Guximi që na është i mundur

Përkthim| nyje.al| 04.05.2020

Massimo Recalcati | publikuar fillimisht te La Repubblica, më 27 mars 2020

Koha që po jetojmë ëshë koha e një traume kolektive, nëse trauma është një ngjarje që na thyen dhunshëm përfytyrimin e përditshëm të botës duke futur dimensionin ankthioz të së papriturës, të së paparashikueshmes, të së paqeverisshmes.
Për Freud-in një ngjarje mund të konsiderohet traumatike sepse duke mos qenë në asnjë mënyrë e parashikueshme ka pamundësuar çdo lloj mbrojtje. Askush në fakt nuk ishte i përgatitur për një emergjencë si kjo që po jetojmë. Një humnerë është gërmuar midis jetës sonë siç ishte përpara dhe asaj sesi do të jetë. Tamam, si do të jetë më pas?

Te një artikull i plotë dhe i pasur, i publikuar dje në faqet e gazetës sonë, Alessandro Baricco na fton me vendosmëri për të menduar mbi kohën pas traumës. Këtë e bën duke evokuar figurën e “guximit”. Në këtë kohë krize akute kjo fjalë shfaqet e interpretuar pikësëpari nga mjekët dhe personeli sanitar – të parët në frontin e llahtarshëm të sëmundjes. Ata janë aty jo të shtyrë prej shpirtit aventurier, por prej nevojës e domosdoshmërisë, ose nëse preferoni ta quajmë: si detyrim etik e profesional. Është një shembull i dukshëm i disiplinës dhe pasionit; pa u zbrapsur përballë të keqes, të jesh aty ku është dhimbja dhe frika më e madhe.

Por ftesa e Baricco-s për guxim e tejkalon edhe kohën e pikut të sëmundjes edhe të kurave mjekësore. Mund të kufizohemi te kujdesi, i nevojshëm për të mbrojtur jetën tonë dhe jetët e të tjerëve me qëllimin që të ngadalësohet zinxhiri i transmetimit të sëmundjes, ose mundemi edhe të fillojmë të kemi pikëmbështetje te guximi? Bëhet fjalë për të parë përtej ndërkohë që jemi ende të mbyllur nëpër shtëpitë tona, të shtangur nga frika, çka njihet jo vetëm nga psikoanalistët që ngushton dhunshëm horizontin e botës. Mund t’i përgjigjemi në dy mënyra mësimit të fuqishëm të traumës: të shtiremi sikur i rikthehemi jetës si më parë, sikur asgjë të mos ketë ndodhur, pra duke shpërfillur ngarkesën katastrofike të vetë ngjarjes, ose të provojmë të nxjerrim nga kjo fuqi negative e pamenduar më parë një forcë të re.

Me qenë i guximshëm për mua do të thotë: të mos shpërfillim traumën, por ta marrim si mundësi potenciale për transformim. Psikoanaliza e bën bastion të praktikës së saj: kriza më e thellë mund të shfaqet si mundësi e jashtëzakonshme për rifillim. Dhe plaga e hapur që ne shohim në të gjithë njerëzit që janë gjendur përballë rrezikut të vdekjes së tyre apo të përfshirë në një periudhë të gjatë privimi dhe dhimbjeje e që duke rezistuar dhe mbijetuar nuk ia dalin më të jetojnë si më parë. Duket sikur takimi i tyre me mundësinë tepër konkrete të fundit të tyre mund të ketë ngasur shtysën për jetën. Nevoja e tyre është shndërruar në dëshirë për të shpenzuar të gjithë kohën e mbetur nga jeta e tyre për thelbësoret; eleminimi i gjërave të tepërta, barrat penguese, pafuqia dhe utopia abstrakte për t’i lënë vend kultivimit të fuqisë jetike të thelbësores.

Kjo për mua është një formulë e guximit: çlirimi nga peshat që pengojnë shtjellimin e forcës jetike dhe basti për fuqinë pohuese të këtij shtjellimi. Po eksperimentojmë atë që është bërë e mundur, e që e konsideronim të pamundur. Në të keq kjo na ndodhi me epideminë. Askush nuk mund ta imagjinonte që bota mund të ndalej dhe vdekja të shpërndahej. Po në të mirë? Solidariteti, de-burokratizimi, ndërmarrja, fleksibiliteti, rëndësia që më në fund i njihet mjekësisë, shkollës, të mirave publike, etj. Fuqia e asaj që po ndodh nuk mund të ezaurohet në të vetmen përgjigje kolektive (të nevojshme) të distancimit social. Duhet edhe të shkurtojë kohët, të çlirojë forcat prodhuese, të favorizohen projektet, vizione dhe aksione të papërmendura më parë të paktën për aq kohë sa ishte, në të keqe, trauma e epidemisë.

Çdo traumë kërkon, në fakt, që rifillimi të jetë guximtar sepse fuqia e saj negative mund të shndërrohet në një mundësi afirmuese. E pamundura që bëhet e mundur nuk duhet të ndodhë vetëm në nivelin ankthioz të një drame krejtësisht të papritur e tronditëse që është realizuar si makthi ynë më i keq, por duhet të frymëzojë edhe përmasën gjeneruese të zgjedhjeve tona të ardhshme: guximi për nisma kolektive të konsideruara të pamundura e që më në fund shndërrohen në të mundshme.

Përktheu: Diana Malaj
Redaktoi: Genc Shehu

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje