Dromca jete në Linjën Lindore të Kamzës

| 08.02.2020 | nyje.al

Udhëtimi me autobus është për shumëkënd thjesht transporti nga pika A në pikën B. Edhe për mua kështu ka qenë kur nuk i mendoja gjërat, por thjesht i shikoja.
Ka shumë kohë që autobusin e shoh si mjedis ku njeriu mundet me kry procese jetësore për gjendjen e tij të brendshme: të lexojë,  të vëzhgojë ose të shkruajë  siç po bëj unë tani. Normalisht që faktor kryesor është orari, kryesisht oraret e ndërmjetme pasi në mëngjes vrulli i punëtorëve dhe i studentëve për të shkuar në shkollë e në punë, dhe kthimi  në shtëpi pasdite, nuk ta krijon mundësinë. Në mëngjes je akoma duke u zgjuar, e pasdite “flen” pasi je tepër i lodhur për të kryer procese që kanë nevojë për angazhim mendor nga truri yt i mbingarkuar nga puna që na shfrytëzon dhe shkolla që na huton.

Për mua, bën përjashtim ora 15.00-16.00 kur nisem drejt Tiranës pasi bashkë me mua në autobus ndodhen dy kategori punëtorësh që me duken më të shfrytëzuarit e të keqpaguarit: gratë e fasonerive dhe faturinot, djem të rinj a në moshë qofshin. Ato të përhumbura pasi janë dëndur me aromën e tmerrshme të mastiçit dhe janë lodhur tetë orë në këmbë. Ata me pamje të rraskapitur, vijnë poshtë e lart në autobus. Lart e poshtë në autobus  hanë edhe vaktet. Aspiratorët janë zakonisht të fikur. Të ndezur rrinë gjithnjë ekranet e vegjël të reklamave ku sot duket e zhduket papushim Ermal Mamaqi. Ashtu ikën dhe vjen mendimi im, pyetja ime se kur do të ndryshojë kjo gjë. Aq kapem pas saj, sa harroj ku kam për të zbritur.
Ditët e fundit udhëtimi me autobus më “ka qerasur” me dy raste, të cilat më bënë të filloj të shkruaj për to. Të dyja historitë i kam vëzhguar në autobusin e vogël të lagjes, i përket Linjës Lindore të Kamzës.

Një djalë të ri dhe një burrë i moshuar bënin praktikë për t’u punësuar si faturino. Ishte mëngjes. Po shkoja në fakultet. Dera e fundit nuk u hap automatikisht. Atëherë  një djalë i ri, me pak sforco, e hapi dhe e mbylli me duar dhe unë hyra brenda. “Kështu  do bësh gjithë ditën?”, e pyeta. M’u përgjigj: “Jo, jo jam në provë për faturino e shpresoj se do ta rregullojnë shpejt.” Vura re që po me biletë po mbulonte njërin gisht të vrarë. Pa folur, nxora nga çanta disa leukoplastë dhe ia zgjata. Pastaj erdhi stacioni i fundit. Kur po kthehesha mbasdite për shtëpi, qëlloi i njëjti autobus. Nuk e dija nëse dera ishte rregulluar apo jo,  por u çlirova kur pashë që nuk po e hapte dhe mbyllte më djali. U afrua, i tregova abonenë dhe e pyeta për gishtin. “Mirë është”, më tha dhe vazhdoi kontrollin e biletave. Mendova: si duhet të ketë qenë  dita e tij e  parë e punës. Edhe e  tmerrshme të ketë qenë, e ka përballuar. Me siguri  ajo punë i duhet patjetër. Kur zbrita i urova punë të mbarë në vazhdim dhe ai më buzëqeshi.

Të nesermen në darkë po shkoja për qendër e si gjithmonë mora Linjën Lindore. Abonenë që më kushton sa 8 ditë shpenzime ditore apo 2 ditë pune të një punëtori fasonerie, ia tregova një zotërie të moshuar që po bënte provën për faturino. Në stacionin e radhës hipën kontrollorët. Nën presionin e pranisë së tyre, xhaxhai  i emocionuar i preu një pasagjeri jo një, por tri bileta. Faturinoja që po i mësonte “zanatin” i tha të mos nervozohej se kontrollorët “atë punë kanë”. Kur  dy burra hipën në autobus praktikanti u dha dy biletat e mbetura. Vura re që faturinoja mbikëqyrës mori frymë lirisht.U çlirova edhe unë.

Problemet e transportit në qytet janë të shumta, por në këtë shkrim u ndala vetëm tek rrugëtimi emocional që unë bëj në autobusët e qytetit tonë. Se e gjitha nis nga brenda, nga vetja jonë e pastaj për t’u përballur me tjetrin. Edhe unë pres që në një farë mënyre secili nga ne të përjetojë një rrugëtim emocionial e reflektiv kur udhëton. Dhe le të lulëzojë jeta në autobus e kudo!

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje