nyje.al | 07.09.2024
Komuniteti i hebrenjëve në Shqipëri është i vogël por e ka një kre religjioni. Kryerabini Yoel Kaplan i emëruar në 2010, me kontestimin e një pjesë të komunitetit, është vendosur në qendrën e mediave dhe rrjeteve sociale ditët e fundit pas publikimit të një video të tij në Gaza. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, Yoel Kaplan i është bashkuar Forcave të Mbrojtjes Izraelite dhe është pjesë e ofensivës gjenocidale mbi popullin e Gazas. Në videon e qarkullur në rrjetet sociale, Kaplan shihet mbi një tank në Gaza-n e shkatërruar duke shënjuar nisjen e muajit Elul, muajit të reflektimit dhe faljes për hebrenjtë, përmes jehonës së lëshuar prej një brirë dashi.
Aktivistët e kolektivit “Palestina e Lirë”, në solidaritet me popullin palestinez, kërkuan përmes rrjeteve sociale shpalljen non-grata të Yoel Kaplan nga qeveria shqiptare dhe heqjen e çfarëdo detyre fetare të tij. Gjithashtu, aktivistët bënë thirrje për komunitetin hebre që të distancohet nga kryerabini Kaplan që po merr pjesë aktivisht në gjenocidin në Gaza.
Emërimi i kontestuar dhe prezenca në Shqipëri
Yoel Kaplan qe duke vizituar Selanikun para dy dedakash, kur mori vesh se Shqipëria nuk kishte një komunitet dhe një përfaqësi fetare të organizuar. Sipas një artikulli të revistës online, Mispacha.com, përgjatë një udhëtimi në Shqipëri autorët e shkrimit u njohën me Yoel Kaplan i cili u tregon rrugëtimin e tij në zgjedhjen si Kryerabin.
“Rreth dy dekada më parë, rabini Kaplan erdhi në Selanik në Greqinë fqinje si emisar i Chabadit dhe duke parë që Shqipëria dhe Mali i Zi aty pranë nuk kishin asnjë komunitet apo institucion të organizuar hebre, e bëri biznes të tijin t’i themelonte ata rreth 12 vjet më parë.” – shkruajnë në artikullin e publikuar dy vite më parë Ari Z. Zivotofsky dhe Ari Greenspan
Në po të njëjtin paragraf shpjegohet që Yoel Kaplan nuk jeton në Shqipëri, familja është e vendosur në Eretz, Israel dhe ai udhëton shpesh pasiqë edhe vëllai i tij është i emëruar në Selanik. Kaplan gjithashtu nuk e flet gjuhën shqipe, daljet e tij televizive zhvillohen përmes gjuhës angleze.
Mungesa e lidhjes me komunitetin dhe mungesa e konsultimit me ta, bëri që një pjesë e komunitetit shqiptar të hebrenjve të kontestonte zgjedhjen e tij si Kryerabin. Në një letër të tyre, dërguar edhe medias “The Jerusalem Post” pak ditë pas emërimit të Kaplan, ata kërkuan zhbërjen e këtij vendimi dhe zgjedhjen e Kryerabinit në konsultim me ta.
“E apelojmë fort dhe u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare hebreje që të konsultojnë paraprakisht komunitetin shqiptaro-hebre përpara së të ndërmarrin vendime që do ndikonin drejtpërdrejtë në dinjitetin dhe jetën komunitare, pasiqë ne nuk e njohim Yoel Kaplan si Kryerabin të Shqipërisë”
Në një përgjigje të atëkohshme, Kaplan u shpreh që patjetër që do ketë kundërshti për zgjedhjen e tij, por qëllimi i vetëm i tij do të jetë forcimi i hebraizmit në Shqipëri. Nëse Kaplan do të kthehet nga Gaza e shkatërruar për të vazhduar punën për plotësimin e qëllimit të tij është në dorën e institucioneve shqiptare, nëse do të plotësojnë kërkesat e aktivistëve kundër gjenocidit ndaj palestinezëve apo do t’i injorojnë ato.