nyje.al | 14.06.2024
Lajmi për plagjiaturë nga rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha dhe dekania e Fakultetit të Drejtësisë Dorina Hoxha, ngriti pikëpyetje të mëdha mbi etikën dhe profsionalizmin e drejtuesëve në universitetet tona. Kallzimet e bëra publike nga studiuesi Taulant Muka pretendojnë se rektori dhe dekania kanë përfshirë në tezën e tyre të doktoraturës tekste të pareferencuara të studiuesve të huaj. Kjo akuzë ka ngjallë ndër organizata që merren me kërkimin shkencor dhe universitetin indinjatë dhe kanë kërkuar prej disa ditësh përjashtimin e tyre nga gara për zgjedhjet universitare. Ndërkohë që nga UT nuk ka pasur asnjë reagim, pedagogë apo përfaqësues të grupeve të ndryshme e kanë komentuar dhe shpeshherë edhe akuzuar si si vepër penale.
Në vazhdën e këtyre pretendimeve, ditën e sotme, “Qëndresa Qytetare” u mblodh përpara rektoratit të UT për të reaguar mbi këtë shkelje e cila sipas tyre thekson kulturën shqiptare të mosndëshkimit dhe parashtron sërish nevojën për reforma thelbësore në vendet tona të dijes dhe shkencës. Mirgen Qiraxhi, aktivist i “ Qëndresës Qytetare” shprehet se gjeja më e keqe që po i ndodh vendit tonë është heshtja ndërkohë që skandalet po mbivendosen dhe po normalizohen.
“Nuk ka gjëmë më të madhe sesa kur hajduti ngre shkallët e pushtetit dhe i ndershmi bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Universitetin e Tiranës e kanë uzurpuar plagjatorët hajdutë dhe rektori bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këshilli i Etikës bën sikur asgjë nuk ka parë e asgjë nuk ka dëgjuar.”
Duke listuar problematikat e universiteteve sot, ndër të tjera Qiraxhi përmendi edhe mungesën e konkurencës, duke iu referuar rektorit Artan Hoxha dhe dekanes Dorina Hoxha të cilët konkurojnë vetëm në zgjedhjet universitare që do të mbahen më 21 qershor.
“Universiteti është kriminalizuar! Nepotizmi dhe korrupsioni janë parime qeverisëse në këto institucione. Konkurenca dhe gara nuk ekziston. Gjunjëzimi dhe besnikëria ndaj drejtuesve janë kriteret e vetme për punësim.”
Ai, në emër të “Qëndresës Qytetare” shprehet se e dënojnë me forcë mungesën e reagimit për vjedhje dhe kërkojnë nga Ministrja e Arsimit pezullim të rektorit dhe dekanes deri në shqyrtimin e çështjes. Gjithashtu Qiraxhi i bëri thirrje çdo qytetari dhe pedagogu që të reagojë.
“Ministrja e Arsimit të pezullojë rektorin deri në shqyrtim të çështjes. Drejtuesit e akuzuar, rektor e dekan, të japin dorëheqjen. Gjejmë rastin të thërasim çdo pedagog të reagojë për të ushtruar presion ndaj rektorit, dekanit apo senatit. Qytetarë mos qëndroni jashtë kësaj beteje! Kjo është beteja më e rëndësishme e kombit tonë sepse në këto universitete dërgojmë fëmijët tanë për t’i përgatitur për jetën. A do t’i lëmë plagjatorët t’ju vjedhin të ardhmen?”
Lush Susaj, përfaqësuesi i sindikatës së punonjësve të universiteteve të Shqipërisë dhe pedagog në UBT shprehu pakënaqësinë ndaj institucioneve shtetërore dhe tha se ka mungesë kandidimi për projekte të reja dhe njerëz të rinj që do sillnin një frymë të re kundër korrupsionit. Ai e konsideroi plagjiaturën si një problem moral dhe kërkoi zbatimin e ligjit.
“Duhet hartim i ligjeve dhe rregulloreve që do shërbejnë kundër autokracisë dhe korrupsionit. Plagjiatura nuk është vetëm problem ligjor, por edhe moral. Kërkojmë zbatimin e ligjit.”
Susaj ngriti edhe shqetësimin e pedagogëve që kanë reaguar kundër mungesës së konkurencës në rektorate duke thënë se janë kërcënuar dhe frikësuar.
“Nuk ka masakër më të madhe sesa ajo mbi studentët dhe pedagogët reagues që nga protesta studentore e vitit 2018. Na kanë kërcënuar me familje dhe punë, prandaj pedagogët janë të frikësuar”
Mateo Yskollari, student dhe aktivist flet për reagimin aspak serioz dhe dinjitoz që institucionet kanë bërë me rastin e kallzimit të plagjiaturës ndërkohë që duhet të ishin pikërisht institucionet që duhet t’i jepnin zgjidhje këtij problemi. Kjo mungesë reagimi nga organet kompetente, heshtja e pedagogëve nga frika e humbjes së vendit të punës dhe mungesa e organizimit të studentëve, sipas tij duhen adresuar sa më parë.
“Ata po luajnë ping-pong me shqetësimin tonë. Këshilli i etikës thotë se denoncimin duhet ta sjellë një pedagog. Pedagogët thonë se është detyrë e senatit. Senati thotë se është detyrë e Ministrisë së Arsimit dhe kjo e fundit thotë se është detyrë e presidentit. Ky mosreagim ndaj një krimi akademik, tashmë të faktuar, dëmton zhvillimin akademik dhe rrezikon përparimin e sistemit arsimor në vend.”
I pyetur për zgjedhjet universitare të 21 Qershorit ai konfirmoi pjesëmarrjen e tij dhe ftoi edhe studentët e tjerë të marrin pjesë për të dhënë votën dhe shprehur mendimin e lirë, megjithëse thekson se nuk kanë alternativa.
Igli Lapaj nga Qëndresa qytetare tha se shembulli i rektorit të UT tregon sesi një rektor nuk duhet të jetë dhe se absurditeti fillon nga institucionet që duhet të frenonin plagjiaturen deri te mosreagimi i pedagogëve, që ngre dyshime edhe për plagjiatur në mesin e tyre.
“Institucionet që duhet të bëjnë sitjen e pedagogëve që kryejnë plagjiaturë nuk e kanë bërë detyrën e tyre dhe kjo është absurde. Akoma më absurd është fakti që pedagogët e këtij universiteti nuk reagojnë, çka na bën të mendojmë se plaga është akoma më e thellë dhe shkon jo vetëm në radhët e drejtuesëve, por edhe në radhët e pedagogëve”
Ai iu bëri thirrje komisioneve për marrjen e masave për evitimin gradual deri në eleminim të plagjiaturës dhe premtoi vazhimësi të aksioneve për paditje të të gjithë atyre që duan të normalizojnë plagjiaturën.