Aktivistët presin Blinken me flamurin palestinez. Rama: Reformim i Palestinës, pastaj “zgjidhje me dy shtete”

nyje.al | 16.02.2024

Aktivistët e kolektivit Palestina e Lirë “mikëpritën” dje sekretarin e shtetit amerikan Anthony Blinken me thirrjen “ Armëpushim tani!”. Ata shprehën solidaritetin me popullin palestinez duke shpalosur flamurin e shtetit të Palestinës në ballë të sheshit “Avni Rrustemi”. Në komunikatën e tyre aktivistët bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të mbështetjes financiare që SHBA po i akordon Izraelit, edhe pas sulmeve të tetorit, ndihmë e cila përkthehet në armatime me të cilat po kryhet gjenocid në Gaza. 

“Ne jemi një grup aktivistësh që jemi mbledhur sot për të ngritur flamurin e Palestinës, si një gjest simbolik që shpreh mbështetjen tonë ndaj përpjekjes së palestinezëve. Ky aksion është një thirrje drejtuar Sekretarit Blinken që ne refuzojmë çdo lloj pushteti-shtypës kolonialist nga Izraeli në Palestinë. Qytetarët e Shqipërisë kërkojnë edhe ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit të  ushtrisë izraelite me armë nga SHBA-të, dhe dënojmë përdorimin e këtyre armëve në ushtrimin e gjenocidit ndaj palestinezëve.”

Në komunikatë gjithashtu aktivistët distancohen nga qëndrimet zyrtare të shtetit shqiptar dhe ritheksojnë solidaritet të vazhdueshëm jo vetëm për popullin palestinez, por edhe për çdo popull të shtypur, siç edhe vetë kombi ynë ka qenë – sjellin në mendje ata – duke mos u kthyer shumë në kohë por në vitet e ‘90-ta kur shqiptarët e Kosovës vuajtën represionin e regjimit gjenocidal të Serbisë. 

Konferenca për shtyp, Kosova e Palestina

Një pjesë e mirë e konferencës së përbashkët për shtyp të Blinken dhe Ramës iu kushtua Kosovës dhe situatës politike në të cilën gjendet ajo. Të dy u shprehen se një rrugë është e paracaktuar të jetë e gabuar për Kosovën, ajo e së shkuarës, me konflikte dhe destabilitet. Gjithashtu Rama i bëri thirrje institucioneve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë hap pa u konsultuar me SHBA dhe aleatët. 

Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të siguruar paqe duket të jetë pothuaj inekzistente për Palestinën, si shembull aktual i orkestrimeve të ftohta diplomatike. I pyetur nga gazetari i CNN rreth çështjes qëndrore të arritjes së një marrëveshjeje të palëve apo shkatërrimit total nga Izraeli të qytetit të Rafah, vendi i fundit i mbetur në këmbë, sekretari Anthony Blinken shmangu dhënien e një përgjigjeje duke e konsideruar si pyetje që i duhej bërë kryeministrit të Izraelit Netanyahu dhe se fokusi i SHBA-së ishin pengjet. 

“Ne besojmë që duhet ta kemi dhe do të mbetet prioritet të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë që pengjet të kthehen në shtëpi, që të kthehen tek të dashurit e tyre. Dhe këtu qëndron fokusi ynë.”

Ndërsa kryeministri Rama pas pyetjes së të njëjtit gazetar lidhur me njohjen e Palestinës nga Shqipëria dhe qëndrimit në vazhdim ndaj këtij shteti, ndjeu nevojën ta vinte në kontekst historik këtë njohje. Sipas Ramës ishte miqësia e ngushtë e Enver Hoxhës me liderët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe urrejtja ndaj Amerikës, Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit ajo që çoi në njohjen e shtetit të Palestinës. Dhe kur flitet për zgjidhje mes dy shteteve, Edi Rama u shpreh se Palestina ka nevojë të reformohet politikisht sepse pa reformim nuk do të ketë kush të ulet për ta diskutuar këtë zgjidhje. Qëndrimet e të dy funksionarëve nuk janë mirëpritur nga aktivistët që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm dhe refuzojnë çdo lloj pushteti-shtypës kolonialist nga Izraeli në Palestinë.

Ndërkohë në të njëjtën ditë, Presidenti Macron është shprehur se Franca është kundër operacionit ushtarak izraelit në Rafah duke theksuar se kjo do të ishte dhunim i ligjit humanitar ndërkombëtar dhe do të rriste rrezikun e eskalimit të konfliktit në rajon. Sakaq, një ditë më parë Kombet e Bashkuara deklaruan se “ndërhyrja ushtarake në Rafah mund të shkaktojë një kasaphane në Gaza e cila do ta ngulfasë përpjekjen humanitare aktuale, tashmë të brishtë”

Imazhi i ballinës dhe në përmbajtje: Palestina e Lirë

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje