Forte Prenestino: Kështjella që jehon rezistencë
Dorina Pllumbi & Diana Malaj | 24.03.2024 | nyje.al
Në laboratorin e luftës kundër gentrifikimit (Lotta alla gentrificazione) u ftuam me datë 2 mars të ndanim përvojën tonë për rrezikun konstant të gentrifikimit në Kamëz e Tiranë. Në një qendër sociale të vetë-administruar nga aktivistë patëm mundësi të flasim për mënyrën se si këto dy qytete po i raportohen këtij rreziku. Folëm për luftëra të dukshme e të padukshme, të përcaktuara e të papërcaktuara, nga margjinat e margjinave dhe margjinat e qendrës. Në një kohë kur bota po “luan” luftash dhe rreziku i shpërthimit e zgjerimit të konflikteve është kaq prezent, ne vizituam një kështjellë të luftrave të përditshmërisë, Forte Prenestino-n në Romë, Itali.
Ndryshe nga shumë kështjella në botë të cilat na flasin për luftra të arkivuara në libra të historisë, Forte Prenestino, është një kështjellë që vazhdon të qëndrojë në ballë të luftrave të përditshme nga një pozicion stoik dhe i panegociueshëm në periferinë lindore të Romës të quajtur Centocelle. Një portë e madhe monumentale me flamurin e Palestinës në krye na kujton se lufta është një realitet prezent dhe se qëndrimet e qarta politike duhet të thuhen e të shkruhen që në krye të herës.
Muri rrethues madhështor i kështjellës, siç është tipike në ndërtime të tilla fortifikuese të shekullit të XIX, ka përqark vetes një hendek si element të shtuar mbrojtës. Me të kaluar portën kryesore, gjendemi në një korridor madhështor në formën e një tuneli të errët që ndriçohet vetëm në fundin e tij. Në të dy anët e këtij korridori ka kthina që strehojnë funksione të ndryshme si sekretarinë, nje infoshop plot me libra të përzgjedhur, një dhomë çaji, kinema, palestër. Në kështjellë zhvillohen punishte të ndryshme, për dizenjim grafik e arte të tjera vizuale. Në pjesën e saj të nëndheshme, dhomëzat janë përshtatur për ndërhyrje artistike në trajtën e rezidencave personale e kolektive të artistëve të angazhuar politikisht në realitete të ndryshme lokale.
Muret e kështjellës nuk janë të higjenizuara, me një gjuhë estetike të mirëpranuar e gjithëpërfshirëse. Ato janë të mbushura me mesazhe politike, pankarta, postera e sticker-a, gjithsecili duke konkuruar me tjetrin ngjitur për të kapur vëmendjen e syrit që u afrohet. Mesazhe të cilëve nuk mund t’u rrish indiferente. Provokuese, therëse, me humor të mirë, apo dhe nga ato që të zënë në befasi për nga e vërteta që të kallëzojnë. Çdo sticker, sado i vogël e i mënjanuar të jetë, është shenjë e botëve që kanë qenë dhe janë të pranishme në atë hapësirë. Natyrshëm, trupi fillon të relacionohet me këto mure që kërkojnë të lidhen me ty, të të komunikojnë diçka, të të shkundin gjendjen psiko-emocionale. Këto mure kështjelle, që sado të rënda, nuk janë aspak të ngurta.
E kështu kështjella gjeneron valë vibruese, që rezonojnë midis gurëve, mureve, trupave njerëzorë, insekteve, kafshëve e bimëve që e popullojnë atmosferën, si dhe qetësisë së sfondit apo muzikës së përzgjedhur me kujdes, në varësi të orarit. Ky vend nuk është asnjëherë i njëjti, edhe pse ka ritualet e veta. Kulmin e gjallërisë, kështjella e fiton pasdite me takime kulturore e politike, shumë aktuale, disa utopike, e disa qartësisht ekzagjerime performative që të ftojnë në imagjinatë e fluturim. Natën muret tunden nën tingujt e muzikës punk, rave, reggae, apo rap. Sakaq, kështjella merr një tjetër konfigurim. Adoleshentë, të rinj e të reja, gjeneratat e mëparshme që e kanë krijuar atë vend, grupe underground, artistë e banorë të asaj pjese të Romës bashkëndajnë të njëjtën hapësirë, e cila me sfondet e saj diverse të përnatshme ka krijuar hapësira lirie për secilën e secilin që e frekuenton.
Mëngjesi që pason një natë të pafre muzike e feste, është i ngadaltë dhe i vonë. Porta e kështjellës është e mbyllur, ajo trupëzon një front, atë mes një territori të çliruar dhe territoreve që presin të çlirohen. Portat hapen diku nga mesdita, kur kështjella fillon të popullohet me jetë, kur të rinj të komunitetit futen për të vazhduar bisedat me njëri-tjetrin. Kjo është kështjella e tyre, e kanë të trashëguar brez pas brezi, nga beteja në betejë. Në oborret e gjalla me grafiti e skulptura metalike duket edhe një kënd lojrash për fëmijët e luftëtarëve. Rezistenca duhet edhe riprodhuar, se përndryshe vdes. Ata që e banojnë pjesën e saj të epërme e kanë kultivuar me pemë e bimë. Hapësira të ndryshme të kështjellës banohen nga ata që punojnë aty, që kontribuojnë në kuzhinë dhe në aktivitete të tjera të përditshme, nga njerëz në lëvizje, nga ata që janë në kërkim të një jetë të thjeshtë, përmbushëse e të sigurtë, ata që duhet t’ia dalin medoemos dhe që ky komunitet ia jep një dorë gjithsecilit që e ka të nevojshme.
Ndërkohë nuk është aq e lehtë të dallosh nëse është kështjella që e mban rezistencën gjallë, apo është rezistenca ajo që mban kështjellën. Koncepti i materies vibrante (vibrant matter) është përkufizuar nga filozofja Jane Bennett, dhe sugjeron se materia mbart vitalitet dhe forcë për veprim, pra nuk është në fundin e hierarkisë së entiteteve, në krye të të cilës, në mënyrë iluzive antropocentrike, besojmë që qëndron njeriu. Ky koncept thekson rolin aktiv të jo-njerëzores në prodhimin e jetës. Bennett sfidon të kuptuarit të materies si pasive, të parëndësishme, apo kollaj të përpunueshme. Ajo argumenton se ne, njerëzit, mund të zhvillojmë një marrëdhënie më etike me botën rreth nesh, duke mos nënrenditur materialen por duke i njohur pjesëmarrjen e saj aktive në prodhimin e hapësirës ku ne jetojmë.
Një kështjellë e shekullit të XIX, si ajo e Forte Prenestino-s, e zaptuar në 1986, qëndron si hapësirë autonome, si simbol i gjallë i rezistencës ndaj pushtimeve të ditëve të sotme, të kapitalit, të dhunës shtetërore oligarkike, të praktikave pushtetore imperialiste, kolonialiste e patriarkale. Një kështjellë për luftëtarët që nuk heqin dorë, e që na ftojnë edhe ne, subjektet e shqetësuara e të angazhuara të një realiteti tjetër përtej Adriatikut, me i dhënë zemër njëri-tjetrit për të vazhduar betejat e përditshme si individuale e të përbashkëta.
Në Forte Prenestino, në këtë vend që e tejkalon imagjinatën, në laboratorin e luftës kundër gentrifikimit folëm për sfidat e margjinave të Kamzës e Tiranës. Një vit pas organizimit të laboratorit kundër gentrifikimit me titullin “Ta marrim mbrapsht qytetin” (Take back the city) me të ftuar nga qytete të ndryshme të Europës, kësaj radhe laboratori i kushtonte vëmendje specifike Shqipërisë. Aktivistët e Forte-s e kanë parë nga afër ndërhyrjen agresive të kapitalit dhe mafias në kryeqytetin shqiptar, dhunën e shembjeve të shtëpive në lagjen 5-Maji, rrezikun që i kanoset periferisë si dhe kanë dëgjuar prezantimet e pjesëmarrësve të Laboratorit të Antropologjisë Urbane mbi historitë e ndërtimit të lagjeve në Kamëz në vitin 2022. Po aq, në të njëjtin laborator një vit më parë aktivistë nga Shqipëria nga lëvizja për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar (Ervin Goci), nga grupimi i aktivistëve “E drejta për qytetin” (Fation Kryeziu, Edison Lika, Sidorela Vatnikaj), si dhe vetë banorë të përfshirë në rezistencën për 5-Majin (Ndue Marku) kanë bashkëndarë përvojat e tyre.
Për të vazhduar debatin mbi situatën politike e sociale në Shqipëri, dhe për të bashkëndarë praktika e metoda të tjera veprimi në qytet ne prezantuam përpjekjet për rezistencat përbashkuese urbane (urban commoning) duke u ndalur specifikisht në ato çka lëvizjet migratore kanë krijuar si kundërpërgjigje ndaj formave asimetrike e të padrejta të marrëdhënieve të pushtetit, duke marrë dy raste studimore të Kamzës dhe Kombinatit. Të dy këto qytete përbëjnë territore jete të krijuara në sfonde të ashpra e stigmatizuese në të cilat bashkë-krijimi i qytetit e i lagjes, ka për bazë aktet reciproke ndihmuese mes banorëve, si mënyra për t’ia dalë por edhe për t’i bërë drejtësi një jetë me drejtësi të vonuar.
Takimi u zhvillua në sallën e kinemasë së Forte-s, e cila sapo kish përcjellur një numër të madh tifozësh festiv të skuadrës së Romës. Një tjetër hapësirë takimi që na flet për larmishmërinë e mënyrave sesi njerëzit mund të bëheshin bashkë te Forte. Një festival muzike Reggae, Roots & Dub ‘kërcënonte’ nga momenti në moment me furinë, padurimin dhe energjinë fluturake të pjesëmarrësve të merrte të gjithë vëmendjen nga prezantimi. Përpara se të flisnim me frekuentuesit e Forte-s, patëm mundësinë të bisedonim live në Radio Onda Rossa mbi prezantimin tonë. Onda Rossa ishte radio e themeluar që prej vitit 1977 e vetëidentifikuar jo si radio e lirë, por radio militante. Radioja -teksa po përgatitej të hapte diskutimin për Shqipërinë- po i bënte jehonë manifestimeve pro palestineze në të gjithë Italinë, teksa priste nga momenti në moment të dëgjonte poshte dritareve te saj thirrjet e studentëve, aktivistëve e protestuesve për armëpushim nga marshimi i tyre në rrugën Tiburtina në lagjen San Lorenzo.
Qyteti, radioja, muret e Fortes, gjithçka rreth nesh ish tepër e gjallë, dhe thërriste për liri, drejtësi, revoltë dhe përbashkim. Forte Prenestino ish mishërim i kështjellës së lirisë ndaj pronësisë mbi qytetin, rezistencës ndaj kontrollit të trupave tanë në qytet nga babëzia që e quajnë zhvillim e progres. Një kështjellë në mbrojtje të fjalës së lirë, të individualitetit të gjithësecilit, por edhe të përbashkimit kolektiv. Kështjella të ngjashme lirie mund të ndërtohen vetëm kolektivisht, duke amplifikuar përpjekjet e përbashkëta, duke gjeneruar mëvetësi pa shtypur individualitetet tona. Një liri e cila nuk kalon nga filtrat e shtetit, por nga lidhja jonë me hapësirat vibrante të qyteteve tona, siç e thonë dhe aktivistët e Forte-s gjithmonë në pozicione të parehatshme e pezulltie, si mënyra e preferuar që teksa realizojmë një ëndërr t’i mbajmë sytë hapë.
Referenca:
Stavros Stavrides – Report “CSOA FORTE PRENESTINO” https://thecommoner.org/csoa-forte-prenestino/
Bennett, Jane (2010), Vibrant Matter: A Political Ecology of Things, Duke University Press