Arti i reporterit sipas Kapushçinskijt
Elsa Demo | 31.01.2020| nyje.al
Punishtja e mjeshtërve të gazetarisë
Një cikël shkrimesh mbi artin e gazetarisë nga veprat e gazetarëve shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj. Si e shikojnë ata botën, njeriun, historinë, burimet bazë për pasqyrimin e realitetit? Si e ndërtojnë një tekst reportazhi, eseje, fejtoni apo forma të tjera gazetareske? Çfarë parimesh etike ruajnë dhe si e vlerësojnë rolin opinion – dhe realitetbërës po edhe transformues të gazetarisë? Pyetje që gjejnë përgjigje nga librat e Ryszard Kapuścińskit, Gabriel Garcia Marquezit, Oriana Fallacit dhe Petro Markos.
Gazetari polak Rishard Kapushçinskij lëvroi reportazhin artistik për tridhjetë vjet. Librat e tij dëshmojnë kombinimin e përvojës gazetareske në terren me dijen e librave historik që ishin të pandashëm në udhëtimet e tij të largëta e të dhimbshme përmes një bote të dhunshme.
Në mjediset tona mediatike emri i Rishard Kapushçinskijt (Ryszard Kapuściński 1932-2007) ka fatin e të tjerëve të ngjashëm ose jo me të që lakohet pa e njohur. I shkon kjo formë gazetarisë së studiove që po e mbushin rezervuarin e historisë sonë bashkëkohore me intervista orale. Biblioteka po ngrihen me to. Ndryshe nga ç’e mendon Stanislav Leci këtë punën e gazetarit i cili për të shkuar te burimi, duhet të ecë kundër rrymës. Siç bën Kapushçinskij me reportazhin artistik, një lloj arti kolektiv i gazetarisë. Punishtja e tij rri sot e zhytur mes ferrash dhe gjithfarë bimësh të masmedias.
Në fakt, gazetari polak e përdor këtë fjalë, punishte (edhe ofiçinë ndonjëherë), për tërësinë e sekreteve që formojnë mjeshtërinë e raportimit, të cilën ai e konfirmon tek “Historia” e Herodotit. Ai që nisi ta kapërcejë Evropën dhe kufijtë e saj të Luftës së Ftohtë në vitin 1956, – kur nuk mund të imagjinohej që një gazetar i botës komuniste të kalonte kufijtë e shtetit – e quan autorin e lashtësisë pararendës të reportazhit modern, madje e ndien si “shpirt binjak”. Arsyet do t’i sqarojmë në vazhdim duke lexuar “Udhëtime me Herodotin” (Kapuściński, Ryszard, Papirus, përkthyes Astrit Beqiraj, Tiranë, 2013). Sepse lipset një shpirt binjak, që i pandryshuar udhëton nëpër kohë, për t’i bërë ballë universit kaotik të informacionit që lidh njerëzit dhe raporton për ta. Çka do të thotë që, pavarësisht se ky univers është një biznes i madh (jo vetëm i luftës politike, po edhe i joshjes, do të thoshte Kapushçinskij) kërkesa për cilësi profesionale në epokën e ultrateknologjisë nuk ndryshon.
Fillon me dështim
Në vitin e parë të studimeve për histori në Universitetin e Varshavës Kapushçinskij dëgjoi për “Historinë” e Herodotit në proces botimi në gjuhën polake. Libri u vonua edhe 2 vjet pas vdekjes së Stalinit. Censura ishte ende vigjilente ndaj mesazheve të koduara që lexuesi mund të merrte qoftë edhe nga një libër i shkruar në gjysmën e dytë të shek.V para Krishtit. Me të drejtë. Kapushçinskij gjeti më vonë tek anekdotat e Herodotit analogji të botës komuniste dhe regjimeve të Botës së Tretë. Metodat e Partisë Komuniste apo mbledhjet e Byrosë Politike nën drejtimin e Stalinit ai i krahason me ato të mbretërve të lashtësisë greke apo perse.
Ja një anekdotë vjelë nga Herodoti: Perianderi, tiran i Korinthit, dërgon kasnecin e vet te Trazibuli plak, diktator i Miletit, për të mësuar si t’i mbajë njerëzit të nënshtruar. Asgjë nuk i tregoi Trazibuli. Por duke e shëtitur në një arë me grurë, teksa e pyeste kasnecin përse kishte ardhur, këpuste “kallirin që ngrihej mbi të tjerët. E shkulte dhe e hidhte derisa më në fund e shkatërroi pjesën më të harlisur dhe të bukur të arës” 1. Këshilla e Trazibulit ishte e qartë: vraji dhe zhduki qytetarët e urtë që ngrihen mbi të tjerët!
“Historia”, i vetmi libër që shkroi Herodoti (485-425), i ra në dorë Kapushçinskijt kur filloi punë në një gazetë të vogël. Aty ndiqte letrat që mbërrinin në redaksi. Shkonte fshat më fshat, me kamionçinë ose autobus. Por dëshira e tij e madhe ishte të kapërcente njëherë kufirin gjë që ndodhi një vit më vonë, si i dërguar i posaçëm në Indi.
Para se të nisej, kryeredaktorja i jep me vete librin “Historia” e Herodotit. (Me fat ky gazetar! Paskësh pasur për shef dikë që jo vetëm mban libër në sirtarin e punës e që ky libër paskësh qenë i Herodotit – e jo i ndonjë shkrimtari batall apo mik i shefit që të kërkon të shkruash për të – por ç’është më e rëndësishmja, ia dhuron atë libër me bujari, me mendimin se ajo gjë magjike më shumë se shefit do t’i duhej gazetarit të ri në udhëtimin e parë të rëndësishëm si reporter në një vend për të cilin nuk dinte asgjë.)
Poshtërim, ankth, pasiguri, dyshim ndien ai në Indi. Nuk ia njeh as gjuhën, as kulturën, as historinë asaj. Nuk arrin të rrokë madhësinë, shumëllojshmërinë, varfërinë, pasurinë dhe misterin e saj. Nuk ia del të kuptojë që për çdo lloj objekti dhe për çdo veprim indianët kishin një person të caktuar, “i cili e dinte fort mirë rolin dhe vendin e vet. Njëri sillte çajin në mëngjes, një tjetër pastronte këpucët… duhej një intuitë e zhvilluar dhe dije që të mund të njihje dhe të depërtoje në këtë strukturë të thurur e të mbyllur kaq imtësisht” 2. Të gjitha këto e shtypin dhe e mundin. Por i vlejti këshilla që i dha vetes: “Shtriji këmbët sa ke jorganin!”
Intuita e shtyn rrugëve të Delhit. Mban shënim mbishkrimet e reklamave, parullat në duart e protestuesve, fjalët që dëgjon në stacion dhe autobus, shkrimet në ekranin e kinemasë. Me dhjetëra, qindra njerëz të zbathur ndesh xhadeve, që i kujtojnë veten fëmijë në Varshavën e shkatërruar dhe të djegur nga lufta. Dimri po afronte dhe për të blerë një palë këpucë që kushtonin 400 zloti, duhej të shiste sapunë rrugëve. Ishte ky kujtim që po e identifikonte emocionalisht me këta të panjohur, duke përjetuar për pak ndjenjën e kthimit në shtëpi. Natyrisht që intuita, ashtu si kurioziteti për botën, është diçka që nuk mund të mësohet, pra është e karakterit të njeriut në përgjithësi dhe e gazetarit në mënyrë të veçantë. Intuita edhe mund të edukohet e të disiplinohet.
Me kalimin e viteve në këtë profesion, Kapushçinskij vlerëson përvojën “e drejtpërdrejtë, fizike, emocionale, nuhatëse, pa filtra dhe ekrane mbrojtëse” 3, e cila çlirohet pastaj në historinë që gazetari tregon. Është një gjendje ku gazetari bëhet sfungjer, thith lëngjet e jetës, që rrjedhin rrugëve apo lumit, siç literalisht ndodh në Benares, qyteti i shenjtë me Gangun përmes. Ai ulet dhe pret lindjen e diellit aty:
“Në krahun tjetër të Gangut, i cili në këtë vend është i gjerë, me shumë ujë dhe dembel, zgjaten radhë stivash druri ku digjen me dhjetëra, qindra kufoma. Kush është kurioz, për disa rupi, mund të shkojë me varkë tek ky kremator gjigand në qiell të hapur. Këtu kërcejnë burra gjysmë lakuriq, lyer me zift, por edhe shumë të rinj që me hunj të gjatë rregullojnë turrat e druve në atë mënyrë që mund të krijohet një flakë më e mirë dhe që djegia të kryhet më shpejt sepse radha e kufomave nuk ka të sosur, pritja është e gjatë. Hamenjtë përmbledhin hirin që ende përvëlon dhe e shtyjnë drejt lumit. Për një copë kohë hiri gri qëndron mbi valë e paskëtaj, i ngopur me ujë, mbytet dhe humbet.”4
Ç’ishte ky vend? Ndërgjegjja i thoshte Kapushçinskijt se një mentalitet evropiani, që përshkohet nga racionalizmi dhe materializmi, nuk mund ta kuptonte hinduizmin, kulturën e mbushur me spiritualizëm dhe metafizikë. Nuk i mbetej veç të kthehet në atdhe i turpëruar me padijen e tij dhe me një qëllim: të bëjë një punë të madhe me veten.
Puna me veten
Kur intuita ia ajros shqisat gazetarit, atëherë ndërgjegjja pranon rolin që duhet të kenë dija teorike dhe librat në formimin për kapjen e botës. Kapushçinskij vazhdon të lexojë për Indinë edhe kur është larguar prej saj dhe kupton se sipas filozofisë indiane veprimi më i rëndësishëm që kryen njeriu është frymëmarrja. Profesionisti diagnostikon këtu se gazetari evropian vuan nga europocentrizmi që e konsideron gjuhën evropiane më të rëndësishme sesa gjuhën dhe kulturën e vendeve që prek.
Në udhëtimin e dytë të rëndësishëm në Azi, në Kinën e vitit 1957, ai mban në njërën dorë valixhen, në tjetrën çantën me libra. Një mori librash historikë, metoda dhe fjalorë të gjuhës kineze, që vendosi ta mësojë qysh ditën e parë që zbriti në vend. Kishte marrë me vete edhe veprat e zgjedhura të Mao Ce Dunit. Në fakt, faqet e veprës së Maos ai i sheh në shkallë të zmadhuar nëpër qytet në formën e parullave. Dhe shtron pyetjen: përtej faktit që njeriu i përshtatet sistemit, çfarë kishte në filozofinë e jetës kineze që e mbante të nënshtruar një popull të tërë? Pyetja e shtyn të reflektojë për gjendjen njerëzore si ekzistencë, si shpirt dhe si nevojë për të sublimuar të bukurën. Domethënie që zbulohen pas simboleve si Muri kinez, monumenti i ndërtuar përgjatë dy mijë viteve, “dëshmi e një dobësie dhe bjerrjeje njerëzore”. Për ta zbuluar realitetin në të tria këto nivele, ekzistencial, shpirtëror dhe estetik, gazetari kombinon nuhatjen dhe dijen me shkuarjen në terren. Çështjen e mbijetesës ai e argumenton me anë të Konfucit (bashkëkohës i epokës së Budës dhe i Herodotit, e Platonit pak më vonë), që përfaqëson mendimin praktik kinez, sipas të cilit, midis detyrimeve që njeriu ka ndaj shoqërisë, nënshtrimi ndaj prindërve dhe pushtetit dhe respektimi i paraardhësve dhe traditave, janë detyrimet më urgjente, që e mbajnë krijesën në gjendje pafuqie dhe padëshire për t’i ndryshuar gjërat. Çështjen e bukurisë që njeriu krijon me anë të vuajtjes, Kapushçinskij e konfirmon edhe një herë në Iranin e vitit 1979 ku ndodhet për të përshkruar javët e fundit të Shahut dhe revolucionin islamik me në krye Ajatollah Khomeinin.
Rrugës për në Persepolis – i krahasueshëm për nga magjia me Mekën dhe Jerusalemin – qyteti që ndërtoi Dari dhe me të cilin Shahu krenohej, R.K. mendon për fatin e ndërtuesve të tempujve dhe pallateve mbretërore. Mendon “mbi dhimbjen, shtyllat kurrizore të thyera, sytë e nxjerrë nga ciflat e gurëve, reumatizmën. Mbi jetën e tyre të mjerë. Vuajtjen e tyre. Dhe pas kësaj lind pyetja tjetër – këto mrekulli a do krijoheshin vallë pa atë vuajtje? Pa tmerrin që jeton tek skllavi? Pa fodullëkun e sundimtarit? Me një fjalë, artin e madh të së kaluarës nuk e ka krijuar ajo çka është e keqe dhe negative te njeriu? A nuk e ka krijuar atë bindja se ajo që është tek njeriu negative dhe e dobët mund të mposhtet vetëm nga e bukura, vetëm nga përpjekja dhe vullneti për ta krijuar të bukurën? A nuk është kështu që e vetmja gjë që nuk ndryshon kurrë, a nuk është forma e bukurisë? Dhe nevoja për të që jeton tek ne?” 5 Ndjenjat që provokojnë objektet monumentale ose jo, janë po aq të rëndësishme për gazetarin sa ndjenjat që provokon takimi me “tjetrin”. Në letërsinë e mirë (edhe në gazetarinë e mirë) mund të gjesh faqe të tëra ku përshkruhet, për shembull, ndjesia që ngjall një triko e vjetër.
Pas këtij udhëtimi në Persepolis, R.K. – që e mban me vete grekun dhe e lexon në autobusët rrangallë, në hotel a ku të mundë – i kthehet përshkrimit që Herodoti iu bën trauzorëve, popullit që jetonte në mesin e trakëve, pushtuar nga Dari edhe këta, me zakone që i dallonin nga popujt e tjerë. Për shembull, trauzorët e rrethonin të sapolindurin dhe e vajtonin për vuajtjet njerëzore që e prisnin përpara; të vdekurin e varrosnin me gëzim, sepse ai u kishte shpëtuar tanimë fatkeqësive.
Trauzorët mund t’i përkisnin botës së tretë, që, parë nga perspektiva e sotme e konceptit, siç e vë në dukje Kapushçinskij, nuk nënkupton aq gjeografinë dhe racën, por varfërinë dhe shtypjen. Nga ballafaqimi i reportazheve të natyrës etnografike, kulturore, po edhe politike, që kanë realizuar reporteri i lashtësisë dhe reporteri modern, dallohet përcaktimi i saktë i situatave dhe gjendjeve njerëzore që është bërë në vend, duke pasur si burim kryesor të njohjes gazetareske “të tjerët” 6. Këtu shërben ajo cilësi që në psikologji quhet empati: “Të bëhesh menjëherë, që nga momenti i parë, pjesë e fatit të tyre (të njerëzve – shënimi im E.D)” 7
Cilido gazetar që kalon nëpër këtë proces, që nuk nënkupton aspak lëshimin shpirtëror apo humbje të distancës së objektivitetit, është duke prodhuar një kuptim për jetën dhe një erë ndryshimi të rrethanave, shenja dalluese këto të gazetarisë së mirë e të vërtetë, që është gazetaria qëllimore 8 (intencionale). Siç janë të qëllimshme udhëtimet e Herodotit në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.
Në teorinë e shkrimit dhe raportimit të lajmit, bota që na rrethon, ajo që gazetari prek dhe sheh, hyn tek burimet kryesore. Nëpër të Kapushçinskij shquan disa nuanca që kanë të bëjnë me ngjyrat, temperaturën, atmosferën, klimën, gjithçka që konsiderohet gjë pa peshë 9. Elemente që përpara polakut i prek si këshilla për shkrimtarët e rinj edhe Ernest Hemingway. Kurse R.K. i përcakton jo si materie, por si “gjëra pa peshë”, gjithsesi “gjëra” lëvizja e të cilave në përshkrim ndjehet dhe është e prekshme. Ato e përfshijnë lexuesin, e ngrenë nga koha e leximit për ta zhvendosur në kohën e rrëfimit, në vendin ku reporteri ka qenë, atje ku ai i pari ka përjetuar transhendencën në kohë të tjera.
Punishtja e grekut
Të udhëtosh në vende të largëta, të raportosh për mjerimin ekstrem, të kalosh nga një diktaturë në tjetrën, nga një grusht ushtarak në tjetrin, e të mos lodhesh nga e sotmja?! Është dhimbje për gazetarin që sheh gjithçka dhe nuk është në gjendje të bëjë dot asgjë. Herodoti e kishte paralajmëruar Kapushçinskijn për këtë barrë njerëzore dhe profesionale. Ndaj motivi i ekspeditave në të shkuarën e gazetarit polak mund të shihet këtu:
“Më shumë më ka prekur shkatërrimi Athinës sesa grushti i fundit ushtarak në Sudan, kurse mbytja e flotës perse ishte diçka më tragjike sesa rebelimi i radhës i ushtrisë në Kongo. Tanimë botë e përjetuar nuk ishte vetëm Afrika, për të cilën kisha për të shkruar si korrespondent i agjencisë së lajmeve, por edhe ajo tjetra, që ishte zhdukur qindra vjet më parë, larg prej këtej.”10
Nga ana tjetër, parimi se e shkuara është e tashme është përbërëse e metodës së reportazhit që R.K. dallon në tekstet e Herodotit. Metoda e tij i qëndron kohës në disa pika që janë esenciale për mbledhjen e informacionit, organizimin dhe strukturimin e tij. Ja se si!
Udhëtimi – Për të ditur se çfarë thonë persët, fenikasit, banorët e Egjiptit apo Libisë, Herodoti udhëtoi tek ata . 11
Kujtesa i jep formë historisë – Shumë shekuj para nesh Herodoti zbulon një tipar të rëndësishëm dhe djallëzor të kujtesës – njerëzit mbajnë mend atë që duan të mbajnë mend dhe jo atë që ka ndodhur në realitet. Kështu mbërritja tek e shkuara e vërtetë është e pamundur.
Historia duhet të shitet mirë – Nëse Herodoti e gjen konfliktin Lindje-Perëndim tek historia e rrëmbimit të grave – histori që fillon me fenikasit që rrëmbejnë Jonë, vajzën e mbretit të Argosit, deri tek trojanët që rrëmbejnë Helenën, gruan e mbretit grek Menela, – kjo ndodh, sipas arsyetimit të Kapushçinskijt, ngaqë ai, reporteri i lashtësisë, ka ditur të respektojë ligjin e tregut mediatik! Pra, histori triviale dhe sensacion!
Anekdota – është një shembull praktik për të ilustruar aktualitetin me anë të ngjarjeve dhe figurave që ndjellin analogji. Është një pikë e fortë për reportazhin, intervistën dhe zhanre të tjera gazetareske sepse i jep ton familjar tregimit, e zbavit lexuesin, ia thjeshton dhe konkretizon si një shembull në miniaturë aktualitetin, i jep atij idenë e njohjes së botës në shkallë më të gjerë.
Anekdotat e zgjedhura nga “Historia” e Herodotit i flasin kohës së Kapushçinskijt po aq sa kohës sonë. Ja ç’thotë një anekdotë nga lufta greko-perse që ia vlen të tregohet: Pushtimi i Miletit nga persët ishte disfatë e rëndë për athinasit. Ndaj kur dramaturgu Frinikos shkroi dhe vuri në skenë dramën “Marrja e Miletit”, gjithë publiku kishte shpërthyer në ngashërim. Autoritetet e Athinës e gjobitën autorin me një mijë dhrahmi dhe e ndaluan që ta rivinte në skenë. Sepse në një kohë të tillë arti duhej t’i shërbente “forcimit të shpirtit dhe argëtimit dhe jo ngacmimit të plagëve” 13.
Kjo anekdotë shpreh një ligjësi të Herodotit që thotë: është më e lehtë të mashtrosh një turmë sesa një individ. E vërtetë për mediumet e informimit, për subjektet që e shfrytëzojnë pushtetin e masmedias, për kulturën e masave. Është e vërtetë kur sheh çfarë nuk i frymëzon ata që merren me kinema, teatër apo muzikë në Shqipëri. Ndërsa, kush synon të përshkruajë realitetin dhe të ngacmojë plagët, synon në njëfarë mase të ndikojë në realitet. Brecht-i thotë se “botën do ta ndryshojnë ata që nuk e pëlqejnë”. Kështu që zgjedhja midis spektaklit dhe realitetit mbetet një dilemë për ata që janë gazetarë profesionistë edhe për ata që konsumojnë informacion.
Një tjetër anekdotë që R.K. ka veçuar nga Herodoti tregon për sjelljen e Darit, i cili e kishte hedhur ushtrinë perse në një aventurë tjetër pushtimi, në tokë të panjohur, këtë herë kundër skithëve (një popull i mbuluar nga bora në Evropën Lindore në stepat aziatike). Kur dy ushtritë u ndodhën përballë, në mes të dëborës, një lepur vrapoi para skithëve dhe ata iu vunë pas. Persët e humbën toruan. “Këta njerëz po na nënvleftësojnë shumë” tha Dari duke e marrë të qartë mesazhin për “peshqeshet skithe” 14. Pas dështimit të fushatës, Dari urdhëron që ushtria të tërhiqet dhe “porosit të lidhen gomerët me qëllim që të pëllasin duke dhënë përshtypjen se në taborin pers jeta rrjedh normalisht” 15.
Anekdota në një tekst reportazhi mund të bëhet ndalesë e hijshme për të pasuruar me urtësinë e paraardhësve reagimin e qytetarit modern përballë pushtetit autoritar dhe formave të tij rrëshqitëse të përgjegjësisë. Veç kësaj, mise en scene-a e forcave të kundërta në një anekdotë mund të na kujtojë se si riciklohet arketipi i shoqërisë së polarizuar.
R.K. vëren që Herodoti i nënvizon rezervat e veta, pamundësinë për t’i verifikuar faktet apo për të qenë dëshmitar okular në një ngjarje. Në këto raste ai përdor shprehje të llojit: siç njoftojnë, me sa di, siç mësova nga ajo që thonë…, ky është raportimi im nga ajo çka tregojnë. Është në praktikën e reporterit që para se të jetë i sigurt për gjithçka, synon të jetë i sinqertë dhe i ndershëm në raport me burimet dhe informacionin që përcjell.
Për të ardhur tek njeriu si burim primar për epokën e Herodotit:
“Që të ekzistojë njeriu, duhet të ndiejë praninë e një njeriu tjetër, duhet ta shohë dhe ta dëgjojë atë – nuk ekzistonte formë tjetër komunikimi – për rrjedhojë nuk ekzistonte mundësi tjetër jete. Ky civilizim i transmetimit gojor i afronte njerëzit. Ata e dinin që Tjetri ishte edhe i vetmi, i pazëvendësueshmi që mund të të shpjegojë botën dhe të të bëhet udhërrëfyesi në atë botë. Sa shumë më e pasur është kjo gjuhë e lashtë, antike e kontaktit të drejtpërdrejtë sokratian! Sepse të rëndësishme në të nuk janë vetëm fjalët, por ajo që kumtojnë jashtë fjalëve me shprehjen e fytyrës, gjestin e duarve, lëvizjet e trupit.” 16
Oriana Fallaci ka arritur të përdorë një fjalë të vetme dhe të guximshme: coitus – akti seksual – për të përshkruar varësinë dhe rëndësinë që ka, sidomos për zhanrin e reportazhit, kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit dhe dija që njerëzit i përcjellin gazetarit e, nëpërmjet tij, lexuesit apo publikut. Mjafton që gazetari të ketë zemër te sytë.
Te sytë është zemra
Vitet ’60. Kapushçinskij ndodhet në Etiopi, një vend ku qeveris perandori, ku nuk ka parti politike, as sindikata, as opozitë parlamentare. Në makinë me shoferin Negus, nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit, njohin vetëm fjalët “problem” dhe “no problem”:
“Mijëra kilometrat me të më konfirmonin se çfarë pasurie gjuhësore është qenia e një njeriu tjetër. Flet: shprehja e fytyrës dhe e syve, gjestet e duarve dhe lëvizjet e trupit, valët që dërgon trupi, veshja dhe stili, si dhe dhjetëra transmetues, përcjellës, përforcues dhe zhurmues të tjerë që janë pjesë e – siç e përcaktojnë anglezët – kimisë së tij… Për më tepër kjo gjuhë pa fjalë, gjuha e shprehjes së fytyrës dhe e gjesteve të imta, është ku e ku më e sinqertë dhe e vërtetë sesa gjuha e folur apo e shkruar, sepse me të është më e vështirë të gënjesh apo të fshehësh mashtrimin.” 17
Që reporteri ta shohë tjetrin me këta sy, është e nevojshme përgatitja e tij etike, element që fakultetet e gazetarisë në botë nuk e kanë fort përzemër, sepse, më së shumti, në auditorë u kushtohet vëmendje aspekteve teknike dhe teorike të zanatit. 18
Ky “tjetri” mund të jetë edhe portreti kolektiv i një shoqërie që lind nga vëzhgimi i sjelljes së njerëzve, për shembull, në rrugët e Kajros, në vitin 1960. Kapushçinskij ndodhet në Kairo sepse ajo ishte qendra e lëvizjes çlirimtare të Botës së Tretë ku gjëllinin organizatat terroriste dhe fondamentalistët islamikë. Një mëngjes herët me zagushi, ai del në rrugë duke kërkuar një vend për të hedhur fshehurazi një shishe birre. Atëkohë zhvillohej në vend një fushatë antialkool. Por në çdo qoshe, në çdo kthesë, portë apo rrugicë kishte një arab që nuk ia ndante sytë. Kishte njerëz të domosdoshëm në shërbim të dhunës, që përbënin një magmë pasive:
“Në çdo çast, për ndonjë shkak dosido këta lloj njerëzish mund të krijojnë dyndje, rrëmujë, turmë, e cila ka mendimin e vet për gjithçka, ka kohë për gjithçka, do të donte të merrte pjesë në gjësend, të merrte rëndësi, porqë askush nuk ia vë veshin, askush nuk ka nevojë. Të gjitha diktaturat ushqehen me këtë magmë pasive. Nuk kanë nevojë të mbajnë ndonjë armatë të kushtueshme policësh të punësuar. Mjaftojnë të shkojnë tek njerëz që diç kërkojnë në jetën e njerëzve. T’u japin atyre ndjesinë që dinë të jenë të dobishëm për diçka, ndjesinë që dikush i llogarit, që kanë rënë në sy, që diçka janë edhe ata” 19.
Nëse një vend të bën të humbasësh dinjitetin, të bën të mos jesh më njerëzor e të mos ndihesh vetvetja, atëherë njeriu duhet t’i hapë sytë e t’i thotë vetes dhe të tjerëve se nuk jeton, në demokraci jo e jo, por së pari, në një vend të lirë. Kështu vëmendja për gjërat e vogla, për detajet, për gjendjen shpirtërore të tjetrit, si fryt i vëzhgimit dhe intuitës bashkë, e shtyn gazetarin të priret për shkrimin e asaj lloj historie që lind përditë, sipas Shkollës franceze të Analeve 20. Diçka që Herodoti e kish aplikuar në kushtet e mungesës së plotë të një dijeje për botën, të hartave dhe manualeve.
_______________________________
1. Kapuściński, Ryszard, “Udhëtime me Herodotin”, Papirus, Tiranë, 2013, f.11.
2. Kapuściński, R, “Udhëtime…”, vep.cit., f.35.
3. Kapuściński, Ryszard, “Il cinico non è adatto a questo mestiere”, Edizioni e/o, Roma, 2006, f.14.
4. Kapuściński, R, “Udhëtime…”, vep.cit., f.33.
5. Kapuściński, R, “Udhëtime…”, vep.cit., f.172.
6. “Tjetri” është një tezë që Kapushçinskij e ka trajtuar gjerësisht në tekstet e tij, si fenomen brenda së njëjtës kulturë dhe kulturave të ndryshme. Në studimet letrare a antropologjike “tjetri” është bërë një temë mainstream-i. Për më gjerë, shih: Kapuściński, Ryszard, “L’altro”, Feltrinelli, Milano, 2007.
7. Kapuściński, R, “Il cinico…”, vep.cit., f.39.
8. Po aty R.K përmend shkrimet e gazetarëve të mirë si Mark Twain, Ernest Hemingway, Gabriel Garcia Marquez, dhe gazetarinë e tyre si gazetari intencionale.
9. Kapuściński, R, “Il cinico…”, vep.cit., f.45.
10. “Udhëtime…”, f.246.
11. Vep.cit.,f.291.
12. Po aty.
13. Vep.cit., f.181.
14. Vep.cit., f.162.
15. Vep.cit., f.163.
16. Vep.cit., f.200.
17. Vep.cit., f. 206.
18. Kapuściński, Ryszard, “Autoritratto di un reporter”, Feltrinelli, Milano, 2007, f.103.
19. Kapuściński, R., “Udhëtime…”, vep.cit., f.128.
20. Tek “Autoritratto di un reporter”, f.18, Kapushçinskij pohon vlerësimin që ka për shkollën franceze të Annales-ve, adhurimin për Bloch-un, Braudel-in, Febvre-in, “mënyrën e tyre të të menduarit që niset nga e veçanta për të ndërtuar një tablo të plotë dhe për të nxjerrë nga historia disa elemente te veçanta që mbeten të pandryshuara për një kohë të gjatë. Ishte zbulimi i këtyre elementeve që më nxiste kur shkruaja “Imperiumin”.”