Selma Daku | 15.10.2024 | nyje.al
Ditën e shtunë në qytetin e Lezhës, qytetarë e aktivistë protestuan kundër ndotjes së fabrikës I.N.C.A. Kjo fabrikë, e cila gjatë përpunimit të mbetjeve shtazore çliron erëra të padurueshme, ua ka vështirësuar jetesën e komuniteteve që jetojnë në periferi dhe në qendër të qytetit. Aktivistë të zonës, banorë bashkë me aktivisten Arilda Lleshi janë bërë bashkë dhe përgjatë një muaji kanë arritur të mbledhin rreth 1,700 firma të banorëve, për ta adresuar më pas këtë shqetësim Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Shqetësimi i banorëve shtrihet më tej, pasi aroma e përpunimit të mbetjeve në temperatura shumë të larta, mund të jetë një burim sëmundjesh kancerogjene.
Mbetjet e lëngshme të kësaj fabrike, derdhen në lumin ngjitur, më pas te njëra prej degëve të lumit Drin, i cili e përshkon mespërmes qytetin, për t’u derdhur përfundimisht në lagunën Kunë-Vain që është dhe zonë e mbrojtur. Aktivistja Arilda Lleshi ka raportuar vazhdimisht në rrjetin social të sajin sesi kjo fabrikë ka pasur një sërë ankesash dhe denoncimesh ndër vite, prej të cilave Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Lezhë ka dërguar ekspertë për shqyrtim të rastit, por ata nuk kanë vërejtur asnjë problem duke bërë që kjo çështje të lihet pas dore. Sipas banorëve këta ekspertë janë dërguar kur fabrika nuk ka qenë duke punuar në mënyrë që era e keqe të mos ndihej.
Kjo kompani ka nisur veprimtarinë e saj me 15 janar 2020. Sipas raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nëpërmjet të cilit kjo kompani është liçensuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në kapitullin IV për vlerësimin e ndikimit në mjedis thuhet se ky aktivitet shoqërohet me burim aromash, por shoqëria do të marrë masa për minimizimin e tyre duke përdorur detergjentë cilësorë në pastrim. Sakaq theksohet gjithashtu se mbetjet do të ruhen brenda ambjenteve të shoqërisë dhe në kushte frigoriferike. Në vlerësimin e bërë ka një pikë që flet për shqetësimin e banorëve të zonës, ku shpjegohet se nuk ka banesa në afërsi të zonës së projektit sepse është zonë ekzistuese industriale. Në këto dhe shumë pika të tjera, nuk parashtrohet ndonjë rrezikshmëri për banorët, pasi supozohet që rreth saj nuk ka banorë, gjë që bie në kundërshti të plotë të situatës faktike pasi shumë shtëpi janë të ndërtuara shumë afër fabrikës. Po ashtu, protestuesit kanë pohuar se edhe sikur të ishte e vërtetë, aroma gjatë proçesit të përpunimit përhapet në sipërfaqe që prek pothuajse të gjithë qytetin, dhe jo vetëm një zonë të izoluar në distancë nga jeta e banorëve.
Të vendosur përpara fabrikës dhe të shumtë në numër, banorët u bënë bashkë për të treguar se janë kundër kësaj padrejtësie që sipas tyre e kanë nën hundë dhe nuk mund të rrinë në heshtje. Pavarësisht se gjatë protestës fabrika nuk po punonte, që në distancë të konsiderueshme ndihej një aromë mbytëse për të cilën banorët thanë se nuk është asgjë në krahasim me aromën që çlirohet gjatë punimit në fabrikë. Një nga banoret, gjatë rrugës për në fabrikë shprëndau maska për të gjithë. E vetmja gjë që kërkojnë është të marrin frymë lirshëm. Bledar Përlika, banor i asaj zone u shpreh se protesta e tyre nuk është politike dhe nuk janë kundër bizneseve, por një biznes i tillë nuk po i lejon të flenë rehat në shtëpitë e tyre.
“Këtu nuk na ka sjellë mllefi për arsye personale, por halli i përbashkët, se po na zihet fryma. Duam të jetojmë të qetë nëpër shtëpitë tona dhe të marrim ajër të pastër siç e ka krijuar natyra dhe jo ajrin e ndotur që ka krijuar fabrika I.N.C.A. […] Ne jemi pro biznesit dhe pro punësimit, por jo pro një biznesi që po na merr frymën.”
Një tjetër banor i Lezhës, Zef Nikolli, tha se nuk i intereson nëse fabrika hiqet apo jo. E vetmja gjë që kërkon është eleminimi i erës.
“Fabrika ndaç të hiqet ndaç jo, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që era të eleminohet. Ne kemi specialistë nga të gjitha fushat të cilët kanë mundësi të vënë filtra. Nëse kjo nuk bëhet, fabrika duhet të hiqet pasi jetët tona kanë më shumë vlerë.”
Aleksandër Deda e konsideron fabrikën një krematorium dhe flet tejet i revoltuar për pronarin e fabrikës Alban Zusin, i cili sipas tij është përpjekur të mashtrojë banorët duke iu thënë se aroma që ndihet është një parfum të cilin banorët nuk e kuptojnë.
“Sot po protestojmë për diçka absurde: të marrim frymë lirshëm. Mund të jetë e vetmja protestë në botë e këtij lloji. Të vendoset një krematorium në mes të Lezhës është absurde. […] Absurditeti kalon dhe më tej. Pronari i kësaj fabrike, Alban Zusi, na thotë se kjo aromë është një lloj parfumi që ju nuk e kuptoni. Ky “parfum” është vërtet i shtrenjë sepse barazohet me jetën e fëmijëve tanë. I bëj thirrje Albanit që këtë lloj parfumi ta depozitojë te fëmijët e tij.”
Liza Përleka rikujtoi tetorin rozë i cili është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, ndërkohë që situata në të cilën ajo ndodhet e afron akoma më shumë drejt rreziqeve të tilla duke qenë çdo ditë e ekspozuar ndaj erërave kancerogjene që qarkullojnë në qytetin e Lezhës.
“Jemi në muajin tetor, në muajin kundër kancerit. Shoh shumë që shprëndajnë mesazhe për sensibilizim. Kërkoj të vijnë këtu dhe të shohin se si shprëndahet kanceri në ujë dhe ajër. Jemi taksapagues të këtij qyteti dhe nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa ajër të pastër për të marrë frymë lirisht në shtëpitë tona.”
Nertila Haxhia akuzoi Alban Zusin se ka shkelur ligjin, i cili thotë ndër të tjera se askush nuk duhet t’u krijojë fqinjëve shqetësime duke cënuar të drejtën e gëzimit të shtëpisë.
“I kujtojmë pronarit, Alban Zusi, se është shkelës i nenit 159 i kodit civil të republikës së Shqipërisë i cili thotë se: “Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga ligji ose nga zakonet e mira. Ai nuk mund t’u krijojë fqinjëve shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive, avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësorë, si dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e zakonshme të tyre. Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit për rreth.”
Arilda Lleshi e cila ka qenë pranë banorëve që në fillim duke i dhënë zë këtij shqetësimi tha se fabrika e ushtron veprimtarinë e saj edhe natën duke shkaktuar probleme te banorët disa prej të cilëve sipas saj kanë zgjedhur të largohen nga Lezha. Ajo akuzoi institucionet se kanë 5 vite që heshtin ndërkohë që banorët kanë përdorur të gjitha rrugët institucionale për t’u ankuar.
“Prej 5 vitesh, banorët e kësaj zone nuk jetojnë dot normalisht. Çdo natë, në orën 12 të natës, fabrika ndez inceneratorët dhe çdo natë këta banorë ngrihen me këtë erë. Njerëzit që jetojnë këtu pyesin veten nëse ja vlen të jetojnë këtu apo duhet të lëvizin diku tjetër. Disa prej tyre janë larguar. A është e drejtë kjo? […] Prej 5 vitesh institucionet kanë heshtur. Banorët kanë ndjekur të gjitha rrugët institucionale, por nuk kanë marrë përgjigje prej tyre.”
Pas qëndrimeve që mbajtën para fabrikës, banorët marshuan drejt qytetit ku u ndalën para bashkisë Lezhë. Anash hyrjes së bashkisë ishin vendosur të drejtat e informimit për çështjet e mjedisit, të cilat banorët i konsideruan si fasadë. Ata përsëritën dhe njëherë kërjesat e tyre që të nisë hetimi ndaj veprimtarisë së fabrikës së I.N.C.A-s si dhe ndaj Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Lezhë, si dhe të largohet përfundimisht fabrika nga qyteti i Lezhës.
Në përfundim të protestës ata thanë se do e vazhdojnë kauzën e tyre deri në fund, me qëllim mbylljen e fabrikës. Që nga dita e protestës, banorët i kanë dhënë institucioneve një javë kohë për të reflektuar dhe për të marrë masa për zgjidhjen e problemeve dhe në mungesë të një reagimi nga ta, ata do të vazhdojnë protestat e tyre.