Lokja

Antonela Pepkolaj | 30.03.2022 | nyje.al

Lokja, fotografi nga Antonela Pepkolaj Lokja, fotografi nga Antonela Pepkolaj

Oborret paraditeve në pranverë, mbushen me gjyshet e gjyshërit që rrinë e ngrohen në diell, për shëndetin por edhe për të kaluar kohën. Kështu del çdo ditë edhe Lazimja, në Bathore, në oborrin e shtëpisë së djalit të saj, me të cilin u zhvendos nga Kukësi në 1998. Ashtu si çdo fillim,  ndeshën shumë vështirësi, sidmos me mungesën e infrastrukturës, ujit, qendrave shëndetsore, shkollave, etj., por gradualisht, me mund e punë, arritën të përshtaten. Ndonëse sot, Lazimja, është nëntëdhjetë vjeç, mban mend mirë atë pjesë të jetës së saj, që ishte më e lodhshmja por edhe më përftuesja, siç është edhe nisja e jetës nga fillimi në një vend krejt të ri.

Duke qenë edhe më e vjetra në lagje, Lazimen të gjithë e thërrasin Loke. Është një person i respektueshëm që ruan simpatinë e të gjithë personave që e njohin. Atë autoritet që ta sjell koha, Lokja e përdor me urtësi dhe shpesh me heshtje, duke qenë se në pak biseda zgjedh të përfshihet, e pak mend mundohet të japë. Megjithë moshën, është e shëndetshme dhe mbahet, kujdeset në mënyrë të rregullt për fizikun e vet dhe, mundohet të lëvizë sadopak si formë e ushtrimit fizik.

Fillimisht, u zhvendos vetë e shtata, së bashku me të shoqin, tri vajzat, djalin dhe nusen e djalit. Një ndër gjërat më sfiduese për të që mban mend nga ngulja për herë të parë në Bathore, ka qenë puna e krahut që ka bërë për të hapur kanalet me hapë një pus. Duke qenë se nuk kishte ujë, disa familje u detyruan të hapin puset për të pasur të paktën ujë për përdorimin e përditshëm. Uji i pijshëm mbushej nga burimet e ujit në Zall-Herr, një fshat afër Bathores.

Mundësitë e para për punë, kanë qenë për meshkujt, kryesisht në ndërtim. Gratë, megjithëse më vonë, punonin nga shtëpia me qepje këpucësh, që ishte punë me normë. Me këtë lloj pune, gratë merrnin nga dyqind deri në katërqind lek dita, në varësi të palëve që merrnin, duke marrë rreth njëqind e njëzetmijë lek të reja në muaj. Kjo vazhdoi deri me hapjen e fabrikave dhe punëve në fasoneri. Puna me këpucë, ka qenë punë me të cilën angazhohej nusja, ndërsa vetë merrej me punë shtëpie dhe kujdesej për kopështin, në të cilin mbillte një arë të vogël, speca dhe domate.
Shprehet se është shumë e lumtur që janë zhvendosur, sepse në Kukës nuk kishte asgjë për të bërë dhe varfëria ishte ekstreme. Arsyeja kryesore pse lëvizën, është, siç shprehet Lokja, “Për me lyp e me pas punën. Pa punë hupë robi. Ku ka punë, ka jetë. Ku  t’punosh asht mirë”.  Me idenë se vetëm puna siguron jetesën dhe mbush kohën, në karahasim me “thepat e Kukësit”, ku “nuk kisha n’botë qa me ba, veç me nejt tuj zhgu’ lopët”, vihen në kërkim të një jete të re, që të paktën të jep mundësi për t’u rritur e zhvilluar.

Sot, Lokja e kalon kohën me tespihe. ”I njehi për sevapë”, shprehet për rruazat e vogla prej qelibari të verdhë, të endura në një fije të gjelbër. “Nuk kaloj ditën me to, po kaloj vjetët,  ha-ha!”, duke qenë se po bën rreth njëzetë vite që i numëron përditë. “A do me e ditë sa janë? Tridhjetë e tri..”, dhe ndërkohë vazhdon t’i dredhë vazhmisht nëpër dorë. Kështu, dy janë gjërat e preferuara të Lokes tash, dielli dhe tespihet, sidmos të numërojë tespihet e veta nën diellin e pranverës.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje