04.04.2022 | nyje.al
Banorët e “5 majit” i shkuan në derë edhe një herë kryetarit të Bashkisë së Tiranës për t’i kërkuar që të ulej e të gjente një zgjidhje me dhe për ta. Marrëveshja e propozuar nga Bashkia e Tiranës nuk është pranuar nga dhjetëra qytetarë, por ky fakt nuk e ka ndaluar Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë për të shembur shtëpitë e tyre.
“Ne kemi kërku takim me Kryetarin e Bashkisë, nuk kemi kërku detajet që thotë Bashkia e Tiranës. Duam të bëjmë me dije se asnjë banorë që i është prishur shtëpia edhe me datë 19 janar edhe me 22 shkurt, nuk ka bërë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës. Të vetmet marrëvëshje që janë bërë, janë ato që janë bërë të tetorit të vjetshëm, me banorët që i kanë mashtruar, të cilët i janë bashku protestës pasi s’kanë marrë asnjë rrugë zgjidhje.” – Elson Marku – Banor i “5 majit”
Elsoni gjithashtu i kujtoi Erion Velisë premtimin parazgjedhor që ai u kishte dhënë një grupi banorësh, fjalën e dhënë që marrëveshja mes institucionit dhe banorëve do të hartohej sipas parimeve të dëmshpërblimit, të drejtë e në benefit të tyre.
“Ne i jemi drejtu -për të gjetur një zgjidhje- Bashkisë së Tiranës, sepse VKM-ja thotë ngarkohet Bashkia e Tiranës për të bërë marrëveshjet me banorët. Ateherë i jemi drejtu si qytetarë, i kemi thënë: Hajde Zotëri të bëjmë një akt-marrëveshje. Bashkia e Tiranës nuk ka pranuar përfaqësinë tonë, nuk ka pranuar marrëveshje me ne dhe prandaj vazhdojnë e prishen shtëpiat me dhunë. I kujtoj Z.Erion Veliaj, të respektojë atë marrëveshjen që ka bërë me një pjesë të banorëve që kanë qenë në takim në prill të vitit 2021, përpara zgjedhjeve, ku u ka garantuar dhe i ka siguruar që të gjitha marrëveshjet do bëhen konform ligjit dhe konform akteve ligjor.” – Elson Marku – Banor i “5 majit”
Marrëveshja nuk është e vetmja zgjidhje institucionale e Bashkisë së Tiranës që refuzohet nga banorët. Nënë Liza sot rikonfirmoi që nuk do të dakordësohet as me akt-marrëveshjen e as me bonusin e qerasë.
“Nuk aplikoj as për bonusin e qerasë, e as marrëveshje nuk firmos, se janë motër e vëlla ato. Unë nuk du’ shtëpi sociale, du’ shtëpi që ta urdhnoj vetë, mos t’ma urdhnojë as qeveria e as bashkia. E kam pas ba me djersë dhe me mund, s’i kam vjedh kujt lekë as nuk i kam marrë kujt gjë, prandaj dal këtu se jam me të drejtën e Zotit.” – Liza Marku – Banore e “5 majit”
Foto nga tubimi sotëm përballë Bashkisë Tiranë, 4 prill, Ronald Qema
Nënë Liza sot foli edhe për incidentin që i ndodhi në protestën e fundit të mbajtur kundër rritjes së çmimeve, ku një qytetare e ndaloi të fliste për mediat. Mbi këtë ngjarje ajo i drejtoi një lajmërim kryetarit Veliaj.
“I baj thirrje Kryetarit të Bashkisë mos të qesë nanat e policëve të bashkisë e të punonjësve me u marr me mu, se unë do dal prap se prapë, nuk ndalem pa marrë shtëpinë.”
Opozita që s’bëzan
Janë bërë më shumë se 6 muaj qëkur rezistenca e banorëve të “5 majit” ka nisur, e për ta mungesa e partive opozitare dhe subjekteve të tjera krah tyre tregon se ata janë hallka e të njëjtit zinxhir ose shina mbi të cilët kalon treni i pushtetit e që merr përpara ç’ti dalë para.
“Kjo politika, e djathta në këtë rast, po ku Zotin është mor? Ku është? Tani dy gjëra dua të mendoj: Ose po vazhdoni të fleni gjumë, siç keni flet tash 9 vjet. Ose e keni gishtin e ngjyer edhe ju. Se ne e kemi me Erion Velinë, se ky po ma grabit, por ju duhet të na mbroni, duhet të jeni këtu me ne. Duhet të jeni këtu me ne, por nuk jeni. Hajdeni sepse në atë zonë aty, realisht po bëhet edhe për hakmarrje politike. Po bëhet për hakmarrje politike e ndërkohë ju na keni braktisë fare, opozita, edhe shoqëria civile, edhe të gjithë. Shteti po na grabit ndërsa ju po fleni. Jeni bashkëpunëtorë në krim në qoftë se nuk reagoni.” – Ndue Marku – Banor i “5 majit”
“Mos kërcëno më!”
Loreta Nikolli në një bisedë mes aktivistësh edhe qytetarësh përgjatë muajit të kaluar, teksa fliste për presionin dhe kërcënimet e pushtetit mbi banorët me qëllimin për të ndaluar rezistencën e tyre, pati treguar se si një familjar i saj është i punësuar në IMT të Tiranës dhe është detyruar të bëhet palë më dhunuesit. Në fjalën e mbajtur sot përballë Bashkisë së Tiranës, Loreta pati për t’i thënë diçka edhe drejtorit të IMT-së, Mariglen Qato.
“I bëj thirrje edhe Mariglen Qatos: ”Mos kërcëno më!”. Kam filmime dhe regjistrime tuat duke kërcënuar njerëzit (familjarët) që do i heqë nga puna vetëm prej meje.” – Loreta Nikolli – Banore e “5 majit”
Një mesazh ajo i drejtoi edhe Bashkisë së Tiranës, për t’iu treguar vendosmërinë e banorëve në luftën për të gjetur të drejtën mbi pronën e ndërtuar me mund përgjatë viteve e të cilën pushteti e shkërmoqi brenda pak minutash.
“Në qoftë se ju nuk na i plotësoni kërkesat tona, ne do jemi aty prap. Edhe faza e parë edhe faza e dytë së bashku, për të mbrojtur banesat e shtëpitë tona, për të mbrojtur dinjitetin që po na e shkelni ditë për ditë.”