Fejesë në kohë pandemie

Fejton | A. V | 25.05.2020 | nyje.al 

-Me babën shokët e tu jan bo me fëmijë. Un du me gzu nej ditë me nipa e me mesa. Du ta shof shpinë plot. A m’kupton ku e kam llafin?!
-E di ça do me thanë babë. E marr me men. E marrim at’ nusen që ka mbaru për mësuesi. S’ka problem. E di që ke respekt për familjen e vet dhe vendin ku ajo asht mbesë se ti ke bo ushtrinë te ai vend.
-Po këto dhe arsye tjera. Unë kam fol me babën e nuses dhe nesër na pret me çel udhë. Do nisna me imën t’Zotit me sabah.

Diskutimit të zakonshëm se si do jepej fjala kur të hynin brenda, tani i kishte zënë radhën grindja e padëgjuar më parë se mos ishin të shumtë në numër, si do takoheshin dhe më e rënda: “A do t’i jepej dora tjetrit?” Nuk e njihte zonën por dinte që ishte shtëpia e parë që del në krahun e djathtë mu sa mbaron rruga e shtruar me asfalt. Ishte djali i parë dhe i vetëm i shtëpisë e kjo babait ia shtonte emocionet përpara takimit. Për të fshehur a munduar të hiqte mendjen nga kjo ai pastronte krahët e xhaketës për të disatën herë dhe shqyrtonte pjesën e fundit të pantallonave e cila dukej që nuk po rrinte drejt në asnjë çast, të paktën ato herë që e shikonte. Rregullimi i jakës së këmishës nga gruaja i forcoi dhe më shumë bindjen se asgjë në trup nuk po i rrinte mirë. Gruaja kishte emocione por jo sa ai. Teksa po shikonte nëse kishte mbyllur xhamin e derës së pasme të makinës, vuri re që balluket nuk ishin si ato që kishte sajuar në fillim. U afrua dhe i drejtoi. Motra e vogël kishte vetëm një shqetësim: të shikonte se si ngjante kjo nusja e re e vëllait dhe a ishte ajo më e bukur sesa një shoqja e saj që ajo kishte menduar për të vëllanë, por ky i fundit kishte refuzuar me arsyetimin se ajo donte të vazhdonte shkollën e baletit. Daja dukej se ishte asnjëanës në këtë mes. Cigarja, të cilën e kishte ndezur pak përpara se të zbriste nga makina, ishte në gjysmën e saj. Nga xhepi i brendshëm i xhaketës nxori një puro të cilën e kishte marrë enkas për këtë ditë. Gjeti dhe shkrepësen. Një nip kam unë,- tha dhe po shikonte me kënaqësi e mburrje nga ai. Iu afrua dhe i vuri dorën mbi shpatulla duke e porositur- hiç mos u mërzit me dajën.

-Jo jo, nuk mërzitem – tha ai dhe po shikonte tinëz nga babai duke e ditur shumë mirë se si reagon ai në këto situata kur daja i del për zot nipit, edhe kur nuk ekziston asnjë kërcënim përreth.

-O i zoti shpisë, a pret mysafir?
-O hajde, mirë se të prȗni e djathta e Zotit.
-A je mik? Si je?
-Aaaa mik, mirë jam por maj distancën. A nuk e shef se t’i kam vu kuadratet ashtu si i keni ju atje në qytet. Hajdeni me radhë.
-Mos i fol mikut të ri kështu mor,- ndërhyni e zoja e shtëpisë duke iu afruar nga pas me sigurinë që ajo do ishte një mërmëritje dhe jo pohim që do dëgjohej deri tek dera e madhe e shtëpisë ku sapo kishin hyrë miqtë e rinj. -Dhe mos harro që e ke vajzën tridhjetë e pesë vjeçe. Le të hyjnë brenda edhe me virus në qofshin.
-Leje këtë, por nuk u futën as me këmbë të djathtë. Kto qenkan mozomakeq oj gru’. Qenkan t’pâsoj.
-A s’je te ma dhan’ dorën me gjithë mend or mik?
-Pa doreza jo jo. S’bohet llaf.
-Unë e di që jam nis për me ardh n’shpi të robit me u miqësu dhe jo me shku si infermier vullnetar në spitalet e Italisë. Por ti po e di. “Your house, your rules”, – thonë amerikant.
-Unë se di ça kan than’ ato amerikant e tu por di se ça kanë than’ shqiptart e mi: “Or zot m’ruj prej miqve se prej armiqve ruhem vetë.”
-A të thash or babë t’i blejshim te farmacia se kan’ me na nxjerr punë. Hajde merru me to tashi- foli djali, i cili me gjasë nuk po hynte dot dhëndër as kësaj here. Ky rrezik do na kërkojë autorizim për lëvizjen e mjetit, leje dorezat.
-Prit se kam unë në çantë më duket disa të punës – shtoi në bëfasi gruaja e cila filloi të kërkonte në thellësinë e çantës derisa gjeti diçka. Por kishte vetëm dy palë të tilla të masës L. Do vendosim nga një për dorë. Katër persona jemi. Një të rrije jashta.
-O mik se ke problem ëë?
-Jo jo asht’ e rëndësishme me rujt sigurinë.
-Jo thash a se ke problem se vetëm njana dorë me dorezë. Vetëm e djathta.
-Mos luj të shkathtin me mu or pehlivan se a e shef.
-Kë?
-Yllin polar.
-Ku?
-Derën orti?
-Çfarë do të thuash me këtë?
-Del ka ke hy. Mrapa or mik unë nuk jam derë dosido. Cucën e kam të regjistrume te portali e-albania. A ka bo kërkesën aty djali jot’, a jeni lodh kot me ardhë deri këtu se mu s’më ka ardh asnjë njoftim?
-Ça po thu?
-Hapet kollaj, me numrin e kartës së identitetit dhe një fjalë sekrete. Mrapa ke atë shenjën e familjes “Aplikim për miqësi të re, masat dhe protokollet që duhen zbatuar”.
-Nuk po kuptoj asgjë çfarë po ndodh këtu?
-Po ça me kuptu ti…shyqyr që e paske të lidhme kokën me qafën se pale a kishe mujt me ardh’ deri ktu.
-Këtu qenka më kërku jo vetëm dorën e nuses por me i marr familjarisht këto – ndërhyri daja i inatosur. Pastaj nisi një fjali dhe e la në gjysmë të fjalës së parë. Shtrembëroi fytyrën dhe u drejtua nga dielli. Heeepshuu – teshtiu.
-Apapapa pa pap,  tashi e teprove. Hajt shnet…
-Shnet paç – shtoi e zonja e shtëpisë.
-Jo shnet paç jo, por veç shnet e t’mëjra. Nuk ka qenë kismet. Nuk shkojnë me zor kto punë.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje