Homazhe, marshim dhe thirrje për drejtësi në protestën e 6-të për Martin Canin

Selma Daku | 18.01.2025 | nyje.al

Protestat për vrasjen e Martin Canit kanë qenë të njëpasnjëshme dhe kanë nxitur reagime të shumta nga prindërit dhe shoqëria civile, të cilët kanë kërkuar siguri për fëmijët e tyre në ambjentet e shkollës. Dy muaj pas ngjarjes, grupi Prinderit per arsim cilesor  ku bëjnë pjesë prindër, qytetarë dhe aktivistë, u mblodhën sërish këtë të shtunë për të rikujtuar rastin e Martinit. Ata mbajtën homazhe duke ndezur qirinj përpara shkollës “Fan Noli” ku ndodhi vrasja, duke shprehur edhe njëherë solidaritet për ngjarjen. Të pranishëm ishin edhe familjarët e Martin Canit, së bashku me shokun e tij të ngushtë, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur gjatë incidentit.

Homazhet u pasuan me marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, gjatë të cilit protestuesit mbanin në duar pankarta me mesazhe për drejtësi për Martinin dhe siguri për të gjithë fëmijët e tjerë. Veç pankartave, marshimi u shoqërua dhe nga thirrjet e vazhdueshme që aktivisti Arben Kola drejtonte për të gjithë qytetarët përreth për të thyer heshtjen dhe për t’iu bashkuar protestës.  

“Drejtësi për Martinin. Mos heshtni! Bashkohuni! Edukoni! Reagoni! Mos prisni që e keqja t’iu trokasë në derë!”

Sipas aktivistes Sidorela Vatnikaj, kjo ngjarje është shëmbëlltyra e sistemit aktual ku çdokush në institucione nxiton për të larguar përgjegjësinë nga vetja, gjë që për të sjell vetëm zgjidhje sipërfaqësore, siç ka ndodhur edhe me rastin e Martinit, rast për të cilin ende nuk ka një tablo të qartë ndodhish.

“Kjo ngjarje është një pasqyrë e një sistemi të kalbur ku politikanët dhe institucionet e përdorin tragjedinë si platformë për të mbrojtur imazhin e tyre dhe për të ofruar zgjidhje sipërfaqësore. Sot dy muaj pas ngjarjes ne ende nuk kemi një përgjigje nga Ministria e Arsimit se çfarë ka ndodhur me ngjarjen dhe kush ka mbajtur përgjegjësi.” 

Aktivisti Edison Lika u shpreh i vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës për drejtësi, për Martinin, Luisin dhe për të gjithë fëmijët e tjerë. Gjithashtu ai vuri në dukje edhe neglizhencën e drejtësisë në lidhje me ngarjen ku e cilësoi një turp ekspertizën mjeko-ligjore që i është bërë Luisit pasi i janë mbyllur plagët.

“Ne do të jemi këtu nderisa çudia dhe tragjedia e madhe që ka ndodhur të marri fund njëherë e mirë. Të vendoset drejtësi për Martinin, të vendoset drejtësi për Luisin dhe të ketë siguri për të gjithë fëmijët e këtij vendi. […] Luisit, espertiza mjeko-ligjore i është bërë pasi i janë mbyllur plagët. A ka më turp?”

I pyetur nëse ka pasur ndonjë reagim privat nga institucionet e drejtësisë apo të arsimit, babai i Martinit, Angel Cani, tregoi se askush nuk i ka kontaktuar dhe nuk kanë marrë asnjëlloj informacioni nga këto institucione. Ai ka kërkuar që askush të mos heshtë, ndërkohë që thirrjen për drejtësi e ka përsëritur edhe mamaja e Martinit, Florina Cani.

“Asnjëlloj reagimi. Çdo gjë që po iu them vetëm media e ka pasqyruar. […] Dua të them sugjerimin tim, që të mos heshtim sepse heshtja vret.”

Prindërit, të frikësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, kanë ngritur zërin e tyre në lidhje me nevojën për një sistem më efektiv të mbrojtjes dhe sigurisë në shkolla dhe në ambientet përreth tyre. Në këtë protestë të gjashtë, ata kërkuan që autoritetet dhe institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe për të parandaluar që raste të tilla tragjike të përsëriten. Shqetësimi për dhunën në komunitet ka një rritje evidente, ndaj dhe qytetarët kërkojnë një angazhim më të madh për sigurinë publike. Kjo protestë ishte një thirrje për veprim, një apel për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt dhe më të drejtë për të gjitha fëmijët. Protestuesit ngulmojnë në mesazhin që vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrijmë të krijojmë një ambient ku çdo fëmijë ndihet i sigurt dhe i mbrojtur. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje