Kujtime të ëmbla nga vitet e zymta

Marius Merhori | 02.02.2019 | nyje.al

Udhëtim në të shkuarën
Nën këtë titull “Udhëtim në të shkuarën”, po botojmë një cikël shkrimesh dhe bisedash nga disa të rinj nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që aspirojnë të bëhen gazetarë. Janë realizuar me prindërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre me qëllim njohjen e jetës në rreth të ngushtë familjar po edhe njohjen e jetës shoqërore përgjatë shekullit të kaluar. Si jetonin apo mbijetonin njerëzit tanë; si dashuroheshin apo detyroheshin të zgjidhnin njeriun e jetës; si e gëzonin jetën dhe si i përballonin goditjet e saj; si ishin të ndara rolet në familje, dhe në një shoqëri sa të varfër aq edhe të kontrolluar siç ishte shoqëria shqiptare në vitet 1945-1990?
Janë rrëfime që iu tregojnë të rinjve se e shkuara e paraardhësve, në një mënyrë apo në një tjetër mund të bëhet përvojë për të ardhmen e secilit dhe për të ardhmen e një vendi të tërë.


Një vajzë partizani martohet me djalin e një burokrati dhe krijohet një familje me jetë të qetë e të zakonshme në kohën e komunizmit
 
Kujtime të ëmbla nga vitet e zymta
Pas luftës së dytë botërore në Shqipëri u instalua një regjim diktatorial nën drejtimin e Enver Hoxhës. Pavarësisht kufizimeve ekstreme që provon qytetari i një shteti të tillë, pavarësisht mungesave dhe mohimit të shumë të drejtave, ka rrëfime njerëzore që tregojnë një anë tjetër të jetës në atë epokë. Gjyshja ime ma dha këtë mundësi. Myrvete Merhori quhet. Sapo ka mbushur 73 vite. Është nënë e katër fëmijëve dhe e shumë nipërve e mbesave. Ka punuar për një kohë të gjatë në Fabrikën e Letrës (Reparti i Zbardhjes) në Durrës. Por gjatë bisedës me të zbulova shumë gjëra rreth asaj periudhe që për shumicën konsiderohen “vite zymta”. Ishin vërtet?

Nëna, si e mban mend fëmijërinë dhe periudhën e parë të jetës tënde?
Në fakt fëmijërinë e kam kaluar shumë bukur. Shtëpia ime ishte shtëpi partizanësh dhe ne gëzonim respekt në fshat e kishim shumë privilegje. Por pengu më i madh është që nuk dola nuse nga shtëpia e tim eti, pasi gjyshi yt e kishte një martesë të parë dhe ne nuk mundëm që të bënim dasëm. Ende kur e kujtoj sot e kësaj dite që kanë kaluar pesëdhjetë e kusur vite, më mbushen sytë me lot dhe prekem.


Myrvete Merhori në moshë të re

Si u njohe ti me gjyshin?
Ku ka pas njohje në kohën tonë mor bir?! Gjyshi yt ka qenë i premtuar që në djep, por kur arritën moshën për t’u martuar me gruan që prindërit i kishin caktuar, kuptoi që ajo vuante nga skleroza dhe për këtë arsye u nda. Xhaxhai im kishte njohje me një kushëririn e gjyshit dhe për këtë arsye ai erdhi tek prindërit e mi për të më kërkuar dorën. Gjyshi yt vinte nga një familje bejlerësh dhe nuk ishte shumë e vështirë që babai im ta bekonte këtë fejesë dhe vendosën të më martonin. Por gjatë kësaj kohe ndodhi një gjë shumë interesante. Familja ime e mori vesh që gjyshi yt ka qenë i martuar më parë dhe për këtë arsye dëshironin që ta prishnin këtë lidhje. Por unë refuzova pasi vija nga periferia e qytetit dhe i kisha idetë e qarta për t’u larguar prej saj, por gjithashtu kisha frikën e baltës që do të hidhej mbi emrin tim nëse do të prishja fejesën me të. Për këtë arsye nuk pranova, madje i vendosa dhe ultimatum prindërve ose më martoni me atë që më fejuat ose unë nuk do martohem kurrë dhe kështu nuk pranova të ndahesha për tij. Me thënë të drejtën edhe më pëlqente pak sepse ai ishte  shumë simpatik.

 Si e përjetuat kalimin nga fshati në qytet dhe a u ambjentuat me jetën e re që ju priste?
E kisha pak të vështirë në fillim. Gjyshi yt ishte fëmija i madh, kishte një vëlla dhe një motër. Nënën e kishte të paralizuar për vite të tëra dhe ajo shtëpi kishte nevojë vërtet për një zonjë shtëpie. Më duhej të kujdesesha për të gjithë, për kunetërit që i kisha të vegjël në moshë, vjehrrën që regjej në shtrat dhe e kishte të nevojshme një shërbim të specializuar dhe donte shumë përkushtim. Por edhe unë vija nga një familje e madhe, ndaj e mora situatën shpejt në dorë dhe për një kohë të shkurtër u ktheva në një zonjë shtëpie të vërtetë.

 Po muaj mjalti kishe bërë me gjyshin?
 U pikaaa! Ku kishte muaj mjalti atëhere mor djalë! U martuam, dola me gjyshin për një akullore dhe ajo qe e gjithë dasma, muaji i mjaltit dhe gjithçka tjetër.

Si je ndjerë kur u bëre nënë për herë të parë?
Nënë për herë të parë jam bërë me babain tënd. Nuk kishte gëzim më të madh. E linda me shumë vështirësi, madje rrezikoi që të humbiste jetën pasi lindi nën peshë. Atij i vendosëm emrin e gjyshit të tij dhe që të gjithë e donin, pasi stërgjyshi yt ka vdekur shumë i ri. Kur shikonin babain tënd kujtonin atë. Më pas linda dhe tre fëmijë por atë që përjetova me babain tënd nuk e përjetova me asnjë prej tyre.

Jetesën si e përballonit?
E kishim pak të vështirë mor bir. Punonim në Uzinën e Letrës, unë në Repartin e Zbardhjes, ndërsa gjyshi yt ishte përgjegjës turni po në këtë repart. E kisha pak të vështirë sepse kishim katër fëmijë dhe vjehrrën që ishte e paralizuar dhe kishte nevojë për përkujdesje. Ishte një sektor tek Zbardhja ku puna ishte vetëm 4 orë në mëngjes herët dhe mbaronte. I thosha shpesh gjyshit tënd më kalo në atë sektor, jo dhe jo ai. Ka qenë keq mbas Enverit. Duke parë situatën thashë ta provoj vetë. Shkova tek zyra e kryeinxhinieres. Ajo më pa shumë të mërzitur dhe më pyeti se çfarë kisha. I shpjegova gjithçka dhe i hapa zemrën prej nëne me të gjitha brengat që kisha. Vasilika quhej kryeinxhiniereja. Ajo u përlot dhe më tha që nesër do të fillosh punë në atë sektor. Kjo më lehtësoi pakëz.
Për ushqimet vuanim pak. Kishte raste që me një gjellë shtynim edhe dy ditë, por prapëseprapë ishim të lumtur. Na mungojnë shumë ato vite.

 Më bën përshtypje, keni vuajtur dhe keni qenë të lumtur?
Po more bir. Në ato vite ekzistonte gjithçka: respekti, dashuria, harmonia, besnikëria, afrimiteti, virtyte që në ditët e sotme po humbasin dita-ditës. Tek rruga ku sot është shtëpia jonë bashkoheshim me shoqet dhe të gjitha bashkë shkonim për në punë. Mblidheshim në një shtëpi të gjithë si fis bashkë, tregonim histori, darkonim me aq sa kishim dhe kalonim shumë bukur. Si kolektiv pune bënim ekskursione, mbrëmje vallëzimi. Ah mor bir, çfarë nuk bënim! Jo si ju që të rrini gjith ditën me atë telefon në dorë që mallkuar qoftë ai që e shpiku!

A ju dilte rroga që merrnit në fabrikë?
 Të dilte mor bir, me vëshitrësi të madhe po të dilte. Gjyshi yt  ka qenë shumë komunist dhe ideali i partisë për të ka qenë parësor. Kishte shumë familje që jetonin shumë herë më mirë se ne por ai nuk pranonte që ne të ngriheshim në detyrë ose të gëzonim të drejta të tjera. Një fjali kishte në gojë: “Enveri të fut në burg”.

Çfarë fabrikash ka pasur qyteti ynë, çfarë punësh bënin njerëzit?
Fabrika e qelqit çfarë nuk prodhonte. Gota ku kishin të mbishkruar emrin, peshq në formën e dekorit, globa, gota të formave të ndryshme dhe të pasura me shumë dekoracion. Fabrika e gozhdës ka pasë prodhuar bulona, tela me gjemba, vida e shumë e shumë gjëra të tjera. Fabrika e letrës, prodhonte letër për gazeta, artikuj shkollorë, tabakë. Ndërsa leshpunuesja prodhonte qilima me vegjë. E veçanta e vegjës së Kavajës, ndryshe nga ajo e qytetit të Korçës dhe Krujës që punimin e kishte në mënyrë horizontale, qyteti ynë mënyrën e të punuarit e kishte vertikale. Kjo krijonte atë të veçantën e saj.

Të kujtohet ndonjë histori qesharake nga ato vite?
Kur vdiq Enver Hoxha në vitin 1985… Njerëzit qanin ngado sepse vdiq shoku Enver, ulërinin plakat me napë në kokë, vajzat e reja qanin me dënesë se u largua nga jeta Enveri. Me siguri as për të afërmit e tyre nuk kanë qarë në këtë mënyrë.

 Çfarë ka pasur sipas teje të mirë ajo kohë?
Ajo kohë ka pasur të mirë, mor i vogli im, tri gjëra: shëndetësinë, arsimin dhe rendin. Enveri kishte ç’kishte tek nëna analfabetizmin e zhduku edhe në zonat më të thella të Shqipërisë. Ne vizitoheshim dhe nuk paguanim asnjë para për vizitat apo për ilaçet. Ndërsa për rendin nuk kishim frikë të lëviznim natën, pasi nuk të luante askush. Jo si sot që pupupu çfarë dite ka ardhur! Nuk e dëgjon televizorin ti, vetëm vrasje dhe krime ka!
Ne me të vërtetë kemi qenë në diktaturë por tani në çfarë jemi? Edhe tani në diktaturë jemi. Lejohet liria e fjalës por mohohet në një formë ose një tjetër. Mirëqenia nuk është se ka ndryshuar shumë: fukarallik në atë kohë, fukarallik tani. Tani ka dy gjëra më të këqija: ne të paktën në atë kohë kemi pas qenë të gjithë në punë, ndërsa tani shumica janë pa punë, kafenetë janë plot me njerëz që nuk punojnë. Ndërsa të dytën ta thashë dhe pak më parë. Në kohën tonë ekzistonte respekti, dashuria, mikpritja që tani po humbasin dita-ditës.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje