Kruščica për Shushicën

Selma Daku | 15.07.2024 | nyje.al|

Lumi i Shushicës është një nga degët më të rëndësishme të Parkut Kombëtar Vjosë, shpallur si i tillë një vit më parë me mbrojtje të kategorisë së dytë. Kjo zonë specifike, me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe resurs i kahmotshëm për komunitetet lokale, nuk mbrun brenda vetes vetëm peizazhe idilike natyrore, por tensionime dhe shqetësime sociale e politike që lidhen me interesa kombëtare e më tej. Prej fillimit të vitit 2023 ky lumë po kanoset nga ndërtimi intensiv i ujësjellësit për bashkinë e Himarës, një projekt i kaluar në mënyrë furracake (ngjashëm me shumë projekte të tjera në fshatrat e Shqipërisë) nëpër institucione, duke përjashtuar nga konsultimi dhe informimi banorët e prekur. Siç kanë dëshmuar dhe komunitete të tjera lokale rurale, investimet zhvillimore shtetërore në vend, prej dekadash, nuk vijnë me konsensus, por shfaqen me të parën me tuba, gardhime dhe eskavatorë.  

I shtrirë përgjatë 37 fshatrash, ujë i lumit të Shushicës ka hyrë në fazën e rrezikut real të devijimit të tij në një gjatësi prej 17 km me justifikimin që do të furnizojë me ujë 27/7 zonën urbane të Himarës dhe më specifikisht kërkesat në rritje të turistëve. Sakaq, kjo do të bëhet në ‘kurriz’ të vetë lumit, duke e tharë me qindra metra shtratin e tij, dhe në dëm të komunitetit lokal të cilit, siç është shprehur publikisht i ka mbetur vetëm të braktisë vendin. Teksa lejet për ta implementuar këtë projekt janë marrë në vitin 2022, procesi i ndërtimit të këtij ujësjellësi ka filluar në vitin 2023. I ardhur nga ‘lart’, si investim i Fondit Shqiptar Zhvillimor, KfW & WBIF, të treja këto organizma me togfjalëshin e përbashkët ‘zhvillim i qëndrueshëm’ (për ironi), është kaluar pa u diskutuar me komunitetin para fazës implementuese të tij. Si i tillë, ky investim ka hasur rezistencë në mënyrë të vazhdueshme nga komuniteti lokal, i cili që prej se ka marrë dijeni për të e ka kundërshtuar me të gjitha mënyrat: prej peticioneve, te protestat, bllokimet në rrugë dhe deri te proceset administrative e gjyqësore. 

Me të marrë vesh për projektin, banorët, në bashkëpunim me organizatën mjedisore EcoAlbania, janë mobilizuar me shkresa për bashkinë e Himarës dhe Vlorës. Pasi u ka rezultuar joefektive, janë tubuar në protesta që prej një viti tashmë. Banorët kanë artikuluar qartësisht kërkesat e tyre: ndërprjeje të menjëhershme të punimeve, diskutim me vendasit dhe rishikim projekti për të gjetur zgjidhje alternative për ujësjellësin

Si pasojë e mobilizimit komunitar, reagimeve të shoqërive civile si dhe ekspertëve shqiptar e të huaj, punimet në anën e lumit janë pezulluar, sakaq ato vazhdojnë në anën e Himarës dhe përroit të Kudhesit. Banorët shpesh kanë pretenduar për paligjshmëri të këtij projekti, pretendime të cilat theksohen edhe nga studiues që janë marrë prej kohësh me lumin Vjosë. I pyetur nga BalkanInsight, Profesori i Universitetit të Vjenës, Friedrich Schiemer, u shpreh se kanë dyshime lidhur mbi bazueshmërinë shkencore të “Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis”. Sakaq ka marrë udhë një proces gjyqësor të përfaqësuar nga avokatët e ResPublica

Muaj më parë në emisionin “Fol” të gazetarit Erjon Skëndaj u transmetua një bashkëbisedim i tij me banorët dhe aktivistët e zonës. Njëri nga banorët u shpreh se “ata janë duke protestuar kundër një padrejtësie që po u bëhet nga shteti shqiptar, nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga oligarkët, të cilët po na devijojnë rrjedhën e lumit Shushica …nëpërmjet një projekti grabitqar”. 

Banorët tregojnë se letra që i është dërguar kryeministrit nga 15 kryepleqtë e fshatrave, ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. Më shumë sesa kryeministri i vendit, shqetësimin me banorët e kanë ndarë të tjerë, ndër ta edhe dy dy ekspertë të pavarur gjermanë të cilët kanë nisur një hetim të plotë shkencor jo vetëm për pasojat që sjell projekti, por edhe për zgjidhje alternative.

Aksioni i mbramë për Shushicën 

Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri, EcoAlbania e cila ka qenë mbështetje për banorët që në fillim të protestave, këtë të premte zhvilloi një aksion së bashku me Riverwatch dhe EuroNatur të cilët janë pjesë e fushatës “Save the Blue Heart of Europa”. Teksa ndodheshim pranë burimit të Lëpushës, aty ku punimet kanë filluar, Olsi Nika tregoi rrezikun që i kanoset lumit.

“Në këtë periudhë kur uji duhet më shumë, duan ta fusin në tuba. Nga ana ekologjike kjo do të thotë ta vrasësh lumin…”

Aksioni i banorëve u zhvendos në urën e Bratajt, ku të solidarizuar me njëri-tjetrin, banorë, aktivistë, studiues, së bashku me gratë e Kruščicës krijuan një varg-trupash, si akt për të treguar mbështetje solidare. Në darkë, para shfaqjes së dokumentarit për lumenjtë e Ballkanit, në një podium ku ishte ngjitur banderola “Save our Shushica” dhe vendosur mbi të tubi me firmat e banorëve, ata mbajtën fjalët e tyre. Vendasit shtruan se qeveria duhet të rishikojë projektin dhe të përdorë alternativa të tjera për Himarën.

“Iu kemi dërguar letra e peticione të gjitha institucioneve që kanë ngatërruar këtë projekt, i cili nëse zbatohet për ne do ishte katastrofike. E kemi njohur kryeministrin me problemin tonë në takimin në bashkinë Himarë. Na ka premtuar zgjidhje, por punimet kanë vijuar. […] Nëse dikush mendon se Shushica është çmimi që duhet të paguajmë për rrugët e reja apo investimet e së ardhmes, gabohet rëndë!”

Ulrich Eichelman, ekologjist gjerman dhe pjesë e ekipit të Riverwatch, ishte gjithashtu pjesë e aksionit, ku i ndodhur në një nga lokacionet e rezervimit në Shushicë, tregoi për gazetarët se marrja e ujit nga lumi për ta çuar në Himarë, nuk është e pranueshme për aq kohë sa studiuesit kanë gjetur plot mënyra që Himara mund të furnizohet me ujë.

“Nëse e finalizojnë këtë projekt, Shushica do të thahet krejtësisht, si rrjedhojë nuk do mund të cilësohet më si Park Kombëtar.[…] Uroj shumë që të mund ta ndalojmë këtë që po bëhet dhe që qeveria ta pranojë që ka gabuar. Deri tani lumi nuk është dëmtuar, pra problemi mund të zgjidhet. Ka studime që po bëhen për zgjidhje alternative për burime ujore në Himarë, të cilat tregojnë se ka disa opsione dhe nuk është domosdoshmëri shkatërrimi i lumit.”

Lefter Qejvani, një tjetër banor i fshatit, bëri një reflektim mbi deklaratën e kryeministrit Rama në Himarë rreth një muaj më parë, teksa shpërndante 437 tituj pronësie për zonat kadastrale me “probleme kronike”. Ai propozoi për bojkotim të zgjedhjeve të 4 Gushtit duke e parë si mundësi që qeveria të ndryshojë qëndrim.

“Vetë përgjigja e kryeministrit në Himarë tregon që kjo qeveri është e vendosur për projektin, po ne do ta vazhdojmë luftën. Nëse ne bojkotojmë zgjedhjet që janë pas disa javësh, ta dini që qeveria do i vërë gishtin kokës.”

Thirrja e banorëve ishte dhe për rritjen e mbështetjes nga vetë fshatrat që preken nga ky projekt dhe u zotuan që edhe më të shumtë do të bëhen. 

“Duhet të ngrihemi më tepër. Në ato protesta që bëjmë, në peticionet që dërgojmë, duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Të angazhohemi të gjithë që ta shumëfishojmë pjesëmarrjen.”

Besjana Guri, anëtare e EcoAlbania, ka theksuar se ajo për të cilën kanë luftuar ndër vite që të shpallet park kombëtar, nuk ka qenë vetëm për pjesën kryesore të Vjosës, por edhe për të gjitha degëzimet e saj, ku ka veçuar Shushicën si më të rëndësishmin. 

“Së bashku me Riverwatch dhe Euronatur kemi mbi 10 vjet që luftojmë për mbrojtjen e Vjosës, ku ka qenë e panegociueshme që Vjosa të mbrohet së bashku me degët e  saj. Shushica është një nga më të rëndësishmet. Pas shumë përpjekjeve arritëm që ta shpallim Park Kombëtar, falë mbështetjes së Patagonias e cila ka qenë një urë lidhëse mes nesh dhe qeverisë. Është zhgënjyese që jemi akoma duke protestuar, por tashmë kemi një moto: e fituam një herë Vjosën, duhet ta fitojmë prap me Shushicën!” 

Veçantia e këtij aksioni, përveç banorëve që vijojnë të tregojnë rezistencë, ishte pjesëmarrja e grave të guximshme të Bosnje-Hercegovinës, të cilat të gjendura në të njejtën situatë në vitin 2012 me rrezikun që i kanosej lumit Kruščica, ndanë me banorët e Shushicës përjetimet e tyre. Të sprovuara nga përvoja me qeverinë e tyre, ato u bënë thirrje banorëve të mos bien pre e  ofertave të qeverisë dhe të mos frikësohen nga asgjë. Ato përmendën rastin e tyre për të treguar se asgjë nuk është e pamundur kur ka bashkim qytetar.

“Shpresoj të arrini ta mbroni këtë lumë të mrekullueshëm, nëse jo për ju, për brezat e ardhshëm. Do ketë sfida, ngacmime, por mos u frikësoni nga asgjë. Kur gratë guximtare të Kruščicës nuk u frikësuan nga policia e Bosnje-Hercegovinës, mendoj se edhe ju nuk duhet të frikësoheni nga asgjë. Duhet ta dini se te uniteti është fuqia dhe çelësi i suksesit.” 

Historia e grave të Kruščicës 

Në fshatin Kruščicë të Bosnje-Hercegovinës ndodhet një lumë me po të njëjtin emër, i cili furnizon me ujë të pijshëm fshatrat përreth, duke përmbushur një nga nevojat më themelore dhe më të domosdoshme të jetesës njerëzore. Breza të tërë janë rritur dhe kanë zhvilluar veprimtaritë e tyre me ujin e atij lumi. Kjo pritej të vazhdonte dhe për shumë të tjerë, por qeveria kishte një plan tjetër. Në 2012, banoret e Fojnicës ndërmorën një aksion kundër ndërtimit të një hidrocentrali i në lumin e tyre. Të bëra bashkë, sapo dëgjojnë mbërritjen e makinerive, gratë e fshatrave përreth pengojnë punimet duke qëndruar përballë paijsjeve ndërtuese. Kjo lloj rezistence e detyroi kompaninë e ndërtimit të tërhiqej. Një rrezik i tillë mbi lumin e tyre, i shtyu të krijonin një strehë prej dërrase (baraka) me kushtet më minimale për të mbijetuar. Filluan të qëndronin aty, duke mposhtur vështirësitë e kushteve atmosferike dhe jo vetëm, në ruajtje të lumit. Ndoshta të bindura se po ia dalin, pas një qëndrese prej 325 ditësh, pasi njoftohen se një grup i njësive speciale do të vinte, 55 gra u ulën në urë të vendosura për të mos lënë asnjë makineri të prekte lumin. Një ultimatum prej 3 minutash iu komunikua atyre, duke i kërcënuar të largohen nga ura. Pas disa minutash, njësitë speciale nisën t’i largonin me forcë, duke i goditur në mënyrë çnjerëzore, deri në pikën ku disa prej tyre humbasin ndjenjat. Pas disa kohësh ato lajmërohen se kanë ardhur të largojnë makineritë, duke finalizuar me sukses të gjithë luftën dhe sakrificën e tyre. 

Teksa në dokumentar shfaqeshin pamjet e dhunës së policisë mbi gratë e Kruščicës, dy prej tyre që kishin ardhur për të mbështetur kauzën e banorëve të Shushicës, u panë të prekura. Pas shfaqjes së dokumentarit, ato rrëfyen pjesë të tjera nga përvoja e tyre. Njëra prej tyre shprehet se nuk ishte aspak gjë e mirë ajo që ndodhi, por njëkohësisht ishte burim force. 

“Ishte keq, por nga ana tjetër na dha forcë. Ai numër i grave që ishte më parë u dyfishua. Kur na morën në stacionin policor dhe na pyetën se çfarë do bënim tani që ju rrahëm, dhe nëse do të ktheheshim në shtëpi, ne ju përgjigjëm që shtëpia nuk është një opsion, do kthehemi te uji.”

Ndërkohë bashkë me to ishte dhe një nga burrat e fshatit të Kruščicës i cili tha se as ata nuk kanë qenë në heshtje, por përkrah grave të tyre, duke duruar presione, dhunë fizike si dhe duke ndihmuar në aspektin logjistik.

“Mos mendoni se kemi qëndruar anash. Kemi mbrojtur shpinën e grave tona dhe tërë kohën jemi përballur me provokatorë të ndryshëm. Jemi rrahur dhe fizikisht dhe çdo aspekt logjistik për gratë tona është lehtësuar nga ne.”

Ata dëshmuan se përpos dhunës policore dhe arresimeve, janë përdorur një larmi mënyrash kriminalizimi ndaj rezistencës së tyre, presione të cilat nuk e kanë ndaluar qëndresën. 

“Kemi pasur shumë presion nga pushteti, efektivë të policisë që vinin çdo ditë dhe na vinin gjoba të cilat ne i kemi paguar në mënyrë solidare të gjithë. Qëllimi ishte që ne të hiqnim dorë, po ne nuk hoqëm dorë dhe fituam.”

“Përkushtim, unitet, këmbëngulje, bashkëpunim dhe pa harruar: numër më të madh të grave në protesta.” – ish mesazhi i fundit nga gratë e lumit të Kruščicës.