Ku është Ukshin Hoti me tezën e tij

Genc Shehu | 31.01.2025 | nyje.al 

Në vend të hyrjes

Përse me tezën e Ukshin Hotit sot, pikërisht sot? Do mund të përmendeshin shumë mirë një sërë arsyesh. Por nuk dua të përmend e të merrem as me zhvillimet politike globale; as me “kohët interesante” në kuptimin e shprehjes që mendohet se është kineze; as me risitë e rizgjedhjes së D. J. Trump si president i ShBA-së – e me heqjet e fondeve ndaj ministrive e SPAK-ut; as me implikimet sa i përket BE-së sidomos në aspektin e sigurisë ushtarake e tjetërsoj; as me zhvillimet gjeopolitike rajonale, përfshi këtu protestat në Serbi kundër korrupsionit dhe Vuçiçit; as me faktin që ka zgjedhje të përgjithshme parlamentare në të dyja republikat shqiptare së afërmi; as me faktin që prospekti i integrimit në BE është pikë kyçe e strategjisë së partisë mbizotëruese në Shqipëri – me idenë që mundësisht deri në 2028-n, pra muaj përpara zgjedhjeve të radhës të rregullta të 2029-s, në të cilat pritet të rifitojë po ajo Parti Socialiste.

Ajo që do doja të vija në pah përpara fillimit të artikulimit të analizës vijuese është thjesht të rikujtoja se sot është përvjetori i mbylljes së punimeve të Kongresit të Lushnjës (28-31 janar 1920). Kongresi i Lushnjës  për qëllim kishte kundërshtimin e copëtimit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha dhe të krijonte një qeveri të re kombëtare pasiqë ajo e Durrësit qe e dobët dhe me ndikim nga italianët. Domethënia dhe vendimet kryesore të saj përfshinin: a) Riforcimi i pavarësisë dhe pandashmërisë së Shqipërisë duke hedhur poshtë vendimet e Konferencës së Paqes në Paris të 1919-s, e cila rrezikonte ta shpërbënte Shqipërinë e ta ndante nëpër fqinjët e saj; b) Krijimi i një qeverie të re kombëtare me në krye Sulejman Delvinën dhe kryetar të Këshillit Kombëtar Aqif Pashë Elbasanin; c) Shpërngulja e kryeqytetit në Tiranë; d) Rezistenca ndaj Italisë ku u dënua pushtimi italian duke kërkuar kësisoj largimin e tyre, çka shpuri në Luftën e Vlorës (1920).

Si rezultat i Kongresit të Lushnjës, Shqipëria shpëtoi nga ndarja dhe u fuqizua pavarësia e saj me një qeveri që doli nga vullneti kombëtar e jo nga ndërhyrjet e huaja. Me këtë rikujtesë në këtë datë simbolike, ftoj pyetësimin dhe artikulimin vijues:

Ku është Ukshin Hoti me tezën e tij?

Consequently, the conflict can only be an oscillation between preserving and sacrificing; or rather thre can be neither a sacrifice of what is one’s own nor a violation of what is alien. Virtue is not merely like the combatant who, in the conflict, is only concerned with keeping his sword bright, but it has even started the fight in order to preserve the weapons. And not only can it not use its own weapons, it must also preserve intact those of the enemy and protect them against its own attack, for all are noble parts of the good, on behalf of which it went into battle. 

(Prandaj, konflikti mund të jetë vetëm një lëkundje midis ruajtjes dhe sakrifikimit; ose më saktë, nuk mund të ketë as një sakrifikim të asaj që është e vetja, as një cenim të asaj që është e huaj. Virtyti nuk është thjesht si luftëtari që, në konflikt, kujdeset vetëm të mbajë shpatën e tij të ndritshme, por ai madje e ka nisur betejën për të ruajtur armët. Dhe jo vetëm që nuk mund të përdorë armët e veta, por duhet gjithashtu të ruajë të paprekura ato të armikut dhe t’i mbrojë ato nga sulmi i vet, sepse të gjitha janë pjesë fisnike të së mirës, për hir të së cilës hyri në betejë.) 

– Hegel

Bashkimi kombëtar dhe “zgjidhja e çështjes shqiptare” për Ukshin Hotin nuk është çështje thjesht sentimentale, por strategjike, ekonomike dhe zhvillimore. Thënë shkurt, për Ukshinin, vetë stabiliteti arkitektonik i Bashkimit Europian është në lojë dhe rrezikohet në themel nëse nuk zgjidhet çështja shqiptare paraprakisht e përfundon që shtetet shqiptare të integrohen në BE si të ndara. Thënë ndryshe, BE-ja nuk mund të arrijë një stabilitet të plotë dhe të qëndrueshëm pa e zgjidhur çështjen shqiptare, sepse çdo tentativë për të ndërtuar një rend të qëndrueshëm mbi një situatë të pazgjidhur krijon një stabilitet veçse të përkohshëm dhe artificial. 

Nga ana tjetër, strategjia “njëherë integrim në BE, pastaj hapat për bashkim kombëtar” është e rrezikshme sepse kështu Shqipëria do të përballet me pengesa juridike, politike e diplomatike duke e bërë thuajse të pamundur bashkimin me Kosovën. Këto do mund të përmblidheshin si vijon. Së pari, është parimi i paprekshmërisë së kufijve brenda BE-së; së dyti, është rreziku i vetos nga shtetet anëtare të BE-së, sidomos në kushtet ku ka ende vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si Republikë të pavarur; së treti, duke u bërë anëtare e BE-së, Shqipëria detyrohet të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e BE-së dhe humbet kësisoj sovranitetin mbi politikën e jashtme dhe kufijtë, si dhe pamundësohet një bashkim i thjeshtë kushtetues me Kosovën; dhe së katërti, edhe marrëdhëniet ekonomike, doganore, tregtare e politike do të ndryshojnë duke e bërë Kosovën si një palë të tretë të huaj, për shkak të rregulloreve të tregut të përbashkët europian.

Në këtë kuptim, historia është çështje e të ardhmes – ose më mirë, e ardhmërisë. Historia, nëse nuk regjet në lëminë e historiografisë, është ngushtësisht e lidhur me mundësinë e të ardhmes: A është e ardhmja e mundur? A ka, a mbart ngjarje botëformuese ende për të ndodhur – apo është e ardhmja thjesht një çështje e vijimit pa pengesë e ndryshim e të shkuarës?

Dhe kjo, mundësia botëformuese, është esencialisht kolektive – pra, shenjues i faktit që, duam s’duam, është një fat kolektiv ai që është në lojë e në mundim. Sepse fatin e kemi kolektiv sakaq dhe s’ka si të jetë ndryshe.

Dhe fati – kjo drejtësi e pamëshirshme e historisë – nuk është thjesht indiferent ndaj veprimit aktual të gjithsecilit, të paktën në parim. Gjëza – si me orakullin e Delfit – është e atillë që e zgjidh vetë por në këtë zgjidhje që i japim duhet me pasë kujdes, sepse pikërisht në varësi të si e zgjidh atë do të jetë shtruar e përcaktuar fati-udhë, udha në të cilën shtrohen ndeshtrashat e vuajtjeve të pasionit që do pësojmë në jetë.

Në kushtet e deritashme do të mund ta ngushtonim analizën në individualitetet e Republikave të Shqipërisë dhe Kosovës – duke lënë kështu jashtë Shqipërinë e Maqedonisë së Veriut, atë të luginës së Preshevës, çështjen çame dhe copëzat e Malit të Zi.

Kosova është në pozitën e kushtëzuar nga Kushtetuta e Republikës së saj që ia ndalon të drejtën e referendumit, i cili do të ishte i nevojshëm për të ndërmarrë hapat e shprehjes së vullnetit kolektiv për bashkim me Republikën e Shqipërisë. Në mënyrë që të modifikohet Kushtetuta e saj, nevojiten 2/3-t e votave në Kuvend, por asisoj që të jenë 2/3-t e 100 deputetëve shqiptarë si dhe 2/3-t e 20 deputetëve të alokuar për minorancat. Minorancat janë nga ana e tyre të ndara në 10 për pakicat jo-serbe (dhe sigurisht jo-shqiptare) dhe 10 për atë serbe.

Meqë Lista Serbe është subjekti i vetëm partiak i përfaqësuar serb dhe fiton 10 nga 10 deputetët e dedikuar për pakicën serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kjo do të thotë se – në mënyrë që të ndërmerren hapa konkretë e domethënës që hapin mundësinë e rrugëtimit për bashkim me Shqipërinë – duhet të ndodhë një pluralizëm partiak brenda politikës serbe në Kosovë.

Vetëm duke ndodhur një pluralizëm partiak e demokratik brenda komunitet serb në Kosovë do të mund të bëheshin hapat formalë e zyrtarë për të modifikuar në mënyrë të rregullt Kushtetutën e Republikës së Kosovës – e asisoj të hapej ligjërisht kuadri legjitim i referendumit e për pasojë edhe mundësitë që rrjedhin prej tij.

Mirëpo, që të bashkohet një shtet i pavarur me një tjetër, duhet akordim e dakordësi nga të dy shtetet e palët. Pa një organizim të vullnetit popullor edhe nga ana e Republikës së Shqipërisë, nuk do mund të ndodhë bashkimi me Kosovën, edhe nëse do të tejkaloheshin pengesat formale e legale nga ana e Republikës së Kosovës.

Në këtë pikë na shfaqet e bëhet i dukshëm problem-pengesë që është në fakt i dyfishtë, nga ana e Republikës së Shqipërisë. Nga njëra anë, duket se nuk ka subjekt partiak e politik në Shqipëri që të ketë në rendin e përparësive të veta shtyrjen përpara të kësaj çështje të bashkimit me Kosovën. Nga ana tjetër, duket se, në linjat mbizotëruese politike në Shqipëri, të gjitha këto linja janë për integrimin në Bashkimin Europian – dhe këtë në kushte të mos-shprehjes së theksuar të vullnetit për bashkim me Kosovën.

Nuk bëhet fjalë këtu për kundërshtim të integrimit dhe kryerjes së hapave përmbushës së kapitujve drejt dhe për integrim në BE: bëhet fjalë për renditjen, si strategjike ashtu edhe praktike të prioriteteve. Bashkim me Kosovën, pastaj në BE. Futja në Bashkimin Europian nuk e zëvendëson bashkimin kombëtar, e as anasjelltas: bashkimi kombëtar nuk e zëvendëson (e as mohon e eliminon) idenë e Bashkimit Europian, e as nuk kundërshton nevojën ekzistenciale për projektin e Bashkimit Europian.

Mirëpo, integrimi i Republikës së Shqipërisë në BE përpara se të arrihet bashkimi me Kosovën do të thotë që, në mos të bëhet e pamundur, të vështirësohet tej mase, jashtëzakonisht shumë, mundësia formale e bashkimit me Kosovën, e lene mo mundësinë reale dhe bashkimin faktik.

Në varësi të mënyrës si zgjedhim të rendisim hapat e zgjidhjes së gjëzës së bashkimit kombëtar, do të na jetë shtruar e përcaktuar udha e pasionit tonë që kemi vetë për të pësuar, jetuar e përjetuar.

Nga analiza e mësipërme, del qartë se çështja e bashkimit kombëtar nuk është thjesht një aspiratë historike apo emocionale, por një çështje thellësisht politike, kushtetuese dhe strategjike, e cila ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e shqiptarëve dhe stabilitetin rajonal.

Për të shmangur bllokimin e saj në një cikël të pafund pritjeje është e nevojshme të kuptohen dhe të adresohen pengesat kryesore:

1. Ndryshimet kushtetuese në Kosovë – Pa krijimin e një pluralizmi politik brenda komunitetit serb dhe pa një marrëveshje më të gjerë me faktorët ndërkombëtarë, çdo përpjekje për të avancuar ndryshimet kushtetuese do të mbetet peng e një situate të ngrirë.

2. Angazhimi politik në Shqipëri – Deri më tani, asnjë forcë politike në Shqipëri nuk e ka vënë bashkimin kombëtar në prioritetin e saj strategjik. Kjo duhet të ndryshojë përmes një konsensusi politik mbi rëndësinë e integrimit kombëtar përpara integrimit europian.

3. Koordinimi me procesin e integrimit në BE – Strategjia “së pari integrimi në BE, pastaj bashkimi kombëtar” është e rrezikshme, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në BE mund të mbyllë rrugën për një bashkim të ligjshëm me Kosovën. Prandaj, është e nevojshme të ndjekim një qasje të përbashkët dhe të sinkronizuar për të dyja shtetet.

4. Mobilizimi i vullnetit popullor – Pa një shprehje të qartë të vullnetit të qytetarëve për bashkim, çdo përpjekje politike do të mbetet formale dhe e paqëndrueshme. Organizimi i referendumit në të dyja shtetet, si dhe përfshirja e diasporës, është një hap i domosdoshëm për të legjitimuar këtë proces.

 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje