Në pikun e pandemisë qytetarët e Kamzës detyrohen të presin në radhë për të marrë abonenë për shkak të vonesave të institucioneve

Foto lajm | nyje.al | 01.03.2021 

Jo më larg se 4 ditë më parë, Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka komentuar frekuentimin e transportit publik duke e quajtur zgjedhje personale dhe që sipas saj mënyra për t’u mbrojtur nga rreziku i pandemisë është që qytetarët të zgjedhin urbanin që ka më pak qytetarë si dhe të zgjohen herët për të shfrytrëzuar oraret pa flukse të mëdha. 

Vetëm pak kilometra larg nga kryeqyteti prej të cilit është shprehur Zv. Ministrja, në qytetin e Kamzës, që me siguri nuk është përshkruar me urban nga zyrtarë që sugjerojnë të tilla zgjidhje, sot banorët janë përballur me problemin që i mundon prej kohësh. Me dhjetra e qindra banorë të Kamzës gjatë gjithë ditës janë renditur te dispeçeria e kompanisë “Shpresa Al” në Kamëz për të marrë abonenë e muajit mars. 

Punonjës të transportit publik afër dispeçerisë janë shprehur se e gjithë kjo radhë ka ndodhur për shkak të vonesës së shkaktuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë rikujtojmë që kjo radhë nuk është hera e parë që ndodh në Kamëz. 

“Problem i shtypshkronjës që nxjerr abonetë më duket, kështu po na thonë” – shprehet një qytetar në pritje teksa e pyesim se përse ka aq shumë njerëz. Dy djem i ankohen njërit prej fatorineve në stacionin e nisjes duke i thënë që kanë prej datës 27 shkurt që vijnë çdo ditë dhe presin për të marrë abonenë e përgjithshme, e cila kushton 1200 lekë. 

Si në mëngjes, ashtu edhe në mesdrekë fluksi i qytetarëve për të marrë abone ka qenë i madh, madje ka ardhur duke u rritur. Proporcionalisht është rritur dhe tensioni mes qytetarëve. Shumë mes tyre, të revoltuar e të shqetesuar për kushtet çnjerëzore me të cilat trajtohen i janë drejtuar edhe dy policëve kalimtarë që po bënin verikimin e radhës për mbajtjen e maskave në publik duke u kërkuar që më mirë të zgjidhin gjendjen të cilën janë të detyruar ta durojnë sesa t’u kërkojnë “qytetari” e “kujdes” ndërkohë që presin në radhë. 

 

Paradite ne Kamëz
Paradite në Kamëz, foto nyje.al
Paradite në Kamëz, foto nyje.al
Paradite në Kamëz, foto nyje.al
Pasdite në Kamëz, foto nyje.al
Pasdite në Kamëz, foto nyje.al
  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje