Bisedë në ballkonin dëshmues

Ronald Qema | 19.01.2023 | nyje.al

Nuk më rastis shpesh të dal nga shtëpia që pa gdhirë, fatmirësisht. Më së shumti janë rrugëtimet e gjata që sjellin mëngjese të hershme. Më 19 janar të vitit të kaluar, s’ish ky rasti. Bashkë me një prej aktivistëve që ka qenë shumë pranë banorëve të “5 Majit”, Edisonin, nga Bathorja u nisëm për atje. Me përpjekjen e suksesshme të shmangies së kordonit të forcave policore, hymë në lagjen “5 Maji” nga ana e lumit të Tiranës. Rrezet e diellit nuk kishin shumë kohë që rrihnin shtëpinë e Nënë Lizës, nga e cila punonjës të Bashkisë Tiranë nxirrnin mobilie dhe plaçka të tjera. Kur nisi shembja, nevoja për t’i dokumentu sa më qartësisht ato gërvishtje dhe shembje të mureve të shtëpisë, më çoi në ballkonin e shtëpisë në të majtë të asaj të Liza Markut. Me shkrepje të shpeshta e nxitimin për të mos humb asgjë, nuk iu ndava atij ballkoni për goxha minuta. 

Dje, një hap pa u hedhur në një vjetorin e asaj dite, në po atë ballkon të shkrepjeve, me Ndue Markun dhe me tetë fotografi ndër duar zhvilluam një bisedë për ç’ka na panë sytë atë ditë e ç’ka na shohin sot.

Ekskavatori duke shembur shtëpinë e Nënë Lizës, Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

“E di ça shikoj unë këtu? Këtu ku ka hyp fadroma pikërisht, kjo është shpia e vllaut tem e cila kur është nisë, e mbaj mend si sot, është nis me tre mijë e tre qind euro që i ka pas ai edhe unë. Ai dhe unë bashkë, unë kisha më pak edhe më ka thanë “S’di gja si me ja ba, a me nis shtëpinë a jo?”. E pyti babën, babën e kam pasë njeri pozitiv, që donte me ba, me ndërtu, me punu… 

Tani kur shikoj që këtu është fadroma, në shtëpi të vllaut tem, mbi themel të shtëpisë së vllaut tem…

Dhe tek kjo shtëpia këtu, baba jem m’ka nis me i ndihmu ata kur është hedh themeli i kësaj shtëpisë, të Lizës. M’ka pyt ça do bash nesër, kam qenë 20 vjeç, e kur je 20 vjeç se ban shumë menen me u fut në beton e i thash kurr’gja. M’ka than nesër kanë me hedh themelet, me shku me i ndihmu. Axhës i thash që i ka punëtorët, mjeshtrat e të gjithë, tha: “Ai nuk e ka llogarit m’ia ba ti shpinë, por kemi me e pas kojshi përgjithmonë.” Edhe kam shku, bile më kujtohet që asht ba riti i dashit, prehet koka dashit, e kokës se ça i veshin lek e tjera, e mu m’ka marrë si person të besueshëm, si kojshi. Ishte nji shejë rrespekti. 

E tani imagjinoje pak, në shtëpi të vllait shikoj që ka hyp fadroma për me prish shtëpinë e një dashamiri. Shtëpinë e Lalë Ndrecës, se ashtu i kam pas thanë. Krejt kjo në sy tem, të fëmijve të mi, të robve të mi. Asht diçka që munohem me e harru po s’kam as si e harroj, se e kam përballë, e kam para syve përditë. 

Nuk jam njeri që urrej, por m’ka mbi’ nji urretje pikërisht prej kësaj, për ata njerëz që e kanë ba ktë, unë kam nji urrejtje. Nuk asht çështja vetëm te e pronës, kishte ra tërmeti sikur ra ai e sikur ra ky tjetri e do i kishte rrafshu, por ajo që sjell Zoti me atë që sjell robi i keq janë dy gjana të ndryshme. “

Forca të shumta policore në lagjen "5 maji" ditën e shembjeve të banesave, Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

E pyes Nduen për mëngjesin e tij, teksa përpiqem të vendos një kronologji në bisedën tonë, pasi ditën që kam qenë aty nuk më kujtohet ta kem parë në anën nga gjendesha unë.

“Atë ditë e kemi prit që vijnë. Ne kishim ndezë një zjarr e po i prisnim, ishim nja 10 – 15 vetë, nga mgjesi. Rreth orës katër ika nga aty dhe erdha në shpi se po më zinte gjumi, para se të më zinte gjumi e sa isha shtrirë m’ka ra telefoni e më thanë që kanë ardh me fik dritat. Dhe kanë ardh kanë fik dritat, kur kam dal tek kabina tashmë ishin largu. Morëm të tjerë në telefon dhe u bamë, ka qenë një grup i vogël që ka qenë gjithmonë prezent, rreth 20 vetë që kanë qenë përher. Ka nga ata tjerët që japin zemër, thonë vritni e pritni, por nga larg. Ne kemi qenë aq, 20 vetë dhe kur kam pa rrugën, zi komplet dhe u kuptu që jo vetëm do prishnin po… 

Nuk kam pa fotografi që mund ta përshkruje atë zi që kam pa. Ishte rruga nga këtu deri atje komplet zi. Mu në fakt  policia nuk më ka prek, me m’kap me u ushtru dhunë a ku di unë. M’kanë marrë, e ke parasysh dallga e detit si të merr, ashtu më kanë marrë me të shtyme domethënë. Më kishin vënë vetëm supet dhe normalisht ti shkoje me turmën. Ata ishin turma në këtë rast, ne ishim 20 veta. 

Nuk mendonim që kanë me ardh me aq forcë, ata dukej se ishin përgatit për luftë. Me të thanme e kam që tek pallati përballë, ishin përgatit për përplasje me armë duke na paragjykue nga prejardhja, e punëtorët në pallat në fakt ishin policë të përgatitur. Ata prisnin luftë, po nga 20 veta, dhjetë ishin të shtëpiave që do prisheshin dhe dhjetë tjerët ishim ne tjerët. Një nga gjanat që më ka ngel në tru është momenti i djalit, nipit të Lizës kur ka ardh nga shkolla dhe e ka gjet shpinë e prishme. “

Nënë Liza në mëngjesin e 19 janarit, 2021, Ronald Qema, Tiranë

Prej historisë së rezistencës së banorëve të kësaj lagjeje në cep të Tiranës, frymëzim mund të merret nga secili prej tyre. Por për shumë arsye, qëndresa e Nënë Lizës besoj ka mbërritur ndryshe te secili prej atyre që e ka ndjekur. Këtë bisedë e kisha menduar ta realizoja me të, por ajo gjendej jashtë Shqipërie. Nevoja për ta shënjuar këtë ditë s’ma la vendin kurr’kund, kontaktova me Nduen dhe ramë dakort për këtë bisedë, në të cilën rrjedhshëm erdhi koha me folë edhe për Lizën.

“Nanë Liza, e të gjitha gratë si Liza, janë mësu me varfëri. Jemi brez që nuk na bën përshtypje varfëria, gjithmonë e kemi përballu me fisnikëri. Nuk ndodh najher, po tham në gjithë zonën e Lizës e jo veç atë, që të shkosh e ti thrrasësh në derë e mos të ta çelin. Se ça ka mrena, ça ka n’shpi nuk asht dit, por gjithmonë e kanë dhanë me zemër të bardhë. 

Për Lizën, keqardhja ma e madhe asht se po ti ish prish shpia, të paktën minimalisht të ishin tregu burrnorë që “ky asht një projekt madhor e ti do sistemohesh”, por ai vemja del e thotë që këtë e ka sistemu. Del i thotë Nanë Lizës që djemtë e tu janë subjekt të OFL-së. 

Minimalisht, unë të garantoj që i njoh të tre që janë aq të ndershëm sa mundet me qenë njeriu. Të tre janë nga ata njerëz që me ba me gjetë në rrugë një mijë lekë pysin te dyqani a shtëpia me e afërt, i lejnë aty pasi i gjejnë. I ka rrit kjo, i ka rrit me atë parim, me punu shumë, mos me i shtri dorën kurrkujt. Nëse del dikush në Shqipëri e thotë që djemtë e saj më kanë borxh, ja u laj unë borxhin.

Kjo asht fatkeqësia ma e madhe, që bajnë një nanë që kushedi sa sakrifica mund të ketë kalu, që të kalojë këtë vujtje e këtë vështirësi dhe i përbaltin edhe emrin. Përveçse e nxjerrin pa pronë, pa shtëpi në mënyrën ma harbute, këta monstrat edhe e përbaltin. Këta i thonë nanë kriminele. E forta është që ata e dijnë shumë mirë që nuk janë. Kjo është e dhimbshme për çdo nanë sepse në vend të saj mund të jetë kushdo. Nuk e di a do kishin forcë në fakt gratë e tjera me e përballu këtë presion edhe dhunë. Mendoj që është shumë e vështirë. “

Nënpunës të Bashkisë Tiranë duke transportuar mobilie nga banesat, Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

Teksa i jap fotografinë e mësipërme Ndues dhe bëhem gati ta pyes për mënyrën sesi e nxorrën Nënë Lizën prej shtëpisë, ai më ndërpret dhe më thotë që s’ia uronte askujt situatën në të cilën gjendej ajo e që paraqitej në foto. Ai më tregon arsyen pse familja e Lizës nuk e kishte boshatisur shtëpinë. 

“Nanë Liza ka qanë lajmëru që do të prishej. Nanë Liza nuk besonte se do të prishej, me rroba e me gjana mbrena. E kanë lajmëru mesa di unë një javë përpara, ndërkohë që thoshin jo do gjejmë dakordësi. E kishe mall edhe me u besu atyne, se ai dilte e thoshte i kemi prishë me dakordësi. Nanë Liza s’kishte me e besu që do i prishnin shpinë me zor, pa i qenë dëmtu hiç prej tërmeti. Bile kanë ndejtë, nuk e di sa kohë fadromat tu punu në të, se nuk prishej për kollaj ajo shpi. 

Në këtë fotografi asnjë nuk e shoh me sy të mirë, me ngjall urrejtje sepse janë pikërisht këta që i konsideroj kriminelë.”

Policë bashkiakë duke ruajtur perimetrin e sigurisë pak metra larg shemjeve , Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

Kriminelë janë për Nduen dhe për banorët e tjerë edhe forcat e policisë, sidomos asaj bashkiake. Këtë ma rithekson kur i tregoj foton e mëposhtme dhe nis e shprehet që në do kishte policë për policët, do iu kishte drejtuar atyre kushedi sa herë. 

“Për policët bashkiakë tani unë kam një përshtypje, imagjino pak: Me ba me ardh një i afërm i jemi e me m’thanë punoj polic bashkiak, unë s’du me e pa ma me sy të ballit. Imagjino ku ka mbërrit, për uniformën e policisë e kam si perceptim, i shoh si kriminelë. Kur në një krah ke kriminelë e në krah tjetër policinë, uniformën nga policia e shtetit e tjera forca policore, unë e perceptoj se ndihem shumë ma i rrezikum nga polici se nga krimineli. Sepse krimineli ka një qëllim, të vjedh xhepin, të grabit pasurinë, por jo ma andej. Nuk kam pa kriminelë që të shkojë të merret me fëmijë, e me plaka. Ndërsa këta, herë pas herë që kalojnë këtu, policia e shtetit a bashkiakja, shpirtërisht alarmohem. Realisht, them pse po kalojnë këta e sikur të kishte një polici tjetër do i merrja në telefon t’u thoja “Ecni se kaluan këta horrat.” Me vjen vetëvetiu dhe këtë e kanë shumë kush nga banorët, sepse shpesh herë ndodh që jemi te kafja e thonë “Kalun’ këto horrat”. Atë që e mendoj unë e thonë dhe ata, sidomos perceptimi për policinë bashkiake.”

Gazetarë dhe kameramanë duke vëzhguar dhe xhiruar nga larg, Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

Me zonën e rrethuar dhe kordonë policie të shumëfishtë, shumica e mediave e pasqyronin ditën nga larg. E pyes Nduen se si e kanë ndjerë ata pushtetin e medias mbi ta dhe në lidhje me ta.  

“Unë mendoj që gazetarët kanë qënë aleati i vetëm i joni. Në këtë rezistencë, sa kemi mujtë kemi rezistu, gazetarët kanë qenë aleatët tanë, me atë armë që kishin, me transparencën. Sepse kam bindjen sikur të mos ishte transmetu nga gazetarët, nuk po i marr emër për emër, minimalisht shtëpiat do ishin prish tashmë deri atje në fund. 

E dyta, nuk asht naj çudi prej ktyne, se unë po të them policinë i shoh si kriminela, nuk do ish çudi që dikush të ishte arrestu me justifikime të inskenume. Ata tentun bile, jo janë të OFL-së, jo janë kështu e janë ashtu. Nuk e kanë për gja policia, se shihet në çdo krim e kanë dhe nga një polic kudo. Nuk do ishte çudi me shku me i hedh dikujt naj hashash, armatim a ku di gja unë se se di ça… s’mund t’iu punojë truni atyne edhe me e inkriminu zonën. Kanë qenë mediat që e kanë pasqyru në shumicën e rasteve të rregullt. Ka pasë edhe raste që është deformu e vërteta, me dashje apo pa dashje s’e di..

Po gjëja që m’ka ba më shumë përshtypje ka qenë mungesa e televizioneve të mëdha edhe për ata që pagujmë taksa. Heshtje totale. Kam pa media që se prisja të pasqyronin, e këta jo. 

Kur shoh një gazetar sot, e kam një simpati për faktin që e shpërndanë zanin tonë, siç dikur kanë pas thanë “Ta marrin vesh njerëzia”, përndryshe këtu do kishin thanë që Liza është njeriu ma i lumtur në botë, Laureta ma e lumtura në botë, e ku di unë me propagandën e tyre.”

Pamje e shembjeve shkrepur nga ballkoni i Ndue Markut, Janar 2021, Ronald Qema, Tiranë

Edhe shtëpia e Ndues përfshihet në bllokun që është njoftuar për shembje. Me foton e fundit në dorë, pa dëshirën me ftu askënd me imagjinu ditën e prishjes së shtëpisë së vet, ai më tregon mendimet e tij:

Mendoj që atë ditë kur të vijnë te shpia jeme me ba me m’pyt tani, edhe këtë nuk e kam vetëm me atë vemjen e bashkisë por me të gjithë shqiptarët, për atë ditë ndiej edhe si një farë revolte që po ta kisha ndorë do e shpërtheja krejt Shqipërinë. Sepse është e pamundur të shohësh diçka të tillë kudo tjetër dhe njerëzit të mos reagojnë, të bëjnë sikur s’pash, t’sillen sikur u duket jeta Big Brother.

Këtu nuk di, është dhoma e fëmijëve a dhoma e pleqve, se nuk ả kanë hotel, ả kanë shpi. Me një fjalë i kanë këput kollonat, dy kollona janë të këputme krejt dhe duket se dhe Zoti nuk donte me e shemb atë shpi. Ka qenë e bame mirë, ka qenë e bame saktë e ka qenë e bame me djersë. E kur them mirë, saktë dhe me djersë nuk e kam fjalën vetëm tek kjo shtëpi, po për çdo shtëpi të ndershme, për çdo kasolle të ndershme që asht në tan Shqipninë. Mendoj që nuk mund të përdoret një dhunë e tillë me prish, minimalisht në atë kasolle. Ti duhet ta respektosh njeriun që jeton në të dhe djersën që ka derdhë. Ne nuk dalim për djersë, nuk reagojmë, se thashë kemi qenë një grup i vogël, njëzet veta që ishim gjithmonë të njëjtët, besnik ndaj njërit-tjetrit, por unë besoj që me pas qenë dyqind e dymijë, realisht nuk do të kishin mujt me e ba. 

Kam pas një mësues në fillorë që thoshte “duhet disiplinu, e qortoj duke e kap për favoritesh”. Ky (Erion Veliaj) duhet disiplinu dhe kur them disiplinu, çdo krim e çdo allishvervish që bën këtu duhet të ketë pasoja. Për këto, ai duhet të ishte në burg. 

Me ba me u ba 200 a 2000 vetë, me këmbëngulë, me SPAK, me protesta, me i rrethu Bashkinë, ky s’do guxonte me i nisë këto. Sepse nuk mund të presësh me idenë ” Hë mo se po pshtova unë, në rregull jam”. Sepse nuk është e drejtë. Sepse historikisht njeriun e ka nda nga kafsha pikërisht ndërgjegja dhe reagimi. Kur binte zjarr në nji shpi, shkoshin të gjithë me e fikë. Kur shembej nji shpi shkoshin të gjithë me e ndihmu. Ndërsa tani po ndodh e kundërta. Shoh si fajtorë, jo vetëm pushtetarët e veglat e tyre që s’kanë turp e fshihen pas “bukës së fëmijës”, fshihen pas fëmijëve, këta janë burreca. Mirëpo nuk e kam veç për këta, më vjen çudi për këta njerëzit e tjerë që e dinë shumë mirë që po bëhet padrejtësi e nuk e ngretën zanin njëherë. “Jo nuk m’la ky, jo nuk m’la ai, jo unë s’vi po qe ti.” Atëherë e garantume është që shiko këto kollonat, për sa kohë sillemi kështu siç po sillemi, këtë rezultat kemi me pas fatkeqësisht. Shpresoj të ndërrojë najherë por nuk e di.”

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje