nyje.al | 25.09.2024
Përdorimi i gjuhës seksiste e mizogjene në emisione televizive, normalizimi i diskurseve shtypëse ndaj grave dhe përçudnimin e imazhit të tyre në rrjetet sociale dhe emisione televizive, prej kohësh është trajtuar si shqetësim dhe po merr sa vjen e më shumë vëmendje nga aktivistet feministe në Shqipëri e Kosovë. Dënimi i vajzave për shkak të pikëpamjeve feministe apo pohimet objektifikuese haptazi e publike kanë nxitur reagim në Tiranë e Prishtinë. Revoltimi i shtuar ka ardhur edhe prej faktit se këto deklarata vijnë nga personazhe të jetës publike e artistike.
Kolektivi Feminist në Tiranë pati një reagim ditën e djeshme në rrjetin social instagram kundër transmetimit të një interviste nga televizioni Top Channel, në të cilën aktori i komedisë Albano Bogdo tregon se ka përzënë nga shtëpia e tij vajza gjysëm të zhveshura kur ato e sfidonin në botëkuptimet mbi të drejtat e grave.
“Mbasi mbaruam (aktin seksual), më tha diçka të mënçur. Bëri kshu si e mënçur, në dy të natës. Dhe i thash leje si muhabet. Jo tha… – këmbënguli. I thashë leje si muhabet. Të lutem, leje si muhabet. Filloi të bënte kështu, si feministe. E nxorra jashtë nga shtëpia. Ishte vetëm me mbathje dhe me sutjena.”
Më tej Bogdo vazhdon të tregojë sesi ia hedh rrobat nga dritarja vajzës në fjalë dhe sesi ky nuk ishte rast i veçuar, por i përsëritur. Drejtuesja e emisionit “Se luan topi” Erjona Rusi, ashtu si edhe publiku në sallë qeshin pas këtyre deklaratave duke mos u ndalur aspak në peshën e rëndë të këtyre rrëfimeve që kanë për qëllim të degradojnë dhe përbaltin gratë. Kolektivi Feminist e konsideron regresive heshtjen dhe anashkalimin e gjuhës seksiste të përdorur nga aktori e më tej transmetimin e deklaratave.
“Mburrja e një aktori për dëbimin e një gruaje gjysëm lakuriq nga shtëpia e tij sepse ajo shprehte pikëpamje feministe, është një shfaqje e qartë e përbuzjes për gratë, të drejtat dhe autonominë e tyre. Ajo që është edhe më tronditëse është se gazetarja që është vetë grua dhe publiku, qeshin në përgjigje të kësaj deklarate. Ky reagim është veçanërisht zhgënjyes, pasi përjetëson idenë se advokimi i grave për barazi është diçka për t’u tallur, përbuzur dhe hedhur poshtë.”
Duke rikujtuar përgjegjësinë e mediave për edukim, Kolektivi fton gazetarët të sfidojnë normalizime të sjelljeve të tilla dhe të punojnë për emancipimin e shoqërisë.
“Një sjellje e tillë, veçanërisht kur transmetohet në një shfaqje të njohur televizive, përforcon stereotipet e dëmshme gjinore dhe banalizon betejat me të cilat përballen gratë në luftën për barazi. Reagimi i gazetares dërgon mesazhin se është e pranueshme, madje edhe qesharake, të degradosh gratë. Ky emision dhe shumë emsione të tjera në mediat shqiptare janë një kujtesë se sa e ngulitur është mizogjinia, jo vetëm midis burrave, por edhe midis grave, kur seksizmi i brendësuar manifestohet në mënyra që dëmtojnë kauzën e barazisë.”
E teksa në Shqipëri problematizohen deklaratat televizive të Albano Bogdos, në Prishtinë pak javë më parë ishte dizajneri dhe artisti Berin Hasi që ka nxitur reagim pas deklaratës në rrjetin social Instagram, në të cilin ndan ndjesinë e respektit që ai ka për personat që nuk problematizojnë intoksikimin e pijeve të tyre kur frekuentojnë bare dhe hapësira të tjera të ngjashme.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e aktivisteve të kauzës feministe që e kanë cilësuar këtë deklaratë si normalizim të kulturës së përdhunimit dhe heshtjes ndaj saj. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist së bashku me Lëvizjen Feministe Studentore organizuan një takim në Prishtinë me bashkëaktivistë nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut për të bashkrenduar nisjen e formimit të një trupe reaguese që shkon përtej gjendjes së emergjencës nga e cila rrjedhin kryesisht aksionet e derimëtanishme. Diskutimi u njoftua dhe u hap me shqetësimin e artikulimit të dhunës me bazë gjinore lirshëm edhe në qarqet elitiste siç parashihet të ndodhë në rastet e mësipërme.
Përkundër imagjinatës së përgjithshme që dhuna seksuale rëndom ndodhë në periferitë e shoqërisë dhe ushtrohet nga burra patriarkalë të varfër, të paedukuar, të racializuar e jo të emancipuar, përvoja jonë i flet një realiteti tjetër. Dhuna e gjinizuar, e manifestuar përmes dhunës seksuale dhe dhunës epistemologjike, është po aq e egër edhe në qarqet elitare dhe hapësirat që mëtojnë emancipim kulturor e shoqëror.
I organizuar në Termokiss, qendër sociale e kulturore në Prishtinë, diskutimi pati edhe rrëfime të vetë të angazhuarëve në këtë komunitet që dëshmonin raste ku ngjallej pasiguri tek vajzat e gratë, anipse mendohet si ambient progresiv dhe i frekuentuar nga individë të shprangosur nga mendësia mizogjene e seksiste.
Kësisoj ka lindur nevoja që aktivistet të ndërmarrin një aksion në hapësirat publike e private ku përmes mesazheve të stampuara në këto ambiente të përcillen thirrje si: “Mos i mshefni abuzuesit!”; “Ngacmuesit seksual kanë emra. Ju njohim!”; “Mostolerimi i ngacmimit o akt rezistence”; etj. Këto mesazhe të paraqitura edhe në ambientet e bareve dhe kafeneve shkojnë përkrah edhe diskutimeve me pronarë të këtyre ambienteve që të punojnë për ndërtimin e hapësirave të sigurta për vajzat e gratë.
Lidhur me deklaratën e dizajnerit Hasi, Grazeta, një gazetë feministe e bazuar në Prishtinë, ka shpërndarë një seri imazhesh grafike e informuese lidhur me aktin kriminal të intoksikimit të pijeve duke bërë thirrje për burgim të personave që “qesin najsen n’pije”.