Diana Malaj | 26.06.2020 | nyje.al
Nga protesta për mbrojtjen e lumenjve, 24 qershor, 2020
Mbrojtja e lumenjve të Shqipërisë e tejkalon natyrën e një çështjeje mjedisore apo turistike. Eshtë ktheyer në çështje jetike. Kjo kryesisht e mbi të gjitha për banorët e fshatrave ku të vetmin burim uji kanë atë rrjedhë lumi. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar rreth 714 leje ndërtimesh të hidrocentraleve nga ku 223 vetëm në tre vitet e fundit. Numër i cili tejkalon çdo parashikim të mundshëm edhe nga vetë politikat europiane që kanë nxitur shtetet të orientohen drejt energjisë së rinovueshme.
Përpjekjet ndër vite për të shpëtuar lumin e Valbonës dhe Vjosës, Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçajt, dhe shumë lumenjve të tjerë në pothuaj të gjitha fshatrat e Shqipërisë kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme ndjeshmërinë qytetare ndaj politikave energjitike ekocidiale. Për çdo hec ka një rezistencë, nga veriu në jug të Shqipërisë.
Vazhdimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve edhe gjatë pandemisë, rrëzimi i padisë në shkallë të parë të banorëve të Zall-Gjoçajt, mungesa e transparencës së institucioneve mbi ndërtimin e hec-eve, kërcënimi i banorëve, shantazhimi i protestuesve dhe procedimet e fshatarëve kur ndërkohë firmat private vazhdojnë qetësisht veprimtarinë e tyre shkatërrimtare, çoi në domosdoshmërinë për të vazhduar protestat edhe në kushtet kur kryeministri verbalisht, pa akte dhe pa ligj, i mëshon faktit që ato janë të ndaluara.
Në një kohë kur gjendja e jashtëzakonshme po kthehet në rend normal e jo si përjashtim, shpërndarja e protestave, shtypja e tyre, procedimi penal dhe dhuna policore nxjerr në pah atë që do të shprehte Agamben në librin “Gjendje e jashtëzakonshme” që kur liria policohet, dhe shteti i rri si gardian i kushtetutës – demokracia e mbrojtur nuk është aspak demokraci, por shërben më tepër si fazë tranzicioni për kalimin fatal drejt vendosjes së një regjimi totalitar.
Liria e tubimit si liri pozitive kërkon detyrimisht që shteti jo vetëm ta njohë dhe ta respektojë, por ka edhe detyrimin për të marrë masa në garantimin e pacënueshmërisë së saj. Si liri që përthyhet në përditshmërinë e qytetarëve, si mjet për të realizuar të drejta të tjera, mënyra sesi ajo instrumentalizohet nga shteti që të penalizojë, përndjekë dhe shkurajojë protestuesit na shfaq përmasat e një shteti dhunues.
Policia e Shtetit në faqen e saj zyrtare ka publikuar lajmin që me datë 24.06.2020 janë shpërndarë dy protesta të jashtëligjshme pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre. Policia e Shtetit mesa duket ende zbaton ligjin e shfuqizuar të vitit 1996, në të cilin ekzistonte koncepti i “lejes” për tubim. Në fakt, ky koncept ligjor, bashkë me ligjin e sipërpërmendur është shfuqizuar që prej vitit 2001, duke e zëvendësuar termin leje me njoftim.
Tubimi nuk duhet të jetë objekt i autorizimit policor. Për të gëzuar një të drejtë themelore nuk merret leje, ajo gëzohet e ushtrohet dhe kufizohet veç kur kufizimi është proporcional, i domosdoshëm dhe i ligjshëm. Për më tepër, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen ÉVA MOLNÁR k. HUNGARISË 7 Tetor 2008, shprehet se edhe në rastin kur nuk është bërë një lajmërim paraprak për protestë, ky element teknik nuk duhet të shkelë kurrsesi thelbin e së drejtës për ta ushtruar lirinë e tubimit. Në rast se policia e shtetit e përdor si justifikim për të shpërndarë një tubim të tillë, masa e marrë është krejtësisht joproporcionale, dhe në atë akt lexohet tendenca për të kufizuar arbitrarisht lirinë e tubimeve.
Organizatorët e protestës në mbrojtje të lumenjve janë kujdesur që tubimi të ishte ligjor dhe kushtetues. Ajo u mbajt një ditë pas mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ditë në të cilin ishin shfuqizuar aktet normative dhe që asnjë akt tjetër i ri lidhur me vazhdimësinë e kufizimeve për tubimet nuk kishte dalë në dritë. Lajmërimi është dërguar në Polici që prej datës 19 qershor, brenda afateve ligjore (mbi 3 ditë para tubimit) me qëllim që të merren masa institucionale për ta mbarëvajtur si aktivitet, dhe jo për ta ndaluar atë.
Tubimi i dy ditëve më parë, paqësor dhe aspak masiv është shpërndarë që në krye të herës, duke mos lejuar as përfundimin e fjalimeve të protestuesve. Trembëdhjetë prej tyre janë mbajtur në komisariat deri në mesnatë me akuzën për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ndaj secilit prej tyre tashmë ka nisur procesi hetimor. Ndërkohë që të gjithë protestuesit e tjerë janë përballur me dhunë policore dhe urdhra të paarsyeshëm për të mos qëndruar në trotuar, në rrugë, apo për t’u ulur në park.
Përkundër pritshmërisë se arrestimet sprapsin dhe frikësojnë, në kushtet e çështjeve të drejta dhe përndjekjeve të padrejta, ato bashkojnë dhe revoltojnë. Atë mbrëmje, kush mbeti jashtë komisariatit e donte veten brenda me të tjerët. E nesërmja e protestave vjen me gabimet e të djeshmes, si të vetmet të vërteta tonat, por edhe si një mundësi e dytë për ta rimenduar mundësinë e një historie prej njerëzish të lirë. Këto rezistenca kalisin subjekte. Liria ushtrohet përballë dhunës dhe pasuritë publike janë të tilla vetëm për aq sa mbrohen nga një publik. Dhuna policore është shenjë e dëshpëruar për të ndaluar diçka që tashmë nuk e kontrollojnë. Ne e shihnim atë në trupat e mekur të policëve dhe në përpëlitjet me ballin djersitur të drejtuesve të tyre.