Alban Tufa | 20.12.2017 | nyje.al
E di që është e pahijshme të premtosh me letër në dorë, por akoma më keq, edhe këtu gjeti vend smartfoni, prandaj më premto që do të më falësh. Unë, rezidenti yt, premtoj këtu botërisht se nuk do të përdor kurrë kunja dhëmbësh sepse do të përdor degëzat e pemëve të tua!
Të premtoj se do të shqep çdo ditë të jetës sime këtu nganjë tullë trotuari dhe me to nuk do të bëj asgjë!
Të premtoj, çdo javë të qëndrimt tonë bashkë kam me ta kthy mbrapsht nganjë kazan, të cilët s’do t’i përdor kurrë!
Unë banori yt, fare pak i ndershëm, nuk do t’i respektoj asnjëherë vijat e bardha…më fal, vijat blu, edhe pse tashmë janë fshirë, dhe nuk do pres asnjëherë në semaforë, jo sepse nuk ka, por sepse edhe po të kishte unë nuk do t’i respektoja!
Biçikletën, një fije i dashtun qytet, do ta lidh çdoherë për trungjeve të pemëve, dhe premtimi është i tillë: kur ta zgjidh, do t’i gërvisht trungjet e tyre me fare, po fare pak mëshirë! Mandej, do ta marr biçikletën dhe, hypur mbi të, do të rrëzoj një ditë një plak dhe një ditë një plakë.
Makinë nuk do të përdor në kurrizin tënd, qytet bukurosh, jo se nuk dua të të ndot por, me ta thënë të drejtën, nuk ia kam terezinë.
Fare pak i dashtun qytet!!
Të premtoj se do të bëj ç’mundem në ty: do të shqep kapakët e pusetave, do të shkul tabelat e adresave (paraprakisht, të kërkoj të më falësh kur të më shohësh me Romën në krah ndonjë mëngjes)!
Premtoj, gjithashtu, se nuk do të paguaj asnjë taksë, por edhe po e theva premtimin, atë taksën e ujrave të zeza s’do e paguaj kurrë, deri kur t’më mbarojë karta e identitetit, sepse mu aty Mbreti yt më kap mat! Edhe pse nuk kam asnjë lidhje me kanalet e zeza, do më duhet ajo karta e identitit se s’bën.
Premtoj që, nëse vihet ndokund një stol i ri, pa u bërë java atë stol unë do ta shkul dhe do ta vë mu në oborrin tim; po u vunë dy, tjetrin do t’ia fal Ervinit!
Të premtoj që nuk do t’ia liroj askujt vendin në urban, asnjë plaku që me zor mban këmbët, e aq më pak një gruaje shtatzënë! Më ndje qyteti im bukurosh, por aspak i butë, se kur ti nuk je i butë, si mund të jem unë?
Të premtoj edhe një gjë me rëndësi, të paktën për mua, se do t’i thyej disa nga poçat e tu blu që rrinë shalëhapur në mes të bulevardit tënd blu!
Në do ta dish pse, po ta them: pa asnjë arsye madhore, veçse i urrej sespe nuk ndizen kurrë dhe s’di pse kam bindjen që po i theva, të paktën do vetë-asyetoj faktin që ata nuk ndizen!
Dhe, së fundmi, jo për nga rëndësia, të premtoj qytet se, nëse ti do të bëhesh ndonjëherë modern, unë s’do të bëhem!