Autoriteteve shqiptare u kërkohet të arrestojnë kryerabinin Yoel Kaplani për krime lufte. Policia ndalon marshimin kundër gjenocidit në Gaza

nyje.al| 24.09.2025 

Media Middle East Eye ka raportuar mbasditen e sotme lajmin ekskluziv që autoriteteve shqiptare po u kërkohet të arrestojnë kryerabinin e komunitetit izraelit në Shqipëri. Yoel Kaplan akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si pasojë e përfshirjes së tij si ushtar i Izraelit në sulmet gjenocidiale në Gaza. Sipas raportimeve, Organizata Ndërkombëtare për Drejtësi për Palestinën, e përbërë nga avokatë, akademikë dhe politikanë, ka dërguar kërkesën për arrest autoriteteve shqiptare duke theksuar detyrimet ligjore që ka Shqipëria. Në letrën formale dërguar autoriteteve shqiptare specifikohet që i dyshuari për krime lufte gjendet në Shqipëri, dhe kërkon:

“Koalicioni kërkon që policia shqiptare të arrestojë dhe të mbajë në burg individin, në përputhje me ligjin shqiptar dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë sipas Statutit të Romës, si dhe në përputhje me nenin 7(a) të Kodit Penal të Shqipërisë. Shqipëria gjithashtu i është bashkuar Konventës kundër Gjenocidit në vitin 1955 dhe duhet të ndjekë aktivisht dhe të ndëshkojë aktet e gjenocidit në përputhje me këto detyrime ndërkombëtare të së drejtës.”

Një vit më parë aktivistët e lëvizjes pro-palestineze në Shqipëri, me nismë të kolektivit “Palestina e Lirë” kanë kërkuar shpalljen non-grata të Yoel Kaplanit në Shqipëri, pas qarkullimit në rrjetet sociale të një videoje të tij mbi një tank në Gaza. Teksa në një intervistë për Middle East Eye Kaplan është pyetur për protestat pro-palestineze në Shqipëri ai është përgjigjur se ato janë ‘të vogla, dhe të parëndësishme’, teksa theksonte se ‘kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare’ dhe që ato nuk do të ndikonin në asgjë. 

Grafikë e kryerabinit Kaplan mbi tank në Gaza dhe tituj lajmesh mbi ngjarjen

Vazhdojnë protestat në Shqipëri kundër shtetit gjenocidial të Izraelit

Në qendër të Tiranës, qindra banorë dhe qytetarë të angazhuar u mblodhën edhe mbrëmjen e djeshme për të protestuar në solidaritet me popullin palestinez, i cili po përballet me gjenocidin e ushtruar nga Izraeli në Gaza. Në Sheshin “Skënderbej”, protestuesit e kthyen hapësirën publike në një tribunë të rezistencës, ku thirrjet për liri, drejtësi dhe fundin e menjëhershëm të masakrave u përplasën me heshtjen e pushtetit shqiptar dhe me prani të shtuar të forcave policore.

Ndonëse marshimi ishte i njoftuar paraprakisht nga organizatorët, Policia e Shtetit bllokoi lëvizjen e protestuesve përgjatë rrugës së Kavajës. Për shumë prej të pranishmëve, ky akt nuk ishte vetëm një masë sigurie, por një tjetër shembull i mënyrës se si shteti tenton të heshtojë zërin qytetar sa herë ai bëhet i rrezikshëm për imazhin e qeverisë dhe lidhjet e saj me aleatët ndërkombëtarë. 

Përveç thirrjeve për ndalimin e menjëhershëm të gjenocidit, protestuesit kërkuan llogari nga qeveria shqiptare për heshtjen e saj të zgjatur dhe për qëndrimin e turpshëm në arenën ndërkombëtare. Ata denoncuan faktin se Shqipëria abstenoi në rezolutën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që kërkonte ndërprerjen e luftës në Gaza – një abstenim që, sipas tyre, e rreshton vendin përkrah shteteve që justifikojnë krimet e luftës e gjenocidin dhe jo me popujt që luftojnë për të drejtën e jetës. Për protestuesit, ky qëndrim i qeverisë është më shumë se indiferencë diplomatike, kjo është shenjë e një pozicionimi të qëllimshëm që e lidh Shqipërinë me shtetin gjenocidal të Izraelit.

Lidhjet e oligarkëve shqiptarë me ekonominë e luftës

Një pjesë qendrore e protestës iu kushtua denoncimit të lidhjeve ekonomike që oligarkët shqiptarë mbajnë me makinerinë e luftës izraelite. Protestuesit ngritën zërin kundër kompanive vendase që, sipas tyre, furnizojnë me naftë makineritë ushtarake të Izraelit, duke u bërë kështu bashkëfajtorë në krimet e kryera në Gaza. Ata akuzuan publikisht këto biznesmenë për përfitimin mbi gjakun e civilëve palestinezë. 

Në listën e kompanive të akuzuar ishte edhe Balfin Group, në pronësi të Samir Manes, i cili planifikon të sjellë në Shqipëri një rrjet supermarketësh izraelit. Për protestuesit, kjo nismë është shembull i normalizimit të marrëdhënieve tregtare me një shtet që akuzohet për krime kundër njerëzimit. Organizatorët e cilësuan këtë projekt si një investim që shërben për të larë imazhin e Izraelit dhe për të bërë biznes mbi themelet e dhunës.

Bashkëpunimet qeveritare strategjike me Izraelin

Një prej organizatorëve, Florian Arapi, foli me tone të forta edhe kundër bashkëpunimeve të qeverisë shqiptare me kompani dhe institucione izraelite. Ai dënoi projektin për ndërtimin e një fabrike armësh në periferi të Tiranës, ku pothuajse gjysma e aksioneve zotërohet nga kompani izraelite. Arapi e cilësoi këtë kontratë si një formë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi me një shtet që ushtron gjenocid: një skandal që, sipas tij, ekspozon fytyrën e vërtetë të qeverisë Rama.

Në të njëjtën linjë, ai kritikoi iniciativën e Bankës së Investimeve, e cila mbështetet nga qeveria dhe përfshin bashkëpunim me institucione izraelite. Për Arapin dhe shumë prej protestuesve, këto projekte nuk janë thjesht marrëveshje ekonomike: ato janë shenja të një orientimi të qartë politik dhe financiar që e bën Shqipërinë bashkëpunëtore në krime kundër njerëzimit.

“Free Palestine” si thirrje universale

Në fund, protestuesit e kthyen Sheshin “Skënderbej” në një hapësirë të fuqishme të solidaritetit ndërkombëtar, ku thirrjet “Free, Free Palestine!” kumbuan përballë kordonëve të policisë dhe mureve të indiferencës shtetërore. Për ta, kjo protestë nuk ishte vetëm një akt politik, por një detyrë morale, një kujtesë se heshtja është bashkëfajësi dhe se drejtësia për Palestinën është një kauzë universale për jetë, dinjitet dhe liri.

“Pas dëbimit të miliona palestinezëve, pas shumë fëmijëve të lënë pa nënë, pas protestave dhe marshimeve kudo në botë, ora e drejtësisë ka filluar të rrahë. Vendet perëndimore po tregojnë se janë ngopur nga padrejtësitë. Franca dhe vende të tjera e kanë njohur Palestinën. Gjaku i dëshmorëve dëshmon fort se toka palestineze u përket palestinezëve.” – tha në fjalën e tij organizatori Floriani Arapi.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje