Gjykata Kushtetuese favorizon studentët e mjekësisë

nyje.al | 26.01.2024 

Gjykata Kushtetuese ka publikuar dje vendimin për pranimin e kërkesës për shfuqizimin e disa prej dispozitave të ligjit për studentët e mjekësisë i cili parashikonte mbajtjen me detyrim për pesë vite në Shqipëri duke ua kushtëzuar atyre diplomimin. Disa prej parashikimeve të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshmenë institucionet publike të arsimit të lartë”, u konsideruan nga Gjykata Kushtetuese si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pas shqyrtimit të çështjes, trupa gjykuese me shumicë votash ka vendosur të shfuqizojë pjesë të formulimeve në nenin katër që lidhen me përcaktimin kohor të detyrimit të ushtrimit të profesionit në vendin tonë pas përfundimit të studimeve. Gjykata u shpreh se vendimi vjen pas analizimit të proporcionalitetit të masës shtetërore me të drejtat për arsim dhe punësim, që Kushtetua e Shqipërisë i njeh në nenet 49 dhe 57 të saj.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. 

Gjithashtu edhe përcaktimi kohor për punësim të detyrueshëm për studentët në proces të studimeve, ashtu si afati 5 vjeçar është gjetur nga Gjykata si disproporcional. Kësisoj ka shfuqizor fjalët “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.

Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen. 

Gjykata ka argumentuar gjithashtu se ka zbrazëti ligjore në parashikime specifike lidhur me kriteret objektive të punësimit, trajtimit financiar dhe përllogaritjen e afateve në kohëzgjatjen e periudhës së punës së detyruar për studentët. Për shkak të shfuqizimit të dispozative, Gjykata ka vlerësuar t’i caktojë kuvendit të miratojë të gjithë ndryshimet e nevojshme brenda një periudhe 3-mujore.

Studentët e mjekësisë e kanë kundërshtuar prej muajsh qëndrimin e qeverisë shqiptare lidhur me politikat e tyre arbitrare. Ata janë organizuar në protesta, bojkotim orësh mësimore, debate publike dhe rrugë gjyqësore. Dea Guri, një prej studenteve më të zëshme e angazhuar që në krye të herës në këtë lëvizje është shprehur:

Ne po lemë gjurmën tonë, vendosëm të ndryshonim rrjedhën e historisë sonë. Me  vendosmëri, me organizim, lodhje, mund, ditë të gjata e netë pa gjumë, protesta, komisione, fjalime, deklarata, bojkot, zhurmë, debate, mllef, inate. Të gjitha në pak kohë, por të përkthyera në një tjetër fitore.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje