Antonela Pepkolaj | 19.06.2022 | nyje.al
Klodi është nga ata tropojanë që është krenar që është nga Tropoja, i cili flet për vendlindjen e tij sikur po flet për ndonjë veçori të karakterit të vet. Një takim i parë me Klodin është një eksperiencë mjaft e gjallë. Klodi është tipi ekstrovert dhe i zhdërvjellët, humori i të cilët, shpesh me nuanca ‘kuq e zi’ nuk anashkalohet të paktën pa nënqeshje.
Ai është një banor i Kamzës, në zonën e Bathores, i cili aktualisht ndjek studimet për Art-Dizajn, pranë Universitetit Polis. Duke qenë një nxënës ekselent, pritshmëritë dhe nxitjet nga familja, kanë qenë që, Klodi të vazhdonte studimet Bachelor për mjekësi ose inxhinieri, por pasi zbuloi pasionin e tij për grafikë-dizajn, vendosi t’i përkushtohej artit dixhital, qoftë edhe për të thyer klishenë e djalit ekselent shqiptar që shkon direkt te mjekësia apo arkitektura. Klodi shprehet se interesi i tij fillestar ka qenë psikologjia, si një disiplinë që vazhdon ta intrigojë edhe sot dhe që ia kushton kohën e lirë.
Pasionin e tij për artin dixhital e zbuloi në Amerikë, gjatë periudhës një-vjeçare, kohë në të cilën u mor me studime në fushën e grafik-dizajnit. Përmes një burse të cilën e fitoi në vitin e tretë gjimnaz dhe, profilit e tij të pasur me aktivitete dhe angazhime në komunitet, u zhvendos në Amerikë për një vit. Aty, rrëfen Klodi, një ndër mësueset e tij, e inkurajon në talentin që ka për grafik-dizajn duke i dhënë dhe idenë që ta bëjë profesionin e tij të jetës.
Përveç pasionit për grafik-dizajn, Klodi zbuloi në Amerikë edhe stilin urban amerikan që e përvetësoi menjëherë. E sheh me aksesorë me simbole fetare, por edhe pagane, për t’i qëndruar stilit të vet.
Familja e Klodit, është zhvendosur në Kamëz në vitin 1995, kohë gjatë së cilës u zhvendosën dhe shumë familje të tjera nga veriu i Shqipërisë. Duke qenë se investimi i shtetit në këtë zonë ishte zero, shumë familje, ndër ta dhe e Klodit, kishin dy opsione për të siguruar jetesën: emigrimi ose hapja e bizneseve të vogla private. Familja e Klodit hapi biznesin e tyre, fillimisht një market dhe bar-kafe, më tej një restorant që vazhdojnë ta mbajnë edhe sot.
Fëmijërinë e tij, Klodi e kujton si mjaft monotone, vetëm shtëpi dhe shkollë. Përgjithësisht, si të gjithë fëmijët e tjerë, bashkohej me shokët e tij të lagjes për të luajtur në rrugë, gjë e cila nuk zgjati shumë sepse me rritjen e tyre, lëvizjet në rrugë shihen si të çuditshme. Pas këtyre episodeve, Klodi kujton sesi momenti i parë që u bë aktiv, në kuptimin që të bëhej pjesë e një grupi që ka pjesë debatin për komunitetin dhe dashurinë për artin dhe kulturën, ishte Veprimtaria Katolike Rinore. Ky grup, i formuar në gjirin e kishës, por që varionte në aktivitetet që organizonte për nga fokusi tematik, dilte jashtë suazës fetare. Klodi kujton sesi për herë të parë kur ka qenë në kinema, por edhe në Tiranë, ka qenë me grupin VKA.
Disiplina në shkollë dhe puna sistematike si nxënës, është një kulturë që Klodi e ka mësuar nga 9-vjeçarja, kur mësonte në shkollën “Dritëro Agolli”. Thotë si me shaka, se aty ishte detyrim të ishe nxënës i mirë dhe që të ishe i përgatitur ishte kusht i përhershëm. Kjo edhe e ka ndihmuar që të ruajë notat e larta përgjatë gjithë punës së tij si nxënës dhe student.
Që në fillore është marrë me aktrim, kryesisht në aktivitetet shkollore. Më tej ka zbuluar që aktrimi është një ndër gjërat që ka pasion, ndaj edhe u bashkua me grupin ATA.
Kur flet për grupin ATA, Klodi rrëfen se arsyet përse u bashkua janë filimisht për teatrin dhe për të aktruar, më tej sepse, siç shprehet, koha dhe shoqëria aty janë shumë përplotësuese për të si individ. I pëlqen të shoqërohet dhe të mësojë nga njerëz të cilët kanë të njëjtat interesa me të, apo që janë po aq të orientuar kah arti dhe kultura sa ai. Një ndër përvojat që ruan si më të këndshmen nga grupi, është kur së bashku me pjesën tjetër të aktorëve të grupit ATA, vendosën në teatrin kombëtar (para se të shembej), shfaqjen “Vdekja aksidentale e një anarkisti”. Aktori mëi ri në moshë, ishte zgjedhur nga regjisorja Anila Balla të luante rolin më të vështirë, ose më saktë një shumësi rolesh, si ai i të ‘çmendurit’ të Dario Fo-së. Më tej rrëfen se, u bashkua dhe me lëvizjen kundër shembjes së teatrit, pikërisht prej këtij momenti.
Për të qenurit aktivist, Klodi shprehet se pikë së pari, aktivizmi e ka ndihmuar të krijojë një vetëdije për komunitetin e vet, duke filluar që nga njohja e zonës e deri te shquarja e problematikave të tij. Andaj edhe, kontributin e aktivistëve tash e vlerëson më tepër, si orvatje që trupën qytetare mundohet ta afirmojë si institucion më vete. I pëlqen që ka dhënë sa ka mundur, nga koha dhe energjia e tij për qendrën e grupit ATA, sepse kështu ndihet se ka bërë diçka të dobishme për qytetin ku është rritur.
Kur i krahason këto dy mjedise së bashku, ATA dhe VKA, Klodi shprehet përmes batutave se janë në fakt më të ngjashme se ç’mund të imagjinohet në pamje të parë. Të paktën kështu i ka përjetuar ai vetë. Te këto dy grupe, ai ka gjetur zonën e tij rehatisë dhe shpesh të parehatisë, që i mundëson hapësirën për t’u afirmuar si do vetë, pa patur pengesat e keqkuptimit të personit të tij apo edhe paragjykimit. Më tej, shprehet se, ka gjetur edhe një lloj stimuli, që mungon në shkollë, për të qenë sa më i prerë dhe i qartë në qëndrimet e veta. VKA në raport me besimin fetar dhe me vetëmohimin klasik të personit që dhuntitë e tij i vendos në shërbim të komunitetit si dhe, grupi ATA në raport me qëndrimet e veta politike. Në njëfarë kuptimi, VKA ka shërbyer si edukues human dhe ATA si edukues social.
Megjithatë, Klodi ka momentet e tij refleksive. Jo rrallëherë mendon se do i duhet të ndërtojë jetën e vet jashtë Shqipërisë, duke e cilësuar atmosferën e vendit si shumë mbytëse dhe të vështirë për t’u përshtatur. Ndaj edhe, në vizionin e tij, jashtë do të ketë më shumë mundësi që të ushtrojë edhe profesionin e vet dhe të kualifikohet më cilësisht, përmes specializimit. Sërish, synon të ruajë lidhjet me ato qarqe që e kanë ndihmuar në formimin e vet si individ, duke përfshirë grupin ATA dhe grupin VKA, me besimin se në të ardhmen do frymëzojnë të rinj të tjerë, siç bënë me atë vetë, për të krijuar rini më aktive dhe të edukuar në çështjet e bashkësisë.
Pingback: Media komunitare – Nyje