Mariana Syla |08.04.2020 |nyje.al
Insituti i Shëndetit Publik njofton se në 24 orët e fundit janë kryer 236 teste për raste të dyshuar, ku 17 prej tyre rezultojnë të prekur me Covid-19 duke çuar në 400 numrin e të prekurve. Po në ditën e sotme janë shëruar 23 pacientë duke e çuar në 154 numrin total të të shëruarve.
Në shërbimin infektiv janë shtruar 52 pacientë. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndodhen 6 pacientë të shtruar. Prej tyre 5 pacientë janë në terapi intensive, 1 në pavion, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.
Harta e të prekurve zgjerohet në Tiranë me 9 raste, Elbasan 1 rast, Fier 6 raste dhe Shkodër 1 rast.
✓Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
Tiranë – 190 raste
Durrës – 38 raste
Lushnjë – 5 raste
Elbasan – 12 raste
Fier – 32 raste
Kavajë – 8 raste
Rrogozhinë – 4 raste
Korçë – 17 raste
Vlorë – 5 raste
Shkodër – 45 raste
Lezhë – 14 raste
Berat – 2 raste
Has – 12 raste
Krujë – 5 raste
Tropojë – 4 raste
Pukë – 4 raste
Mirditë – 3 raste
Ndërkohë bashkësitë fetare po kalojnë një situatë të pazakontë, por aspak paralizuese për ndjesitë e tyre. Klerikët e të gjitha besimeve nuk ngurojnë të japin mesazhe shprese dhe durimi për besimtarët, të cilët asesi nuk duhet të bien në kthetrat e pesimizmit.
Kisha në Kamëz- fotografi nga Mariana Syla
Besimtarët e krishterë prej afro 6 javësh agjërojnë kreshmet, përkujtim për vuajtjet e Krishtit. Periudhë kjo që pasohet me gëzimin e festës së Pashkës. Nga dekreti i dhënë prej Selisë Ipeshkvore të Shqipërisë më datë 12 mars 2020 u pezulluan të gjitha aktivitetet liturgjike dhe ato të programuara, përfshirë edhe Meshën e Shenjtë, por garantohen varrimet duke shmangur popullimin. Kishat vazhdojnë të rrinë të hapura për lutje personale gjatë ditës. Famullitarët kremtojnë Meshën në kapelat e tyre duke e transmetuar atë online përmes rrjeteve sociale.
Të dielën e shkuar në Famullinë e Kamzës u kremtua e diela e Larit vetëm prej famullitarit Lauri Sevillano dhe shoqëruesve të tij. Ky është një ritual ku bekohen degët e ndryshme, si ato të ullirit dhe të dafinës, të cilat simbolizojnë pjellorinë dhe begatinë.
Përmes rrjeteve sociale Famullia e Kamzës ka informuar besimtarët e krishterë se të hënën dhe të martën do kalonin nëpër lagjet kryesore të qytetit për të bekuar ata të cilët kishin vendosur gjethet e Larit në dritaret e shtëpive, në derë e në muret e jashtme. Kjo u shoqërua me brohoritje si në Jerusalem: “Hosana, Biri i Davidit.”
Ambjentet e brendshme të kishës për shkak të kreshmeve, janë zhveshur nga zbukurimet e tepërta duke u bërë për koicidence një me situatën që kalojnë qytetarët.
Po ashtu edhe Këshilli i Myftisë bazuar në orientimin e Institucioneve Shtetërore, si dhe dispozitave fetare në lidhje me çështjen e virusit ka vendosur të pezullojë faljen e xhumave dhe të kohëve të namazit në bashkësi dhe ju luten besimtarëve të qëndrojnë në shtëpi pranë njëri- tjetrit, duke u lidhur edhe më fort me Zotin. Duke e parë zbatimin e udhëzimeve si një obligim fetar dhe një detyrë kombëtare.
Ata sjellin në vëmendje sfidat e pandemive që kanë kaluar paraardhësit e tyre, prej të cilave janë pezulluar tubimet fetare deri dhe pelegrinazhi në vendin e shenjtë, duke iu referuar urtësive hyjnore, ku thuhet: “Nëse në një vend ka rënë epidemi mos shkoni atje, e nëse bie në një vend ku jeni ju atëherë mos dilni prej tij.” Ruajtja e jetës, përkujdesja, si dhe largimi i dëmit që mund të vijë nga pandemia ka prioritet ndaj tubimit të njerëve.
Normalisht varrimet është e pamundur të pezullohen, por ceremonia vazhdon edhe pse me numër të reduktuar njerëzish, ndërsa kujtesat fetare tanimë kanë kaluar online.
Pyetjes se si po kalohet kjo situatë nga besimtarët Imam Sabaudin Jashari përgjigjet: “Deri tani duket se besimtarët janë stabilizuar goxha për të bashkëvepruar ashtu siç duhet me këtë situatë, si në rregullat e karantimit, ashtu edhe në ndihmesën ndaj atyre pa mundësi ekonomike për të përballuar nevojat bazë ushqimore. Ata kanë pasur mundësi të mirë për të qëndruar me Zotin e tyre e për të shijuar më tepër adhurimin dhe për të reflektuar për marrëdhëniet e njeriut me veten, me Zotin, me familjen.”
Nëse besimtarët e krishterë po behen gati për ta mbylluar agjërimin e për të festuar, besimtarët muslimanë po përgatiten për të filluar agjërimin e muajit Ramazan. Mobilizimi i hoxhallarëve ka filluar që tani për vetëdijësimin paraprak për vlerën e Ramazanit, për të bërë një parapërgatitje shpirtërore dhe konceptuale.
Sipas klerikëve për besimtarët karantina është një mundësi për të sistemuar dhe njëherë prioritetet e njeriut, duke ditur se në përditshmëri dhënia pas materiales ia ka zbehur kujtimin me Krijuesin. E nga kjo të krijohet ndjesia sikur ata e kanë nxjerrë Zotin nga “ karantina” e zemrës së tyre e po e ndjejnë më shumë me Të.