Këshilli Bashkiak është publik apo privat?

Nyje.al | 28.07.2022 

Mbledhja e Keshillit Bashkiak te Kamzes, dt. 27.07.2022, foto nga Keshilli i Bashkise Mbledhja e Keshillit Bashkiak te Kamzes, dt. 27.07.2022, fotografi: Keshilli i Bashkise

Këshilli Bashkiak Kamëz sot njoftoi në faqen e tij zyrtare në facebook miratimin e 6 projekt-vendimeve të cilat lidheshin, ndër të tjera, me taksat vendore, shpronësimet me interes publik në zonën e Paskuqanit dhe aplikimet për përfitimin e programeve të rindërtimit në zonën e Valiasit. Ndër vendimet që ka kaluar, siç na bëhet me dije nga postimi në fjalë, është edhe projekti për marrjen me qera të automjeteve për interes të bashkisë. Ky vendim është kundërshtuar dhe nuk u miratua gjatë mbledhjes së para një jave të këshillit bashkiak. Këshilltarët nuk e votuan për shkak se dyshuan për çmime arbitrare dhe të paarsyeshme. Gjashtë automjete me qera do t’i kushtonin taksapaguesve të Kamzës 22 milionë lekë të reja. Sot, Bashkia bën me dije që edhe ky projekt-vendim është votuar dhe miratuar gjatë seancës së djeshme. Deri sa të bëhen publike këto vendime të rëndësishme për jetën e shumë banorëve të Kamzës dhe të munden të verifikohen të dhënat që ato përmbajnë, është e rëndësishme të theksohet që kjo mbledhje, ndryshe nga e kaluara, nuk është njoftuar paraprakisht për publikun e gjerë, por është bërë fakt i kryer duke u zhvilluar në mungesë të plotë informimi.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, ligjit për të drejtën e informimit dhe urdhërit nr. 211, dt. 10.09.2018 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Bashkia ka detyrim që të bëjë publike në mënyrë të detajuar disa ditë përpara mbledhjes rendin e ditës, orën dhe vendin, projekt-vendimet në proces shqyrtimi si dhe proces-verbalet e mbledhjeve të këshillit. Qeverisja e socialistëve ka vazhduar traditën e demokratëve duke mbajtur mbledhjet e këshillit në sekret të plotë dhe duke shkelur kështu hapur parashikimet ligjore dhe të drejtat kushtetuese të banorëve të qytetit. Vendimet e këshillave bashkiak janë vendimtar për jetën e një qyteti; ashtu siç mund ta rregullojnë atë ashtu edhe munden të shembin lagje, Teatër Kombëtar dhe të miratojnë të tjera vendime të dëmshme e të padrejta. Rreziku potencial i një dëmi të pariparueshëm – sidomos kur pushteti gjyqësor nuk vendos drejtësi – është gjithmonë aty, në ulëset e këshilltarëve të këshillit të qytetit. Informimi për këto vendime është i domosdoshëm për ta kuptuar ç’po ndodh me qytetin dhe jo për ta përjetuar atë si të ishte në dorën e një fati të panjohur.

Që prej vitit 2021, Bashkia e Kamzës është në një proces gjyqësor, të iniciuar nga Grupi Ata i cili i ka kërkuar këtij institucioni të bëjë publike çdo gjë që është parashikuar në ligjin për të drejtën e informimit. Procesi gjyqësor në shkallë të parë është mbyllur me vendim fitoreje për aktivistët e qytetit. Ndërkohë, as vendimi me ekzekutim të përkohshëm nuk e ka detyruar Bashkinë dhe kryetarin Suli të zbatojë vendimin. Për këtë është dashur të implikohet në proces një zyrë përmbarimi. Pas ndërhyrjes së këtij të fundit, dhe pagesës së një gjobë në vlerë të konsiderueshme nga ana e bashkisë Kamëz është bërë i mundur plotësimi i pjesshëm i informacioneve dhe dokumentacioneve zyrtare. Mirëpo, vendimi i gjykatës është i qartë dhe nuk lë vend për negociim sipas vullnetit të kryetarit. Ligji parashikon transparencë të plotë, dhe jo të pjesshme. Bashkia e Kamzës arbitrarisht zgjedh të bëjë publike vetëm pjesë të veprimtarisë së saj, dhe jo gjënë më të rëndësishme që lidhet drejtpërdrejtë me procesin e vendimmarrjes: mbledhjet e këshillit. Kjo qasje ka bllokuar kështu çdo mundësi për pjesëmarrje në mbledhjet e ‘parlamentit lokal’ nga ana e banorëve, aktivistëve, gazetarëve. Procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. Aktivistët e Grupit Ata, duke vërejtur që për më shumë se një vit bashkia nuk ka plotësuar detyrimin e dhënë nga gjykata, ka kërkuar gjobitjen e kryetarit Rakip Sulit. Kjo kërkesë bazohet kryesisht e specifikisht në shkeljet që Bashkia, nën drejtimin e tij, po kryen kundrejt banorëve të saj. Gjatë këtyre viteve, vetëm njëherë ka ndodhur që Bashkia të lajmërojë mbledhjen e këshillit – jo disa ditë më përpara siç parashikon ligji, por 6 orë para saj – si pasojë e kërkesave të parashtruara nga aktivistët në procesin e ri gjyqësor kundër kryetarit Suli.

Mbledhja e parafundit e zhvilluar këtë muaj korrik ishte e vetmja e lajmëruar. Do të ishte konsideruar hap përpara, nëse kjo veprimtari do të kishte pasur njoftimin e saj paraprak edhe për mbledhjen e djeshme. Duket se ka shumëçka për t’u fshehur kur këshilli bashkiak shihet dhe konsiderohet si sfera ku luhen interesat më të ngushta të atyre që drejtojnë qytetin, dhe jo si hapësira në të cilën duhet të marrin pjesë, ta dëgjojnë, ta shohin, ta analizojnë dhe kontrollojnë atë qytetarët e saj. Procesi gjyqësor kundër Sulit vazhdon ende, dhe pritet të ketë seancën e radhës në vjeshtën e këtij viti. Ndërkohë aktivistët e grupit Ats do të vazhdojnë, pavarësisht vendimit në pritje, ndjekin dhe bënjnë publike për qytetarët veprimtarinë e këshillit bashkiak.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje