Gratë e Kruščicës për Shushicën, aksioni i radhës kundër ujësjellësit që lë pa ujë 37 fshatra

Fotolajm | 13.06.2024 | nyje.al

Fushata në mbrojtje të Shushicës pati dje aksionin komunitar të radhës. Banorë të fshatrave të prekura nga projekti infrastrukturor, bashkë me gratë e Kruščicës nga Bosnja Hercegovina, si dhe aktivistë e gazetarë, përfaqësues të organizatave dhe avokatë të përfshirë në çështje ligjore-mjedisore shpalosën edhe njëherë parullën “Save our Shushica”.

Thirrja për mbrojtjen e një prej degëve të Vjosës, pjesë e Parkut Kombëtar shpallur në vitin 2023, vjen prej rrezikut real që po i kanoset këtij burimi prej ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit për qytetin e Himarës. Banorët e 37 fshatrave të prekur nga ky projekt prej muajsh dhe në mënyra të ndryshme e kanë kundërshtuar atë duke argumentuar që pasojat për jetën e tyre, për lumin dhe për florën e faunën do të ishin të pakthyeshme dhe aspak të justifikueshme. Revolta e banorëve është e madhe teksa shtrojnë se projekti është investim kryesisht për turizmin masiv, duke përjashtuar nevojat e komunitetit lokal dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Në shenjë solidariteti, dhe për të treguar që çështja e lumit është jetike, po aq edhe një ndër përbashkuesit më të fortë të rezistencave në rajon e kudo në botë, gratë e guximshme të Kruščicës iu bashkuan dje banorëve të Kuçit dhe Brataj. Të dalluara ndërkombëtarisht për vendosmërinë e tyre duke bllokuar për më shumë se 300 ditë terrenin për ndërtimin e hec-it në fshatin e tyre, gratë e Kruščicës janë bërë simbol rezistence për ujin, lumin dhe të mirat e përbashkëta. Ato i komunikuan banorëve rëndësinë e rezistencës, duke ftuar gratë e zonës për t’u bashkuar edhe më shumë në numër në krah të burimit të Shushicës.

Plani i ndërtimit të ujësjellësit për Himarën, në një gjatësi prej 17.3 km, devijon burimin, duke shkelur haptazi edhe parashikimet ligjore të cilat e mbrojnë këtë zonë si pjesë të Parkut Kombëtar. Një vit prej se qeveria shqiptare u zotua ndërkombëtarisht për ruajtjen e Vjosës, duke e shpallur Park Kombëtar, situata në terren dhe trajtimi faktik i burimeve natyrore dhe parqeve kombëtare rezulton të jetë e përkundërt. Diku një hec, diku një projekt infrastrukturor në shërbim të investimeve strategjike rrezikon dhe kanos parqet kombëtare, teksa po aq institucionet po rrisin presionet për të shtypur, kriminalizuar dhe shuar protestat dhe kundërshtitë komunitare.

Teksa banorët zotohen për vazhdim të rezistencës deri në fitore, ka marrë udhë procesi gjyqësor në Gjykatën Administrative të Lushnjës për ta kundërshtuar edhe në rrugë ligjore këtë projekt. Iniciuar nga banorët dhe organizata Eco-Albania, dhe të përfaqësuar nga avokatët e qendrës ligjore Res Publica, procesi gjyqësor është një tjetër lëvizje komunitare nga i cili pritet drejtësi.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje