kemi qenë familje e madhe dhe kurrë nuk na ka munguar ushqimi. Buka piqej me çerep ose siç quhej ndryshe me saç dhe uji mbushej me kotruve. Si të rriturit ashtu dhe fëmijët punonim duke siguruar ato pak të ardhura për ushqim. Pastaj për veshjet nuk është se blinim. Mbaj mend që nëna ime thurte rroba me pambuk të punuar por edhe andronte. Rrobave që griseshin u qepnin copa të tjera sipër.

Si jeni njohur me gjyshen, si ka qenë martesa juaj?

Unë dhe bashkëshortja ime Luljeta, jemi martuar me mblesëri, siç ndodhnin pothuajse të gjitha lidhjet në atë kohë. Ajo është nga Përmeti. Një i njohuri ynë mundësoi lidhjen e cila u kurorëzua me martesë. Kemi kaluar një martesë të lumtur. Fatmirësisht sot jemi të dy shumë mirë dhe gëzojmë shëndet të plotë. Me shumë mundime ja kemi dale mbanë të krijojmë familjen tonë, dhe kemi punuar fort që ata të kishin një jetë të lumtur. Kemi dy djem dhe një vajzë, kemi nipër e mbesa që na e mbushin shpirtin plot sa herë janë pranë nesh.

I krahason ndonjëherë kohët, si ishte dje dhe si është sot?

Jeta sigurisht nuk është më njësoj. Vendi është i lirë. Çdokush ka të drejtën e tij për të jetuar dhe duhet ta zotërojë këtë të drejtë deri në fund. Dje ekzistonte respekti reciprok, fëmijët luanin bashkë, bënim shumë për njëri-tjetrin, mblidheshim të gjithë. Nuk kishim pasuri, por na ka mjaftuar aq për të qenë të lumtur. Sot është gjë e madhe të shikosh bashkë dy fëmijë duke luajtur.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje