Analiza e financave publike në bashkinë Kamëz

Armando Memushi | 03.06.2025 | nyje.al
Ndonëse është bashkia me sipërfaqen më të vogël në Shqipëri dhe njëra nga më të rejat e vendit (e krijuar si insitucion më pak se 30 vite më parë), Kamza renditet sot e 6-ta për nga numri i popullsisë dhe e 1-ra për nga dendësia e saj, me më shumë se 96 000 qytetarë që banojnë në më pak se 40 km2, sipas të dhënave të Censusit 2023. Ndër ta, 2/3 janë individë në moshë aktive pune. Këto të dhëna dëshmojnë mbi rezervën e madhe të kapitalit njerëzor që kjo zonë urbane ka fatin të zotërojë. Për më tepër, e vendosur në qendër të Shqipërisë, në një trekëndësh strategjik midis kryeqytetit, portit më të madh dhe aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend (por mes atyre me rritjen më të shpejtë në Europë), Kamza është natyrshëm një bashki me potencial të madh zhvillimi ekonomik dhe social.
Pavarësisht kësaj, shpesh ajo është viktimë e stigmës së të qenit një periferi, ende në urbanizim e sipër, nën hijen e Tiranës. Ky lloj perceptimi e kufizon aftësinë e Kamzës si për të shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet e veta të tanishme ashtu edhe për të konkurruar me forcën gravitacionale të (krye)qytetit fqinj, më të madh dhe me një trashëgimi më të pasur të zhvillimit. Me vetëdijen e plotë se kapërcimi i pengesave të tilla dhe shfrytëzimi më i mirë i potencialit zhvillimor socioekonomik nuk përcaktohet vetëm nga njëri faktor apo përpjekjet e njërës palë interesi, synimi i këtij shkrimi është hulumtimi i punës së qeverisë vendore, Bashkisë Kamëz (nga këtu e në vijim, “Bashkia”), duke analizuar buxhetin e saj në periudhën 7-vjeçare 2017-2023. Për këtë u përdor kryesisht shqyrtimi i disa treguesve financiarë dhe të performancës buxhetore, bazuar mbi të dhënat e bëra publike nga vetë Bashkia, Ministria e Financave, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.1-9 Përpara shtjellimit të analizës, vlen të përmendet në këtë kontekst se në faqen zyrtare të Bashkisë në internet është gjendur dokumentacioni mbi buxhetet e miratuara për disa prej viteve të periudhës në shqyrtim, krahas disa raporteve mbi monitorimin e zbatimit, raporteve të performancës dhe pasqyrave financiare. Kjo përputhet me vlerësimin e Bashkisë nga ana e komisionerit shtetëror përgjegjës për të drejtën e informimit si njësi e vetëqeverisjes vendore me transparencë proaktive mesatare, me 9 nga 12 pikë në Indeksin e Transparencës Proaktive të Bashkive.
Burimet e financimit dhe disa tregues financiarë kyç të lidhur me to
Gjatë vitit 2023, Bashkia grumbulloi të ardhura buxhetore në nivelin e 5.37 miliardë lekëve, duke përmbushur rreth 86.46% të planit të vet vjetor (Tabela 1). Pjesa më e madhe e financimit, afërsisht 61.44%, u sigurua nga qeveria qendrore (QQ). Nga këto, 13.52% të së gjithës Bashkia i përftoi në formën e transfertës së pakushtëzuar, pra si fonde që QQ ua jep bashkive për t’u përdorur pa kushte, sipas nevojave dhe vendimmarrjes së këtyre të fundit. Pjesa tjetër prej 47.92% e totalit të burimeve financiare iu dha Bashkisë në formën e transfertave të kushtëzuara dhe specifike, pra si fonde për t’u përdorur vetëm për funksione të veçanta të deleguara ose projekte specifike të paracaktuara nga QQ. Së fundi, qeveria vendore grumbulloi 32.89% të financimeve në sajë të burimeve të veta: në formën e taksave kombëtare të ndara (të mbledhura nga QQ, por të ndara me autoritetet vendore) ose të ardhurave të vjela nga organet e veta përmes taksave dhe tatimeve vendore si edhe të ardhurave të tjera jotatimore. Një pjesë më e vogël prej 5.67% të totalit të burimeve financiare ishin në fakt fonde të trashëguara nga viti i kaluar buxhetor, të cilat nuk ishin shpenzuar në mbyllje të tij dhe mund të përdoreshin gjatë vitit të ri.

Gjatë periudhës së marrë në shqyrtim, u vërejt një rritje e vazhdueshme e burimeve financiare në dispozicion të Bashkisë, me përjashtim të një rënieje të lehtë në vitin e fundit (Figura 1). Rritja ka qenë pothuajse lineare për transfertën e pakushtëzuar nga QQ, ndërkohë që ecuria e të ardhurave nga dy burimet e tjera ka qenë më pak monotone. Kështu, pas rritjes së butë në vitin 2018 dhe një rënieje në 2019-ën, fondet nga transfertat e tjera u rritën ndjeshëm gjatë 3 viteve në vijim, për t’iu rikthyer rënies në fund të periudhës. Kjo ecuri i detyrohet prurjeve masive financiare në kuadër të Programit të Rindërtimit pas tërmetit të Nëntorit 2019, në të cilin Kamza ishte njëra nga 11 bashkitë përfituese.

Flukse të tilla kompensuan edhe ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 mbi të ardhurat nga burimet e veta. Pas një viti 2019 pothuajse pa ndryshime, këto të fundit pësuan një rënie të ndjeshme gjatë 2020-ës. Megjithëse ringritja filloi që në vitin vijues, vështirësitë e shkaktuara te familjet dhe bizneset taksapaguese ishin aq të mëdha sa u desh të kalonin edhe 2 vite të tjera për rimëkëmbjen dhe rikthimin e të ardhurave të siguruara nga ky burim te nivelet e para pandemisë.

Këto ngjarje u pasqyruan edhe në ndryshimin e peshave të burimeve të ndryshme të financimit në raport me totalin gjatë periudhës së analizuar (Figura 2). Kështu, norma e transfertave të tjera nga QQ ndaj totalit të burimeve shfaqi fillimisht prirje rënëse gjatë 3 viteve të para (duke arritur në 28.51%), për t’u rritur pastaj gjatë viteve 2020 dhe 2021 (duke arritur në 67.63%) dhe rënë sërish në 2 vitet e fundit. Njëkohësisht, pasi arritën të kontribuonin me 41.65 lekë për çdo 100 lekë të ardhura të Bashkisë Kamëz për vitin 2018, të ardhurat nga burimet e veta humbën në mënyrë të konsiderueshme peshën e tyre, duke sjellë vetëm 18.44 nga 100 lekë të ardhura në vitin 2021. Pas rigjallërimit të veprimtarisë ekonomike, në vitin e fundit të periudhës ato sollën 32.89 nga 100 lekë të ardhura. Prapëseprapë, më shumë se 2/3 e burimeve financiare të Bashkisë vinin nga QQ, pra nga burime “të jashtme”, çka është tregues i paqendrueshmërisë fiskale të Bashkisë dhe ekspozimit të lartë ndaj risqeve jashtë njësisë vendore të qeverisur.

Shenja të tilla jo inkurajuese të kapacitetit të ulët dhe paqendrueshmërisë fiskale u vunë re edhe nga analiza e një tjetër treguesi të shëndetit financiar të Bashkisë: normës së të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ndaj totalit të burimeve financiare (Tabela 2). Edhe duke lënë mënjanë situatën e jashtëzakonshme të viteve 2020-2022 (ndonëse është pikërisht përgatitja për tronditje të tilla arsyeja pse synohet një kapacitet dhe qëndrueshmëri e mirë fiskale e qeverisë vendore), sërish vetëm rreth 30 nga çdo 100 lekë që hynë në arkën e Bashkisë ishin rezultat i vjeljes së detyrimeve tatimore vendore.
Për më tepër, të dhënat treguan një shkallë të ulët të diversifikimit në mesin e burimeve të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore: 66.42% e këtyre të ardhurave në vitin 2023 erdhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Kjo vlerë ishte dukshëm mbi normën në nivel kombëtar (për 61 bashkitë së bashku), e cila llogaritej në 37.54%, e madje edhe mbi normën e Tiranës, e cila ishte 48%. Gjithashtu, u vu re një prirje rritëse, duke qenë se për vitin paraardhës në Kamëz kjo normë ishte 50.49% (32.58% në nivel kombëtar). Pavarësisht se zgjeron bazën e një tjetër takse vendore (taksës së ndërtesës), pesha e lartë e këtij burimi nuk siguron qendrueshmëri financiare për të ardhmen, sepse i bën të ardhurat tatimore vendore të Bashkisë shumë të varura nga ecuria e një sektori të caktuar të ekonomisë lokale.
Nga ana tjetër, ogur i mirë i shëndoshjes financiare të Bashkisë ishte përmirësimi i normës së detyrimeve të prapambetura ndaj të ardhurave nga burimet e veta (Tabela 2). Barra e këtyre detyrimeve të vonuara zbriti nga rreth 50%, për vitin 2020, në më pak se 8% të të ardhurave nga burimet e veta, për vitin 2023.
Shpenzimet buxhetore dhe disa tregues financiarë kyç të lidhur me to
Gjatë vitit 2023, Bashkia kreu shpenzime publike në nivelin e 5.37 miliardë lekëve, duke përmbushur rreth 86.46% të planit të vet vjetor (Tab 3). Më shumë se gjysma e fondeve, afërsisht 54.46%, shkuan për shpenzime kapitale ose investime, pra për të krijuar, përmirësuar ose zgjeruar asetet e prekshme dhe infrastrukturën. Pjesa tjetër u përdor për të mbuluar shpenzimet korrente, pra për të mundësuar veprimtarinë e përditshme të Bashkisë.

Gjatë periudhës 2017-2023, u vërejt një rritje e vazhdueshme e shpenzimeve të Bashkisë, me një ritëm të përshpejtuar gjatë 3 viteve të fundit (Figura 3). Rritja ishte e qëndrueshme për pjesën korrente të shpenzimeve, ndonëse me ndryshime shumë të vogla deri në 2019-ën. Prej vitit 2020, rritja vjetore ishte më e shpejtë dhe pothuajse lineare. Ndërkohë, ecuria e shpenzimeve kapitale ishte më e luhatshme dhe me ndryshime më të forta. Kështu, pas më shumë se 3-fishimit të shpenzimeve për investime deri në vitin 2019 (kryesisht, në arsimin bazë dhe parashkollor), ato u pakësuan ndjeshëm në vitin 2020, për t’iu rikthyer rritjes me ritme të shpejta prej vitit pasardhës.

Kjo ecuri i detyrohet nga njëra anë përqendrimit të vëmendjes te mbulimi i nevojave emergjente për kujdes social dhe strehim pas tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë COVID-19. Nga ana tjetër, kufizimet në të gjitha veprimtaritë ekonomike gjatë vitit 2020 ngadalësuan zbatimin e projekteve të investimeve. Ky ndikim u shfaq si në kuadër të Programit të Rindërtimit pas tërmetit ashtu edhe për ato projekte që synonin përmirësimin e shërbimeve. Vlen të theksohet se edhe për shkak të parave, norma e shpenzimeve kapitale ndaj shpenzimeve gjithsej ishte në nivele mjaft të larta, me mbi 50% në 4 nga 7 vitet e marra në shqyrtim. Në fakt, me 54.46% për vitin 2023, Kamza kishte nivelin më të lartë të kësaj norme në mesin e të gjitha bashkive në vend. Shifrat e larta të raportit përbëjnë një premisë të mirë për shtimin dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara në të ardhmen.

Ashtu si edhe njësitë e tjera të qeverisjes vendore, Bashkia ofron në fakt një sërë shërbimesh publike, të cilat për hir edhe të buxhetimit ndahen në disa grupe të quajtura programe buxhetore, sipas fushave. Gjatë vitit 2023, ajo shpenzoi pjesën më të madhe të parave në 10 programet e renditura në Figurën 4, duke filluar nga rrjeti rrugor rural (që mori 27.26% të shpenzimeve) deri te mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile (me 1.52%). Gjatë gjithë periudhës, këto ishin përgjithësisht programet që u alternuan në 10 vendet e para për nga madhësia e pjesës së “tortës” së shpenzime të ndarë për to.
Vlen të përmendet pesha e madhe dhe në rritje e programit të rrjetit rrugor rural, prirje që duket se do të vazhdojë. Sipas treguesve të fundit të performancës së programeve të botuara nga Bashkia për vitin 2022, Kamza kishte ende të shtruar (me asfalt ose çakull) më pak se 40% të rrjetit rrugor të bashkisë. Po aq emergjente duket nevoja për mbështetje të programit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe menaxhimit të ujërave të ndotura dhe kanalizimeve. Nga të dhënat rezultoi se pavarësisht investimeve të kryera, ende vetëm 3/4 e popullsisë ishte e mbuluar me shërbimin e ujit të pijshëm, i cili ofrohej mesatarisht për vetëm 5 orë/ditë, me anë të një rrjeti ku humbisnin 73.2 m3 ujë për çdo 100 m3 që hynte në rrjet. Gjithashtu, vetëm 70% e qytetarëve të Kamzës kishte qasje te shërbimet sanitare dhe kanalizimet.
Për sa i përket normës së shpenzimeve për politikat sociale (programet e kujdesit social dhe strehimi social) ndaj totalit, vlera e treguesit erdhi përgjithësisht në rënie, duke shkuar nga 37.34%, në fillim të periudhës në shqyrtim, deri në 16.7% në fund të saj. Përjashtim bëri viti 2020, kur për shkak të fondeve të reja që shkuan për strehimin social të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, norma shkoi në 39.37%. Nga ana tjetër, në rritje ishte përgjithësisht pesha e programeve për arsimin, kryesisht për shkak të investimeve në rikonstruksionin e një sërë kopshtesh e shkollash, por edhe prej zgjerimit të stafeve të tyre.
Së fundi, u vërejt mungesa e vazhdueshme e 2 programeve në listën e atyre të trajtuara me përparësi: trashëgimia kulturore, ngjarjet artistike dhe kulturore (që mori vetëm 0.83% të shpenzimeve në vitin 2023) dhe sporti dhe argëtimi (me 0.48%).

Për sa i përket shëndetit financiar, gjatë periudhës së shqyrtuar Bashkia shpenzoi duke respektuar kufizimin e të ardhurave dhe nuk u angazhua në huamarrje (Tabela 4). Gjithashtu, pjesa e shpenzimeve për personelin ndaj totalit të shpenzimeve pati ecuri pozitive rënëse, me përjashtim të vitit të fundit. Kjo mund të ketë qenë pasojë e rritjes së numrit të punonjësve gjatë vitit 2023 me 201 vetë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 1,088 persona. Ndër ta, 562 syresh ishin pjesë e aparatit të Bashkisë dhe ndërmarrjeve publike në varësi (Nd. e Pastrimit dhe Gjelbërimit dhe Nd. e Shërbimeve Publike), ndërsa pjesa e mbetur punonin pranë institucioneve të mbështetura nga QQ përmes transfertës sektoriale. Në raport me bashkitë e tjera të mëdha të vendit (me mbi 100,000 banorë rezidentë efektivë), Bashkia Kamëz kishte numër më të lartë punonjësish për 1,000 banorë: 10 të tillë, përkundrejt mesatares që ishte 9 punonjës për 1,000 banorë.
Në fund të këtij shkrimi, vlen të theksohet se financat e Bashkisë Kamëz gjatë periudhës 2017-2023 u ndikuan natyrshëm, si në anën e burimeve të financimit ashtu edhe në atë të shpenzimeve buxhetore, nga dy ngjarje të jashtëzakonshme si tërmeti i fundvitit 2019 dhe pandemia COVID-19. Pavarësisht kësaj, disa pika të dobëta të shëndetit financiar të Bashkisë duket se lidhen me probleme më të qendrueshme strukturore.
Kështu, pjesa më e madhe e burimeve financiare të saj vinin nga burime të jashtme, çka është tregues i paqendrueshmërisë fiskale të Bashkisë dhe ekspozimit të lartë ndaj risqeve jashtë njësisë vendore të qeverisur. Të dhënat treguan gjithashtu një shkallë të ulët të diversifikimit në mesin e burimeve të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Pesha e lartë e taksës së ndikimit në infrastrukturë nuk siguron qendrueshmëri financiare për të ardhmen, sepse i bën të ardhurat tatimore vendore të Bashkisë shumë të varura nga ecuria e një sektori të caktuar të ekonomisë lokale. Megjithatë, gjatë viteve 2017-2023, Bashkia arriti të zvogëlojë ndjeshëm barrën e detyrimeve të prapambetura ndaj të ardhurave nga burimet e veta.
Nga ana tjetër, Kamza kishte nivelin më të lartë në vend për normën e shpenzimeve kapitale ndaj shpenzimeve gjithsej, çka përbën një ogur të mirë për shtimin dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara në të ardhmen. Kjo do të ishte mjaft e volitshme, duke pasur parasysh nevojat emergjente për investime që u vunë re në shërbimet dhe infrastrukturën bazë: furnizimin me ujë të pijshëm, menaxhimin e ujërave të ndotura dhe kanalizimeve, si edhe rrjetin rrugor rural. Ndërkohë, trashëgimia kulturore, ngjarjet artistike dhe kulturore nuk duket të jenë parë nga Bashkia si programe me përparësi gjatë vendimmarrjes mbi ndarjen e fondeve publike. Gjatë periudhës së shqyrtuar, pjesa e shpenzimeve për personelin ndaj totalit të shpenzimeve pati përgjithësisht ecuri pozitive rënëse, ndonëse norma ishte mbi mesataren e bashkive të mëdha në vend. Për më tepër, Bashkia shpenzoi duke respektuar kufizimin e të ardhurave dhe nuk u angazhua në huamarrje.
Referencat
1. Bashkia Kamëz (2025): Buxheti i Bashkisë, gjetur në: https://kamza.gov.al/buxheti-i-bashkise/.
2. Ministria e Financave (2019): Financat publike vendore – Raporti vjetor 2018, gjetur në: https://portavendore.al/wp-content/uploads/2019/06/Financat-vendoret_komplet.pdf.
3. Ministria e Financave (2020): Financat publike vendore – Raporti vjetor 2019, gjetur në: https://arkiva.financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/06/Raporti-Vjetor-Maj-2020_Realizimi-i-Buxhetit-Vendor-2019.pdf.
4. Ministria e Financave (2024): Financat publike vendore – Raporti vjetor 2023, gjetur në: https://core.fvv.al/storage/reports/analiza-e-financave-vendore-2023-finalpdf-1721811582.pdf.
5. Kontrolli i Lartë i Shtetit (2022): Raport përfundimtar për auditimin e ushtruar në Bashkinë Kamëz, gjetur në: https://kamza.gov.al/wp-content/uploads/2022/06/Raport.pdf.
6. Kontrolli i Lartë i Shtetit (2023): Raport përfundimtar për auditimin e ushtruar në Bashkinë Kamëz, gjetur në: https://panel.klsh.org.al/storage/phpyT8Kuf.pdf.
7. Kontrolli i Lartë i Shtetit (2024): Raport përfundimtar për auditimin e ushtruar në Bashkinë Kamëz, gjetur në: https://panel.klsh.org.al/storage/php19NOu5.pdf.
8. Kontrolli i Lartë i Shtetit (2025): Raport përfundimtar për auditimin e ushtruar në Bashkinë Kamëz, gjetur në: https://kamza.gov.al/wp-content/uploads/2025/04/phphJrm9i.pdf.
9. Instituti për Bashkitë e Shqipërisë (2024): Qeverisja vendore në Shqipëri – Raport mbi situatën aktuale 2023, gjetur në: https://iam.org.al/qeverisja-vendore-ne-shqiperi-raport-mbi-situaten-aktuale-2023/.
Ky material është përgatitur në kuadër të nismës së redaksisë sonë me titull “Raporte nga Kamza”, brenda projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e autores. Përmbajtja e tij nuk është përgjegjësi e BIRN Albania, SCiDEV dhe/ose Qendra Faktoje, dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.