Kanali vaditës në tuba dhe rruga e shkatërruar, banorët e Gurë Lurës në protestë

Ronald Qema | 10.04.2025 | nyje.al

Banorët e Gurë Lurës organizuan sot një protestë në Tiranë, kundër ndërhyrjeve të kompanisë “Balkan Green Energy” që kanë dëmtuar natyrën e fshatit dhe kanalin e ndërtuar me punë vullnetare 60 vite më parë. Kompania ka përfituar licencën e shfrytëzimit të rrjedhës së kanalit për prodhim energjie përmes HECit me kapacitet 0.75 Mw, por banorët shprehen se ajo ka ndërhyrë në kanalin vaditës me qëllim që të rrisë sasinë e prurjeve duke e dëmtuar atë. Gjitashtu në një pjësë të tij, në Xhaxhaj, kompania e ka futur ujin e kanalit në tuba për një gjatësi rreth 400 metra. 

Sot jemi mbledh në një protestë modeste për konçesionarin që vepron në Gurë Lurë. Në Gurë Lurë është bë një masakër mjedisore, që në asnjë vend të botës nuk është ba. Ne i kërkojmë konçesionarit të dali këtu e të vijë të përballet me ne. Ne nuk kërkojmë që të mos ketë zhvillim zona, ne kërkojmë parametrat, siç i ka ministria e Mjedisit, siç janë ligjet e shtetit tonë. – Sul Murati, banor i Gurë Lurës

Banorët u shprehën se gjenden poshtë zyrave të kompanisë “Balkan Green Energy” për të gjetur zgjidhje për dy problematika që ato kanë. Problematika që janë shkaktuar nga kompania dhe duhet të jetë ajo e cila duhet të zhbëjë ose rregullojë dëmet e ndërhyrjeve në mjedis. 

“Dy janë problemet që sot kërkojmë zgjidhje: 

Ne si fshat, duke qenë se ne jemi në dijeni, se ne jemi taku, kemi bo mbledhje e kemi vendos për të protestu, i jemi drejtuar konçesionarit për të biseduar edhe për të rregulluar Xaxhajn, ndoshta jo në gjendjen e mëparshme, por të rregullohet. 

Por njëkohësisht edhe rruga të rregullohet. Ose të bëhet e njëjtë, ose të prishet e të shkojë si ka pas ekzistu.” – Hamit Nezha, banor i Gurë Lurës

2015
2025

Punime pa dijeni të banorëve e as institucioneve

Gurë Lurasit treguan se futja e ujit të kanalit në tuba, dëmtimet e tij dhe tokave të bashkfshatarëve i kanë marrë vesh vonë dhe se nuk kanë pasur asnjë kontakt me kompaninë koçensionare. Largimi i tyre nga fshati për shkak të vështirësive të jetës rurale dhe mungesës së infrastrukturës është interpretuar nga kompania si dorëheqje e tyre nga prona. Si rrjedhojë, ata nuk kanë qënë pjesëmarrës në asnjë proces vendimmarrjeje apo konsultimi. Ndryshe nga ç’ka mban mend Abaz Kalia nga nisja e punimeve për Kanalin e Gjalicave 60 vite më parë. 

“Në vitin 1966 kanë ardhur përfaqësues nga Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe dhe ka bisedu me popullin për të marrë leje për me hapë kanalin e Gjalicave. Dhe pasi i kanë marrë dakordësimin, kanë bërë dokumentat me fut në kanal vetëm njëmijë litra ujë në sekond. Ndërsa italiani e ka marrë në 95-ën, nuk e di kur e ka marrë, e ka privatizu dhe e ka trefishu ujin (e marrë). Arriti puna sa u shkatërrua kanali, u shkatërruan tokat, u shkatërrua panorama në fshatin Gjurë Lurë, ku janë me mijëra arrni e pemë.” – Abaz Kalia, banor i Gurë Lurës

Banorët ngrenë dyshime se punimet e kryera vitet e fundit nuk kanë pasur asnjë dokumentacion mbështetës nga institucionet shqiptare. Të gjitha këto ndërhyrje që kanë dëmtuar natyrën, infrastrukturën dhe pronat e banorëve janë bërë pa lejet e posaçme shprehen ata. 

“Të dalin përfaqësuesit e Balkan Green Energy e të na thonë, këto punime që janë bë në Xhaxhaj, në fshatin tonë, kanë leje ndërtimi, kanë leje mjedisore? I kanë premtu fshatit që ça kanë prishë do të pyllëzohet? Jo që nuk është pyllëzuar, por është një tmerr i vërtetë. Të dalin, të zbresin poshtë, mos të rrinë atje.” – Sul Murati 

Për banorët shkatërrimi është lehtësisht i kqyrshëm dhe për insititucione që kanë sy për ta parë atë i ftojnë ta vizitojnë dhe të marrin masa për mbajten e kompanisë si përgjegjëse. Ata u shprehen se do t’i dorëzojnë denoncimet tek institucionet përkatëse.

“Ne sot kemi ardhë me një protestë paqsore, por protestën do ta përshkallëzojmë, të gjitha letrat do t’ua çojmë të gjitha agjencive shtetëore të shtetit shqiptar, deri në SPAK do t’i çojmë letrat tona. Kjo masakër është krejtësisht e papranueshme, çdokush mund t’i shohë këto foto sot këtu, është një tmerr i vërtetë. I bëjmë thirrje gjithë mediave shqiptare, gjithë organizmave shtetërore të shtetit shqiptar të vinë në fshatin tonë e të verifikojnë se çfarë është bë në fshatin tonë.” – Sul Murati 

Nga kompania presin reagim 

Përgjatë protestës që zgjati rreth një orë banorët pritën që përfaqësues të kompanisë “Balkan Green Energy” të zbrisnin dhe t’i takonin për të krijuar mundësinë e një dialogu. Kjo nuk ndodhi për sa kohë ata ishin aty dhe organizatorët e protestës u shprehën se gjithsesi i japin kohë konçesionarit 3-4 ditë. Nëse edhe brenda këtij afati ata nuk do të kenë një takim me kompaninë, banorët u shprehën se protestat do të përshkallëzohen dhe do të detyrohen të marrin masa që të nxisin reagim. 

“Ne nuk kemi ardh këtu të bëjmë dhunë. Ne kemi ardh që bashkarisht me firmën konçesionare të bëjmë marrëveshje mor. Ne s’jemi për dhunë, nuk jemi kundra zhvillimit, të dalin të zbresin poshtë. Do të përshkallëzohet protesta.” – Sul Murati 

“Po t’i bllokojmë ujin nesër konçesionarit, nuk ka ka shkon, nuk vjen me helikopter. Se Xhaxhajn e ka prish vetë, nuk kalon Gjalicave, këtej nuk kalon se nuk e lemë ne, se është prona jonë. Ai s’ka si kalon pa pasë asnji lloj kontributi. Në momentin që nuk reagojnë, do të bëjmë një njoftim dhe protestën tjetër. Do të shkojmë dhe do të tentojmë të bllokojmë kanalin. Nuk ka çfarë na bënë asnjë lloj shteti demokratik, se ka bë masakër. Shpresoj që edhe institucionet shtetërore të reagojnë.” –  Hamit Nezha 

Banorët kanë tentuar të gjejnë mënyra për të ndërgjegjësuar kompaninë për përgjegjësinë që ajo ka për riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga ndërhyrjet e saj por janë përballur me mospërfillësi dhe arrogancë nga përfqësuesit e saj. Hamit Nezha shtoi gjithashtu se i kanë akuzuar për gjob-vënës dhe ushtrues presioni ndaj investitorëve privatë.

Konçesionari jo që nuk na është përgjigj, por na është tregu shumë arrogant. Nuk ka denjuar as të na takojë, dhe aq më tepër na ka thënë, ka deklarue se ne do të njoftojmë ambasadën italiane, se ne po na bëni presion. Që ta marrin vesh, që çdo italian me e pa se ça masakre ka bo konçesionari në Xhaxhaj, në Gurë Lurë, është e tmerrshme, i vë durt kokës. Dhe nuk është presion, i kemi kërkue me mirëkuptim, qetësi e dashamirësi, jemi tregu shume tolerant, i themi konçesionarit, nuk jemi tregu tolerant nga padituria, por vetë shkëputja e bashkëfshatarëve nga zona ka bë që vëmendja jonë të jetë jo e domosdoshme, jo e plotë. Tani që rruga është rregullue për Lurë, është bo asfalt dhe fshatarët janë rikthye në vendlindje, t’kemi kërku diçka. Ata nuk kanë denju as të na presin në zyrë. Ashtë një arrogancë e papame. – Hamit Nezha

“Balkan Green Energy” sh.p.k është një prej kompanive me shumë HECe nën zotërim në Shqipëri, 24 në total të shpërndara që nga Lekbibaj në Piqeras. Të gjithë këto centrale janë të kapaciteteve të vogla të prodhimit të energjisë, që nisin nga 0.1 Mw në licencën e HECit në Lozhan të Korcës deri në 4.8 Mw në Arras të Dibrës. Në total sasia e kapacitetit të licencuar është 21.96 Mw sipas Regjistrit të Licencave për Prodhim të Energjisë Elektrike. 

Kompania është themeluar në vitin 2006 dhe është shoqëri degë e kompanisë “ESSEGEI” me seli në Romë, Itali. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje