Antonela Pepkolaj | 05.12.2022| nyje.al
Kusht për mbijetesë mund të jetë përshtatja; diferencimi nga të tjerët; njohja e Tjetrit si mënyra me të cilën shquajmë veten; apo vrasja e Babait për të afirmuar veten. Në rastet në të cilat Tjetri tashmë të ka diferencuar nga vetja dhe nuk dëshiron të asocionohet me ty, kjo lë pak ose aspak hapësirë për t’u përshtatur, apo për mbijetesë. Mbijetesa bëhet një çështje e brendshme, që i përket unitetit, i cili ekziston falë një identiteti të përbashkët.
Identiteti është edhe premisa nga e cila niset Ida për të bërë një kategorizim të njerëzve që njeh. I ndan në: të tjerët si të tjerët dhe, të tjerët si ajo. Te të tjerët si ajo, hyn vetëm i ati i Idës. Ndoshta është Ida që ka dëshiruar gjithmonë t’i ngjajë të atit, ndaj identifikohet me të. Gjithsesi për të mbetet i pakundërshtueshëm fakti se, te i ati ajo evidenton gjithë gjërat që të tjerëve u shpëtojnë.
I ati i Idës i përzgjedh me shumë kujdes njerëzit me të cilët shoqërohet, janë njerëz me njëfarë sqime dhe krenarie, njerëz që, në termat e të atit të saj, kanë dinjitet. Por Ida e di se babait të saj nuk i intereson të ruajë dinjitetin e askujt, sepse ai flet me shumë cinizëm për këdo që i jep sadopak rëndësi vetes dhe, sepse nuk ka hezituar edhe t’u bëjë ndonjë të keqe të vogël, të tipit t’i gënjejë apo t’i përdorë për t’i bërë ndere të ndryshme. Sërish Ida ka dalë në përfundimin që njerëz të tillë i mban afër si një metër për vetveten. Pret t’i kuptojë dhe tejkalojë, që më pas t’i trajtojë me mirësjelljen më hipokrite dhe sipërfaqësore të mundshme. Ky qëndrim, Idës i ngjall një ndjesi frike dhe tmerri, kjo ka qenë dhe arsyeja e parë pse Ida e ka urryer babain e vet.
Donte të lutej për të, por nga frika se mos e ekspozon para Zotit, e la. Jo sepse Zoti nuk është i aftë të kuptojë, por sepse nuk kishte dijeni nëse të kesh vetëdije të lartë dhe ta përdorësh këtë në favorin tënd, është mëkat apo jo. Përveç kësaj, ideja se Zoti mund ta bënte të atin e saj fatkeq, ta vendoste në rrethana ku nuk do të ushtronte dot autoritetin e tij të heshtur, e tmerronte më shumë se ideja që i ati i saj mund të jetë një hipokrit. Të urresh tët atë pse është i vogël, dhe jo pse është i madh, është njësoj si të thyesh kryet për tavan; është vetëvrasje.
Ida besonte se i ati i saj fshihte nevojën për t’u mahnitur dhe, duke qenë se askush nuk ia plotësonte këtë nevojë, i shikonte pjesën më të madhe të njerëzve si njerëz të dorës së dytë. Këtë e ka vënë re disa herë, në rastet kur ai ka lavdëruar gjëra që i urren, të tipit veshje, kombinime ngjyrash, shijet specifike të njerëzve në përgjithësi. E dinte se babai i vet ka një dobësi për të bukurën dhe, fakti që gënjente për gjëra që realisht nuk i honepste fare, tregonte që ka humbur shpresën se dikush mund t’i shkonte për fije. Megjithatë, ai ka qenë shpesh kritik ndaj Idës, kur nuk kurohej në paraqitje, kur e linte veten pas dore, kur – siç shprehej ndonjëherë – nuk ka hije si femën.
Në marrëdhënie me të, Ida besonte se babai donte ta ruante të brishtë dhe të dobët. E vëren në faktin se, nuk pret asnjëherë prej saj që të plotësojë nevojat e veta, për pasojë duke e lënë me një sens të dobët autonomie. Është menduar gjatë, nëse kjo sjellje është instikt natyral apo është sjellje e mësuar. Nëse, duke e mbajtur të brishtë do ta mbajë njeri të hapur apo receptiv dhe, nëse duke e mbajtur të dobët apo naive, do e mbajë të çiltër. Shpesh e nënkuptonte se duhej të rrinte e virgjër, se dashuria e gruas shkon duke u sosë dhe se, e mashkullit i takon vetëm njërës: asaj që nuk e ka sosë me të tjerët. Këtë Ida e shikonte si inerci prej malësori, por e justifikonte duke thënë se “i njëjti njeri që sot më thotë të ruaj virgjërinë, është i njëjti njeri që ruajti gjuhën dhe fenë”.
Anën e vet fisnike e tregon vetëm me ata të cilët realisht i kanë bërë përshtypje, që janë pak. Gjëja që Ida admiron më shumë te babai i vet, është se ka krijuar tolerancë ndaj të keqes, por jo ndaj banalitetit. Për të janë të neveritshme kompromiset, servilizmat, injoranca, mungesa e disiplinës. Paçka se e keqja nuk e lartëson njeriun, e mëson atë, ndërsa banalja vetëm e poshtëron. Këtë Ida e ka mësuar nga i ati.
Ka mësuar gjithashtu të respektojë fëmijërinë dhe mënyrën sesi është rritur. Paçka sa ndryshojnë njerëzit, sistemi i mendimit me të cilën është ushqyer si fëmijë, do të mbetet gjithmonë njëfarë ideali, për të cilin do të ketë nostalgji. Këtë e kuptoi kur i ati zihej me babën (gjyshin). I ankohej se është njeri kokëshkëmb, se nuk ka pasë ndonjëherë veshë për familjen e vet. Kështu e kafshonte ngapak çdo ditë. Derisa baba vdiq. Dhe i ati i Idës e varrosi atë si njeri të gjymtë. Prej turpit që baba ishte i gjymtë, i humbi siguria në vetvete, për pasojë edhe sensi i krenarisë dhe dinjitetit, me të cilin justifikonte epërsinë që mendonte se kishte. Deshi ta ndryshonte, por baba nuk preket. Babën duhet ta kishte gjetur në tru dhe ta vriste aty.
Ndonëse represioni ngjante si kurajo dhe trauma si disiplinë, për Idën, fëmijërija dhe i ati janë pjesët më intime të vetvetes. Pyet veten nëse kjo ndjesi veçimi që e kanë të përbashkët, vjen prej ndonjë paaftësie për ta ndarë veten me tjetrin, apo prej ndonjë disonance natyrale me njerëzit në përgjithësi. Ndoshta është edhe sëmundje, por të paktën është e vërtetë.