Ronald Qema | 22.03.2024 | nyje.al
“Mirë se vini në edicionin e dytë të festivalit teatror “RinArt” Kamëz 2024. Një faleminderit për të gjithë pjesëmarrësit në këtë edicion të dytë si dhe një falenderim special për Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Zotin Rakip Suli.”
Me zërin që kumbonte prej altoparlantëve këto rreshta çelën siparin e festivalit teatror të gjimnazeve në qytet. Festivali u zhvillua në formën e një konkursi ndër gjimnazet e qytetit, duke vënë përballë në skenë trupa aktorësh të nxënësve nga secila shkollë respektive. Me të mbaruar prezantimi i shkollave konkuruese, publiku u njoh edhe me jurinë e festivalit e përbërë nga Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Gëzim Rudi. E gjithë ceremonia hapëse duhej të kishte kryefjalë dhe referim të gjithëkohshëm te ‘falenderimi special për kryetarin’. Më pas, të pranishmit u ftuan të ndiqnin shfaqjet brenda Pallatit të Kulturës së Kamzës “Artan Cuku”.
Trupat teatrale të shkollave të mesme të qytetit, për të dytin vit u ngjitën në skenë për të konkuruar me veprat që kishin përgatitur dhe punuar për një periudhë parapërgatitore disa mujore . Përgjatë dy ditëve, shtatë gjimnaze të qytetit performuan përpara një jurie dhe bashkëmoshatarëve të tyre. Ulëset për publikun në të shumtën e shfaqjeve qenë të boshatisura. Shkak mund të jetë strategjia e munguar e komunikimit të festivalit teatror nga administrata e Pallatit të Kulturës.
Sa punohet realisht që të njoftohen të interesuarit potencial, ndjekësit e teatrit, njoftimin e publikut e qytetit për ngjarjet (e rralla) kulturore? A mund të zhvendoset puna (e dobët) për PR e kryetarit të bashkisë në një strategji komunikimi më të ndershme dhe më informuese për publikun?
Më datë 1 mars, teksa festivali shënonte ditën e vet të tretë e të fundit, ku do të ndaheshin çmimet, kryetari i bashkisë Rakip Suli e ‘nderoi’ sallën me prezencën e tij. Ndonëse festivali kishte një juri e përbërë nga aktorë themeltarë të skenës shqiptare të teatrit, çmimin kryesor, atë të “Shfaqja më e mirë”, e ndau dora vetë Rakip Suli. Është evidente sesi aktivitetet publike, në hapësirat publike, me fonde publike përdoren dhe instrumentalizohen për të shpërlarë figurën e kryetarit të bashkisë. Krejt e qartë sesi modele të një servilosjeje çmeritëse ndaj figurës së kryetarit janë marrë nga taktika pak më finoke (po aq çmeritëse) të Erion Veliajt dhe mvartësit e tij.
Teksa dëgjoj falenderimet për “përkujdesin e veçantë të Rakip Sulit” nga drejtuesit e festivalit, përfaqësuesit e Zyrës Arsimore, apo edhe nga vetë aktorja e njëkohësisht kryetarja e jurisë Luiza Xhuvani, më përshkon një ndjesi turpi dhe refuzimi për ta kapërdirë qasjen anti-kulturë e anti-publike që nuk lihet vend pa u shpalosur nga drejtuesit e qytetit dhe të gjithë ata e të gjitha ato që ndjejnë që duhet ta mbajnë si lojë. Kultura e pushtetit për të mirëmbajtur, rehatuar e shpërlarë figurën e kryetarit. Lojë e vjetër, aktorë të rinj.
Por, e ngushëlloj veten, teksa reflektoj, me faktin se të vetmit që “harruan” të falenderonin Sulin qenë nxënësit, që me pasionin dhe mundin e tyre, fituan çmimet respektive.
Për kë organizohet “kultura”?
Në secilin organizim të Pallatit të Kulturës në Kamëz, por edhe të Bashkisë Kamëz në tërësi, asnjëherë nuk mungon fjalia që rrotullohet rreth falenderimit, speciales, veçantisë, kujdesit të Rakipit. Idhulltaria e shfrenuar që pjellë absurdin, nga i cili edhe Beckett e Ionesco do kishin mbetur të habitur, është shpërfaqja më e shëmtuar e tentativës për t’i dhënë emër, e krijuar pronësi individuale kryetarit. E gjitha për t’u përdorur si industri e shumëfishimit të votave dhe zgjerimit të elektoratit.
Ky është një shkrim, ndër të tjera, edhe për t’i treguar Rakipit e zyrës së medias së tij (me insufiçencë imagjinate) që ‘tjetri’ i imagjinuar prej tyre, nuk është një ‘tjetër’ tuhaf, por kritik dhe për besë i turpëruar prej një ‘kryetari përkujdesës’ të tillë. Po aq, ‘tjetri’ imagjinar i rrjetit social, Rakipi duhet ta dijë, a në mos, t’i bëhet e ditur që nuk bie pre e shpërlarjes me ‘kulturë’ që i bëhet figurës së tij. Që e dallon kur po tentohet të mbulohet dielli me shoshë. Kjo, si eufemizëm, në vend të një shprehje tjetër frazeologjike.
Asgjë e qënësishme nga qeveria lokale nuk është kryer për të zhvilluar portofolin a axhendën artistike e kulturore në jetën e qytetit. Shfaqjet teatrale që janë vendosur në skenë përgjatë vitit të kaluar në Pallatin e Kulturës, numërohen me gishtat e njërës dorë dhe mbetet së paku një gisht për t’ia drejtuar krerëve të institucioneve apo drejtorive që kanë për detyrë të punojnë shumë më shumë e shumë më ndershmërisht për zhvillimin e tyre.
Edhe në ato që kanë ardhur në skenën e “Artan Cukut”, kanë thirrur me të madhe absurdin e funksionimit të kulturës së institucioneve. Shfaqjen “Nuk dua të vdes e virgjër”, vetë producentja e saj nuk mundi ta ndiqte për shkak të pamundësisë për të hyrë në sallën e teatrit, diskriminim prezent e i gjithë kohshëm për qindra personat me aftësi të kufizuar në qytet. Por, edhe në këtë rast specialja, veçantia, falenderimi dhe Rakipi nuk munguan. Drejtoresha e këtij institucioni u justifikua se kështu e kishin gjetur godinën dhe ashtu kishte mbetur (nga e gjetur në e mbetur ka kaluar një mandat i plotë), por gjërat do të ndryshonin falë kryetarit të bashkisë. Gjërat mbeten njësoj. Kryetari po ashtu mbetet i njëjtë, i cili ka firmosur vitin e kaluar tenderin milionësh për rindërtimin e sallës së bibliotekës, rindërtim që dallimin prej të thënit në të bërë e ka alarmant.
Në organizime të tjera, si ato në Parkun e Paskuqanit- “fushë-betejën” e preferuar të kryetarit Suli për të bindur të tjerët se është në rrugën e duhur për t’u shndërruar në një Lali Eri i Kamzës me lopatë në dorë ditë për ditë- falenderimi për Rakipin nuk ka munguar dhe propaganda boshe i ka reklamuar si krijime që a thua ti janë posaçërisht të tijat.
Propaganda me urdhër
Për secilin zhvillim publik institucional qytetarët e Kamzës mund të informohen përmes profilit në Facebook të Kryetarit të Bashkisë Suli. Informacioni arrin tek ta edhe përmes rishpërndarjeve të detyruara të punonjësve të Bashkisë Kamëz dhe faqes së Bashkisë.
Pallati i Kulturës si institucion themelor i të ofruarit të aktiviteteve kulturore nuk e ka një kanal komunikimi prej muajsh. Faqet në Facebook janë zhdukur dhe komunikimi fizik nuk është aspak i pranishëm në përditshmërinë e të banuarit të qytetit nga qytetarët. Këtu e kam fjalën për një tabelë të vendosur në anë të një prej hyrjeve, të vetmes së papushtuar prej privatit apo institucioneve, që vazhdimisht mbetet bosh për shkak të mungesës së një kalendari aktivitetesh që ky institucion e ka për detyrë t’i ofrojë.
Bashkia Kamëz si institucion mbetet i bunkerizuar dhe e kemi edhe të dëshmuar e të dokumentuar që kjo ndodh “për qejf” të kryetarit. I bunkerizuar për ne që e shohim nga jashtë, për ata që e jetojnë nga brenda ky institucion do duhej të ishte helmues. Specialistë arti, këngëtarë dhe kërcimtarë, drejtues dhe punonjës që nuk prodhojnë asgjë por vetëm përdoren si mekanizma rishpërndarje. Kjo bashkësi e institucionit të Pallatit të Kulturës, pikërisht se do duhej të indoktrinohej prej artit dhe fuqisë së tij për t’u çliruar nuk do duhej të pranonte të mbijetonte e të operonte në ato kushte. As me kushtin primar për të afruar të tretë, që i bien të njëjtës dajre mundësisht, për të plotësuar kuotën e falenderimeve ndaj kryetarit. As për ti shtruar atij tapetin për në skenë që të luajë rolin e të interesuarit për të rinjtë dhe kulturën në qytet.
Buxhetimi vjetor, tregues i ngecjes së kulturës prej institucionit
Në Buxhetin e vitit 2024, Bashkia Kamëz shkruan në programin për Kulturën të njëjtat fjalë të shkruajtura në Buxhetin 2023, por edhe në atë të viteve 2022 apo 2021. Përtesa për riformulimin e tij në buxhet, shtyrë nga mungesa e punëve konkrete që do sillte nevojën për formulim të ri, arrin deri tek rrëshqitja absurde e fjalisë mbyllëse: Nevojat për këtë program janë shumë më të shumta por kaq janë mundësitë financiare për vitin 2023.
Kështu, Bashkia Kamëz del zbuluar nga vetë ajo duke dëshmuar që synimet dhe politikat kanë ngelur pa u realizuar në tre vitet e kaluara duke qenë se mbeten të njëjtat edhe këtë vit.
Shuma e tabelës së shpenzimeve për këtë program ama ka ndryshuar. Për vitin 2023, për kulturën ishin buxhetuar 51,351,678 lekë. Pagat dhe sigurimet shoqërore zunë rreth 83% të shumës. 8.9 milionë lekë shkuan për zërin “Shpenzime Operative”. Gjer më sot, Bashkia Kamëz nuk ka publikuar një raport mbi realizimin e buxhetit të vitit të kaluar, kësisoj nuk dimë se ku ka konsistuar buxheti për shpenzimet operative.
Por një nga synimet e mbartura nga viti i kaluar duket të jetë në rrugën e duhur për t’u plotësuar, ai i investimit në tërheqjen e artistëve pranë Pallatit të Kulturës. Pagat dhe sigurimet për vitin 2024 arrijnë shifrën e pothuaj 70 milionë lekëve, nga 42.5 milionë lekë të buxhetuara për këtë zë në vitin 2023. Shpresoj që me këtë rritje të konsiderueshme të stafit, artistët që i bashkohen Pallatit të Kulturës të tejkalojnë cakun e “specialistit të artit” si makinë rishpërndarje të postimeve të kryetarit.
Një prej synimeve që rivendoset edhe për vitin 2024 është ai i detyrës që Bashkia i vë vetes për të vënë në funksion sallën e kinemasë. Ku do të ndërtohet kinemaja? Salla e saj e vjetër, dhënë në vitin 2021 agjencisë ADISA tashmë është prishur. Sakaq edhe një galeri arti pritet të hapet që prej vitit 2021 sipas programit buxhetor.
Për realizimin e dy synimeve të mësipërme, Bashkia Kamëz në buxhetin e këtij viti ka përfshirë një fond prej 51 milionë lekësh, një pjesë e shumës totale prej 170 milionësh, për rindërtimin e Pallatit të Kulturës.
Me rindëritmin e kësaj godine do të finalizohet edhe një prej shqetësimeve të administratës aktuale, e cila karriget e sallës së teatrit ngjyrë blu i kishte veshur me copa të zeza. Nuk e kemi lënë pa e shikuar me kujdes sesi prodhohet estetika e pushtetit, por për këtë më në detaj në një shkrim tjetër. Ndërkohëm, i paqartë mbetet niveli i ndërhyrjes në Palltin e Kulturës deri në zbardhje të projektit. Çfarë do të ndodhë me hapësirat e uzurpuara nga bizneset private dhe zyrat e Bashkisë Kamëz?