nyje.al | 10.05.2024
Aktivistët për mjedisin që prej kohësh janë në luftë të vazhdueshme ndaj ndryshimeve ligjore, të befta e shkatërruese ndaj zonave të mbrojtura, shpërndanë në mënyrë simbolike 140 kopje të vendimit të Konventës së Bernës. Në Ditën e Europës ata zgjodhën t’u rikujtojnë 140 deputetëve të kuvendit se “ëndrra europiane” vijon të mbetet një iluzion për aq kohë sa vendimet e organeve të rëndësishme të Bashkimit Europian nuk merren në konsideratë nga qeveria shqiptare.
Organizata mjedisore PPNEA, e cila ka iniciuar dhe një proces gjyqësor kundër ndërtimit të aeroportit në të Vlorës brenda zonës së mbrojtur është shprehur në qëndrimin e saj publik që komuniteti evropian prej kohësh i ka kërkuar qeverisë të ndalojë punimet e sipërpërmendura. Sakaq, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk e ka reflektuar dhe zbatuar këtë qëndrim të komunitetit ndërkombëtar, por përkundrazi po lejon punimet në shkelje të plotë edhe të ligjeve kombëtar.
Qendrim publik i PPNEA 9 Maj 2024
“Sot është dita e Europës dhe të gjithë mobilizohemi për të treguar se sa pro antarësimit në BE jemi. Kapitulli për zonat e mbrojtura ashtu si çdo kapitull tjetër është në negociata dhe në këtë ditë që ne promovojmë biodiversitetin, nga ana tjetër ndodhin vepra te tjera infrastrukturore, urbanizimi. Ndaj kemi zgjedhur ta sjellim ne vëmendje këtë rezolutë.”- tregon Klaudia Koçi, anëtare e organizatës mjedisore PPNEA.
E pyetur për hapat e radhës, Koçi tregon se objektivi vijues i organizatave do jetë informimi gjerësisht i publikut në sferë kombëtare dhe ndërkombëtare duke përdorur çdo mënyrë komunikimi.
Mjedisorët gjatë deklaratës publike, Klaudia Koçi dhe Joni Vorpsi, 9 Maj 2024
Aktivisti Andi Tepelena i ka cilësuar jo-europiane veprimet e qeverisë në lidhje me zonat e mbrojtura duke nënvizuar disa nga shkeljet e kryera dhe duke i cilësuar keto veprime si kontradiktore, ku në njërën anë Vjosa shpallet Park Kombëtar dhe në anën tjetër, zona e cila është pjesë e parkut kombëtar të Vjosës jepet për ndërtim, i cili më shumë se zhvillim është shkatërrim.
“Ne nuk jemi kundër zhvillimit, por pro një zhvillimi të qëndrueshëm i cili respekton natyrën, trashëgiminë kulturore dhe interesin publik. Nuk është sjellje europiane të bësh proçese jotransparente në favor të oligarkëve apo që i gjithë proçesi të kalojë në duart e një personi të vetëm. Jemi skeptikë edhe për gjykatën kushtetuese e cila nuk po përfaqëson interesin e qytetarëve me vendimet e fundit si psh në rastin e Skavicës, ku komuniteti dibran nuk është përfillur aspak.” – shpjegon Tepelena.
Deklaratë publike, Andi Tepelena, 9 Maj 2024
Lavdosh Ferruni, ambientalist, shprehet se ka shumë të ngjarë që proçesi gjyqësor të zvarritet derisa vepra te mbarojë, siç ndodh rëndom me proçeset për zonat e mbrojtura.
“Është arrogancë e madhe të kundërshtosh vendimin e Bernës. Kjo arrogancë do ketë pasojat e veta sepse sensibilitet për këtë çështje ka edhe nga ndërkombëtarët të cilët e kanë trajtuar këtë çështje. Proçesi do zvarritet siç ndodh shpesh dhe do na mbetet vetëm të perballemi me faktin e kryer. Kjo është ajo që po ndodh me aeroportin e Vlorës.” – thotë ai.
I pyetur për pasojat në mjedis, Ferruni tregon se me ndërtimin e aeroportit aty nuk do të ketë më mjedis.
“Në çfarë vendi të botës ke dhe aeroport dhe vend atraktiv apo zonë të mbrojtur? Nëse ka diku atëherë ne jemi gati ta pranojmë projektin, por kjo nuk është e mundur.”
Deklaratë publike, Lavdosh Ferruni, 9 Maj 2024Nuk kërkon shumë imagjinatë për të kuptuar pasojat e pakthyeshme që ka dhe do të ketë në vazhdim ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, si për natyrën, speciet e saj por po aq edhe për njeriun. Akte të tilla shtetërore mund të cilësohen si ekocidiale për natyrën sipas Vorpsit.
“Kur flasim për aeroport, aty kemi infrastrukturë mbështetëse, energjitike, kanalizime, pra natyraliteti nuk do të jetë më pjesë e zonës. Në momentin që të gjitha rrugët shtrohen me asfalt, trafiku do të jetë më i lartë dhe nuk mund të flasim më për ndikimin në speciet e zonës përreth, pasi do të jetë një shfarosje e pabesë e një zone aq të pasur dhe aq të rëndësishme si për njeriun ashtu edhe për natyrën.” Joni Vorpsi, anëtar i organizatës mjedisore PPNEA.