Këmbësorët të rrezikuar! Rrugët e Kamzës pa sinjalistikë dhe pa siguri rrugore!

nyje.al | 19.02.2019

Sipas një raporti të INSTAT-it i publikuar më 21 janar të vitit 2019 në lidhje me aksidentet rrugore që kanë ndodhur përgjatë vitit të kaluar (janar – dhjetor 2018), numërohen 735 aksidente rrugore, me pasojë vdekjen e 46 personave. Në krahasim me numrin e aksidenteve të ndodhura në vitin 2017, në vitin 2018 vihet re një rënie (783 aksidente rrugore në vitin 2017). Gjithsesi aksidentet rrugore mbeten një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri.

Qarku i Tiranës renditet me numrin më të madh të aksidenteve rrugore në të gjithë Shqipërinë. Në dhjetor të 2018-s kanë ndodhur 64 aksidente me 8 të vdekur. Shkaqet e aksidenteve vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesit të automjetit (frenim i papritur, pakujdesi ndaj shenjave të trafikut, mosrespektimi i normave të shpejtësisë) ashtu edhe për shkak të sjelljes së këmbësorëve (kalim rruge pa kujdes).

Kalimi i këmbësorëve në rrugën pa sinjalistikë. Stacioni i tresh-it, Kamëz. Në foto: kalimi i këmbësorëve në rrugën pa sinjalistikë. Stacioni i tresh-it, Kamëz

Për shembull në qytetin e Kamzës këmbësorët janë çdo ditë të ekspozuar ndaj rrezikut, për shkak të mungesës së sigurisë rrugore.
Pushteti vendor në Kamëz ka shpallur si prioritet investimet në infrastrukturën rrugore. Në deklaratat për shtyp, kryetari i bashkisë Xhelal Mziu është shprehur se buxheti i vitit 2019 është më i lartë se asnjëherë tjetër: 2,584,412,000 lekë, nga të cilat 1,208,615,203 lekë do të shkojnë për investime në përmirësimin e infrastrukturës urbane. Investimi në këtë fushë është refren i njohur i bashkisë. Fakt është se rrugëve të qytetit dhe “Bulevardit Blu” u mungon sinjalistika dhe siguria rrugore.

Stacioni i Institutit, Kamëz. Në foto: stacioni i Institutit, Kamëz

Çfarë parashikon ligji dhe kodi rrugor

Neni 37 i Kodit Rrugor parashikon që “vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, me përjashtim të rasteve për sinjale të veçanta të parashikuara në aktet përkatëse është në ngarkim të bashkive brenda qendrave të banuara duke përfshirë edhe sinjalet që tregojnë fillimin dhe fundin e qendrës së banuar, edhe kur sinjalet janë mbi rrugë që nuk i përkasin bashkisë a komunës.”

Në pikën 4 të nenit 23 të Ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, thuhet se bashkia është përgjegjëse për “ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore”. Të dyja këto nene, na japin mundësinë të kuptojmë se e kujt është realisht përgjegjësia e mirëmbajtjes dhe vijëzimit të rrugëve të Kamzës.

“Bulevardi Blu” që shtrihet nga qëndra e qytetit deri në Universitetin Bujqësor të Tiranës do t’i nënshtrohej një procesi rivitalizimi në vlerën 97.901.955 lekë, sipas parashikimeve në buxhetin e vitit 2018. Rreth 153.288 lekë ishin parashikuar për vijëzimin e rrugëve, ndërkohë ajo çka realisht ka ndodhur deri tani është makijazh i tyre. Në të dyja anët e “Bulevardit Blu” kanë ndryshuar vetëm tullat në trotuar. Një fill tek-tullë me ngjyrë blu përshkon mespërmes trotuarin përgjatë gjithë gjatësisë së kësaj rruge. Ndërkohë që rrugët e Kamzës vazhdojnë të mos kenë sinjale horizontale (vija të bardha) dhe semaforë.

Aktualisht, përveç një vijëzimi në fillimin e Bulevardit “Donald Trump”, pranë stacionit të shkollës “Ibrahim Rugova” nuk ka asnjë shenjë vijëzimi tjetër për këmbësorët të cilët duhet të kalojnë rrugën për të marrë linjën urbane. Edhe më të vështirë e kanë invalidët për shkak të mureve ndarëse në të dy anët e rrugës, ndërsa mbikalimet janë të rrallë në këtë aks rrugor. Sinjalistika përpara institucioneve të arsimit parauniversitar mungon plotësisht duke rrezikuar kalimin e nxënësve dhe fëmijëve në rrugët kryesore apo dytësore të qytetit.

Nxënës që po kalojnë në Bulevardin Blu Në foto: nxënës që po kalojnë në Bulevardin Blu, Kamëz

Stacionet e Kamzës dhe sinjalistika rrugore deri te kthesa e Kamzës:
Rruga nacionale e Kamzës administrohet nga Autoriteti Kombëtar Rrugor, dhe sipas Kodit Rrugor ky ent është përgjegjës për vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës rrugore. Në përputhje me parashikimin e nenit 38 të Kodit Rrugor vendosen standarte shumë të larta për sinjalizimin duke parashtruar se “sinjalizimi rrugor duhet të mbahet gjithmonë në eficiencë të përkryer nga ana e enteve të ngarkuara për vënien e tij në përdorim dhe duhet të zëvendësohet, riparohet ose hiqet kur është, qoftë edhe pjesërisht, i pavlefshëm, ose kur nuk i përgjigjet qëllimit, për të cilin është vënë.”

Më poshtë është listuar linja Kamëz- Tiranë me stacionet përkatëse, ndalesat dhe kalimet e këmbësorëve. Në asnjërin prej stacioneve të mëposhtëme nuk garantohet plotësisht siguria e këmbësorëve, pasi në 11 pika që shërbejnë si rrugë kalimi për këmbësorët nuk ka sinjalistikë që të ndihmojë kalimin e sigurtë të tyre.

StacioniVija të bardha & Rrugë për këmbësorëMe/Pa Mbikalim
Qendër Kamëzpa vijëzimPa mbikalim
3 Katëshetpa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
Shkolla “Ibrahim Rugova”pa sinjalistikë rrugore vertikale; me vijëzimMe mbikalim
BathorePa vijëzim;Pa mbikalim
ZallmnerMe mbikalim
KastratiPa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
Universiteti BujqësorMe mbikalim
Tregu i InstitutitPa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
PaskuqanPa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
TreshiPa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
Pallati i VerdhëPa vijëzim; pa rrugë për këmbësorëPa mbikalim
Kthesa e KamzësPa vijëzim;Pa mbikalim

Ndër rrugët më të vështira për këmbësorët është ajo që të çon në stacionin e Paskuqanit. Aty nuk ka asnjë rrugë kalimi të përcaktuar për njerëzit, ndaj këmbësori duhet të jetë tepër i vëmendshëm sepse automjetet vijnë nga katër kahe të ndryshme, dhe duhet të kalojnë një sistem 3 rrugësh për të marrë autobusët e linjës brenda njësisë administrative të Paskuqanit. Këmbësori në Kamëz e ka të vështirë të orientohet, edhe më të vështirë të mbrohet dhe të pamundur të zbatojë rregullat elementare të kodit rrugor, kjo për shkak të mungesës së sinjalistikës, semaforëve dhe policëve rrugor.

Kalim këmbësorësh në zonën e Paskuqanit, Kamëz. Në foto: kalim këmbësorësh në zonën e Paskuqanit, Kamëz 2019

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje