Artan Raça: “Aty ku fillon poetika, aty mund të flasim për arkitekturë”

nyje | 11.07.2018 |

Artan Raça është arkitekt i lirë. Mendimet e tij mbi arkitekturën kanë qenë më aktive se kurrë vitet e fundit kur politika shqiptare ka ndërmarrë aksione asgjesuese ndaj veprave trashëgimi kombëtare dhe po vazhdon ta orientojë ndërtimin në qytet drejt komercializimit të hapësirave publike. Mendimet e tij dhe qëndrimet e tij publike të shtyjnë në reflektim për arkitekturën, se përse ajo është e bukur apo përse është e shëmtuar kur kompromentohet dhe del nga misioni i saj që në thelb është aq njerëzor. Akoma më shumë të bën ta duash arkitekturën dhe të mendosh për të në momente kritike që kalojnë shoqëri si e jona. Mendimi i vazhdueshëm, konstant për arkitekturën dhe lidhjen e saj me pushtetin e përditshmërinë tonë mund të ndihmojë në përballjen qytetare dhe të guximshme ndaj situatave të papëlqyeshme.

Midis zgjedhjeve që kishit për t’i dhënë drejtim jetës suaj, si e gjetët veten tek arkitektura?

E kujtoj shpesh me shumë miq dhe shokë momentin (nëse është e mundur që njeriu ta kapë atë moment) kur unë isha në përfundim të gjimnazit dhe më duhej të shprehja dëshirën për shkollën e lartë. Ka qenë para viteve ’90, pasi unë tani jam në një moshë ku gjysmën e kam kaluar nën diktaturë dhe gjysmën në demokraci. Atëherë kishim tri atlternativa dhe në fakt që nga viti i dytë e kisha të qartë se doja të bëja arkitektin. Nuk e di përse më kishte lindur kjo dëshirë, nuk mund të them se vizatoja mirë edhe pse me kalimin e kohës kuptova që për të qenë arkitekt i mirë jo doemos duhej të vizatosh mirë. Pra si zgjedhje të parë kisha arkitekturën, pastaj gazetarinë dhe në fund inxhinierinë elektronike.

Dhe çfarë ndodhi që u zgjodhët arkitekturën?

Qëllova me fat, ose mund ta quajmë rastësi. Pikërisht atë vit u hoq stazhi për meshkujt, pra për “ata” jo për “ato”. Për shkak të kësaj lindi nevoja t’i nënshtroheshim një konkursi shumë të shpejtë për të cilin kishim vetëm dy javë për t’u përgatitur. Në konkurs ishim diku 16 studentë, prej të cilëve arritëm të dilnim tetë, mes tyre edhe unë. Mbase nuk ka qenë rastësi, pasi kisha bërë një farë përgatitje për këto gjëra.

Shtëpia juaj në çfarë lagje apo hapësire ka qënë e vendosur? Nëse do bëjmë një kthim mbrapa, si do ta gjykonit në aspektin e arkitekturës vendin ku jeni lindur e jeni rritur?


Për fatin e mirë unë kam jetuar në një zonë qëndrore e cila ishte e përkujdesur nga ana arkitekturore. Ajo ishte zona e Bulevardit në Tiranë ku kanë qenë ndërtesat më të mira italiane. Mbrapa piramidës, ndodhej pallati ku kam jetuar deri në adoleshencë dhe mendoj se mbetet një nga pallatet e banimit më të mira që kam parë deri më sot, thënë kjo nga aspekti i funksionit dhe seriozitetit të të bërit të gjërave. Banesa kishte një tipologji arkitekturore në të cilën mund të shohësh të pasqyruar të gjithë shoqërinë njerëzore. Qyteti nuk është gjë tjetër veçse shtrirja e personalitetit tënd jashtë derës së banesës. Siç është banesa, është edhe qyteti. Nëse banesat janë në gjendje të keqe edhe qyteti është në po atë gjendje. Dhe ajo për të cilën po flasim ka qenë një nga banesat më të mira. Aty kishte një banjo me standarde europiane që në atë kohë, e shtruar me pllaka qeramike gjashtëkëndore. Kishte dush të ngrohtë me kaldajën që ndizej me dru dhe qymyr. Pra shtëpia ime, ish Pallati i Pionierëve përballë, stadiumi, ndoshta kështu ka filluar afria ime me arkitekturën. Kanë qenë këto disa detaje që më kanë dhënë ndoshta drejtimin e jetës.

Ju thoni që pasi studiuat për arkitekturë kuptuat që diploma nuk të bën arkitekt. Çfarë përfaqësonte brezi i pedagogëve që në një aspekt është teoria, katedra, akademizmi dhe nga ana tjetër studenti që do të çlirohet prej tyre?

Ka dy probleme në lidhje me arkitekturën, tek unë personalisht. Së pari është problem i shkollës. Shkolla ime ishte e izoluar, nuk kishte literaturë të huaj pasi në atë kohë arkitektura trajtohej si art, dhe artet kishin të bënin me ideologjinë, për këtë arsye qarkullimi i librit të huaj censurohej. Në Bibliotekën Kombëtare mund të vinin një sasi librash nga jashtë, kryesisht nga Franca dhe Italia, por pjesa më e madhe e tyre hiqej nga fondi i librave që mund t’i konsultonin të gjithë, kishin të drejtë vetëm disa profesorë. Dhe penaliteti i dytë që mbart arkitektura është ajo që thotë dhe arkitekti italian Renzo Piano “arkitektët duhet të jetojnë 150 vjet, pasi 75 vitet e para janë për të mësuar”. Arkitektura më shumë vetmësohet sesa ta mësojnë. Edhe praktika ime e mësimdhënies është diçka e cila më shumë mund të shpresoj t’i frymëzojë studentët të merren me arkitekturën, sesa t’u mësojë diçka konkrete në lidhje me profesionin.

Kjo lloj dijeje për arkitekturën që kërkon kaq shumë vite, me çfarë ka të bëjë në thelb?


Është dije që kërkon kohë fizike, reflektim, shikim dhe gjesdisje. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për një arkitekt. Po marr shembullin e një ndër arkitektëve më të rëndësishëm të shek.XX Le Corbusier, arkitekt zvicerian i natyralizuar francez. Ai ka ikur nga fakulteti pasi nuk rrinte dot më atje, i merrej fryma. Pas kësaj filloi të udhëtonte, aty mësoi se çfarë ishte liria, reflektimi, dhe arkitektura

Flasim pak për projektet tuaja. Së fundi “Pallati i verdhë”, që ndodhet në Rr. “Hoxha Tahsim” ka qenë kandidat për një çmim në Spanjë? Në fakt si lind një projekt i mirë?

Unë kam një ide timen mbi veprën e artit dhe të arkitekturës. Janë disa vepra të cilat autori i ka në mendje përpara se t’i bëjë. Si ai treni të cilin ti ke kohë që e pret të kalojë, ose më saktë është ai treni që vjen për tek ty. Ti nuk shkon të kapësh trenin, por ti pret një tren të caktuar i cili është për ty. Kështu ishte për mua vepra “Pallati i verdhë”.. Ajo është një rrugë më se e zakonshme dhe këtu qendron edhe problemi i saj. Kam një fotografi të vendit të shkrepur para ndërtimit të pallatit, të cilën fare mirë mund ta kishe marrë për ndonjë rrugë në Kandahar. Një kazan me plehra, një vend i pakujdesur me baltë, trotuari i pa bërë. Kërkoja të krijoja një pikë referimi në atë rrugë pasi sot e kemi të vështirë të orientohemi sepse nuk ka pika referimi. Është njësoj si te kjo rruga këtu ku jemi, nuk ka një pikë referimi të mirë në të. Arkitektura është edhe referim, të ndihmon për t’u orientuar.

”Pallati i Verdhë” është nominuar mes mijëra projektesh të tjera në rang ndërkombëtar nga fondacione serioze. Ju e konsideronisi veprën tuaj më të mirë?

Po, është nga më të frymëzuarat dhe është vlerësuar pikërisht për këtë arsye. Së dyti është shumë e rëndësishme që arkitektura të rregullojë vendin, t’i japë një lloj qytetarie, të ndikojë në qytet dhe në jetën e njerëzve sado e vogël që të jetë.

Kur flasim për të bukurën në arkitekturë, si mund t’ua tërheqim vëmendjen të tjerëve dhe t’u japim mundësinë që ta shohin me sy tjetër veprën për të cilën shprehen? Ose të rinjtë, të cilët ende nuk i kanë konsoliduar dijet e tyre, cila është mënyra për t’u thënë çfarë është e bukur në arkitekturë?

Kjo është pyetje shumë e vështirë. Kur impresionistët hapën ekspozitën e tyre të parë në Paris, u denigruan deri aty sa nofka “impresionist” mori konotacion negativ. Më vonë kjo rrymë mori vendin që i takonte. Ndaj e bukura e bën konsensusin e saj ngadalë. Për të kuptuar diçka të bukur, një vepër arti, një vepër arkitekturore të duhet të njohësh rregullat e saj. Të bukurën mund ta gjykojmë me disa parametra. Përmasat, raportet dhe ndikimi që ka ajo vepër në atë territor. Por nuk është vetëm kaq. E bukura është estetikisht dhe etikisht e bukur. Grekët e lashtë nuk e ndanin të bukurën nga koncepti i së drejtës, pra të dyja këto ishin anët e së njëjtës medalje, të asaj që ata e quajnë të përsosurën. Unë mendoj njësoj, një gjë e bukur duhet të jetë estetikisht edhe etikisht e bukur, nuk mund të jetë vetëm formë.

Gjendemi në Kamëz, në një zonë ku spontaniteti për të ndërtuar dhe për të kapur sa më shumë hapësira është pa kufi. Janë ndërtuar shtëpi të cilat së brendshmi mund të japin shumë dashuri, rrisin breza të rinj, por që janë ndërtuar përtej idesë për të bukurën për të cilën po flisni.


Problemi më i madh i arkitekturës në Shqipëri është raporti me të bukurën, i cili është shkatërruar thellësisht. Vështirë të gjesh nëpër qytet të bukurën. Shëmtia që i kemi dhënë këtij qyteti është dëmi më i madh që i kemi shkaktuar shoqërisë sonë. Ne nuk i kemi dhënë shanse të bukurës.

Shembulli i ndërtimeve spontane të bëra në qytetin e Kamzës, është rasti ku nuk mund të flasim për arkitekturë. Këto shtëpi janë bërë pa arkitekt. Më vjen ndërmend një studiues Bernard Rudofsky i cili flet për arkitekturën pa arkitekt, por nuk është ky rasti. Mund të ishte rasti i qytetit të Beratit dhe Gjirokastrës, ndërsa rasti në fjalë është thjesht ndërtim: kjo quhet metra kub beton. Nuk klasifikohet fare si arkitekturë. Mundet të ketë formë, por nuk ka ide. Ideja fillon aty ku muret të krijojnë një hapësirë poetikisht të jetueshme. Të jetosh- thotë Holderlin- do të thotë të jetosh poetikisht. Të jetosh poetikisht do të thotë që në çdo moment të shijosh të bukurën. Nëse këto mure ekzistojnë si mure dhe kaq, nuk janë hapësira të jetueshme. Aty ku fillon poetika, aty mund të flasim për arkitekturë.

Ndërtesat në këtë zonë periferike duket sikur janë në tentativë të vazhdueshme për të imituar stile perëndimore. A është kjo një shfaqje e kulturës kitsch? Cfarë është në thelb kitsch-i?

Pas mbarimit të një emisioni televiziv, një shoqëruese e moderatores më kërkon të flas me të. Ajo më pyet “çfarë është ky kitsch-i që keni zënë me gojë…se unë e di që anija ka bashin dhe kiçin, por këtë s’po e kuptoj dot”… E pashë që ishte shumë larg kuptimit të fjalës, dhe i thashë: “Është njësoj sikur unë tani të marr një kapele oficerash dhe të ta vë në kokë që të dalësh në emision. Ky është kitsch-i.” Pra është një amalgamë pa asnjë bazë ideore. Në historinë e artit ka një vend të caktuar, por nuk do të thotë që çdo lloj kitsch-i është art, thotë një kritik. Ndodh rëndom që imitohet arkitektura e vjetër. Për shembull veshja me gurë në cepat e ndërtesave. Ajo është një butafori dhe të tilla ka plot. Po të shkosh te Rruga e Durrësit, ka qenë hotel “Pensioni” i thoshin dikur, një arkitekturë italiane e thjeshtë, sot e kanë marrë dhe e kanë mballosur me gjëra të tilla.

Ose rasti i ndërtesës së Universitetit Ufo në Berat, që është një katastrofë arkitekturore. Arkitekti duhet të bëjë arkitekturën e kohës së vet, sepse arkitektura është shtresëzim, qyteti vetë është shtresëzim dhe nëse ne nuk japim mundësi që arkitektura të shtresëzohet, çfarë kuptimi ka qyteti?
Arkitektura duhet të reflektojë kohën e saj, është si një lloj historie. Nëse do të shikosh një histori pa folur, pa ta shpjeguar, mjafton të ecësh në qytet. Ai është libri i hapur i historisë.

A ka mundësi që të rehabilitohet ajo çfarë ka ndodhur në qytete si Kamza?

Shumë e vështirë të ndodhë diçka e tillë. E vetmja mundësi që ka mbetur është që brezat e rinj të çmësohen me idenë se kjo që ka ndodhur nuk përbën asgjë të keqe, dhe këtë mund ta arrijnë vetëm duke ikur njëherë nga ai vend, duke hapur sytë. Ta ballafaqojnë atë me arkitekturën e mirë. Arkitekturën e konsideroj si aktin më demokratik pasi mjafton vetëm të hapësh sytë dhe të shikosh, u shfaqet të gjithëve, pa pagesë.

Por ama ka gjithmonë pushtetin mbrapa. I duhet një shtet ose një kapitalist që ta bëjë?


Po, pa dyshim. Por e kam fjalën pasi ajo bëhet, është demokratike. Ti mund ta shohësh pasi është e hapur për të gjithë, jo si vepra të tjera të artit pamor të cilat siç thuhet ekzistojnë përsa kohë unë shkoj dhe e shikoj atë, përsa kohë ajo qëndron në muze ajo nuk ekziston.Po marr rastin e Teatrit Kombëtar. Nuk mendoj se është një ndërtesë e jashtëzakonshme arkitekturore, por ai ka krijuar një “vend”, dhe sipas antropologut Marc Auge “vend” quhet ai që krijon marrëdhënie. Ai quan vend atë sheshin e vogël të fshatit ku të gjithë njerëzit dalin, takohen, i bërë thjesht, por që krijon historinë e fshatit. Ndërsa “jo vende” (non places) janë aeroportet, urat, ku njerezit nuk kanë mundësi të krijojnë marrëdhënie.

Në shkrimin tuaj “Për Teatrin” përmendni një element i cili e bën këtë ndërtesë shumë tokësore: mospasja e shkallëve.


Po. Është prirja e njerëzve për të shkuar tek objektet pa shkallë. Amerikanët të prirur nga biznesi thonë se “një shkallë të bën të humbasësh 10 mijë klientë”, edhe pse mund të duket e ekzagjeruar këtu gjej një të vërtetë. Shkallët, si element që të largojnë, si modelet e arkitekturës fashiste apo socialiste. Ju mund ta krahasoni vetë: shkoni te korpusi dhe pastaj futuni te teatri. Sapo futesh te teatri ke mundësinë të bësh muhabet 1 orë, 2 apo 3 dhe nuk e ndjen nevojën të largohesh sepse ai është “vendi”. Ndërsa piramida, apo korpusi i Universitetit pavarsisht se ky është një objekt me vlerë historike, janë shumë larg ndjesisë që të shkakton teatri. Teatri është një “vend”, pra është një objekt aq i zgjuar sa sot duket se u ka krijuar njerëzve edhe mundësinë që të bëjnë rezistencë. Po të mos ishte ai oborr do të ishte më e vështirë edhe qëndresa për të.

Keni thënë po ashtu që ndërtesa e Teatrit Kombëtar është nga të rrallët objekte që të jep mundësinë të mendosh së çfarë do të thotë të projektosh boshin.

Administrimi i boshit dhe jo plotësimi e mbushja e tij është sot në vetvete telashi më i madh i qyteteve europiane. Pra nuk është e vështirë të ngulësh një objekt, por sfida qëndron në administrimin e boshit, pasi ai është problematik. Çështja është sesi t’i japësh formë atyre që janë rreth boshit, sepse ai krijon vendin. Eshtë shumë interesante se koncepti i boshit në shumë shkolla të arkitekturës mësohet nëpërmjet tangos. Është një film i shkurtër 45 minuta me titull “Lezioni di tango” i cili të ndihmon të kuptosh më mirë boshin, marrëdhënien që krijohet rreth tij. Një aspekt tjetër shumë interesant është edhe akti i dhënies së dorës. Është shumë e rëndësishme kur ti jep dorën, duhet të ruash një distance, një hapësirë të caktuar, as shumë larg, por as edhe afër, pasi kjo nuk funksionon kur je fare ngjitur me tjetrin. Ti duhet të largohesh që dhënia e dorës të bëhet e mundur. Dhënia e dorës kërkon hapësirë dhe është boshi që i jep kuptim dhe atmosferë dhënies së dorës, ndaj është kaq i rëndësishëm. Në qytete, hapësira midis pallatave është po aq e rëndësishme sa edhe vetë pallati. Problemi qëndron te fakti se nuk dimë sesi të administrojmë boshin. Ky është krimi që po bëjmë te Teatri, sepse duam të mbushim një “bosh” që është shumë i rëndësishëm për qytetin.

Në skicat tuaja gjejmë herë pas herë radhë poezie që e shoqërojnë lexuesin dhe e afrojnë edhe më shumë me arkitekturën. Rasti i poezisë që shoqëron skicën e Pallatit të verdhë:

“Mali është një shoqërues i heshtur.
Ai është ngushëllimi i një qyteti.
Mali i Dajtit është fati i Tiranës.
Ai nuk pret që e t’i shtojmë bukurinë me veprat tona,
Por është ai që jua shton bukurinë atyre.
Pa Malin një Qytet është i pamatshëm.
Ai është përmasa që nuk të le të gabosh kurrë.
Pa Malin në Tiranë, Dielli nuk ka ku të lindë,
Hëna nuk ka me kë të matet,
Arkitektura nuk ka me kë të konkurojë. “

Kur shkoj në qytete të tjera vë re që dielli lind shumë më herët sesa këtu. Këtu në Tiranë mali i Dajtit e pengon lindjen e menjëhershme të diellit dhe e sjell atë në mënyrë shumë të butë, ndaj them nganjëherë se mali është një lloj ngushëllimi, mbrojtësi. Jam i bindur që qytetet me male i ka bekuar Zoti. A keni parë ndonjëherë peizazhe që nuk u shihet fundi? A ka gjë më të tmerrshme sesa të shohësh një qytet që nuk i dallohet fundi? Fundi është diçka shumë ngushëlluese, pra të kuptosh që diçka ka fund është një nga gjërat që të jep siguri. Në një nga filmat e regjisorit, për mua shumë i dashur dhe poetik, Giuseppe Tornatore-s, “Legjenda e pianistit mbi oqean” një djalë i lindur dhe i rritur në anije, vendos më në fund të zbresë në tokë. Në mes të shkallëve të mëdha të tragetit ai ndalon. Ndalon dhe kthehet mbrapsht. Asnjë nuk e kupton përse nuk zbriti, por në fakt ai ishte trembur nga një qytet që nuk ia shihte dot fundin. Ai ishte mësuar me pianon e tij e cila kishte një fillim dhe një fund. Ndaj dhe qytetet si p.sh ato të Amerikës Latine të cilat shtrihen si një lloj amebe pafund, janë të frikshëm. Qyteti në përmasë njerëzore ka një kufi, Aristoteli thoshte “deri aty sa të dëgjohet tellalli”. Ai është qyteti njerëzor, qyteti që ka një kufi. Prandaj mali e bën qytetin njerëzor sepse i jep atij sfond, peizazh dhe fund.

Në lidhje me objektin e Teatrit Kombëtar, ka një moment në artikullin tuaj që flisni për teknikën ushtarake “Shock and Aëe”, pra një akt që të magjeps por edhe që të tmerron, të frikëson, ndjesi të ngjashme me atë që u ka shkaktuar pjesës më të madhe të njerëzve projekti i ri i Teatrit Kombëtar. “Jo gjithmonë”- thoni ju, “ajo që vjen prapa është progres”. Të ndalemi te pjesa e progresit, specifikisht në deklaratat e Ministres së Kulturës thuhet se projekte si ky i teatrit janë për gjeneratat që po vijnë, për fëmijët tanë. Ku është garancia e zgjedhjes së mundësisë më të mirë për ata që do të vijnë? Si mund t’i shpëtojmë rrezikut të propozimit të diçkaje të re e cila vjen si magjepsje por që mund të ketë mbrapa tmerr?

Të flasësh në emër të brezave që do të vijnë mendoj se është spekulim. Së pari duhet analizuar situata. Unë jam me idenë që qyteti duhet të ndërtohet brenda vetes së tij. Do të thotë që brenda qytetit do të prishet dhe do të ndërtohet, sepse ndryshe i bie që qytetin ta kthejmë në magazinë, por nga ana tjetër ajo që kërkohet të prishet duhet fillimisht të analizohet, gjykohet dhe pastaj prishet nëse i ka kaluar këto filtra. Siç thotë një arkitekt tjetër që merret me këtë punë “rast pas rasti”, dhe teatri nuk është rasti, pasi aty mbartet e gjithë historia e një qyteti. Ky objekt ka ndikuar për mirë në qytet nëpërmjet marrëdhënies që ka krijuar me njerëzit, ndaj asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. Në krijimtari, nëse do të luftojmë për të marrë më të mirën duhet t’i nënshtrohemi një procesi seleksionimi dhe kjo bëhet nëpërmjet konkurseve. Ky është kriteri, si garancia e vetme që kemi për të zgjedhur më të mirën dhe siguruar pjesëmarrjen e popullit në vendimmarrje. Për të ardhur më pas te një temë tjetër arkitekturore dhe jo vetëm. Eshtë shumë e rëndësishme që arkitekturën ta bëjnë arkitektët e vendit, unë i quaj “arkitektë të territorit”. Pasi arkitektura ka të bëjë me territorin, ashtu si letërsia apo zhanre të tjera të artit. Unë mund të marr një renditje të shumë arkitektëve në botë, të cilët, jo rastësisht veprat e tyre më të mira i kanë bërë në vendin e tyre, në vendin që ata njohin më mirë. Nga ana tjetër, është destini i arkitektit që të punojë me të pasurit dhe të fuqishmit, siç edhe thotë një kritik i arkitekturës, Dejan Sudjic në librin e tij “The Architecture of poëer”. Kjo marrëdhënie ngjan me shtegtimin e detyruar të salmonëve për të derdhur dhe depozituar vezët, ata e kanë të destinuar të shkojnë kundër rrymës. Por mendoj se nuk është çështja a bashkëpunojnë apo jo me pushtetin, por më shumë ata nuk duhet ta justifikojnë, ta mbrojnë dhe ta propagandojnë pushtetin. Pavarësisht se nuk bën betimin e Hipokratit, çdo arkitekt ka një betim brenda vetes të pabërë të cilin nuk mund ta shkelë pasi cënon rëndë profesionin.


Për ta vazhduar linjën e diskutimit mbi raportin e arkitektit me pushtetin. Në rastin e stadiumit arkitektët nuk mbajtën fare qëndrim, dhe ju ishit i vetmi që patët guximin të flisnit. Në rastin e teatrit nuk ndodhi e njëjta gjë, apo jo?

Ndoshta për shkak se u rrit presioni i pushtetit ndaj arkitektëve në rastin e teatrit, ndërsa për stadiumin presioni nuk ishte aq i madh. Ata e bënë fakt të kryer dhe nuk u shoqërua me rezistencë. Me sa duket nuk pati kohë të mjaftueshme. Angazhimi për profesionin tonë është një lloj sakrifice. Pushtetit në përgjithësi i intereson që arkitektët të konformohen. Nuk bëhet qyteti me dy-tre gjëra që ndërtohen në qendër, qofshin edhe arkitektura tepër cilësore. Sfida qendron te ndërtimi i periferive. Ajo është pjesa e cila mbulohet nga e keqja dhe aty fillon qyteti. Madje mendoj se nuk ka përse të quhet periferi, qyteti është një dhe i tëri, ndaj e mira duhet të shpërndahet në mënyrë kapilare. Për ta mbyllur pak me optimizëm. Para një viti isha në Berat dhe hyra në lulishten pranë Hotel Turizmit, i cili ishte kthyer si një magazinë duhani. Pashë që po rikonstruktohej biblioteka e qytetit. Iu afrova, ishte një objekt shumë i bukur arkitekturor ndërtuar në vitet ’70, nga një arkitekt vendas në mos gaboj Faik Idrizi. Me një përmasë shumë të bukur, dykatëshe, kishte një grilë shumë të realizuar përpara që i thyente dritën shkallës që vinte pas saj. Ndërkohë, 100m larg nga ky objekt ndodhet Univeristeti (antikontestual) i Beratit i ndërtuar rishtazi. Te shkallët e bibliotekës po luanin disa fëmijë të moshës 10-13 vjeç. U afrova dhe i pyeta: “Kush ju pëlqen më tepër, ky objekti, këtu, pra biblioteka apo ai atje, Universiteti i Beratit?” E kuptova që u vunë në siklet. E mori guximin njëri që ishte më i topolaku dhe më tha: “Xhaxhi, ai atje është shumë madhështor, por mua më pëlqen të rri këtu.” Pra e kishte fjalën për bibliotekën. Në atë moment u ndjeva plot shpresë, pasi mendova që ky vend mund të ketë të ardhme. Ata fëmijë rrinin aty sepse aty ndjeheshin mirë, aty krijohej “vendi”. Ndërsa objekti përballë ishte si një trup i huaj gjigant që të mbyste me praninë e tij. Fëmija nuk tha se cili nga objektet i pëlqente më shumë, por tha vetëm, “më pëlqen të rri këtu”. Kjo është arkitektura, nganjëherë e pashpjegueshme.

***
Intervista është zhvilluar nga Elsa Demo në hapësirën e qendrës së Grupit Ata, në prani dhe diskutim me aktivistët e grupit Ata të cilët nuk bashkëndajnë të njëjtat qëndrime për qytetin e Kamzës, estetikën dhe poetikën e shtëpive të qytetit. Teksti i është nështruar një redaktimi gjuhësor në muajin shkurt 2023. Biseda është zhvilluar në korrik të 2018-s.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje