Estetikë dhe dhunë në mandatin e tretë

nyje.al | 12.09.2024

Një javë më parë gazetari dhe kritiku i artit, Vincent van Gerven Oei, është përballur me një seri sulmesh dhe kërcënimesh përmes mesazheve elektronike dhe po ashtu ka qenë pre e një sulmi fizik nga artisti Driant Zeneli. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e një pjesë të opinionit publik pasi ambasadori holandez, rrjeti Safejournalist, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë AGSH, dhe disa organizata kulturore, dolën në mbështetje të kritikut të artit duke dënuar dhunën dhe kërcënimet ndaj tij si të papranueshme dhe si cenim i lirisë së fjalës dhe të medias.

Sulmi ndaj Vincent van Gerven Oei vjen pasi ky i fundit ka vazhduar të publikojë një seri shkrimesh dhe videosh në rrjetet sociale në të cilat hedh akuza ndaj fondacionit Harabel (bashkëthemeluar nga artisti Zeneli dhe Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj) për lidhjet e tij me politikën, djegësin e Tiranës dhe burimet jotransparente të financimit.

shkrimin e tij të fundit mbi Harabel, Gerven Oei –  kontribues i vazhdueshëm dekadat e fundit me investigime mbi marrëdhëniet e pushtetit politik dhe bizneseve oligarkike, problemet e reformës në drejtësi, dhe një seri kritikash arti – ka risjellë në kujtesë një projekt artistik të Harabel në vitin 2021. Pjesë e këtij projekti ka qenë instalimi i veprës “Bleta” e artistit Sislej Xhafa në landfillin e Sharrës. Harabel pati deklaruar se landfilli do të shndërrohej në një “park të artit bashkëkohor të skulpturës.” 

Në shkrimin e vitit 2021 mbi këtë rast, Gerven Oei e kishte kritikuar këtë projekt artistik si një përpjekje për të mbuluar ngjarjet e rënda të lidhura me landfillin e Sharrës, duke përfshirë: kontraktimin e kompanisë 3R sh.p.k, nën pronësinë e kryetarit të Partisë Socialiste Peqin, Edurim Teqja, për trajtimin e mbetjeve; fushatën mediatike të Veliajt ku ftohej komuniteti rom të punonte në kushte të pretenduara të sigurta dhe formale; dhe vrasjen e minorenit Ardit Gjoklaj në landfill nga mjetet e punës teksa 17-vjeçari ka qenë duke punuar në kushte informale. Për vrasjen e minorenit, gjykata vendosi të pushojë çështjen ndaj kompanisë 3R duke kritikuar prokurorinë e Tiranës për mungesë të paraqitjes së provave dhe investigimit të mjaftueshëm, ndërsa Bashkia Tiranë nuk u hetua kurrë për këtë çështje.

Në shkrimin e fundit, Gerven Oei nxjerr në pah dokumente dhe bën ndërlidhjen mes insistimit të Veliajt për dhënien e koncesionit për inceneratorin e Tiranës dhe faktin se kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV” ka bërë një kontratë me Harabel ku merr përsipër instalimin dhe mirëmbajtjen e veprës së artit për llogari të Harabel dhe artistit Xhafa. Gerven Oei e mbyll shkrimin e tij, 

“Kështu, pasi i kemi prezantuar faktet, ndoshta mund ta përmbyllim me një spekulim të shkurtër: Siç provohet nga dosja Ahmetaj, Integrated Energy BV SPV ka arritur ta fitojë koncesionin e Sharrës falë iniciativës dhe mbështetjes së Kryebashkiakut Veliaj, bashkia e të cilit është po ashtu përgjegjëse për kryerjen e pagesave ndaj Integrated Energy BV SPV për një periudhë 30 vjeçare. Në këmbim, kompania ka bërë një gjest të vogël në mbështetje të karrierës rishtare kuratoriale të bashkëshortes së Kryebashkiakut duke i sponsorizuar parkun e skulpturës mbi landfillin që ka nën menaxhim. Në të gjithë këtë, artisti, Sislej Xhafa, i cili e pati zgjedhur spontanisht sitin “pa sugjerime paraprake”, del të jetë një fasadë për sy e faqe, teksa praktikisht lehtësonte shpërlarjen përmes artit të një koncesioni në një tokë të mbuluar me gjak dhe që rëndon xhepat e qytetarëve të Tiranës për një periudhë afatgjatë… Në fund të ditës, paratë që qarkulluan përmes “organizatës jo-fitimprurëse” Harabel të Xoxajt dhe hapësirat e galerive të saj janë të papërfillshme nën dritën e shpronësimeve, privatizimeve dhe koncesioneve në Shqipëri. Por parimi që shpërfaqet këtu mban vulën e mënyrës së operimit të qeverisë, e cila që prej ardhjes në pushtet ka përvetësuar vazhdimisht disa forma të shprehjes kulturore për nevojat e saja propagandistike në mënyrë që vështrimi i publikut të mos arrijë të shquajë veprimet e saja të fshehta.”

Kritikat e Gerven Oei nuk janë të vetmet drejtuar Harabel. Përgjatë gushtit, gazetarja e kulturës Elsa Demo, në një seri shkrimesh po ashtu ka parashtruar kritika të ashpra ndaj Zenelit dhe Harabel. Demo kujton mungesat e mëdha në mbështetje publike për artin dhe kulturën si: mbyllja e galerisë kombëtare të arteve; mungesa e një muzeu të artit bashkëkohor (një premtim ky i parealizuar i Socialistëve dhe Veliajt prej 10 vitesh); mbyllja e çmimeve kombëtare; mungesa e fondeve publike për skenën e pavarur artistike dhe kulturore; dhe buxhetet e papërfillshme për institucionet publike. 

Në lidhjet me Harabel dhe Zenelin, Demo flet për hapjen e një galerie të re të artit në godinën e piramidës, ku shkruan,

“Hapësira e galerisë, e madhe pothuajse sa dy salla ekspozimi të Galerisë Kombëtare, është marrë nga Mane Foundation. Ky është një fondacion me fokus fëmijët në nevojë, që e ka nisur shërbimin me 2 ml euro. Është pjesë e Balfin Group me president Samir Manen. G.O.C.A.T u hap me ekspozitën e Driant Zenelit, kuruar nga Ajola Xoxa. Përveçse drejton dy galeri private, Naan në Bllok dhe GurGur në Petrelë, Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, bashkë me Zenelin ka themeluar Platformën e Artit Bashkëkohor “Harabel”, me aktivitet të shtrirë nga komisionimi i veprave të artit bashkëkohor, te restaurimi i filmave të Kinostudios. Ka përfshirë në manifestimet publike artistë bashkëkohorë në zë dhe në celebrim e sipër, arkitektë, poetë, shkrimtarë nga Shqipëria e Kosova. Gjithë këtë investim me oborr të pasëm politik, e shoh si strategji për një elitë të re, e përshtatshme për vullnet individësh që janë në kërkim të një identiteti për një status të përtërirë në shoqëri. Midis artistëve që bashkëpunojnë me “Harabelin”, ka që mbështeten me projekte nga Bashkia e Tiranës, e këtu bën pjesë edhe Zeneli. Disa nga të grup-kulturës së “Harabelit” janë fitues të fondeve publike, me vlerë 20.000.000 lekë, në projektin “Arti në Hapësirën Publike” (2022) nismë e kryeministrit, zbatuar nga Ministria e Kulturës.”

Lidhja biznes-politikë-art reflekton një trekëndësh i cili shpërfaq përqëndrimin e madh të kapitalit në Shqipëri në një formë oligarkike te e cila duket se bëjnë pjesë edhe ata që Gerven Oei i ka quajtur “kapitalistët e kulturës”. Kritika e Demos flet për një elitë kulturore e cila po mëton të sendërtojë pozicionin e saj shoqëror duke përforcuar dhe duke bashkëpunuar me forcat oligarkike të tregut dhe ato politike në pushtet. Me forcimin e oligarkisë, duket se edhe skena e kulturës po kalon një përqëndrim oligarkik. 

Teksa në mandatin e parë dhe të dytë, skenës kulturore i ishin mbivendosur projektet artistike të kryeministrit Rama, të akuzuara si diplomaci politike për figurën e tij personale, tashmë hapësira e kulturës po përjeton një zgjerim i cili zotërohet nga figura të lidhura ngushtë me drejtuesit politik të Tiranës dhe bizneseve më të fuqishme në vend si ai i djegësit të Tiranës apo Balfin Grup. 

Një pjesë e kësaj elite kulturore është përfshirë edhe në fushatën elektorale duke mbështetur rizgjedhjen e kryebashkiakut Veliaj, madje deri në pikën sa instrumentalizimi i institucioneve publike të kulturës dhe disa prej artistëve për arsye elektorale kanë sjellë edhe dënimin me gjobë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) për kryebashkiakun Veliaj, Ministren Margariti dhe drejtoreshën e TOB për shkelje të Kodit Zgjedhor.

Ndërlidhja e biznesit, politikës dhe artit vihet re edhe më ngushtësisht në projektet rikualifikuese të Tiranës. Teksa këto projekte janë kritikuar për përdorimin e dhunshëm të policisë në largimin e banorëve të zonave dhe prishjet e dhunshme dhe të paligjshme të shtëpive të tyre, si në rastin e 5 majit dhe Kombinatit, projektet artistike kanë qenë një ndër argumentet më të përmendura nga kryebashkiaku për të legjitimuar ndërhyrjet. 

Thuajse secila nga ndërhyrjet kualifikuese të zonave të ndryshme në Tiranë janë arsyetuar kësisoj: shndërrimi i kombinatit në KombinArt me studio punë për artistët, ndërtimi i hapësirave artistike në lagjen Komuna e Parisit dhe në ish-kombinatin e autotraktorëve, ndërtimi i Muzeut të artit bashkëkohor në 5 Maj, Parku i Artit në rikualifikimin e kinostudios. Teksa buxheti për skenën e pavarur artistike përmes projekteve me thirrje të hapura është rreth 10 herë më pak se ai i Kosovës dhe i Maqedonisë së Veriut, pjesa dërrmuese e buxhetit të kulturës kalon prej vitesh për investimet infrastrukturore, përpos pagave për administratën. Mirëpo, aktualisht, edhe pse në fundin e mandatit të tretë, Tirana ka galerinë kombëtare dhe muzeun kombëtar të mbyllura, bibliotekën kombëtare thuajse jofunksionale, dhe nuk ka muze të artit bashkëkohor.

Një fenomen i tillë është vënë në pah edhe në vende të tjera, ku rivlerësimet urbane me premtime për jetë kulturore dhe artistike të larmishme përdoren nga ndërtuesit për të fshehur skajimet dhe dëbimet e komuniteteve nga shtëpive e tyre për zhvillimin e kapitalit.

Deri në momentet kur publikohet ky shkrim Harabel nuk ka dhënë sqarime në lidhje me sulmet e fundit ndaj Gerven Oei, kritikat e tij apo të Demos, dhe as për akuzat e tjera për bashkëpunëtorët e tij në projekte artistike dhe kulturore. Gerven Oei në shkrimin e tij kujton se teksa Harabel po zgjeron zotërimin e hapësirave të artit me galeri të reja si NAAN dhe Gurgur, skena e pavarur e artit vuan të sigurojë hapësira dhe financime për prodhimin dhe ekspozimin e veprave artistike. 

Për shkak të mungesës së mbështetjes publike, një pjesë e konsiderueshme e komunitetit artistik, e cila nuk qëndron pranë Partisë Socialiste apo biznesmenëve të fuqishëm në vend, është e shqetësuar për zotërimin e një pjese gjithnjë e më të madhe të skenës së artit nga Harabel, nga projektet me Bashkinë Tiranë, galeritë në site kulturore si ajo pranë Petrelës, dhe në bashkëpunime me kompani të mëdha si Balfin grup dhe Integrated Energy BV SPV. 

Në një hulumtim të fundit, del në pah se një pjesë e konsiderueshme e artistëve në vend janë të detyruar të jenë të dypunësuar, në kushte pune prekariate, dhe të angazhohen artistikisht me kohë të pjesshme. Pandemia i ka dhënë një goditje edhe më të madhe për shkak të diskriminimit të këtij komuniteti nga mungesa totale e mbështetjes përmes paketave ndihmëse të qeverisë.

Ndërkohë sulmet ndaj gazetarëve që shpërfaqin ndërlidhjet e paligjshme të politikës me djegësit, biznesin e ndërtimit dhe përfshirjen e artit si mjet legjitimimi për këto sipërmarrje të paligjshme nuk kanë të ndalur. Kujtojmë se për ekspozimin e vrasjes së Ardit Gjoklajt, emisioni Publicus u censurua ndërsa gazetarja Alida Totaj u pushua nga puna nga media A1 News pas publikimit të një artikulli mbi rastin e Gjoklajt

Nga monitorimi i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në gjashtë muajt e fundit, Media Freedom Rapid Response bën me dije se kanë ndodhur 22 sulme ndaj gazetarëve që shpërfaqin një klimë armiqësore ndaj lirisë së shprehjes dhe për punën e medias. Sulmet ndaj gazetarëve nuk vijnë vetëm prej përfaqësuesve të qeverisë, mirëpo sjellja e tyre kontribuon në mënyrë më domethënëse se ajo e aktorëve të tjerë në nxitjen e një klime të tillë dhune. 

Ndër rastet që përmend Media Freedom Rapid Response janë sjelljet intimiduese fizike dhe verbale të kryeministrit Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta, dhe mesazhet elektronike të Kryebashkiakut Veliaj drejtuar gazetares Ola Xama me akuzat si “vrasëse me pagesë” pas raportimeve të kësaj të fundit mbi mbështetjen kyçe të Veliajt për koncesionin e inceneratorëve. 

Këto sjellje të përfaqësuesve politikë shërbejnë si barometër që u shërben edhe aktorëve të tjerë për të kuptuar se ç’lejohet t’u bëhet gazetarëve që ngrenë pikëpyetje mbi veprimtaritë e tyre, pa anashkaluar edhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve politikë në koordinimin e këtyre sulmeve. Kujtojmë këtu sulmin e organizuar online i cili solli mbylljen e webit të medias online Citizen Channel në muajin prill të këtij viti pasi kjo media kishte publikuar investigime mbi lejet për kulla në hapësirën e ish-Teatrit Kombëtar.

Sa më shumë përqëndrohet kapitali dhe politika, aq më e madhe frika e tyre nga fantazma e shumësisë së përjashtuar nga burimet ekonomike dhe vendimmarrja politike, dhe aq më e pranishme dhuna ndaj kritikës.