Grupi Ata fiton gjyqin kundër Bashkisë Kamëz

26.04.201 | nyje.al

Kamëz 2018, fotografi nga Valentina Bonizzi
Kamëz 2018, fotografi nga Valentina Bonizzi

Grupi Ata përmes gjykatës detyron Bashkinë Kamëz të bëjë publike dokumentat që i ka fshehur prej shtatë vitesh. Tashmë, me vendim me ekzekutim të përkohshëm Bashkia Kamëz duhet menjëherë të bëjë publike vendimet dhe dokumentet e saj. Ky grup aktivistësh ka fituar sot gjyqin kundër Bashkisë Kamëz dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Gjykatën Administrative Tiranë. Kjo fitore shënon një moment të rëndësishëm jo vetëm për këta aktivistë, por për të gjithë qytetarët e Kamzës, pasi vjen pas një përpjekje 7- vjeçare për të shtënë në dorë informacione të rëndësishme lidhur me veprimtarinë e bashkisë. Një fitore e tillë shërben edhe si shembull dhe precedent për aktivistë të bashkive të tjera në përpjekjet e tyre për t’i bërë më të hapura dhe demokratike institucionet dhe vendimmarrjet lokale.

Më datë 3 mars të këtij viti ATA kanë ngritur kërkesë-padi kundër Bashkisë Kamëz dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit me objekt “Detyrimin e Bashkisë Kamëz të plotësojë programin e transparencës sipas parashikimeve ligjore dhe rekomandimeve institucionale”; kjo kërkesë vinte pas monitorimeve të rregullta ndër vite ndaj bashkisë me qëllimin që të bëhen publike dokumentet zyrtare që lidhen kryesisht me informacionet më të ndjeshme të këtij institucioni si: transparenca financiare, proceset vendimmarrëse të këshillit bashkiak, vendimet e kryetarit të bashkisë, të dhënat mbi kontratat koncesionare dhe prokurimeve publike, si dhe çdo veprim tjetër lidhur me pronat publike të qytetit.

Bashkia Kamëz ka pasur detyrimin ligjor që të plotësojë dhe publikojë në detaj programin e transprencës që prej vitit 2014, vit në të cilin ka hyrë në fuqi ligji nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Më pas, në sajë të urdhërit të Komisionerit nr. 211, dt.10.09.2018 “Për miratimin e Programit model të transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore” çdo bashki, përfshirë dhe Kamzën do të duhej ta kishte plotësuar modelin e përditësuar të programit të përshtatur për njësitë e qeverisjes vendore. Gjatë këtyre viteve aktivistët e ATA ka zhvilluar disa seanca dëgjimore me Komisionerin, të cilin e kanë vënë në dijeni për nivelin e ulët të transparencës së Bashkisë. Madje, në qershor të vitit 2019 Bashkia Kamëz, drejtuar nga ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu gjobitet pikërisht nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, proces administrativ i iniciuar nga Grupi Ata ndaj refuzimit sistematik të kërkesave për informacion.

Bashkia dhe Komisioneri në seancat gjyqësore e kanë mbrojtur këtë shkelje ligjore 7 vjeçare me argumentin se “plotësimi i programit të transparencës kërkon punë, staf dhe shumë kohë në dispozicion.” Ndërkohë që ky proces ka vazhduar në gjykim, Bashkia Kamëz ka bërë tentativat për të plotësuar vetëm formalisht programin në faqen e saj online, duke lënë zbrazëtira të mëdha në informacion.

Juristët e Bashkisë në mënyrë krejtësisht joprofesionale, të pabazuar në ligj, kanë ngritur dyshime mbi kërkesë-padinë duke e konsideruar atë “tendencioze” dhe me qëllim të vetëm gjobitjen e institucionit. Në mënyrë të përmbledhur ata u shprehën se kjo gjobë do të reflektonte drejtëpërsëdrejti në buxhetin e saj. Juristja e Bashkisë Kamëz, Sidorela Ismailaj është shprehur: “Lind pyetja, duke qenë se paditësit janë banorë të Bashkisë Kamëz të angazhuar për “drejtësi sociale” dhe duke pasur interesa “të larta” (fjalët në thonjëza janë shoqëruar me tone ironike nga juristja e Bashkisë) për zhvillimin e komunitetit a nuk mendojnë ata se gjoba e kërkuar do të cënojë mbarëvajtjen dhe eficencën e shërbimeve në territorin e Kamzës dhe indirekt do të rëndojë buxhetin lokal, duke përfshirë dhe taksapaguesit në fjalë. Programi i transparencës kërkon vazhdimësi në staf, në kohë dhe në ekonomi ndaj Bashkia Kamëz është në përpunim e sipër të programit të transparencës.”

Ndërsa juristja përfaqësuese e Zyrës së Komisionerit Zj. Silvana Sata thekson se institucioni që përfaqëson nuk duhet të përfshihet në këtë proces gjyqësor. Edhe pse në proces gjyqësor, ajo vazhdon të mbrojë institucionin e Bashkisë duke e toleruar pa u bazuar në ligj për vonesat disa vjeçare në raport me programin e transparencës. Ajo ka thënë se, “Ne shprehemi relativisht të kënaqur që Bashkia ka reaguar, dhe që ky program nuk është i thjeshtë të plotësohet sa ç’e mendon qytetari,” duke shkuar më tej dhe duke akuzuar kërkesë-padinë si një tjetër përpjekje për të hedhur “baltë” mbi zyrën e Komisionerit, sipas së cilës është institucion  “gjakftohtë” që punon mbi parimin e objektivitetit.

Për të dyja pretendimet e ngritura nga palët e paditura, avokatja përfaqësuese e Grupit ATA, Dorina Ndreka, paraqiti argumentet kundërshtuese bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, duke hedhur poshtë pretendimet e palëve për tolerime “mbi pesë-vjeçare” të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Po aq, gjobvënia e pretenduar nga Bashkia Kamëz, edhe pse del jashtë objektit të padisë së Grupit ATA, u theksua se nuk do të paguhej nga buxheti publik, por nga titullari i Bashkisë, Rakip Suli.

Avokatja ka theksuar se ky proces ka rëndësi për të gjithë qytetin e Kamzës. “Nëse një qytetar i Republikës së Shqipërisë ka detyrime financiare apo të tjera ndaj shtetit, shteti nuk e fal atë duke i dhënë edhe më shumë kohë në dispozicion, por përkundrazi merr masa ndaj tij. E njëjta logjikë, në mos edhe më strikte duhet të ndiqet edhe për rastin kur janë institucionet shtetërore ato që kanë detyrime ndaj qytetarëve. Detyrimet e tyre duhet të plotësohen në kohë dhe sipas parashikimeve ligjore e kushtetuese.” Sipas saj, të dyja palët e paditura e kanë pranuar objektin e padisë pasi kanë pranuar se “kemi më shumë nevojë për kohë, dhe jemi në proces monitorimi”.

Gjykata Administrative ka pranuar padinë duke kërkuar nga institucioni i Bashkisë Kamëz plotësimin e programit të transparencës sipas urdhërit të Komisionerit dhe dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm, duke ia ngarkuar shpenzimet gjyqësore Bashkisë. Qytetarët e Kamzës do të duhet të kenë mundësi t’i qasin të gjitha dokumentet dhe vendimmarrjet e institucionit të tyre lokal brenda një kohe shumë të shkurtër. Ky vendim Gjykate e bën më demokratike dhe më ligjore Bashkinë e këtij qyteti.

  • Post comments:2 Comments

This Post Has 2 Comments

Lini një përgjigje