Albanologjia e një shoqërie në ikje
Nebi Bardhoshi | 06.03.2024 | nyje.al
Kriza e të vërtetave të amshueshme ideologjike e shkaktuar nga përfundimi i Luftës së Ftohtë u pasua me teza e qasje të llojllojshme. Ndër to pati dhe një shpërthim të teorive konspirative që në praktikë marrin funksion terapeutik dhe me dimension populist.
Këto teori shpeshherë zunë vendin e lënë bosh të kuptimësisë, sidomos rreth pyetjes se përse ka aq shumë paaftësi politike për të ndërtuar një shoqëri të drejtë. Përgjatë këtyre tri dekadash këto teori u mbarsën me efektet e shkaktuara nga dështimi për një shoqëri që ishte shpresuar. Ka gjasa që në praktikë të kenë marrë edhe trajtën e besimeve të reja popullore. Me teza populiste-terapeutike, u referohem atyre qasjeve, në dukje si teori sociokulturore, që mundohen t’u japin kuptim krizave të thella, jo bazuar domosdoshmërisht tek e vërteta, por më shumë te leximi i dëshirave, dhe akoma më shumë i dështimeve e drojave kolektive.
Këtu po përpiqemi të shtrojmë për analizë natyrën e tezave me natyrë terapeutike-populiste që vënë në pikëpyetje teza të ndryshme albanologjike. I qëndroj idesë se edhe për teoritë më konspirative apo më të dobëta shkencërisht, nuk ka arsye të fyhet autori dhe as besimtari i tyre, por është mirë të analizohen në mënyrë reflektive e kritike. Një prej mënyrave për të kuptuar pse-në e lindjes dhe pranisë të këtyre teorive, duhet kërkuar siç kemi theksuar tashmë te kriza e legjitimitetit të dijeve dalë prej regjimeve totalitare, krizës së vetë regjimit totalitar dhe ato që e pasojnë, pa hyrë të kriza globale të humaniteteve.
Imagjino vetëm për një moment ç’ndodh kur bie një regjim i cili kishte shkrirë së bashku të vërtetën shkencore dhe atë ideologjike si të shenjtë, dhe brenda pak ditësh e gjithë kjo e vërtetë e shtetëzuar kthehet në një besim të rremë – bestytni. Ndër shqetësimet e para popullore që filluan të artikuloheshin ishin: “Si paskemi jetuar?”, dhe, “Pse ne shqiptarëve s’na do kurrkush?!”. Pyetje nganjëherë krejt naive, por që brenda tyre kishin ndikimin e teorive të dikurshme shtetërore që ishin semi-konspirative, e këto dije u ndërkëmbyen për t’u dhënë përgjigje sfidave të reja. Ndër tiparet dominante të shoqërisë post-socialiste në Shqipëri, ishte emigrimi masiv. Fillimisht emigrimi u kombinua herë si revoltë ndaj izolimit shtetëror e herë thjesht si nevojë ekonomike. Por me kalimin e viteve, e sidomos në dekadën e fundit, emigrimi ka marrë tiparin e ikjes prej një vendi që s’ka më shpresë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.
Dijet albanologjike vijuan të përballen me kriza të brendshme, por edhe të prejardhura nga faktorë të ndryshëm që nuk lidheshin me teorinë apo teoritë albanologjike. Ndërkohë pati qasje kritike e reflektive dhe prurje e risi. Ka pasur, e ka, jo pak kritika të brendshme, pra nga vetë studiuesit e albanologjisë, mbi paradigmën mbizotëruese dhe mbi mitet e lidhura me origjinologjinë. Albanologjia formësohet nga pikëpamje shumëdisiplinore, si: arkeologjia, antropologjia sociokulturore, historia e gjuhësia, dhe secila disiplinë ka shtresat dhe nënshtresat e krizave të saj. Për shembull, ka kohë që kemi teza ose, së paku, hipoteza shkencore të reja mbi origjinën proto-ilire të gjuhës shqipe, apo hipoteza që shqipja është më e vjetra gjuhë e Europës. Po ashtu, ka pasur dhe ka teza për gjenezën në rrugë gjenetike. Teori që nganjëherë kundërshtojnë krejtësisht njëra-tjetrën. Pra, shkurt, një situatë krejt e zakonshme, pasi kështu duhet të ndodhë në fushat e dijeve. E, megjithëkëtë, me të drejtë shtrohet pyetja se pse nuk fitoi më shumë terren në hapësirën publike kultura shkencore kritike e kozmopolite, por, sa më shumë që kalonte koha, në ekran dhe hapësira të tjera mediatike, u përhapën “teori” me tipare populiste-terapeutike, që ndoshta kanë krijuar edhe tipare të “besimeve të reja popullore”?
Referuar debatit konkret, duket se çelësi i suksesit të teorive populiste-terapeutike qëndron në shpalljen e pamjaftueshmërisë së tezave klasike e dominante të albanologjisë.
Strukturalisht, teoritë populiste-terapeutike janë të ndërtuara mbi disa premisa. Këto premisa i përkasin më shumë zhargonit dhe kushtit të të jetuarit në luftë se sa të një episteme. Premisa e parë mbi të cilën ndërtohen, është se teza mbizotëruese shkencore, fjala vjen, e prejardhjes ilire, është e pamjaftueshme ose e ndërtuar në mënyrë të gabuar. Nën premisën e dytë, citohen një mori autorësh të huaj e ndonjë shqiptar, që kanë hedhur teza të lashtësisë shqiptare që e tejkalojnë atë ilire. Kushdo që ka pak dijeni në historinë e studimeve shqiptare e di mirë se që prej shekullit XIX e në vijim ka patur autorë që mbrojnë teza të prejardhjes së shqipes prej pellazgjishtes, por në teoritë populiste-konspiracioniste nuk gjenë një sens kritik mbi këto teza. Premisës së pamjaftueshmërisë, i shtohet premisa e tradhtisë dhe e komplotit ndaj shqiptarëve. Për rrjedhojë, kushdo që e kundërshton teorinë e re, shpallet tradhtar që mohon të vërtetën, dhe çdo pengesë ndaj botimit a publikimit të këtyre tezave, interpretohet si punë e armiqve të shqiptarëve. Kështu justifikohet, fjala vjen, edhe fakti se përse këta autorë nuk botojnë dot në revista shkencore ndërkombëtare.
Veç këtyre, autorët e pikëpamjeve populiste-terapeutike, janë të mprehtë në vëzhgimin e më pas në përvetësimin e çdo teze që aludon për një lashtësi më të madhe sesa ajo e paraqitur nga paradigma e vijimësisë iliro-shqiptare. P.sh., kujtojmë se si ndodhi me zbulimin e dy fshatrave palafitë në brigjet e Ohrit. Në media mbizotëroi lajmi i zbulimit të një vendbanimi, herë 8000 vjet p.e.s., herë 8000 vjet më parë. Autoriteti i këtij zbulimi qëndronte te fakti se këtë e kishte bërë Universiteti i Bernës. U reduktua, gati në shuarje, roli i arkeologëve shqiptarë dhe arkeologjisë shqiptare. Vetë autorë të tezave të hiperlashtësisë shqiptare, bënë me gisht drejt këtij zbulimi, por nuk na thanë asgjë lidhur me faktin se si e lidhin gjuhën e këtyre fshatrave me banorët e sotëm, pra me shqiptarët. U mjaftua me vazhdimësinë territoriale. Nëse dikush e shtroi, ai mori sulme si tradhtar. Në artikujt shkencorë kushtuar kësaj çështjeje, debati është më i shkoqur, por jo për publikun e gjerë. Ngjashmërisht ndodhi me një studim të botuar mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe, pa hyrë të shumësia e tezave që qarkullojnë mbi studimet me natyrë gjenetike.
Hartuesit e peticionit kanë anashkaluar shumë fakte e përgjegjësi të tyre. Kanë anashkaluar faktin se kjo gjendje është krijuar prej një krize të thellë të politikës dhe dijes në Shqipëri. E politikës, sepse s’ka mundur t’u japë përgjigje çështjeve të së tashmes, dhe vetë arti i politikës është shndërruar në të kundërtën e së vërtetës. Është anashkaluar, apo heshtur qëllimisht, fakti se institucionet e dijes në shoqërinë shqiptare, aq sa nuk guxojnë se s’kanë lirinë akademike, gjithaq kanë dështuar vetë për të dëshmuar se janë duke ndjekur përditshmërinë politike, duke lejuar kësisoj që politika të rrëshqasë aty ku është sot. Të rrëshqasë në një situatë postpolitike, do të kisha thënë, ku zgjidhjet nuk kërkohen, e nuk besohet se vijnë prej politikës. Me politikë, kuptoj atë art që bën njerëz bashkë dhe që si qëllim kryesor ka të mirën publike. E gjithë kjo situatë postpolitike, e njëherazi pas-së vërtetës [post-truth], është vendi ideal për teori populiste-terapeutike.
Nuk është se na duhet të dramatizojmë për të krijuar një bazë të argumentit që po flasim. Vetë, pak javë më parë, doli se sistemi ynë arsimor ishte në kuotën më të ulët sipas sistemit PISA. Tashmë pritet që INSTAT-i të na bëjë me dije se jemi një shoqëri, ku më shumë se gjysma e popullsisë ka lëshuar vendin. Por dimë që më shumë se 60 – 80% e të rinjve, nuk e shohin Shqipërinë si vendin e së ardhmes së tyre. Nëse ndjek vetëm pak minuta edicionet e lajmeve, sheh se qeveria nuk i zbaton ligjet e miratuara, por i ndryshon ato sipas interesave të disa “investitorëve strategjikë”. Lumenjtë janë duke u devijuar, e duke shkaktuar tharjen e qindra luginave, me qëllim ndërtimin e hidrocentraleve. Shumica syresh, jo thjesht thajnë luginat, por, pamundësojnë ose e kufizojnë ndjeshëm jetën në këto habitate. Vetëm këto ditë në media, paralel me peticionin që po diskutojmë, u dhanë lajme se çfarë po ndodhte me zonat e mbrojtura, me lumin e Shushicës, me degët e lumit Fan në Munellë (Pukë), me projektin për hidrocentralin Skavica, e plot të tjera.
Thënë përmbledhtazi, e gjithë kjo padrejtësi e shtresëzuar, ardhur kryesisht prej shtetit apo qeverimit kërkon një kuptimësi. Pyetja “Kush nuk na e do të mirën?” shtrohet çdo ditë. Duket se forcën për t’i dhënë kuptim këtyre padrejtësive e kanë teoritë e ndërlidhura me tezat e shpopullimit, të cilat flasin për mohim të lashtësisë dhe vjedhje të historisë. Edhe nëse nuk besohen si teori, ato duket se janë një mënyrë për të shkarkuar mllefet e ardhura prej dështimeve individuale e kolektive, janë një mënyrë për të gjetur pak krenari individuale e kolektive, e fundja, një mjet për të shprehur revoltën edhe ndaj “establishmentit të dijes”.